Rrëfimi i të birit: Letra e Mehmet Shehut për Enver Hoxhën dhe si u varros nga 6 veta

  • 17 March 2017 - 10:28
Rrëfimi i të birit: Letra e Mehmet Shehut për Enver Hoxhën dhe si u varros nga 6 veta

Duke dëgjuar fjalimet e Byrosë, ai e kishte fare thjeshtë ta shikonte veten me sytë e tyre. Ndodhej në të njëjtën situatë si shumë të tjerë që ai vetë dhe Enver Hoxha i kishin shpallur armiq. Tani ishte radha e tij, por ai s’mund ta duronte dot që Kadri Hazbiu e Ramiz Alia ta merrnin nëpër këmbë.

Nëse donin t’i merrnin pushtetin, mund ta merrnin, por këtë jo. Ndoshta këto gjëra mendonte teksa përpiqej të shkruante fjalimin e tij të fundit apo letrën e lamtumirës, Kryeministri Mehmet Shehu. Të nesërmen ai nuk do të ishte më. Në shtëpinë e tij hynin e dilnin hetues e njerëz të Sigurimit, që mbanin nën kontroll dhe siguroheshin që askush të mos futej në dhomën dhe studion e tij.

Varrimi u krye në 19 dhjetor. Asnjë ceremoni zyrtare. Në përcjelljen e fundit asnjë nga të afërmit nuk guxoi që të vinte, as vëllezërit e tij. Vetëm 6 veta hipën në autobusin e vjetër që devijonte rrugët kryesore. U varros në një ditë shiu, me vetëm një trëndafil të kuq mbi arkivol, që e reja, Marjeta, e këputi në oborrin e shtëpisë.

Mbi tryezë thonë se kishte lënë një zarf për Enver Hoxhën, ku kishte shkruar fjalët e fundit, ku kishte shpallur armiqtë e tij dhe në fund i kishte lënë amanet fëmijët njeriut që kishte ndjekur pas gjithë jetën, Enver Hoxhës, çka ky i fundit do ta vinte në jetë. Vladimiri do të vriste veten, ndërsa dy djemtë e tjerë do të burgoseshin për gati 10 vjet. Nata e mbrame e Mehmet Shehut dhe përcjellja e tij për në banesën e fundit vjen përmes rrëfimit të Bashkim Shehut, të birit, në këtë pjesë të fundit nga libri i tij “Vjeshta e ankthit”.

