“Nata e fundit e Mehmet Shehut, si e mori vendimin fatal”

  • 16 March 2017 - 09:15
“Nata e fundit e Mehmet Shehut, si e mori vendimin fatal”

Ishte nata e fundit. Mehmet Shehu qëndronte në studion e tij, në atë studio ku kishte bindur të birin të ndahej nga e fejuara. Shkruante dhe mendohej. Rrotullonte në mend gjithë sa kishte ndodhur në mbledhje dhe ato që i kishte thënë Enver Hoxha. “Do të jetë dita jote më e vështirë”, i kishte thënë ai. Teksa sillte në mendje gjithë sa kishte ndodhur, Mehmet Shehu thoshte vetmevete se ai nuk ishte armik, se nuk do ta pranonte kurrë një gjë të tillë dhe se gjithçka që po ndodhte ishte për shkak të atyre që donin ta rrëzonin nga pushteti, që donin t’i zinin vendin.

[Mehmet shehu]

Ai nuk do ta pranonte kurrë këtë akuzë dhe do t’ua përplaste të gjithëve në fytyrë. Në këtë gjendje ankthi e gjen e shoqja, Fiqreti, të cilin e tërheq jashtë studios, atje ku nuk mund të përgjohet dhe i tregon gjithë sa kishte ndodhur. E këshillon të marrë një valium, në të kundërt ajo do ta ketë nën vëzhgim. Ai e ka vendosur tashmë se çfarë duhet të bëjë. Të gjithë këtë pështjellim të kryeministrit më jetëgjatë në Shqipëri, e rrëfen i biri i tij, Bashkim Shehu, në librin e tij “Vjeshta e ankthit”.

BASHKIM SHEHU

Tërhoqi nga vetja derën e dhomës së ndenjjes, ku ishin dy djemtë, duke parë televizor, dhe e mbylli pa zhurmë. Atë mbrëmje nuk do të mund të rrinte sadopak me ta. Me hapa të ngadaltë përshkoi një korridor, pastaj, duke ngjitur shkallët për në katin e sipërm, e kuptoi se kjo nuk po ndodhte për mungesë kohe, po thjesht ngaqë donte t’u shmangej.

Ishte një tendosje e brendshme që e shtynte pandalshëm për në studion e tij të katit të sipërm. Për herë të parë do të kthehej të punonte aty, qysh nga ajo natë e largët shtatori, kur kishte folur me djalin tjetër, Skënderin, orë të tëra, gjersa e kishte bindur për ta prishur fejesën. Duke hyrë në studio, ai pa orën. Kishte kaluar paksa nënta. Pra, kishte kohë boll. Një natë më përpara, krejt për vete.

Por, i ulur në tryezën e tij të shkrimit, nën peshën e vetmisë së tij që ndjeu t’i rëndonte sërishmi, edhe më i vështirë për t’u duruar, madje, sesa atje në mbledhje, ky mendim nuk po i dukej edhe aq ngushëllues. Përkundrazi. Sikur, njëherësh me të, po e kaplonte një gjendje pafuqie dhe keqardhjeje për vetveten. Kjo do të jetë një natë e rëndë për ty, i kishte thënë Enver Hoxha, ndoshta më e rënda në jetën tënde. Sidoqoftë, bëri një përpjekje dhe arriti disi të përqendrohej.

Nxori nga një sirtar tre-katër fletë format, pastaj shpejt e shpejt renditi, si zakonisht, disa pika orientuese në njërën syresh, pastaj mbi një tjetër filloi të shkruante duke e mbushur me shkrimin e tij të pjerrët. Por, pa e mbushur as gjysmën e asaj flete, rrjedha e mendimeve iu ngurr, ndaj edhe e ndërpreu të shkruarit. Diçka e pakapshme, gjithsesi e pakuptueshme, po e shqetësonte. Sytë i mbetën për disa çaste të mbërthyer mbi zbrazëtirën e pashkruar të fletës.

Mbas pak iu kthye rishmaz asaj që kishte shkruar dhe e lexoi nga fillimi. E fillonte mirë, por, pak më poshtë, mbas disa pak rreshtash, sikur ndihej nëpër frazat dhe ndërmjet fjalëve njëfarë ngërçi. Diç e pengonte, sikur ia prishte njëfarësoj drejtpeshimin, ashtu që shprehjet i kishin dalë diku më të buta e diku më të ashpra nga çfarë do të kishte dashur t’i dilnin. E lexoi edhe njëherë, tani sikur s’iu duk edhe aq keq. Vazhdoi të shkruante, le t’i shkonte deri në fund ashtu si e kishte nisur dhe pasi ta mbaronte krejt, mund t’i kthehej nga e para dhe ta ndreqte aty ku do të duhej t’i jepte formën përfundimtare.

