Krushqitë brenda Bllokut komunist/ “Pse s’u fejua Skënderi me vajzën e Ramizit dhe mbesën e Nexhmijes”

  • 12 March 2017 - 08:52
Krushqitë brenda Bllokut komunist/ “Pse s’u fejua Skënderi me vajzën e Ramizit dhe mbesën e Nexhmijes”

Tashmë fejesa ishte prishur. Në shtëpinë e kryeministrit të vendit gjendja ishte e nderë.. “Tani jeta vazhdon normalisht!”, kishte thënë Skënder Shehu, si për të shtensionuar situatën, por i ati, Mehmet Shehu, vazhdonte të ishte i shqetësuar për të. Në rrëfimin e tij në librin “Vjeshta e ankthit”, të botuar në vitin 1994, pak kohë pas rënies së diktaturës dhe daljes së tij nga burgu, djali i ish-kryeministrit të (vetë)vrarë, Mehmet Shehut, Bashkim Shehu tregon se meraku i të atit ishte se mos Skënderi pas prishjes së fejesës me Silva Turdiun mund të vriste veten.

Shkrimtari Bashkim Shehu kthehet pas në kohë te porositë që u jepte i ati që të mos përziheshin me vajzat e “shokëve”, por ndoshta këtu ishte e gjithë kleçka. Të gjithë “shokët e partisë”, madje dhe vetë Enver Hoxha, e shpërfillën këtë parim dhe lidhën krushqi të nivelit të parë, të dytë e lëng pas lëngu, për të mbajtur pushtetin mes tyre. U krijua kështu një qerthull, jashtë të cilit kishte mbetur vetëm Mehmet Shehu. Në këto kushte, me Ramiz Alinë u përpoqën të rregullonin bashkë fëmijët e tyre, por për arsye që nuk dihen kjo krushqi nuk u bë.

Siç nuk u bë edhe një krushqi me një mbesë të Nexhmije Hoxhës. Vite më vonë, Skënderi, në qelitë e burgut të Burrelit, do t’i thoshte të vëllait, jo pa një ndjenjë faji, se po ta kishte ditur si ishin punët, do ta kishte pranuar atë mblesëri. Duke iu referuar pretendimeve se Mehmet Shehu ndihej superior ndaj Enver Hoxhës, Bashkim Shehu thotë se ai ishte një vartës i bindur i diktatorit. E po kështu, nuk ishte e vërtetë se Fiqreti e Nexhmija urreheshin. Gjatë internimit të shkurtër së bashku, Fiqreti do t’i shkruante në një copë letër të birit (ishin të bindur se përgjoheshin”, se “Shoqe kam vetëm Nexhmijen”… Për Bashkim Shehun nuk mund të ketë një shpjegim logjik për ta zgjidhur atë që ndodhi…

NGA BASHKIM SHEHU

Ndonëse Skënderi gjatë atyre ditëve të trazuara e kishte ruajtur sidokudo dhe deri diku ishte mbajtur mirë, babai ishte tejet i merakosur për të, sidomos natën e parë, mbasi kishin biseduar, mos ndoshta Skënderi kushedi edhe mund të vriste veten. Po edhe në ditët që pasuan ai vazhdonte të ishte i merakosur, ndoshta jo më për një vetëvrasje të mundshme, po gjithsesi për gjendjen shpirtërore të Skënderit.

Ndaj dhe mendoi të më dërgonte mua për njëfarë kohe në Suedi bashkë me të, që t’i rrija pranë. Po Skënderi çuditërisht nuk pranoi dhe parapëlqeu të merrte me vete adjutantin e babait. Dhe më mirë për mua që u bë kështu: po të kisha shkuar atëherë në Suedi patjetër që një vit më vonë, gjatë hetuesisë, do të ma kishin shtuar edhe një akuzë për ndërlidhje agjenturore në dobi të zbulimeve të huaja.

Në një nga ato ditë mbas prishjes së fejesës, Mehmeti dhe Fiqreti shkuan përsëri tek Enver Hoxha për vizitë.

-Nuk dimë si do t’ia shpërblejmë Partisë këtë gabim kaq të rëndë, – i thanë ata Enver Hoxhës.

-Një fejesë e gabuar është e pallogaritshme në krahasim me kontributin tuaj të paçmueshëm për të mirën e Partisë dhe të popullit, për dekada të tëra, – tha Enver Hoxha.

