Si e prishi Enver Hoxha paktin me ballistët?

  • 05 March 2017 - 09:20
Si e prishi Enver Hoxha paktin me ballistët?

SHKRUAN: URAN BUTKA

Mukja, një çështje kyçe në historinë moderne.

Mithat Frashëri insistoi që çështja e Kosovës detyrimisht të trajtohej e të përcaktohej në këtë kuvend dhe të luftohej për zgjidhjen e saj të drejtë.

Marrëveshja e Mukjes lindi si një nevojë e një kombi për bashkim. Ideja e bashkimit e realizuar në Mukje, është një frymë dhe një përpjekje e pandërprerë, e lindur historikisht dhe e kthyer në ndërgjegje e forcë, në lëvizje e veprim mbarëkombë- tar në kushtet kur rrezikohej pavarësia dhe liria, por edhe ekzistenca e Shqipërisë. Mukja është një çështje kyçe në historinë moderne, por dhe një çelës për të hyrë brenda saj, për të ndriçuar e shpjeguar fenomenet e ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore dhe të gjithë periudhës gjysmëshekullore që pasoi. Është një mësim për të gjithë ata që duan të mësojnë nga historia, një mesazh i nevojshëm për sot dhe për të ardhmen. Mbledhja e Mukjes, që ka dimensionet dhe vlerat e një kuvendi kombëtar, u zhvillua në datat 1 -3 gusht të vitit 1943. Në një kapërcyell kohësh, në prag të kapitullimit të Italisë fashiste dhe të pushtimit gjerman të Shqipërisë, në një udhëkryq të historisë sonë. Në prag të bashkimit kombëtar në luftën kundër okupatorëve, por edhe të ndarjes, të mosmarrëveshjes dhe të konfrontimit të madh brenda vetes, në një dualitet alternativash. Nacionaliste apo komuniste, demokratike apo totalitariste, perëndimore apo lindore. Për të ardhur deri në Mukje u desh një rrugë e gjatë dhe e mundimshme e forcave kombëtare e demokratike, të cilat, të shqetësuara për fatet e Shqipërisë e të kombit në kushtet e pushtimit, kërkonin një zgjidhje, një levë të brendshme për t'i përballuar. Kjo levë ishte kodi shqiptar i besëlidhjes dhe i bashkëpunimit në rrezik.

Bashkimi ishte një kërkesë mbarëkombëtare Në vitet e Luftës së Dy të Botërore, sidomos përgjatë vitit 1943, kudo, në çdo familje, fshat, qytet e krahinë të vendit, si edhe në diasporë, flitej e shkruhej për nevojën e domosdoshme të bashkimit të të gjithë shqiptarëve për të përballuar kushtet e rënda të pushtimit italian dhe, veçanërisht, të bashkimit për të përballuar një pushtues tjetër më të egër, i cili kishte bërë daljen dhe goditjen e parë në Borovë, korrik 1943. Pra, në prag të mbledhjes së Mukjes, bashkimi ishte një kërkesë mbarëkombëtare, një imperativ i kohës, një thirrje e një diktim i një populli që donte të dilte me çdo kusht nga vorbulla në breg, nga pushtimi në liri. Por që të realizohej kjo gjë, duhej të arrihej marrëveshja dhe bashkëpunimi midis dy grupimeve më të mëdha politike dhe ushtarake të asaj kohe: Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar, organizata të kundërta ideologjike e politike, që kishin secila platformën dhe programin e vet, formën e organizimit dhe të veprimit politik, strukturat e formacionet ushtarake respektive, të ndërtuara kryesisht në çeta e batalione e në taktikë të luftës partizane. Pas tyre qëndronin forca shoqërore të caktuara nga gjithë shtresat e qytetit dhe të fshatit, që kishin gjeografinë e ty re të përcaktuar politike e krahinore, madje brenda një fshati ose familjeje. Mirëpo, kjo ndarje e madhe në dy grupime antagoniste të rezistencës shqiptare, ku përfshihej gati i gjithë populli, e kishte brenda mundësinë e bashkimit të përshpejtë, sidomos përballë pushtuesve nazifashistë, por e kishte brenda edhe rrezikun e konfliktit, sidomos përballë presionit sllavo-komunist; i kishte premisat objektive edhe për bashkëpunim, por edhe konfrontim midis tyre për pushtet, gjë që mund të sillte luftë civile. Përballë këtij rreziku të dyfishtë, e vetmja zgjidhje pozitive e shpëtimtare për Shqipërinë ishte bashkëpunimi midis dy grupimeve më të mëdha politike e ushtarake në luftë kundër armiqve të përbashkët të Shqipërisë, por edhe më tej.