Por, doradorës që shkruante, aq më tepër po e ndjente se s’mund të vazhdonte më gjatë. Gjersa edhe njëherë u ndal. Çka do të shkruante duhej përsiatur paraprakisht më me hollsi. Me të vërtetë, siç po e shihte tani përpara letrës së bardhë, s’e kishte dhe aq të qartë se si duhej ta shtjellonte në trajtën e një teksti atë ndërmendje që i kishte vetuar furishëm në një çast, në çastin kur Enver Hoxha e kishte mbyllur seancën e mbledhjes duke i thënë se priste prej tij të shpjegohej ndryshe të nesërmen, sepse alibia e sentimentalizmit ndaj të birit lidhur me fejesën e tij nuk qëndronte.

[Bashkim Shehu]
Bashkim Shehu

Kishte përdorur pikërisht atë fjalë: alibi. Ndërsa ai, Mehmet Shehu, e kishte vendosur sakaq se çfarë do të bënte. Ndoshta kjo ndërmendje kishte filluar të regëtinte brenda tij qysh përpara gjatë asaj mbledhjeje, ndoshta qysh në hapjen e seancës së pasdites, po megjithatë ishin dashur këto fjalë përmbyllëse të Enver Hoxhës që ta mpiksin vendimin e tij, pikë gjaku e ngrirë papritmas.

Atë grimë, nën feksjen verbuese të atij vendimi, sikur e kishte pasur të qartë përgjigjen që do të jepte, çka krejt po rrekej tani të hidhte në letër, dhe që s’po mundej ta hidhte dot. Ishte nisur tashmë, atë grimë, përdrejt një rruge që duhej t’i shkonte deri në fund dhe që do të ishte njëkohësisht fundi i tij, po sidoqoftë mbushja e këtyre fletëve të bardha, ende nuk e dinte se sa, kërkonte sadokudo një mundim, një vramendje, një parapërgatitje, që të vinte rregull në atë luzmë të rrëmujshme që gëlonte në trurin e tij.

Herë të tjera, të gjitha herët e tjera, i kishte mjaftuar vetëm renditja e disa pikave orientuese që paskëtaj ligjërimi i tij të rridhte vrullshëm. Disa herë kishte folur ashtu pa pasur nevojë për askurrë gjë tjetër për të shkruar, të tjera herë, duke ecur poshtëpërpjetë nëpër zyrë, ndërsa i diktonte pa kurrfarë ndërprerjeje sekretarit të tij. Kurse tani, përpara letrës së bardhë, ishte ndryshe. E kishte, sidoqoftë, më të vështirë. Tani sidomos. Një hapësirë e bardhë krejt e zbrazët, me një zbrazëti të ankthshme ku përhumbje gjithçka.

T’i ikte asaj, të ngrihej. Kështu edhe do të provonte të përqendrohej më mirë, të mendohej duke ecur. E vendosi stilografin mbi syprinën e lëmuar të tryezës dhe u ngrit të ecte tutje-tëhu nëpër studio. Dhe atë botë, ajo natë shtatori, kur kishte ndenjur këtu për herë të fundit, iu bë sikur kishte qenë dje. Dhe i erdhi çudi se si qe kthyer të punonte në këtë studio, së cilës, qysh atëherë, gjithë i shmangej, ndonëse çdo natë i qe dashur t’i kalonte pranë, përshqitazi, tek shkonte në dhomën e tij të fjetjes aty ngjitur. Por ndërkaq mendoi se s’mund të ishte ndryshe. Aty kishte filluar gjithçka, ndaj dhe aty duhej të mbaronte.

Si në një qerthull të mbyllur prej të cilit nuk mund të dalësh. Ose një labirinth ku vërtitesh dhe sërish kthehesh në të njëjtin vend. Lëvizja poshtelart përbrenda asaj hapësire të mbyllur nuk po e ndihmonte të shkonte përtej asaj pike ku kishte ngecur. Sidoqoftë, duke u endur ashtu, po i qartësohej dalëngadalë në ndërgjegje çfarë ishte ajo që e ngathte në të shkruar, që e bënte të topitej përpara letrës së bardhë.

Nuk është se ishte mungesa e parapërgatitjes. Dhe as lodhja mendore nuk ishte. Jo e jo. Truri i tij tani punonte ethshëm. Tjetër gjë, pra, e ligështonte atë dhe forcën e fjalëve të hedhura në letër e zbehte dhe e dobësonte, dhe po ashtu i bënte të tjera prej këtyre fjalëve të dukeshin disi të ashpra, porse ishte, kjo një ashpërsi pa forcë, fryt dështak i një përpjekjeje të dëshpëruar kompensimi për atë dobësi që ndiente thellë-thellë, ndërsa e përnjësonte ashtu padashur dhe kundra dëshirës vetveten me një varg njerëzish të shpërfytyruar e të shpërndërruar në hije, dikur anëtarë të Byrosë Politike edhe ata, hije të vdekurish dhe të gjallësh po aq të vdekur, që të gjithë përjashtuar si armiq dhe mallkuar si tradhtarë, ndaj të cilëve ai kishte folur po ashtu siç po flitnin sot ndoca të tjerë ndaj tij, një ëndërr e keqe e tejzgjatur, ku gjykatësit shpërndërroheshin pareshtur në viktima dhe vazhdimisht këmbeheshin me të tjerë gjykatës.