-Një jetë e tërë heroike! – tha Nexhmija.

Por vetëm pak kohë do të kalonte dhe Mehmet Shehut do t’i kërkohej të shpjegonte shkakun ose shkaqet pse e kishte lejuar një fejesë të tillë. Dhe pastaj, dora-dorës, kjo fejesë do të shndërrohej për Mehmet Shehun në një akuzë mjaft të rëndë, prej së cilës nuk do të shfajësohej dot, në akuzën e shkeljes së ndërgjegjshme të normave partiake mbi luftën e klasave dhe të vënies së vetvetes kësisoj mbi partinë, zhbirimi i shkaqeve do të mbështetej, pastaj, mbi bazën e kësaj akuze, për të ngritur tërthorazi, por gjithherë e më qartë një akuzë tjetër edhe më të rëndë, si veprim i ndërgjegjshëm për të zbutur luftën e klasave dhe, së këtejmi, një akuzë tjetër, e pashqipëruar, edhe më e rëndë, e kështu me radhë gjer sa të shkallmonin gjer në fund, si agjent i vjetër të zbulimeve të huaja, akuzë dhe njëkohësisht mallkim që do ta ndiqte me vite edhe pas vdekjes.

Nëse me fejesën e Skënderit zë fill gjithçka, kjo nuk do të thotë, në anën tjetër që edhe shkaku i kësaj gjithçkaje është fejesa. Ajo mund të ketë qenë thjesht preteksti, vjega ku është kapur Enver Hoxha që ta shembte Mehmet Shehun. I tillë është edhe opinioni më i përhapur, ngaqë edhe kjo mundësi e dytë duket dhe si më afër mendjes. Vërtet, si mund të shpallej armik numri 2 i regjimit vetëm për një fejesë?

Dhe ndërtohen pastaj hamendje të ndryshme për ta gjetur shkakun tjetërkund. Dr. Elez Biberaj, për t’iu referuar kështu shembullit më të spikatur, në studimin e tij të hollësishëm mbi Shqipërinë e hamendëson këtë shkak, më së pari me disa kundërshtime të hapura të Mehmet Shehut ndaj Enver Hoxhës rreth vitit 1980, lidhur me politikën ekonomike, si dhe me frikën e këtij për fatin e gruas dhe të fëmijëve, po qe se, mbasi të vdiste vetë, pushtetin do ta merrte Mehmet Shehu, një frikë e përligjur kjo edhe nga marrëdhëniet e këqija dhe urrejtja e ndërsjellë midis grave të tyre.

Të gjitha këto, natyrisht, duken më të besueshme sesa shpjegimi i përkundërt. Mirëpo njerëzit shpeshherë harrojnë, apo nuk vënë re, apo nuk duan të besojnë që një ndodhi e rëndësishme të mund të shkaktohet nga diçka e parëndësishme, nga një vogëlimë rastësore, siç është lidhja ose moslidhja e një krushqie. Veç kësaj, nuk duhet harruar se nuk bëhet fjalë për një krushqi të ndonjë dikushi dosido, por për krushqinë e një njeriu të pushtetshëm dhe se nën një pushtet të gjithëpushtetshëm, krushqia e një njeriu të tillë patjetër do të shikohet si një veprim që ka të bëjë me pushtetin.

Kjo u duk qysh në fillimet e këtij pushteti kur filluan të lidheshin varg e varg, radhë-radhë krushqitë brenda tij. Kësisoj, që nga Enver Hoxha, që lidhi krushqi me Gogo Nushin, duke i dhënë të vëllait të këtij të fundit mbesën e vet, e pastaj te Hysni Kapo, gruaja e të cilit është motra e Alqi Kondit dhe e Pirro Kondit, i cili është baxhanak i Manush Myftiut, motra e të cilit është gruaja e Pilo Peristerit dhe po kështu motra e Ramiz Alisë u bë gruaja e Reiz Maliles, motra e të cilit është gruaja e Xhaferr Spahiut, kurse gruaja e Bilbil Klosit është motra e gruas së Ramiz Alisë, të gjithë këta anëtarë të Byrosë Politike ose të paktën të Komitetit Qendror, ose ministra, ose zëvendëskryeministra, disa duke qenë të tillë qysh përpara këtyre krushqive, disa duke u bërë të tillë mbas tyre.