Dokumenti, 18 korrik 1943 Gjatë shekujve shqiptarët kishin bërë marrëveshje historike për të ruajtur jetën, lirinë dhe integritetin territorial, siç janë Kuvendi i Lezhës, Lidhja e Prizrenit, Kuvendi i Vlorës, Kongresi i Lushnjës etj. Ndryshe nga marrëveshjet e njëzëshme të mëparshme të shqiptarëve, Marrëveshja e Mukjes bashkoi për interesa madhore dy krahët më ekstremë të mendimit dhe të politikës shqiptare: organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Frontin komunist Nacionalçlirimtar. A mund të bashkoheshin dy të kundërtat, kur ishte në lojë interesi kombëtar? Po! Së pari, sepse në këtë moment kritik bashkëpunimin e kërkonin të gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë. Bashkimi ishte bërë nevojë e vullnet i një kombi. Në mos në Mukje, diku tjetër do të kryhej ky akt madhor, i mbarsur në kohë. Duhej një luftë e përbashkët antifashiste, dhe jo një luftë e pjesshme, partiake. Së dyti, sepse të dy grupimet kryesore të rezistencës antifashiste: Fronti NÇ dhe organizata e Ballit Kombëtar, e konsideronin okupatorin si armik, shkelës së sovranitetit dhe të pavarësisë së Shqipërisë dhe si i tillë ai duhej luftuar. Së treti, deri në Mukje grupimet kryesore politike ende e konsideronin njëri-tjetrin si kundërshtarë politikë, por jo si armiq. Fakti që gjatë vitit 1943 ishin nënshkruar e arritur mjaft marrëveshje lokale dhe kërkohej me insistim nga populli dhe nga përfaqësuesit e të dy organizatave në bazë që ky mirëkuptim të vendosej edhe në qendër, fakti që deri në gusht të vitit 1943 çetat nacionaliste dhe ato partizane në përgjithësi nuk erdhën në përpjekje të armatosur midis tyre, madje zhvilluan mjaft beteja të përbashkëta si në Gjorm, Pocestë, Reç etj., vërteton frymën ekzistuese të mirëkuptimit, e jo të konfrontimit mes shqiptarëve. Së katërti, sepse zgjidhja e çështjes sonë kombëtare doli si problem jetësor i kombit shqiptar, sidomos gjatë Luftës së Dytë, kur ishte bërë "de fakto" bashkimi i një pjese të mirë të trevave të Shqipërisë Verilindore me shtetin amë. Kërkesa për vetëvendosjen e popullit të Kosovës sipas parimit të Kartës së Atlantikut u bë shprehje e vullnetit gjithëkombëtar, gjë që impononte e kapërcente edhe mospajtimet politike të grupeve kryesore të rezistencës. Edhe përfaqësuesit e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar në Mukje, megjithëse nuk e kishin në programin e tyre Shqipërinë etnike për arsyet që tashmë dihen, nuk dolën kundër dëshirës e vullnetit gjithëshqiptar për një Shqipëri të bashkuar etnike dhe më në fund e pranuan këtë opsion. Në një letër të Miladin Popoviçit drejtuar Titos, në prag të Konferencës së Mukjes, shkruhet ndër të tjera: "E tanë Shqipënia asht e okupueme prej këtij problemi". Së pesti, edhe situata ndërkombëtare në verën e vitit 1943 ishte më e favorshme. Koalicioni i madh antifashist po përparonte në luftën kundër nazifashizmit. Misionet aleate britanike kishin ardhur në Shqipëri dhe kishin kontaktuar si me Nacionalçlirimtaren, ashtu edhe me Ballin Kombëtar, kërkonin bashkëpunimin mes tyre në luftë kundër ushtrive të Boshtit dhe e mbështetnin atë. Për këto arsye, marrëveshja e bashkëpunimi gjithëshqiptar ishin plotësisht të mundshme. Është merita e vetëdijes kombëtare, përgjegjësia dhe angazhimi i figurave të shquara shqiptare që në këtë situatë të brendshme e të jashtme të favorshme, por edhe të rrezikshme për Shqipërinë, e kuptuan dhe e ndien nevojën e domosdoshme të bashkimit, e dëgjuan thirrjen për marrëveshje mbarëshqiptare dhe u përpoqën ta ngjiznin atë. Mukja po trokiste në dyert e historisë shqiptare se e kërkonte koha. U bënë mjaft takime e konsultime paraprake ndërmjet eksponentëve kryesorë të të dy ja organizatave, por elementët kryesorë bashkues ishin Abaz Kupi nga Nacionalçlirimtarja dhe Ihsan Toptani nga nacionalistët. Dokumenti më i rëndësishëm në rrugën drejt Mukjes ishte, pa dyshim, ai i datës 18 korrik 1943, një mesazh i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar drejtuar Organizatës së Ballit Kombëtar, hartuar dhe firmosur nga Y . Dishnica, M. Gjinishi, A. Kupi dhe M. Peza, që shpreh parimet kryesore të Lëvizjes Nacionalçlirimtare mbi të cilat u arrit edhe mirëkuptimi. Ky dokument i rëndë- sishëm nuk është botuar më parë dhe është heshtur qëllimisht, sepse këto parime demokratike, si: Lufta antifashiste ku të marrin pjesë gjithë atdhetarët pa dallim feje, krahine dhe ideje; moscenimi i pronës dhe i iniciativës private, zgjedhje të lira e demokratike pas shporrjes së pushtuesve, u shmangën më vonë.

