Firma e Enver Hoxhës: Refuzohet falja e dënimit me vdekje (dokumenti)

  • 02 February 2017 - 10:47
Firma e Enver Hoxhës: Refuzohet falja e dënimit me vdekje (dokumenti)

Ish- Drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, vijon të nxjerrë fakte dhe dokumente nga periudha e errët e Komunizmit në vendin tonë. Sot në profilin e tij në Facebook, ai ka publikuar një vendim të Enver Hoxhës, në atë kohë Ministër i Mbrojtjes Kombëtare, i cili më 28 Janar të vitit 1948, ka nënshkruar vendimin që deputetëve që kishin kërkuar faljen e dënimit, të mos u jepet. Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uan Filipi, Surja Selfo, Hilmi Hysi dhe Hasan Reci ishin deputetët që kishin kërkuar falje të dënimit.
Statusi i Kastriot Dervishit:
1948/Dënimet me vdekje të grupit të dytë të deputetëve
Më 22.1.1948 Gjykata e Lartë Ushtarake dha vendimin kundër grupit të dytë të deputetëve, disa prej të cilëve u dënuan me vdekje. Para se të kryhej ekzekutimi, të dënuarit iu drejtuan me lutje të veçanta Presidiumit të Kuvendit Popullor, organit kolegjial që ishte në rolin e kryetarit të shtetit.
Para shqyrtimit të kërkesave, në mënyrë të fshehtë, ministri i Mbrojtjes Kombëtare iu drejtua Presidiumit duke i kërkuar refuzimin e faljes së jetës së të dënuarve me vdekje.
Ndër të dënuarit ishte edhe Surja Selfo, ish mik dhe shok i E.Hoxhës.
Në pleqëri të thellë, diktatori shkroi (gënjeu siç bënte zakonisht) se pushkatimi i Selfos ishte punë e Koçi Xoxes. Kjo që shihet në dokument është nënshkrimi i E.Hoxhës me të cilën kërkon refuzimin e faljes së jetëve të personave të dënuar me vdekje.

(Kosova Sot)

Image