Dhe nga martesat e njerëzve të pushtetshëm, sikurse më së shpeshti nga çdo martesë lindën fëmijë dhe këta fëmijë u rritën, dhe dikur u erdhi mosha edhe këtyre për t’u martuar. Dhe u përsërit e njëjta histori. Në fillim u duk se do të ishte ndryshe se Enver Hoxha tha njëherë që nuk duhet të lidhen krushqia brendapërbrenda. Kjo ndodhi atëherë kur i biri i Kadri Hazbiut shoqërohej ca si shumë me të bijën e Enver Hoxhës, i cili, si e mori vesh, e ndaloi të bijën të shoqërohej me atë djalë.

Duke i shkuar pas Enver Hoxhës edhe për këtë, Mehmet Shehu, babai, na tha atëherë ne të tre vëllezërve se nuk dëshironte që ne të merrnim ndonjë vajzë nga të shokëve të tij, si një nga kushtet që na vinte për martesën. Por këtë rregull e thyen jo më shumë se mbas ndonjë viti bija e Adil Çarçanit dhe i biri i Manush Myftiut, me kokë të tyre dhe jo të prindërve dhe prapëseprapë kjo nuk u pa me sy të mirë. Po kështu, thuajse njëkohësisht, u fejua i biri i Enver Hoxhës me të bijën e të vëllait të Ramiz Alisë, edhe ata me kokë të vet, por gjithë duke marrë edhe pëlqimin e Enverit, i cili jo si me Kadri Hazbiun, kësaj here e pranoi krushqinë brendapushtetore.

Po dhe Kadri Hazbiut, nga ana e tij, i doli fati të lidhej me krushqi me Enver Hoxhën kur të bijën e Enver Hoxhës e mori i vëllai i të shoqit të një mbese të gruas së Kadri Hazbiut. Ky do të lidhej gjithashtu më Ramiz Alinë nëpërmjet një mbese tjetër të gruas së vet dhe djalit të vëllait të gruas së Ramiz Alisë, çka ishte, nga ana tjetër, një lidhje më tepër nëpërmjet këtij të fundit dhe Enver Hoxhës, lidhje që, sidoqoftë, edhe kjo mund të kishte më shumë rëndësi për Kadri Hazbiun sesa për vetë Ramiz Alinë, që e kishte tashmë me Enverin një lidhje shumë më të afërt.

Kurse për Kadri Hazbiun, gjithsesi, këto lidhje ishin ca si të largëta, ca si tepër të tërthorta për t’ia shmangur zezonën që do t’i vinte prej Enver Hoxhës. Ndërkaq edhe Hysni Kapo vazhdonte të zgjeronte rrethin e tij të krushqive me pushtet, qoftë nëpërmjet ngritjes në përgjegjësi të burrit të motrës apo të burrit të motrës së gruas, qoftë nëpërmjet fejesës së djalit të motrës së gruas me vajzën e një ministri, që ishte vëllai i një anëtari të vjetër të Komitetit Qendror me ndikime të fuqishme në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në disa prej rretheve më të mëdha të vendit.

I vetmi nga sfera më e lartë kushtetore që kish mbetur jashtë valles së këtyre krushqive ishte Mehmet Shehu, duke iu përmbajtur, kësisoj, për një kohë të gjatë thënies së dikurshme të Enver Hoxhës. Mirëpo ngase kjo po shkelej nga të gjithë të tjerët dhe nga vetë Enver Hoxha, edhe Mehmeti me Fiqretin që t’i gjenin nuse Skënderit panë ç’panë dhe zunë të interesohen për të bijën e Ramiz Alisë, në marrëveshje dhe me këtë të fundit. Por, ose për mosdashje të Skënderit, ose të vajzës, ose të të dyve, kjo krushqi dështoi. Do të kalonin disa vjet dhe jo shumë kohë përpara se të ndodhte krushqia fatale me Turdinjtë, Mehmeti ia hedh fjalën Skënderit për një mbesë të Nexhmijes.

