“Mehmeti qau para Enverit pse gaboi në fejesën e djalit” (Dokument)

  • 05 March 2017 - 12:41
“Mehmeti qau para Enverit pse gaboi në fejesën e djalit” (Dokument)

Në dorëshkrimin e Enver Hoxhës për takimin me Mehmet Shehun, më 11 shtator 1981. Aty tregohej se çfare i kishte thene për fejesën e djalit me Silva Turdiun.

“Mes te tjerave ne doreshkrim thuhej: “I them Mehmetit jo vetëm ke bërë këtë gabim të madh politik, por as more mundimin duke i njohur këto biografi të Turdive të më pyesje edhe mua. Pse veprove kështu, duhet të analizoç shkaqet dhe ç’mendon të bëç. Unë mund të të them dhe do ta them mendimin tim se ç’duhet të bëç, por meqë s’më pyete kur e bëre, mendoje vetë se ç’duhet të bëç dhe sa më parë se po dëmtohet Partia”.

HOXHA2

DOKUMENTI

Takimi i parë

E premte, 11 shtator 1981

Gabimi i rëndë politik i shokut Mehmet Shehu

Shokun Mehmet e lajmërova të linte punën në Korçë, dhe të vinte në Tiranë. Ai u kthye dhe i shtrova çështjen e djalit të tij Skënderit, i cili u fejua me vajzën e Turdiut (profesor), biografinë e të cilit dhe gruas së tij nga Pipajt po e bashkangjit.

faksi2222

Kjo martesë e palejueshme nga ana politike u bë nga Mehmeti pa më pyetur fare mua dhe pa më thënë as lajmin që e fejoi djalin. Këtë fejesë e mora vesh rastë- sisht nga Iliri, të cilin e kish thirrur për të pritur nusen Mehmeti në shtëpi. Kur na tha Lilua, Nexhmija dhe unë u gëzuam dhe të nesërmen vamë të uronim Mehmetin dhe Fiqretin për fejesën dhe vajtjen në shtëpinë e re. Atje ishte dhe nusja, bëmë fotografi me të dhe të tjerët si zakonisht. Mehmeti, Fiqreti ishin të gëzuar.

Të hënën Mehmeti në qoftë se nuk gabohem shkoi në Korçë dhe të martën unë u informova se me ç’njerëz u bë kjo krushqi. Natyrisht u çudita pa masë dhe u revoltova. Pyeta shokë të Byrosë a kishin dijeni, disa më thanë po, disa jo, kurse Tirana ziente: Disa thoshnin “nuk e besojmë ta bëjë Mehmeti” disa të tjerë “si e bëri Mehmeti”, të tjerë “kjo është e dënueshme”. Që fejesa qe mbaruar, unë e dija se vajta dhe e urova, por vallë a e dinte Mehmeti këtë përbërje plot reaksionarë, të arratisur dhe të pushkatuar, eksponentë të reaksionit shqiptar etj.

Prandaj e thirra Mehmetin dhe e pieta: Para se të bëje fejesën e djalit, pyete për familjen e prindërve? Mehmeti m’u përgjigj me seriozitet: “Pyeta, e di që në familje ka të arratisur politikë, ka edhe të pushkatuar etj”

I them se ke bërë një gabim politik, kjo është shkelje e vijës së Partisë, kjo është e dënueshme etj. Si e bëre ti këtë gabim të madh?

Natyrisht, ai u trondit dhe pranoi se ky ishte një gabim shumë i rëndë, po ja, e bëra s’e mendova mirë, më tërhoqi sentimenti i sëmurë karshi djalit, pse djali kështu, djali ashtu (djali i tij ka lënë dy tre çupa, ka bërë skandale që unë nuk i dija, por me këtë rast m’i thanë shokët dhe që i kritikova rëndë që jo vetëm nuk ja vënë në dukje Mehmetit, por m’i fshihnin edhe mua dhe m’i thanë kur u bënë kapicë).

faksi33333

I them Mehmetit jo vetëm ke bërë këtë gabim të madh politik, por as more mundimin duke i njohur këto biografi të Turdive të më pyesje edhe mua. Pse veprove kështu, duhet të analizoç shkaqet dhe ç’mendon të bëç. Unë mund të të them dhe do ta them mendimin tim se ç’duhet të bëç, por me që s’më pyete kur e bëre, mendoje vet se ç’duhet të bëç dhe sa më parë se po dëmtohet Partia.

Më tha duke përsëritur se ka bërë shumë gabime të rënda dhe do mendohet për masat që duhet të marrë.

Përshtypja ime ishte se ai ishte i bindur kur e bëri këtë fejesë se nuk ishte e gabuar. E kish mëndjen të fjetur e të qetë. Kur e pieta, m’u përgjigj me seriozitet sikur s’ishte e gabuar kjo fejesë, por kur ja shpjegova, atëherë ra në gropë, u trondit, qau, por prap nuk e thellonte dot gabimin. Akoma bindja se kish gabuar rëndë, nuk e realizonte plotësisht. Kjo është në natyrën e tij për personin e tij, për mendimet e tij të pa gabuara etj.

E përcolla duke e këshilluar të reflektonte thellë dhe të më komunikonte vendimin. E inkurajova, pse u lëshua fare.

11.9.1981

Bisedën e bëra në studion time në shtëpi.

PS Bashkëngjitur, biografitë e familjeve të prindërve të nuses.

NGA AFRIM IMAJ-PANORAMA

(Kosova Sot)