Enver Hoxha refuzoi që Ismail Kadare të ndiqej penalisht

  • 07 March 2017 - 14:07
Enver Hoxha refuzoi që Ismail Kadare të ndiqej penalisht

Shkrimtari prej kohës ndiqej nga Sigurimi i Shtetit

Në Byronë Politike dhe në Sekretariatin e Komitetit Qendror të PP të Shqipërisë është diskutuar edhe propozimi i bërë nga Sigurimi i Shtetit, për goditjen e Ismailit për idetë e tij në veprat letrare, me pikëpamje liberale armiqësore për Partinë e Punës, por Enver Hoxha nuk ka qenë dakord që Kadare të ndiqej penalisht dhe të përfshihej në grupin armiqësor të liberalizimit.

Cili ishte qëndrimi i udhëheqjes komuniste ndaj Ismail Kadaresë? Kjo është një ndër pyetjet më të mëdha që shtrohet sa herë që flitet për raportet e shkrimtarëve me regjimin. Në librin e tij me kujtime, ish-kryehetuesi Qemal Lame rrëfen se Kadare, prej kohësh ndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Por, ai shton se vlerësohej, se kishte ardhur momenti dhe ishte e nevojshme që Ismaili, si personi me ndikim të madh në opinionin shoqëror në Shqipëri dhe i njohur në botë, duhej të goditej dhe të dënohej si armik i Partisë dhe shtetit të diktaturës së proletariatit, për shkak të pikëpamjeve dhe qëndrimeve armiqësore në veprat e tij.

Momentet me rëndësi të Perandorisë komuniste "Kur shembeshin themelet", titullohet libri i botuar, ku hidhet dritë mbi disa prej momenteve më të rëndësishme të perandorisë komuniste në rënie. Nga ana tjetër, ai tregon edhe koniunkturat mes udhëheqësve komunistë. Parë në këtë prizëm, Lame vëren se Ramiz Alia mbrohej nga Nexhmije Hoxha dhe më tej argumenton pse nuk mund të arrestohej Kadare. Këtu përmend faktin se ai njihej jashtë Shqipërisë dhe se arrestimi i tij, me shumë gjasa do të shkaktonte trazira, pasi nuk do të pritej mirë nga opinioni publik. Në fillim, Lame tregon se si u morën nga shtëpia e shkrimtarit dokumentet që ai pati lënë aty, kur u nis drejt Francës. Marrja e dorëshkrimeve me mirëkuptimin e të afërmve dhe duke organizuar një procedurë ekstra. Në këto kushte, organizova një procedurë të veçantë në formën e një veprimi publik. U interesova vetë posaçërisht, që hetuesit nga Hetuesia e Përgjithshme, nën drejtimin e drejtorit Petrit Serjani, në prani të prokurorit të rrethit, Sinan Baboçi, kryetarit të hetuesisë së rrethit, Riza Xhixho, si dhe të përfaqësuesve të pushtetit në lagje, pasi të vihet në dijeni dhe të merret miratimi i paraprak i familjarëve të shkohet në shtëpinë e Kadaresë. Në rast se do të kishte mundësi, të bisedohej më parë me telefon me Kadarenë, nga vetë e motra e tij. Kështu u veprua. Porosita që: "Motra e Ismailit, e cila ndodhej në shtëpi, të vihej në dijeni, se është porosi që dokumentet dhe shkrimet personale, të merren sipas kërkesës së vetë Kadaresë, në një letër të dërguar Ramiz Alisë. Ato do të çohen për t'u ruajtur në Arkivin e Shtetit, për t'u administruar si dokumente me rëndësi, të njerëzve të shquar të popullit shqiptar". Kështu u veprua nga të dërguarit prej meje në shtëpinë e Kadaresë. Dokumentet me dorëshkrime u dhanë me dëshirë dhe pa rezerva nga vetë e motra e Kadaresë. Vura në dijeni Ramiz Alinë për masat e marra, duke i dërguar një informacion me shkrim. Nuk pati reagim dhe as përgjigje vlerësuese apo kritikë. Informimi me shkrim pati si qëllim, në fakt, që të dokumentohej ky urdhër që jepej me gojë dhe nuk ishte bërë zyrtarisht me shkrim, për të mos lënë provë për të ardhmen, për qëndrimin e mbajtur në atë kohë, ndaj një problemi të rëndësishëm politik të kërkesës për azil politik dhe të reagimit shtetëror.