Por jo, ai, Mehmet Shehu, nuk qe si ata, të dëbuarit, të nëmurit, Mehmet Shehu nuk ishte armik, Mehmet Shehu i qe përkushtuar i tëri një ideje, një kauze, kishte luftuar, kishte derdhur gjak për to. Dhe ja, kjo luftë po e kthente përçudshëm kundra vetes dhe po e shtynte kësisoj përdrejt zhgënjimit. Por, aty për aty, ai u spraps mu përpara atij pragu, tej të cilit vinte zhgënjimi, një shkretëtirë e mungët ku jeta e tij bëhej një përrallë e zbrazur nga çdo kuptim. Ai s’do të mund të kalonte kurrsesi atë prag.

Do të kishte qenë më e dhimbshme sesa kalimi i pragut të vdekjes, madje më e padurueshme sesa ta quanin armik. Sepse, po të zhgënjehej, do t’u jepte vetë njëfarë të drejte që ta quanin armik. Po armiqtë në të vërtetë ishin midis tyre, ai do t’ua thoshte këtë gjë. Sigurisht, jo të tërë ishin armiq, sepse një Udhëheqje e tërë në ndonjë rast të veçantë mund të gabonte, sikurse tani që po e quanin armik atë, Mehmet Shehun, por kjo s’do të thotë se ishin që të tërë armiq, s’mund të ishin armiq vetëm për këtë, ndërsa të gjitha punët e tjera shkonin sahat, në të gjitha gjërat e tjera vullneti i tij me vullnetin e Udhëheqjes përputheshin.

Pra, ishte një mospërputhje vullnetesh, një kundërti armiqësore vetëm në një çështje, pra, vetëm një çështje bërrylash në pushtet, një lojë e mbrapshtë e ndocave që synonin ta mënjanonin prej pushtetit Mehmet Shehun, duke i bindur dhe të tjerët se ky ishte armik, dhe Enver Hoxhën vetë, madje që e njihte aq mirë Mehmetin, sikurse mund të kishte ngjarë dhe tjetër herë më përpara, me ndonjë tjetër, për çka ai, Mehmet Shehu, edhe ishte ndërdyshur vetmevete, s’kishte qenë dhe aq i bindur, sikurse në rastin e dënimit të disa ndihmësve të tij në ekonomi, sikurse kishte dyshuar për disa prej atyre që kishin qenë në pozitën e gjykatësit bashkë me atë vetë, por jo kurrën e kurrës, në drejtësinë e Vijës së Partisë dhe në Udhëheqjen tërësisht dhe vetë Udhëheqësin, ndaj dhe gjithëherë qe bashkuar me korin e atyre që akuzonin dhe gjykonin dhe dënonin, dhe s’mund të bënte ndryshe, gjermësa dhe pala e gjykuar gjithëherë nënshtrohej, shfaqte me të madhe pendim, dhe i penduar vetëm fajtori po mund të jetë, një pendim i shfaqur ndoshta vetëm e vetëm për të mos kundërshtuar Udhëheqjen dhe Udhëheqësin, çka do të ishte, kësisoj, një provë e pakundërshtueshme fajësie, po sidoqoftë s’kishte se si të dallohej nëse ishte pendim i njëmendtë prej fajtori apo pendim i rremë prej burracaku dyfytyrësh, që ishte, edhe kjo, një faj në vetvete, kurse ai, Mehmet Shehu, megjithëqë kishte për çka të pendohej dhe të ndiente faj për një diçka, sigurisht, jo për ato që po i binin më qafë pa kurrfarë të drejte, nuk do të bënte si ata të tjerët, të nënshtruarit, të nëmurit përjetësisht, por do ta thoshte copë dhe hapur se nuk ishte armik dhe do t’ua përplaste fytyrës atyre që ishin armiqtë e tij, që synonin ta mënjanonin prej pushtetit dhe që, përderisa donin ta bënin këtë, duhej të ishin jo vetëm armiqtë e tij, por, sikurse të gjithë të tjerët që kishin synuar të bënin të njëjtën gjë përpara tyre, por që s’kishin mundur dot, patjetër që duhej të kishin edhe synime të tjera, kundërrevolucionare, armiq të popullit, pra, përderisa kishin për synim ta mënjanonin Mehmet Shehun nga pushteti, që ishte pushteti i popullit, për të cilin ai kishte luftuar dhe kishte derdhur aq gjak.