NGA BASHKIM SHEHU
Ishin pa dyshim fjalë të llogaritura qysh më parë për t’u thënë, dhe krejt mbledhja i përngjante një drame ku gjithçka ishte e paracaktuar, dhe jo vetëm fjalët e mbrapme të Enver Hoxhës, dhe as vetëm diskutimet e të tjerëve e radha e tyre, me Ramiz Alinë e Kadri Hazbiun në seancën e mbasdites, krejt kjo seancë vetëm për ata të dy, për ligjëratat e tyre plot akuza të hapta apo gjysmë të nënkuptuara, ku gjysma e nënkuptuar, e errët, e nëndheshme, ishte ajo më e munxyrshmja, po edhe gjithçka kishte thënë Mehmet Shehu kishte qenë e caktuar qysh përpara nga tjetërkush dhe pa e ditur këtë as vetë.
Kurse heshtja e Enver Hoxhës, lënia e diskutimit të tij për të nesërmen, për në fund fare, pasi ta kishte dëgjuar edhe Mehmetin, nuk kishte askurrgjë lehtësuese, shpresëdhënëse, madje ishte më ndjellazezë edhe se diskutimet e të gjithë të tjerëve, në këtë heshtje të gjitha nënkuptimet përmblidheshin, një boshllëk i madh i hapur përpara tij, si kjo natë, në të cilën ai duhej të pranonte çka i kërkohej, ta pranonte me gojën e vet që ishte armik, përndryshe prapëseprapë do ta quanin armik, me çka ishte e mbarsur ajo heshtje e Enver Hoxhës edhe më tepër se fjalët e tij dhe të gjithë të tjerëve. Jo, ai Mehmet Shehu nuk ishte armik, mirëpo ai e ndiente, ndërkaq, se kriteri i të qënit armik nuk kishte të bënte vetëm me çka besonte vetë, por njëkohësisht dhe pashmangshëm dhe me diçka që ndodhej përjashta tij, me atë çka besonte Enver Hoxha dhe shokët e tjerë të Udhëheqjes, por që ndodhej njëkohësisht dhe gjithëpoaq dhe përjashta tyre.
Se Enver Hoxha, sikurse dhe sa e sa herë të tjera vetë Mehmet Shehu bashkë me të, për hir të asaj diçkaje të madhe, vigane, të gjithëfuqishme si mekanizmi kozmik, nuk kishte ngurruar ta shpallte armik njërin apo tjetrin dhe ndonjëherë mund të kishin gabuar, sikurse po gabohej tani Enver Hoxha në rastin e tij. Mehmet Shehu nuk mund të mos e shikonte veten tani, nëpërmjet syve të të tjerëve, këtë nuk e kishte asfare të vështirë, përkundrazi e kishte të vështirë të mos e shikonte veten me po ata sy që kishte parë të tjerë armiq në gjendjen e tij të tanishme, në këtë mbledhje të Byrosë Politike që ishte e njëjta mbledhje që vazhdonte e vazhdonte pa fund.
Dhe i dukej vetja mjerisht i pambrojtur, me një keqardhje e njëkohësisht njëfarë zverdhjeje ndaj vetvetes. Madje, duke u parafytyruar ashtu në seancën e ditës së nesërme, gati-gati i erdhi turp nga vetja. Por pikërisht kjo ndjenjë e shtarët turpi ngërmoi përthellë tij krenarinë e tij të përgjumur. Jo, tha me vete, Kadri Hazbiu mund të më marrë pozitën dhe pushtetin, por nuk do ta lejoj të më marrë nëpër këmbë. Kurrsesi. Kurrën e kurrës. As Ramiz Alinë, helmfshehurin.

Dhe as ndonjë nga lolot e tjerë që kërkon si e si t’u bëjë qejfin këtyre. Pushtetin doni, merreni atë, por unë ama do të them fjalën time. Në caqet e dëshpërimit, i rrezbitur pothuaj, ai vazhdoi të shkruante. Dhe përsëri ai ngërç në të shkruar. Iu desh të prishte disa fraza apo edhe paragrafë të tërë, po më së fundi iu duk se e gjeti atë hulli nëpër të cilin do të shkonte gjer në fund të asaj që kishte nisur, pa kthim tashmë. Vetëm njëherë u ndal, tek dëgjoi hapa në korridor të afroheshin, apo iu bë sikur kishte dëgjuar. Si mbaroi krejt, mbështeti ballin në pëllëmbën e dorës dhe ndenji ashtu për njëfarë kohe.

Tashmë ishte i lodhur. Vështronte përhumbazi, pa vëmendje, fletët e shkruara, mbushur me ato përvijime të çrregullta, plot thepa, shenja të pakuptimta, që i bëheshin si një mori kandrrash stërgjatëse, dhjetrakëmbëshe, që lëvrinin e kërlesheshin duke copëtuar njëra-tjetrën, nën vështrimin e tij të mjegulluar, pastaj copërat e përgjakura bashkoheshin rishmazi, për të filluar nga e para ngrënien e njëra-tjetrës apo të truptheve të vet, ndërsa ai ndiente njëfarë sikleti a thua se ato ishin përbiruar përbrenda tij nëpër damarët e tij dhe vazhdonin aty të shqyheshin pareshtur.

Ai shkundi dremitjen dhe u ngrit. Pasi vuri rregull në tryezën e shkrimit, ai shkoi në dhomën e fjetjes. Vendosi të shtrihej. Veshi pizhamet si çdo natë, por përmbi pizhamet veshi dhe robdëshambrin. Dritën e natës nuk e fiku. Pastaj, njëfarë kohe të papërcaktuar, ndenji shtrirë pa bërë asnjë lëvizje. Sikur po mundohej ashtu të kapte atë çka ishte gjithsesi e pakapshme, çfarë do të ishte më pas, ai vetë, Mehmet Shehu, mbasi të mos ishte më.

