Ekskursion në Shqipërinë e vitit 1848

  • 18 March 2017 - 15:28
Ekskursion në Shqipërinë e vitit 1848

Me peisazhet dhe ditarin e piktorit britanik Edward Lear

Edward Lear (1812-1888) është një piktor peizazhist britanik shumë i njohur. Fama e tij është e përhapur gjerwësisht edhe në Shqipëri për faktin se ai është ndoshta i huaji që e ka dhënë më të plotë pamjen e vendit tonë në mesin e shekullit XIX qoftë me pikturat e tij, por edhe me ditarin që ai mbajti gjatë kalimit nëpër vendin tonë. Duhet thënë se përvec bukurisë së peisazhit, për të cilin ai ishte më së pari i interesuar, Lear kishte edhe një tjetër lidhje me shqiptarët: njeriu që e shoqëroi atë në udhëtimet e tij kudo nëpër botë, për më shumë se 30 vjet me radhë, ishte një shqiptar i krishterë nga Suli, që quhej Gjergj Kokalli (Giorgio Kokali) dhe që fliste greqisht, italisht dhe shqip. Për shërbetorin por dhe mikun e tij Lear ka shkruar: “I shtrenjti im i gjorë Gjergj, gjithmonë kishte qenë një suliot gjysmë i civilizuar, më shumë një Rob Roy primitiv ose një malësor. Uroj ta kem merituar një mik të tillë.”

SKEDA Edward Lear

Edward Lear është lindur më 1812. Ai ka qenë fëmija i 20 ndërmjet 21 vëllezërve e motrave që pati. Është rritur nën kujdesin e Anës, motrës së tij të madhe. Pikturën e ka filluar në moshë të re dhe që 19 vjec botoi librin dhe albumin e tij të parë “Illustration of the family of Psittacida, or Parrots”, që është një studim për zogjtë. Por më vonë edhe për shkak të shëndetit ai e lë këtë passion dhe i kushtohet plotësisht peisazheve të cilët i krijojnë edhe mundësinë për tu larguar nga klima e Anglisë drejt brigjeve të ngrohta të Mesdheut. Ekspeditat e tij piktorike nisin nga Anglia më 1837 për të vijuar në Francë, Itali, Greqi, Shqipëri, Turqi, Egjipt, Indi e Himalaja e për tu mbyllur në Itali më 1883, vit në të cilin “lë penelin”. 5 vite më vonë, më 29 janar 1888, ndërron jetë dhe varroset në varrezën angleze në San Remo. Kur vdiq la mbi 3500 akuarele të cilat i kishte realizuar përgjatë udhëtimeve të tij.