Kadare i lidhur me Shehun Ismail Kadare ka qenë në ndjekje nga Sigurimi i Shtetit dhe është kërkuar përfshirja në grupin armiqësor të liberalizmit dhe u përsërit edhe në komplotin e fundit të Mehmet Shehut. Qëndrimi për zbatimin e ligjit nuk ishte një urdhër i dhënë për një problem ligjor, por për një problem politik. Ai do të aktualizonte edhe problemet e diskutuara në rreth të ngushtë në të kaluarën për Kadarenë. Me rastin e hetimit të personave të akuzuar, arrestuar dhe dënuar si armiq të Partisë së Punës, për qëndrimin armiqësor me pikëpamjet dhe veprimet borgjeze të liberalizimit të Partisë dhe shtetit, si të Fadil Paçramit dhe të Todi Lubonjës, ndërmjet disa intelektualëve të dyshuar për pikëpamjet e tyre është diskutuar edhe për Ismail Kadarenë. Në Byronë Politike dhe në Sekretariatin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë është diskutuar edhe propozimi i bërë nga Sigurimi i Shtetit, me anë të ministrit të Punëve të Brendshme, që ishte edhe anëtar i Byrosë Politike, për goditjen e Ismailit për idetë e tij në veprat letrare, me pikëpamje liberale armiqësore për Partinë e Punës. Enver Hoxha nuk ka qenë dakord që Ismail Kadare të ndiqej penalisht dhe të përfshihej në grupin armiqësor të liberalizimit. Në atë kohë, në Byronë Politike dhe sekretariat është kritikuar edhe Ramiz Alia, i cili drejtonte propagandën dhe arsimin si sekretar i ngarkuar me ideologjinë. Nexhmije Hoxha e ka vlerësuar besnikërinë e rolin e Ramizit dhe ndaj tij është mjaftuar masa me një vërejtje. Lidhja që Ismail Kadare kishte me familjen e Mehmet Shehut dhe fëmijët e tij, vlerësohej si një drejtim tjetër i shtrirjes së veprimtarisë armiqësore edhe në fushën e artit e të kulturës, me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara. Komploti kundër Partisë dhe shtetit mendohej se do të dilte më i plotë, po të vërtetohej edhe shtrirja në ideologji. Për këtë u shtrua edhe detyra për studimin e të dhënave dhe provave në ngarkim të Kadaresë. Vlerësohej se kishte ardhur momenti dhe ishte e nevojshme që Ismaili, si personi me ndikim të madh në opinionin shoqëror në Shqipëri dhe i njohur në botë, duhej të goditej dhe të dënohej si armik i Partisë dhe shtetit të diktaturës së proletariatit, për shkak të pikëpamjeve dhe qëndrimeve armiqësore në veprat e tij.

Pse nuk mund të arrestohej Kadare? Versioni për arrestimin e Kadaresë për veprimtari armiqësore dhe përfshirjen në komplot nuk mund të realizohej: Ismail Kadare ishte një figurë e shquar e letërsisë shqiptare dhe me njohje të gjerë ndërkombëtare. Arrestimi i tij nuk do të gjente përkrahje në popull dhe në botën e jashtme. Do të kishte reagime me pasoja të mëdha, që do të dëmtonin më shumë politikën kundër veprimtarisë armiqësore. Kjo do të forconte bindjen në opinionin publik, se grupet armiqësore ishin manipulime politike dhe të drejtësisë. Komploti i fundit me në krye Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun etj., do të vihej më shumë nën kritikën e brendshme dhe të jashtme, do të shtoheshin më shumë dyshimet dhe do të bëheshin më të qarta në popull dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, falsiteti i propagandës partiake për improvizimin me prova dhe akuza të manipuluara dhe të falsifikuara të komplotit. Deklarimi zyrtar, se ky komplot ishte më i madhi dhe më i rrezikshmi, do të kthehej në akuzë për udhëheqjen. Populli do të kuptonte se ai ishte inskenuar për të fshehur qëllimet e vërteta politike që po zbatoheshin në mënyrë të organizuar nga udhëheqja e Partisë, që të arriheshin masat për eliminimin e kundërshtarëve politikë, zhdukjen e personave më të rëndësishëm që mund të dëshmonin në të ardhmen për sekrete shtetërore ku vërtetohej përgjegjësia direkte e Enver Hoxhës, si dhe garantimin e kalimit të pushtetit tek Ramiz Alia, pas vdekjes së Hoxhës.