Për të s’kishte rëndësi tashmë sa kohë do të mbetej gjallë e kur do të vdiste. Mjaft që kishte kohë për t’ia vërtitur nëpër mendje krejt jetën e vet, një copëz pafundësie, por që ishte gjithëpoaq dhe shëmbëlltyrë e pafundësisë, ngase fundin e saj thellë-thellë asnjëherë nuk e paskësh besuar, kurse ja, tani po prirej marremendthi drejt fundit. Edhe dy vjet, tha me vete, të kisha edhe dy vjet për të jetuar. Por ndërkaq e kuptoi se nuk po gjakonte për dy vjet jetë, që fare mirë mund të ishin dy vjetët e hetuesisë speciale, sipas afatit maksimum të saj, deri në çastin e ekzekutimit, porse për dy vjet të tjera në pushtet.

E kishte gjykuar këtë afat prej dy vjetësh, qysh se kishte filluar të ndiente se po i kërcënohej pushteti, si një afat të mjaftueshëm për t’u shpaguar ndaj armiqve, ndaj këtyre armiqve të tij të rinj, që po e mundonin padrejtësisht dhe po e rrënonin, që t’ia merrnin këtë pushtet. Po edhe një shpagim i këtillë, tek e mbramja, nuk do të kishte ndryshuar asgjë, gjithçka e jetuar prej tij prapëseprapë do të mbetej ashtu e pakryer, e lënë në mes, një grumbull murishtesh që kishin nisur të ngriheshin e që do të mbeteshin gërmadhë.

Mirëpo, duke u endur me mendje të vet midis tyre, teksa rikujtonte prej jetës së vet ndodhira, njerëz, copëra pamjesh, ngjarje dhe bëma që shënonin kthesa në këtë jetë, kuptoi sakaq që ky grumbull murishtesh kishte një planimetri të caktuar, që ai nuk e kishte ditur dhe tani që e dinte dhe që ishte ajo e një labirinthi, dalja e të cilit ishte pikërisht ky fund.

Ai dëgjoi hapa në korridor, pastaj në studio ngjitur, priti, i palëvizur, dhe duke e ditur tashmë çfarë po ndodhte, gjersa u hap dera e dhomës së tij dhe hyri dikush, një hije që mezi mund të shquhej, por që megjithatë ai e njohu kush ishte dhe që ishte ai vetë, Mehmet Shehu, duke mbajtur në dorën e tij një gjësend vezullues që ishte një armë dhe që shtiu mbi të. Kaq ishte, tha me vete, ndërsa dëgjoi krismën. Pastaj gjithçka u err, po binte në një zbrazëtirë të errët, në një natë pa anë mes botësh të shkretuara…

* * *

Varrimi do të bëhej të nesërmen, më 19 dhjetor. Do të na lejohej të dilnim nga shtëpia vetëm për varrim, sepse, qysh prej 24 orësh, gjendeshim në arrest shtëpie, ndonëse një masë e këtillë nuk e përmbante asnjë ligj ekzistues. Një ditë përpara erdhi shefi i zyrës së kuadrit të aparatit të Komitetit Qendror dhe takoi Fiqretin, duke i thënë se Mehmet Shehut nuk do t’i bëhej varrim ceremonial, sepse për këtë nuk i la vend vetes, ngaqë vetëvrasja është një akt i dënueshëm, kështu që do të ishte një varrim i zakonshëm familjar, për çka, sigurisht, ne duhej të lajmëronim e të thërrisnim të afërmit, po gjithsesi në një rreth pak a shumë të ngushtë, jo me bujë të madhe, pra, edhe nga Kryeministria, si qendra e tij e punës, do të vinin disa përfaqësues.

Fiqreti e pyeti, nëse për të shkuar në varrim, do të mund të përdorte veturën e saj, kurse shefi i zyrës së kuadrit të aparatit të Komitetit Qendror i tha se jo vetëm veturën e saj që do ta kishte, por do t’i viheshin në dispozicion për varrimin edhe vetura të tjera. Ndërkohë, gjatë asaj dite, në shtëpinë tonë me grila të ulura detyrimisht sipas një urdhri, vazhdimisht hynin e dilnin hetues dhe ekspertë të ndryshëm, ndërsa oficerët e grupit shoqërues të Mehmet Shehut ishin caktuar të bënin roje brenda në shtëpi, për të mos lejuar asnjërin prej nesh që t’i afrohej dhomës së tij të fjetjes dhe studios ngjitur me të, pra, as Fiqretin që të hynte në dhomën e vet të fjetjes.