Itinerari

Lear vjen nga Stambolli në Selanik dhe më pas hyn në trojet shqiptare nga Manastiri më 19 shtator 1848. Nga këtu deri në largim udhëtimi i tij nëpër Shqipëri do të zgjasë plot 47 ditë gjatë të cilave ai do të punojë mbi 180 akuarele e vizatime. Sipas koleksionit të dixhitalizuar të veprës së tij, i cili gjendet në bibliotekën e Universitetit të Harvardit, rruga që piktori ndjek është: në Manastir më 19 shtator 1848 pikturon 10 peisazhe dhe Ohër më 21 shtator 1848 nga ku dalin 16 peisazhe. Vijon më pas rrugën ndërmjet Ohrit e Elbasanit në datat 24 dhe 25 shtator, 12 peisazhe, Elbasan 26 shtator, 8 peisazhe, ndërmjet Elbasanit e Tiranës 27-28 shtator, 8 peisazhe, Tiranë më 28 shtator 4 peisazhe, Krujë 29-30 shtator 5 peisazhe, Lezhë 3 tetor 1 peisazh, Shkodër 4-6 tetor 16 punime (peisazhe dhe costume e veshje), Durrës 10-11 tetor 2  peisazhe, Kavajë 12 tetor 2 peisazhe, Berat 14-16 tetor 9 peisazhe, Apoloni 19 tetor 1 peisazh, Vlorë 20 tetor 1 peisazh, Kaninë 21 tetor 1 peisazh, Tragjas 21-22 tetor 2 peisazhe, Dukat 22 tetor 3 peisazhe, Vuno 23 tetor 2 peisazhe, Himarë 25 tetor 3 peisazhe, Dhërmi 26 tetor 3 peisazhe, Palasë 26 tetor 1 peisazh, kthimi nga Rruga e Bardhë e Mali i Cikës 27 tetor me 3 peisazhe, Kanina 28 tetor 2 peisazhe, Vlora 29 tetor 1 peisazh, Kudhësi 30 tetor 3 peisazhe, Tepelenë 1 nëntor 3 peisazhe dhe në fund Gjirokastër në datat 3-4 nëntor dhe ku punon 8 peisazhe. Përvec pikturave Lear botoi në Londër në vitin 1851 edhe një libër kujtimesh për udhëtimin e tij në vendin tonë: “Ditari i një piktori peizazhist në Shqipëri” (Journals of a Landscape Painter in Albania).  Posaçërisht për atë botim Lear do të punojw në litografi 15 peisazhe të qyteteve shqiptare, duke i sjellë ata në dy variante. Për librin i cili është përkthyer edhe në shqip, është shkruar e komentuar shumë. Por recensën më të bukur të atij botimi e ka bërë Lumo Skendo në revistën e tij “Diturija” nr 6 të vitit 1928, prej të cilës janë marrë përshkrimet e mëposhtme, të cilat ndërthuren edhe me citime nga vetë Lear, duke e bërë rrëfimin të këndshëm. “Në Shqipëri njeriu gjen atë që është e pamundurë të shohë gjetkë, bukuri natyre të ndryshme, hollësi linje dhe shkëlqim drite që të kujtojnë visetë e kandshme të Greqisë, po mbi këtë edhe një dendësi bimësije, me drurë të mëdhenj dhe gjeth të shpeshtë që s’e takojmë as në Greqi, as në Itali” do të shkruajë i mahnitur piktori britanik.

Ohri

“Nuk është e lehtë të përfytyrosh një territor të përvijuar kaq natyrshëm sa Ohri. Liqeni rrethohet i gjithi nga kodrat, me shumë pak hapësirë midis rrëzës së tyre dhe ujit, përveçse nga veriu, ku kodrat tërhiqen nja 3 milje, duke i lënë vend një fushe mbi të cilën mbizotëron plotësisht kështjella e Ohrit majë një shkëmbi të vetmuar. Qyteti shtrihet në tri faqe të kodrës së kështjellës dhe hapet në perëndim e lindje të fortesës përgjatë bregut të liqenit, kurse vetë shkëmbi bie thikë nga jugu. Këtu nuk mungonte asnjë nga tiparet e përhershme të këtyre skenave: minaret e bardha dhe grupet e rrapeve të dendur përqark qytetit. Kur iu afrova rrugëve të tij më tërhoqën vëmendjen disa xhami të bukura, si dhe tek-tuk ndonjë rrugë e gjerë me dyqane, ose treg, nën hijen e rrapeve të stërmëdhenj. Në këtë qytet, i pari që shihja në Shqipërinë Veriore, të bëjnë shumë përshtypje kostumet e veçanta”.

Drejt Elbasanit

Lumo Skendo shkruan: Nga Qukësi udhëtarët zbritnë tatëpjetë, per të marrë një tjatrë të përpjetë. Atje zoti Lear kthehetë prapa dhe mbetetë në çudi përpara tablosë që i cfaqetë: Katundi, me drurët gjigantikë të arravet dhe minaret e fildishta, që mështillte linja greke, ngjyra italiane dhe begati bime engleze, të varurë mbi greminën e rripësë, formonte një pikturë të egrë dhe madhështore. Pastaj udha bëhësh e ngushtë, e keqe, e rrezikshme: një herë takuan një karvan pësëdhjetë mushkash, të ngarkuara, që vinin nga Elbasani; në një vënt tjatrë një ka i ngordhur, rrjepurë lëkure, kishte zënë shtegun dhe kafshët e udhëtarëvet tanë refuzonin të kapërcejnë gjënë e jashtëzakonshne; ca më tej, në pikën më të ligë dhe të vështirë, një kalë rrëzoi barren. … Po gjithë këto mizere i harronte njeriu kur gëzonte synë në bukuritë dhe skenat aqë tërheqëse e sublime.