Procesverbali i mbledhjes së Mukjes Sipas procesverbalit të mbledhjes së Mukjes, të dyja organizatat u përfaqë- suan me nga 12 delegatë. Kryetarë delegacionesh ishin Mithat Frashëri dhe Ymer Dishnica. Kryetar i punimeve të Kuvendit u zgjodh me propozim të Nacionalçlirimtares, Thoma Orollogai, delegat i Ballit Kombëtar, ndërsa sekretar Mustafa Gjinishi i Nacionalçlirimtares. Pas një debati prej tri ditësh u arrit marrëveshja. Pika e parë e saj ishte krijimi i Komitetit "Për shpëtimin e Shqipërisë". Atributet e tij të rëndësishme flasin për një zgjidhje të re politike, për një përgjegjësi, pjekuri dhe angazhim të madh kombëtar të forcave politike kryesore në Shqipëri. Ky ishte forumi i parë pluralist në Shqipëri, si forma më demokratike e qeverisjes së botës së qytetëruar. Kjo mënyrë organizimi do të shtrihej edhe në gjithë strukturat e bazës dhe do të unifikonte drejtimin, do të shmangte anësinë partiake, do të eliminonte përçarjen e antagonizmin, do të mënjanonte rrezikun e luftës civile, do të bashkonte në një front të përbashkët të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike, nga përkatësia partiake, fetare, krahinore, në luftë të përbashkët kundër okupatorëve dhe do të çelte udhën e demokracisë së vërtetë pluraliste perëndimore.

Proklamata, 3 gusht 1943 Në proklamatën e datës 3 gusht 1943, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë paraqiti këtë program: "1 . Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve të mëdhenj Anglisë, SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, si edhe të popujve të shtypur kundër pushtuesit barbar, me divizën rilindëse "Ja vdekje, ja liri". 2. Luftë për një Shqipëri të Pavarme, luftë për zbatimin e parimit të njohur botërisht e të garantuara nga Karta Atlantike të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike. 3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore. Komiteti për Shpëtimin e Shqipënisë do të vazhdojë luftën tue udhëhequn popullin shqiptar në rrugën e sakrificës dhe të nderit deri në formimin e një qeverie provizore. Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një Asambleje Kushtetuese të zgjedhur me sufrazh universal direkt". E veçanta e Kuvendit të Mukjes ishte trajtimi me përparësi dhe kompetencë i çështjes sonë kombëtare në krizë, veçanërisht i Kosovës. Në Mukje u bë përpjekja e parë institucionale për zgjidhjen e çështjes së Kosovës sipas vullnetit të popullit shqiptar dhe në bazë të parimit universal të vetëvendosjes së kombeve. Përfaqësuesit kryesorë të Ballit dhe ata të Nacionalçlirimtares u shprehën se e konsideronin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë gjatë Luftës së Dy të Botërore vetëm të pjesshëm dhe të realizuar dhunshëm nga okupatorët fashistë për interesat e ty re. Por ata ndaheshin kur rrihnin të përcaktonin qëndrimin ndaj momentit që aktualisht që po kalonte apo duhet të evoluonte ky proces. Mithat Frashëri insistoi që çështja e Kosovës detyrimisht të trajtohej e të përcaktohej në këtë kuvend dhe të luftohej për zgjidhjen e saj të drejtë, sepse, nëse nuk do të ndodhte kështu, atëherë, pas luftës, as që do të përmendej më çështja kosovare dhe Kosova do të ishte e humbur. Ai parashtroi që zgjidhja e statusit të saj të bëhej mbi të drejtën kombëtare të Shqipërisë etnike dhe mbi parimin e vetëvendosjes së kombeve, të garantuar nga Karta e Atlantikut. Ky formulim respektonte vullnetin e popullit shqiptar për vetëvendosje dhe përjashtonte ndryshimin e kufijve me dhunë. Ky formulim harmonizohej edhe me politikën e Fuqive të Mëdha Antifashiste që kishin shpallur botërisht se nuk njihnin kufijtë e ndry shuar me dhunë nga pushtuesit nazifashistë, pra ishte njëherësh edhe një pohim edhe një bashkërreshtim në Frontin Antifashist Ndërkombëta.

(Kosova Sot)