“Po të më kishte sqaruar babai se si qëndronte puna, unë do të pranoja, mjaft që të mos përfundonim kështu”, do të më thoshte Skënderi, vite të tëra më vonë, në burgun e Burrelit, i munduar nga një ndjenjë fajësie për çka krejt kishte ndodhur. Madje, tani ai ishte i bindur se kishte qenë Nexhmija që e kishte filluar përçapjen e kësaj krushqie. Kështu, mosbërja e saj dhe bërja pak më vonë e asaj tjetrës, nuk mund të mos ishin gjë e pakët për Enver Hoxhën, po të kemi parasysh në të njëjtën kohë përhapjen tashmë gjithëpërfshirëse të krushqive brendapërbrenda pushtetit.

Sa i takon shpjegimit politik të Dr. Biberajt, do të thosha se Mehmet Shehu askurrë nuk e ka kundërshtuar Enver Hoxhën. Ndaj Enver Hoxhës, ai ka qenë po njëlloj i përulur si dhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike. Me sa kam dëgjuar nga njerëz ish-të pushtetshëm që kanë qenë dikur, gjer nga fundi i viteve ’50 pranë të dyve, Mehmeti ndjente asokohe një epërsi ndaj Enverit, epërsi të intelektit, si dhe epërsi prestigji për të kaluarën, çka lidhej me krenarinë për luftën partizane dhe ca më shumë për Spanjën, epërsi që shkonte herë-herë deri në përçmim ndaj tjetrit.

Por më vonë, nga vitet ’70 e tutje, pra në kohën kur kam mundur ta vërej dhe ta njoh vetë më mirë babanë tim, nuk ka qenë asfare kështu. Qëndrimi i tij ndaj Enver Hoxhës ishte, tani, ai i një vartësi të bindur, një përulësi që, për të mos ia cenuar krenarinë, merrte trajtën e një përkushtimi adhurues tejet të sinqertë. Dhe në asnjë rast nuk ia ka bërë fjalën dy Enver Hoxhës.

Kurse, lidhur me atë frikë të Enver Hoxhës për fatin e familjes mbasi vetë të kishte vdekur, dihet se Mehmeti me familjet e pushtethumburve është treguar më i butë nga të gjithë shokët e tij, të paktën më i butë nga ata që vazhdonin të ishin në pushtet dhe aq më pak mund të ishte i egër me familjen e Enverit. Gjithashtu nuk është e vërtetë se Fiqreti e urrente Nexhmijen. Përkundrazi. E kishte të vetmen shoqe, siç do të shprehej dhe në internim, në ato pak ditë që ndenjëm së bashku të internuar derisa e arrestuan. Për disa gjëra merreshim vesh pa folur, me copa letre, ku i shkruanim pyetjet dhe përgjigjet që i drejtonim njëri-tjetrit duke iu ruajtur kësisoj mikrofonave të fshehtë që pas gjithë gjasave qenë vënë në banesën tonë. “Shoqe kam pasur vetëm Nexhmijen”, shkruante ajo, por duke shtuar: “Nexhmija karshi meje herë sillej si shoqe, herë sillej disi ftohtë, në mënyrë zyrtare”.

Me të gjitha këto nuk dua të përjashtoj krejtësisht mundësinë që fejesa e Skënderit të ketë qenë thjesht një pretekst i shfrytëzuar nga Enver Hoxha për të vënë në jetë diçka të vendosur qysh përpara. Për mua, të dyja mundësitë, edhe kjo, edhe tjetra, janë të pranueshme. Nuk mund të zgjedh prerazi, ose për njërën, ose për tjetrën, e kjo gjendje na kthen sërishmi te pyetja: “pse ndodhi?”. Por, tek e mbramja, a nuk mund të themi, duke mos e përjashtuar kësisoj asnjërën nga të dyja mundësitë e mësipërme se Enver Hoxha e rrëzoi Mehmet Shehun sikurse dhe të tjerë pasardhës të mundshëm, ngaqë nuk donte të linte fare pasardhës në pushtet dhe të sundonte vetë edhe pas vdekjes?

Përderisa çdo diktator kërkon të sundojë i pakufizuar nga njerëzit dhe sendet, përse të mos jetë i pakufizuar edhe nga koha? Monarku mesjetar kishte për pasardhës të birin, pse, megjithatë, mund të thoshte “mbas meje le të bëhet qameti”, ndërsa për tiranin e kohëve tona me sa duket nuk mund të ketë fare “mbas meje”. Vështirë t’i rrokë mendja këto trille…

(Kosova Sot)