Elbasani

Përshkrimin e tij Lumo Skendo e vijon: “Elbasani, në mes të ullinjvet, në fushët të bukurë ku rrjeth Shkumbini, i duketë aqë piktoresk së jashtmi, sa edhe i ndyrë dhe i fëlliqurë së brendëshmi. Qyteti i duketë jashtëzakonisht piktoresk. “Tek vizatonte sendet e afërt dhe të largët, populli, ca nga ca, nisi të mblidhet rreth tija, dhe, duke parë pikturën, filloj të thërresë: Shejtan, Shejtan! Një dervish me sarëk të gjelbrë u përzje në gjëmët, dhe gurë breshëruanë mbi kryen e ingIizit. Disa prej sulmuesvet qenë më elokvent: Frëngu është Rus, thoshnin, dhe Sulltani e ka çuarë të na shkruajë, që të na shesë pastaj ne Rusija”. Vetë Lear për këtë ngjarje do të shkruajë kështu: Është pak e çuditshme të shpjegohet, por shumica e sehirxhinjve futën gishtat në gojë dhe filluan të fishkëllejnë si të xhindosur, siç bëjnë çirakët e kasapëve në Angli. Ndoshta ishte një lloj formule kundër magjisë sime, nuk e di, por papritur kuptova absurditetin e qëndrimit tim aty, duke vizatuar i ulur mbi një ledh, ndërkohë që një turmë e tërë më fishkëllente me sa fuqi kishte.”

Tirana

Eduard Lir, duke vështruar malin e Tomorrit nga Qafa e Kërrabës, pasi ul paletën me anë të së cilës kish hedhur në telajo impresionin e çastit të pamjes që i dilte përpara, shkruan në ditarin e tij: “Ishte e vështirë t’i ktheje shpinën kësaj pamje malore të mrekullueshme, këtyre skutave e qosheve të kësaj bote të bukur, këtyre pamjeve prej të cilave asnjë shpirt piktori nuk lodhet kurrë”. Dhe vërtet piktura në vaj që realizoi Eduard Lir për Tomorrin nga ai impresion nga Kërraba, është një nga kryeveprat e tij. Kur mbërrin në Tiranë përshkrimi është ky: “Dita qe mbledhje pazari, me kafshë çdofarësh, djem, çupa, gra, dhe kjo i jep rasje vizatuesit tënë të begatojë fletët e albumit.

Kruja

Në Krujë, ke Ali beu, një djalosh nëntëmbëdhjetë mveshurë me stambulinë, piktori gjen një hospitalitet të kandëshëm, në një odë të mobiluarë me gust, pas modës së vëndit. Ky hospitalitet, ky luks kan’ edhe inkonvementet e tyre: humbja e lirisë. Kur kërkon inglizi të nxjerë këpucët dhjetë shërbëtorë derdhen t’i zënë këmbën, dhe tek pi kafenë, sikur të lëvisnjë makar një gisht, sakaqë nxiton një tjatrë shërbëtor, duke lënë këpucët jashtë portës, për t’a pyeturë çë urdhëron.

Dobare populli i Krujës e le të qetë të pikturojë, e vështron së largu, po nuk vete ta mërzitë.

Ceremonin e tryezësë piktori ynë e shëmbëllen më një balet, kur të dhjetë trimat; mveshur dhe stolisur, hyjnë përnjëhere brënda në odë dhe pregatitin aparatin e ngrënjes.