Në godinën përballë zhvilloheshin njëra pas tjetrës mbledhjet e thirrura me urgjencë të Byrosë Politike dhe të plenumit të Komitetit Qendror. Të nesërmen paradite, nga të afërmit që kishim thirrur dhe që kishin ardhur te ne një ditë më parë, një pjesë e tyre nuk erdhën në varrim. Njërin prej vëllezërve të Mehmetit, i dyti, pas tij, llogaritar në pension, e kapi një krizë me dhembje koke të padurueshme, sëmundje nga e cila vuante prej vitesh, kështu që nuk ishte në gjendje të vinte, por qëndroi në shtëpinë tonë dhe në varrim do të vinte vetëm i biri.

Vëllai tjetër i Mehmetit, i treti, oficer në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk erdhi, pasi ministri Kadri Hazbiu i tha se e këshillonte të mos vinte, ndërsa një ditë përpara e kishte këshilluar që të vinte te ne. Megjithatë, mosardhja në varrim nuk do ta shpëtonte dot, disa muaj më vonë, nga arrestimi dhe dënimi me 12 vjet burg si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut në veprimtarinë për sabotim të Vijës së Partisë. Kurse i dyti, katër vjet më vonë, ngaqë nuk e duroi dot sjelljen e të tjerëve ndaj tij si vëllai i agjentit dhe i komplotistit Mehmet Shehu, vrau veten duke u hedhur nga një urë me një lartësi të madhe.

Vëllai më i vogël i Mehmetit, asokohe drejtor në ndërmarrje, ishte i vetmi prej tyre që mundi të vinte në varrim, por përkundrazi, ndryshe prej tyre, nuk pati ndonjë pasojë. Një njeri tjetër që, përveç neve të shtëpisë, erdhi në varrim ishte babai i Marjetës. Kështu që, gjithë-gjithë, bëheshim gjashtë veta, sepse nuk do të vinin as Fiqreti dhe as Bardha. Bardha, sigurisht, s’mund të vinte, se ishte për të lindur, madje po atë mëngjes e çuan në maternitet.

Kurse për nënën ishte Vladimiri që e bindi të mos vinte, duke qenë se ajo vazhdonte të ishte anëtare e Komitetit Qendror dhe ardhja e saj në varrimin e Mehmet Shehut, kushedi, mund të ndikonte që ta përjashtonin, ose, sidoqoftë, mund të jepte shkas për këtë. Por, megjithëqë nuk erdhi në varrim, nuk do të kalonte veçse një ditë, dhe atë do ta përjashtonin nga Komiteti Qendror dhe nga Partia njëherësh, si armike dhe si bashkëpunëtore e ngushtë në veprimtarinë armiqësore të të shoqit, kurse mbas dy javësh do ta arrestonin për tradhti të lartë.

Kështu që, gjithsesi, nuk do t’i kishte dalë më keq edhe sikur të kishte ardhur në varrimin e tij, ose çfarëdo tjetër që të bënte. Mbetëm, nga shtëpia jonë, vetëm Vladimiri, Marjeta dhe unë për ta përcjellë babanë në varr. U nisëm të tre, duke futur në mes Marjetën. Teksa ishim duke dalë nga oborri i shtëpisë, Marjeta u kthye për një çast dhe këputi një trëndafil të madh të kuq. Pastaj, nën vështrimin e vazhdueshëm të rojeve të Sigurimit, përshkuam më këmbë atë copë rrugë gjer në të dalë të Bllokut, një dalje anësore, ku, zakonisht, pothuajse nuk kishte lëvizje.