Ai do t’i demaskonte, pra, këta armiq të fshehtë, mjeshtërisht të fshehur nën petkun e besnikërisë ndaj Vijës, ndaj edhe më të rrezikshëm se ata të mëparshmit, dhe do ta bënte këtë pavarësisht se as Enver Hoxha nuk do ta besonte, por do ta besonin ata, dhe le të fitonin pushtet, ata le t’i zinin vendin Mehmet Shehut, nëse ishte kjo që dëshironin, por nuk do ta gëzonin gjatë, revolucioni do t’i shtypte dhe ata, me furinë e vet të pandalshme. E drejta do të dilte dikur.

Ai, Mehmet Shehu, atëherë nuk do të ishte më në jetë, por, sidoqoftë, e rëndësishme ishte që mbante një qëndrim dinjitoz, të mos i nënshtrohej lojës së tyre. Ai u ul sakaq në tryezën e shkrimit, mori një fletë të panisur dhe u vu të shkruante me vrull. Vazhdoi kështu një copë herë, mbaroi një faqe, mbaroi dy, duke i mbushur me një shkrim të madh e të pjerrët, të prirur përpara, a thua se nxitonin e rendnin ashtu drejt fundit, dhe u ndal së shkruari vetëm kur dëgjoi derën të hapej. Ishte Fiqreti.

Ajo dukej disi e nemitur dhe e hutuar. Iu lut që ta linte punën dhe të pushonte. Ai u mundua ta përcillte duke i thënë se ishte gati në përfundim, çka nuk ishte e vërtetë, por gjithsesi duhej ta përcillte, që të mund të mbetej vetëm. Megjithatë, i shtytur nga keqardhja për gruan, apo ndoshta dhe gjithëpo aq për veten, mendoi se diçka duhej të bënte për ta qetësuar. Diçka duhej t’i thoshte, por jo aty, diku tjetër, ku kishte më pak gjasë të qenë vendosur nga ata veshët elektronikë të padukshëm.

Pasi dolën nga studioja në një korridor të mënjanuar, midis dy dhomave të fjetjes, u fjalosën një grimëherë të shkurtër për ato çfarë kishin ndodhur në mbledhjen e Byrosë Politike, dhe për çfarë pritej të ndodhte në vazhdimin e kësaj mbledhjeje të nesërmen në mëngjes. Para se të ndaheshin, ai ia mbushi mendjen asaj që të merrte një dozë të madhe valiumi. Sepse ai e dinte, e njihte gruan e tij, që nuk do ta zinte gjumi kurrsesi, përndryshe, dhe sërishmi do të kthehej ta shikonte, dhe prania e saj, apo mendimi që ajo vërtitej aty rrotull dhe nga çasti në çast mund të vinte, atij do t’i prishte punë, do ta ligështonte, ajo kishte vetinë të ndillte ankth, të të molepste me ankthin e saj si të ishte ky ankth një sëmundje ngjitëse.

Në këtë natë ai kishte nevojë të largonte mendjen prej saj, sa më larg, prej fëmijëve dhe fëmijëve të fëmijëve, dhe sidomos nipin e tij trevjeçar nuk duhej ta sillte ndër mend, po duhej t’i strukte në ndonjë skutë të thellë të qenies së vet, kështu do të ishte dhe vetë më i fortë dhe ata të gjithë do të ishin kështu më të mbrojtur e më të sigurt. Duke u kthyer në studio, ai pa orën. Mendoi se kishte mjaft kohë për të punuar. Pastaj mendoi se kishte bërë mirë që nuk ia kishte treguar asaj të gjitha. Sigurisht që mirë kishte bërë, madje ndoshta vërtet duhej të shpresonte.

Fundja, Enver Hoxha ende s’kishte folur. Dhe, dy ditë më parë, tek diskutonin vetëm për vetëm për autokritikën që do të bënte Mehmeti në këtë mbledhje, ai i kishte premtuar se do ta ndihmonte. Kushedi, tha me vete Mehmet Shehu, ndoshta jam nxituar, kur mendova se gjithçka mori fund. Sikurse e kishte të zakonshme të nxitohej e të merrte vendime të rrëmbyera, seç kishte thënë dhe në mbledhje, për fejesën e Skënderit. Mirëpo, duke e rindërtuar dalëngadalë atë mbledhje, ashtu që të shikonte edhe njëherë mos ndoshta punët nuk qenë dhe aq keq, aq më shumë po bindej për të kundërtën. Dhe duke rrokur me mendje njëhopshëm gjithçka, Mehmet Shehu u bind edhe njëherë dhe përgjithmonë për çka kishte vendosur në çastin që dëgjonte fjalët përmbyllëse të Enver Hoxhës.

(Kosova Sot)