Lezha

Në Lesh ndaletë pak, pjek një prift Kapucin, mik të vjetrë, nga Italija, dhe e pyet si shkon me këta të krishterë. “Të krishterë”? i thotë prifti; padyshim të krishterë: po, sikur Perëndija të buçiste Drinin dhe t’i mirrte të gjithë në parajsë, do të bëhësh gjë e bukur! Të krishterë? hajdutë, derra, ujq, shtazë, majmunë, budallenj, kafshë të egra! Grekë, Turq, Shqiptarë dreqi i marrtë të gjithë bashkë, Të krishterë!” Në këtë udhëtim englezin tënë e kap një shi i math, gjë që s’e ndalon të na kujtojë karakterin piktoresk të lundrës mbi Drinin, remarët e saj me gunë mbi krye. Disa katunde, që gjejnë n’udhe, prej derravet njihenë që janë të krishterë, një racë derri leshtok dhe të ligurë.

Shkodra

“Në Shkodrë piktori vete dhe kërkon zotin Bonatti, vis konsulin e Anglisë, heq shum’ mundime sa i zbulon shtëpinë”. Piktori i mahnitur nga kostumet e vendasve realizon disa punime ku si model do ti shërbejë zonja Bonatti. “Të nesërmen mundohet akoma më tepër, dhe kot, për të gjeturë liqenin. Pashajt të Shkodrës, bosnak prej origjine, i bën vizitë në shtëpi të tij, në kala, mbi kodrën: Osman pashaj ësht’ i vogël nga shtati, i majmë; konaku ku banon s’ka no një luks, as si godi, as edhe si mobila; vetëm gëzon një pamje të bukurë nga maletë dhe liqeni. Të nesrëmet valiu ie thërret për dreke, dhe Englezi i huaj numëron gjer në 37 gjellë, sahanë; më tutje pushoj së numuruari, duke pandehur se dreka do të mbante gjer mbrëmanet, po shton, më duket se erdhë mbi tryezë edhe dymbëdhjetë ose katërmbëdhjetë gjellë të tjera”.

Durrësi

Durrësin e gjen si një qytet me një të vetëm rrugë. Kështjella e intereson dhe qyteti i duketë më i pastër se kudo gjetkë: dyqanët vërtet janë gjysmë të mbuluarë, nga rruga, po me pjergulla të bukura, dhe jo me rrogozë të vjetër. Edhe çdo njeri i kuvëndon me miqësi, me ëmblësi, duke e quajtur kapedan. Ndërsa vetë Lear shkruan: “Durrësi është qyteti tjetër i udhëtimit tim… Qyteti tani në vetvete është reduktuar në një rrugë të vetme dhe shikohet nga kullat e rënda ngjyrë gri të kështjellës, të cilat janë ndërtuar relativisht në një vend të lartë… Kombinimet e panoramës rreth e përqark janë shumë të bukura si çdo pamje shqiptare. Rruga e vetme e Durrësit, zë thuajse të gjithë vendin e ngushtë që zbret në det dhe mbaron në mol… Në Durrës ka një atmosferë këngësh dhe unë dëgjoj shumë tinguj muzikorë, të cilët dëgjohen në të gjithë anët e Shqipërisë”.

Kavaja

Në Kavajë piktori piqetë me Ahmed bejnë, qeveritarin, që kishte një saraje mjaft të mirë, po jo aqë të bukurë sa të Ali beut në Krujë. Shëtitari ynë vëren në qendrë të qytetit një vorrezë, të rrethuarë me shtylla të shuma, mbi origjinën e të cilavet nuk mësoj dot gjë. Këtu është mysafir tek Papa Andrea, ekonomi i Kavajës, i cili, me mjekrën e gjatë të tij, ngjan me statujën e Moisiut, bërë prej Mikelangelit. Udhëtari ynë, që ka pasurë kohë të familësohet me jetën dhe vendin e shqipëtarëve, nuk mungon të shënojë me humorin e tij të math, çdo send që takon mbë udhë, si kopetë me pata që kullosin në fushën e Kavajës, si edhe një nuse që po e shpjenë krushqit, të mbuluar me një mënyrë groteske: s’i duket as trupi, as fytyra, me një tufë lulesh mbi napën e kryesë, dhe kështu ngjante më një bimë fantastike shëtitëse.