Aty priste makina e zezë e varrimeve, me arkivolin e Mehmet Shehut që sapo e kishim ngarkuar, dhe prapa saj një autobus i vjetër. Hipëm në të dhe u nisëm për në varreza. Autobusi, pothuaj i zbrazët, vetëm me gjashtë veta gjithsej, gjithë i shmangej sa të ishte e mundur rrugës kryesore, ndërsa xhamat e tij kërkëllinin nga era, llamarinat e asaj karkase të ronitur kërkëllinin gjithashtu, kur e kur, si kokrramë korbash. Ishte hera e dytë që shkoja në varreza brenda asaj jave, në fillim dhe në fund të saj.

Por kësaj here do të na drejtonin për në skajin tjetër të varrezave, në parcelën më të largët. Sa më larg që shkonim, aq më të rralla ishin pllakat e bardha. Atje, diku midis varreve që s’kishin gjë tjetër përveçse nga një qemer të brishtë anepërqark dhe një emër me ndonjë shkronjë të shurar te kryet, na priste një gropë e hapur dhe dy varrmihës të ndragur me baltë.

Vazhdimisht të mbikëqyrur prej Sigurimit dhe ndërsa punonjësit e Kryeministrisë qëndronin në një largësi të pazakontë për këdo që përcjell një të vdekur. Po e varrosnim ashtu shpejt e shpejt babanë, kur, në këtë ndërkohë, filloi të vrujtone një rrëkajë shiu, krejt si herën tjetër teksa avitesha pranë varreve të gjyshërve. A thua se duke shkuar tek ata ia kisha ndjellë vetes këtë ardhje të dytë në varreza. Marjeta hodhi trëndafilin mbi dheun e qullur që mbuloi sakaq arkivolin.

* * *

Më në fund, mbas dhjetë vjetësh pothuaj, munda të mësoj diçka nga ajo që babai kishte shkruar gjatë asaj nate për Enver Hoxhën dhe Byronë Politike. Dhe pikërisht ja se çfarë: “Shumë po më bini në qafë padrejtësisht. Dijeni, gjithashtu, se armiqtë e vërtetë dhe më të rrezikshëm të Shqipërisë janë Ramiz Alia me Kadri Hazbiun, mbas tyre dhe Foto Çami…”. Kurse, fjalët e fundit: “Amanet fëmijët!”.

Të gjitha këto përputhen me versionin zyrtar të vetëvrasjes, ngase nuk mund të mendohet që Enver Hoxha t’i ketë stisur të gjitha këto, të paktën jo ato që thuhet për Ramiz Alinë. Pra, një letër e shkruar nga një njeri që përgatitet të vrasë veten, çka përkon me gjetjen e një zarfi, prej Vladimirit, mbi tryezën e tij të punës, mbi të cilin qe shkruar emri i Enver Hoxhës me shkrimin e tij. E megjithatë nuk përjashtohet që fjalët e mësipërme t’i përkasin tekstit të ndonjë fjalimi të përgatitur nga Mehmet Shehu që ta mbante të nesërmen, para Byrosë Politike, dhe që mund të jetë gjetur nga të besuarit e Enver Hoxhës përmbi atë tryezë pune, ndoshta futur në ndonjë dosje përmbi atë tryezë, ose dhe në ndonjë nga sirtarët e saj. Në një rast të tillë, sidoqoftë, fjalët e fundit duhet të jenë të shtuara, për ta bërë të besueshme vetëvrasjen.

Sepse, sidoqoftë, çfarëdo të këqijash që t’i mvishte Mehmet Shehut, Enver Hoxha nuk mund t’i mohonte, në një rast të tillë, shkruarjen e atyre fjalëve në çastin e fundit. Madje, Enver Hoxha, përveçse me motivet e shumta agjenturore, e ka shpjeguar këtë vetëvrasje edhe si përpjekje të skajshme pikërisht për të shpëtuar kë- sisoj gruan dhe fëmijët. Dhe në përgjigje të këtij amaneti, të shkruar, nëse Mehmet Shehu është vetëvrarë, ose të marrë me mend, nëse atë e ka vrarë tjetërkush, Enver Hoxha do të kujdesej që Vladimirin ta shtynte në vetëvrasje, kurse Skënderin dhe mua të na mbyllte, përjetësisht, po të ishte në dorë të tij, në burgun e Burrelit.

(Kosova Sot)