Në kërkim të provave Dokumentet agjenturore dhe hetimore me provat për kërkesën për arrestimin e Ismail Kadaresë. Në bazë të kritereve të ligjit për administrimin e dokumenteve zyrtare dhe arshivimin, të Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe të Rregullores së Administrimit të Dokumenteve zyrtare të Partisë së Punës, përcaktohej procedura e dërgimit, marrjes, administrimit, njohjes, përdorimit dhe arkivimit. Në bazë të këtyre rregullave ligjore dhe rregullave të brendshme në Komitetin Qendror të PPSH, dokumentet që i adresoheshin udhëheqjes, protokolloheshin në sekretari dhe i paraqiteshin për ta njohur direkt personi që i adresohej. Pasi e lexonte, ai dokumentonte njohjen me dokumentin me anë të shënimit që vendoste në pjesën e sipërme të dokumentit dhe e firmoste. Pas njohjes, dokumenti kthehej përsëri në arkiv. Në bazë të porosive të dhëna, merreshin masat përkatëse për t'i zbatuar. Dokumentet e klasifikuara "sekret" ose "tepër sekret" që dërgoheshin nga Sigurimi i Shtetit, materiale të rëndësishme agjenturore, të zbulimit të brendshëm dhe të jashtëm, radiograme, etj., që përgatiteshin nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, që hartoheshin vetëm në një ekzemplar dhe kërkohej të ruhej me rreptësi sekreti i përmbajtjes së tyre, paraqiteshin në udhëheqje, që nënkuptonte vetëm sekretarin e parë të Komitetit Qendror dhe me porosi të tij, sekretarit për organet e diktaturës (rendit), duke ia dhënë personalisht atij dorazi nga ministri ose zëvendësministri, ose shifranti. Këto dokumente mbeteshin në arkivin e organit që i kishte dërguar. Ndalohej njohja e këtyre dokumenteve nga persona të tjerë. Procedura e administrimit dhe arkivimit të dokumenteve të punës agjenturore dhe të hetimeve me shumë rëndësi si për grupet komplotiste, ishte edhe më e rreptë. Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH jepte porosi me gojë dhe kërkonte përgjigje po me gojë vetëm nga ministri i Punëve të Brendshme. Ministri i Punëve të Brendshme nuk linte shënime me shkrim. Në raste tepër të veçanta, kur vetë sekretari i parë i KQ të PPSH jepte porosi dhe kërkonte përgjigje me shkrim ose dokumentin përkatës, siç ishin implikimet për veprimtari armiqësore, paraqitej dokumenti dhe ai shkruante porositë përkatëse. Vetëm në raste shumë të veçanta, si për të dhëna dhe implikime me shumë rëndësi, si procesverbali i pyetjes së Llambi Ziçishtit, paraqitej dorazi dokumenti dhe vihej shënimi përkatës, siç është vepruar konkretisht. Në janar të vitit 1990, Ramiz Alia filloi të kthejë mbrapsht në organin që i kishte dërguar të gjitha materialet "sekrete" dhe "tepër sekrete", duke vënë vetëm firmën e tij. Në bazë të kësaj praktike, Ramiz Alia është njohur me këtë procesverbal, ka vënë shënimin dhe e ka nënshkruar. Në pjesën e sipërme të dokumentit majtas, lexohet shkrimi me shënimin dhe firmën e Ramiz Alisë: (Sh. Zylyftar. Në ruajtje. Firma). Rëndësia e këtij procesverbali dhe shënimi dokumenton: - Pyetja e të pandehurit Llambi Ziçishti dhe evidentimi me shkrimin e tij ka pasur si qëllim që të përdorej si provë e rëndësishme ligjore. - Përmbajtja është shkruar sipas porosisë së dhënë nga vetë udhëheqja. - Shënimi i adresohet zëvendësministrit Zylyftar Ramizi, i cili kishte në drejtim edhe Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit. Kjo nënkupton masat e mëtejshme që duhet të merreshin nga Sigurimi i Shtetit, për të gjetur dhe administruar të dhëna dhe prova të tjera, për realizimin e goditjes së planifikuar në masat operative agjenturore. - Fjala "Në ruajtje" nënkupton depozitimin dhe përdorimin në kohën e përshtatshme të kësaj prove ligjore. 

(Kosova Sot)