Berat-Vlorë

Duke dalë nga Kavaja piktori ishte nisure për në Berat; atje pi qetë me Hysejn pashën që e rrëfen me mënyra të holla dhe të kandeshme, në nje shtëpi piktoreske, plot me njerës dhe zyrtarë. Nga Berati pasi viziton Manastirin e Ardenicësë vete në Vlorë, pa harruar, padyshim dhe Pojanin. Vlora i duket e varfër, e pikëlluar, një qytet i vogël që ka pësuarë prej kryengritjes’ së fundit. “Me të gdhirë zbrita në fushë me zezakun Marjan dhe vizatova Vlorën nga rrafshina afër detit, pastaj u ktheva për drekë para mesditës. Ngarkuar me dy kuaj shkova për të vizituar Shën Mërinë e Zvërnecit në një ishull të vogël nja dy milje larg Vlorës”

Himara

Në Himarë s’harron të na shënojë se gratë përdoren si mushka, për të bartur barrë, sadoqë disa syresh, si edhe shumë prej çupavet, janë fort të bukura. Autori, si një artist, s’duket të jetë fare mërzitur në Himarë, shëtit gjithë katundet, Dhërmi, Vuno, Palasa, jep detaje për jetën dhe zakonet e tyre. Vunoi i rrëfehet si më i përparuari i këtyre katundeve që kanë, të gjithë, shqipen si gjuhë shtëpije. “Këto gra himarjote ishin të të gjitha moshave dhe mjaft prej tyre shumë të bukura. Veshja që kishin përbëhej nga një fund i gjatë i bardhë, me një përparëse leshi të qëndisur (që e vishnin mbrapa dhe jo përpara!). Burrat, veshur me guna të bardha, dukeshin të fuqishëm dhe ecnin me krekosjen e epërsinë aq karakteristike që i dallon të gjithë shqiptarët. Pothuaj të gjithë individët i folën Anastasit sikur ta njihnin. Grupi ishte nisur për në Vlorë për të punuar në ullishta gjatë dimrit”.

Tepelena

Drejtohet nga Tepelena, me anë të Kudhësit. Shkronjësi ynë ka një kuriozitet të math të shohë qytetin e Ali Pashës, ku Lord Byron-i mbeti mysafir i vezirit. Po, thotë, poeti më nuk rron, Ali Pashës i është prerë kryet, fëmija e tij e farosur, pallati i tij djegur dhe rafshuar. Edhe vëndi, katundet që ka gjeturë në udhëtim të tij, i duken gjysmë shkretina, të zbrazur dhe varfëruar, sidomos që nga kryengritja e Gjolekës. Hani i Tepelenës, noton, është bërë prej do odash dhe divanesh të vegjël, me dyer që s’mbyllen; qen dhe mace kanë lirl të plotë, si edhe një sqap i mallkuarë, me këmborë në qafë, qelp divanët dhe shëtit tërë natën ; mbi këtë shtoni edhe një erë të çmëndurë që fryn tërë natën, kujis dhe argullis të katër anët.

Gjirokastra      

Gjinokastra e intereson shumë si qytet dhe si peisazh, por ajo qe e çudit, është kostumi i gravet në rrugat, një nap’ e bardhë që e mbulon nga krei e në këmbë, me brylet të ngriturë përpjetë, një lugat me katër çipa! Nga maska e fytyrës, prej të dy vrimavet, duken dy sy, dhe poshtë napes buçasin çitjanet e kuqe dhe këpucët e verdha si kanari! Tek udhëtari ynë kulloste sytë me bukurinë aparente të gravet të Gjinokastrës, përnjëherë ngrihetë një klithje, nga çdo çip i qytetit, dhe hoxha në minare bërtet me një zë të qarë. Englezi kujtoj se po shembesh Gjinokastra e tërë, kur u kuptua se ky vaj, qenka për një zotëni që paska vdekurë në Stamboll. “Shyqyr, shton, që fqinjët e mij të hanit, s’e panë veten të detytuar të ulërijnë dhe ata”.Revista Mapo

(Kosova Sot)