Flet e bija: Raportet e Eqerem Çabejt me Enver Hoxhën, pse i shpëtoi ndëshkimit (Foto)

  • 08 March 2017 - 10:04
Flet e bija: Raportet e Eqerem Çabejt me Enver Hoxhën, pse i shpëtoi ndëshkimit (Foto)

Brikena Çabej është e bija e babait. Njësoj si Eqeremi dikur, i cili çuditej me pritjet e përcjelljet e mëdha që i bënin në vende të ndryshme ku shkonte si i ftuar, edhe ajo sot nuk bëhet pjesë e ngjarjeve që do t’i jepnin vëmendje të madhe sepse nuk kupton arsyen. Dikur Eqerem Çabej bënte punën e tij, e bënte shumë mirë, mund ta bënte edhe më mirë në rrethana të tjera por kaq, asgjë e jashtëzakonshme përtej kësaj. Këtë mendon e bija e këtë mendonte ai për veten.

“Deri në momentet e fundit mendova se do të bëhej një takim, ku njerëzit do të flisnin për Eqeremin dhe unë do të isha mes tyre, por pastaj kuptova që do të më bëheshin mua pyetje për të”, thoshte gati e habitur Brikena Çabej, ende pa filluar intervista e radhës e takimeve “Letërsia dhe qyteti”, drejtuar nga gazetaret Alda Bardhyli dhe Beti Njuma. Sigurisht, askush nuk dyshon që Brikena ka për të treguar ngjarje pa fund për të atin, por ja që edhe ajo, edhe pse nuk e ka pasur babain në jetën e saj për shumë gjatë ka jetuar njësoj si ai, e tërhequr në punët saj.

Në vilën e dikurshme të së ëmës, sot Vila Çabej, e shumë shpejti një shtëpi kulture, Brikena rikthehet nëpër kujtime, na tregon Eqeremin që nga vitet e para kur u largua në Austri me bursë nga qyteti, shkollimin, takimin me të ëmën në Bibliotekën Kombëtare e deri në vitet e fundit të jetës së tij…

Jemi takuar të flasim nga kjo shtëpi, e cila ka qenë shtëpia e nënës suaj, por ku profesor Çabej qëndronte gjatë. Çfarë është kjo shtëpi për ju, çfarë ishte për profesor Çabejin?

Kjo është shtëpia e nënës sime. Këtu kanë jetuar gjyshërit e mi nga nëna, që nga fundi i viteve ’40. Për mua kjo ka qenë shtë- pia e gjyshërve, për tim atë ka qenë shtëpia e vjehrrit dhe e vjehrrës… Në një pjesë të vogël rrinin disa qiraxhinj dhe këtu, nga të gjitha familjet që kanë jetuar në këtë shtëpi, unë jam e fundit që kam mbetur sepse të tjerët nuk janë më. Në këtë dhomë ku jemi tani kanë ndodhur shumë ngjarje të familjes. Për mua, kjo është një shtëpi mistike që ka një lidhje vërtet shumë të thellë e të brendshme. Është shtëpia e ndjenjave, parandjenjave, kujtimeve të fëmijërisë.

Unë shpesh e quaj shtëpia Alef, sepse nuk e ekzagjeroj kur them që ka ngjarje në këtë shtëpi me ëndrra e gjithfarë gjërash sa bëhet shumë e ngjashme me atë shtëpinë që përshkruan Borgesi. Kjo shtëpi shpresoj t’i kushtohet kulturës dhe urojmë të kemi mbështetjen e duhur që ta kthejmë në shërbim të kulturës kombëtare, kryesisht për kërkimet albanologjike, por edhe gjithë tjetër ç’i duhet. Shpresoj që me ndihmën e të gjithëve t’ia dalim.

Si ishte të jetoje me Çabejin, me një baba që dashurinë më të madhe të tij kishte gjuhën shqipe?

Kjo është një pyetje shumë e madhe për mua sepse me siguri që do t’ju zhgënjej. Mbase ju doni që unë të them se ai ishte i tillë e i këtillë, por ai ishte një baba normal, si gjithë etërit tuaj, shumë i dashur, shumë mirëkuptues dhe natyrisht që asgjë nga madhështia për të cilën flasin nuk ndihej në jetën e përditshme, pasi ai ishte tepër modest. Ai kurrë nuk e ka jetuar këtë që thuhet, të qenit i madh. Ai ishte një njeri normal që punonte, kishte një punë të cilën e kishte edhe detyrë edhe pasion, dhe kjo ishte jeta e tij. Ai bënte gjithçka, si të tjerët për familjen e tij; shkonte në radhët e qumështit, pyeste si shkove në shkollë, e sata e klasës je, shkonte në mbledhje me prindërit, pra ato që bën çdo prind. Kështu që jeta me të ishte normale dhe s’kishte asnjë gjë të veçantë.

E vetmja gjë e veçantë ishte kur bisedonim për ndonjë libër dhe e kujtoj tani më bënte përshtypje që ai kishte kujtesë shumë të fortë. Kur unë fillova të lexoja veprat e mëdha, më kujtohet një libër i Tomas Man, isha shumë entuziaste si çdo i ri që zbulon botën e i duket sikur vetëm ai e ke zbuluar. Më bënte përshtypje që ai edhe pas më shumë se 40 vitesh që e kishte lexuar mbante mend emrat e personazheve apo ngjarjet, në hollësi… Megjithatë, kurrë as më imponohej e as më rekomandonte lexime. Unë i kam zbuluar gjërat përmes shokëve dhe shoqeve, si të gjithë.

Brikena Çabej

(Kosova Sot)