Pakti britanik i Enverit

  • 29 March 2017 - 16:38
Pakti britanik i Enverit

MARRËVESHJA QË VENDOSI PUSHTETIN E ARDHSHËM

Takimi me anglezët ndodhi në gusht të vitit 1943

SHKRUAN: PANAJOT BARKA 

Rastësisht, një ishkolonel i Zogut bëhet dëshmitar i një marrëveshjeje mes ushtarakëve të lartë anglezë dhe Enver Hoxhës, me ndërmjetësinë e një oficeri madhor italian, agjent britanik. Ishte pakti që vendosi pushtetin e ardhshëm

Në vitin 1952, në burgun e Tiranës, koloneli i Mbretit Zog, Hasan Ahmetaj, të cilit i thërrisnin edhe Hylmexhi, tek shikonte që i afrohej vdekja, kërkonte t'i besonte dikujt një sekret. Për të, ky sekret përbënte një histori shumë të rëndësishme, përderisa vetëm prej dyshimit se mund të dinte diçka, ishte burgosur familjarisht që më 1945. Koloneli përzgjodhi midis ajkës intelektuale të Zogut në atë burg, një 23 vjeçar, "diversant" nga minoriteti grek, i quajtur Stefo Petro. Në kohën kur bashkëvuajtësit e tjerë dilnin në oborr për ajrosjen e radhës, koloneli e ftonte "diversantin" në qeli, gjoja për shërbime personale (ta pastronte nga morrat) dhe i rrëfente historinë që e burgosi. "Për atë që përpiqeni", filloi rrëfimin koloneli, "është vështirë të realizohet. T'i heqësh Shqipërisë Vorio Epirin, është njësoj sikur t'i heqësh skufjen nuses dropullite. Enver Hoxha nuk është dhe aq budalla që edhe plumbi t'i mbillej në kokë edhe Shqipërinë ta rrezikonte. Gjithçka u luajt në gushtin e vitit 1943….". Menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste, koloneli hoqi uniformën dhe armatimin dhe zgjodhi asnjanësinë, i mbyllur në shtëpinë e tij, diku në një zonë të qetë të Tiranës së atëhershme. Një fqinj i tij, me banesë nën të njëjtën strehë, ia dha shtëpinë me qira një oficeri italian, përgjegjës për armatimin e ushtrisë italiane në kryeqytet. Emri, ose pseudonimi i tij ishte Fernando. Italiani mbylli me suva një si sportel komunikimi midis dy banesave, por me kalimin e kohës suvaja u shkëput nga korniza e drunjtë duke krijuar të çara. Nëpërmjet këtyre të çarave, në gushtin e vitit 1943, ai, koloneli, vajza e tij Anifeja (në internim që nga 1945) dhe dhëndri i tij, Ivzi Gjylaka, oficer i Zogut (i burgosur në Burrel), u bënë dëshmitarë të një marrëveshjeje që do të ndryshonte drejtimin e historisë për Shqipërinë….

Strategjia britanike e influencimit të udhëheqjes komuniste

"Një pasdite gushti të vitit 1943, në shtëpinë e italianit hynë dy të huaj që flisnin anglisht dhe mbanin në krahë çanta jo të zakonshme. Vizitorët e çuditshëm na tërhoqën vëmendjen. Të çarat në mur na ndihmuan të mësonim kush ishin këta të huaj për mbërritjen e sigurt të të cilëve, kishte marrë masat personalisht oficeri i lartë italian. Puna e parë që bënë ishte të njoftonin me radiomarrëse se arritën mirë në bazën e caktuar. Ashtu siç u prezantuan, rezultonte se njëri ishte majori i Intelligence Service, William Mayer dhe tjetri gjenerali i këmbësorisë Willson. Në bisedën e tyre u konfirmua se Fernando ishte agjent i Intelligence Service. Eprorët anglezë i kërkuan oficerit italian të takoheshin me Enver Hoxhën. Takimi duhej të zhvillohej brenda një kohe shumë të shkurtër, para se divizioni gjerman në Janinë të ndërmerrte veprime luftarake në tokën shqiptare. Siç shpjeguan ata, nga ky takim do të varej aktiviteti i ardhshëm ushtarak i forcave britanike në Shqipëri dhe në tërësi në Ballkan. Anglezët thanë se për ta ishte e ditur se pas përfundimit të Luftës, kampi komunist do të shtrihej së tepërmi drej Evropës Qendrore e Jugperëndimore. Ndaj edhe kërkonin që "Civilizimi Perëndimor", atje ku nuk do të shtrihej drejtpërdrejt, të kishte nën ndikimin e tij udhëheqjet komuniste të vendeve të bllokut komunist. Me interes të veçantë ishte boshti i ekuilibrave gjeostrategjikë të Ballkanit. Për këtë qëllim, djali i Çërçillit krahëmerrte prej kohësh Titon me premtimin, që pas luftës të ruante në territorin e vet Kosovën, por edhe për mundësinë e nxjerrjes nga sirtari të rivendikimeve të vjetra Jugosllave mbi Shqipërinë. Tani e kishte radhën Enver Hoxha. Në rast se Hoxha do të pranonte bashkëpunimin me ta, atëherë do të ruhej integriteti territorial i Shqipërisë dhe Titua do t'i gëzohej vetëm Kosovës. Në rast se E. Hoxha, si udhëheqës komunist nuk do të pranonte bashkëpunimin me Civilizimin Perëndimor, atëherë britanikët do të zbatonin planin e zbarkimit në brigjet shqiptare për të penguar pushtimin gjerman të Shqipërisë. Duke qenë se Shqipëria parashikohej t'i mbetej kampit lindor, anglezët as që mendonin për një bashkëpunim efektiv me të djathtën nacionaliste shqiptare. Oficeri italian premtoi se do ta sillte E. Hoxhën në takim, por nuk mori përsipër garanci për qëndrimin e tij.

Një takim që përcaktoi qëndrimin e PKSH-së mbi Kosovën

Me të vërtetë, pas tri ditësh Enver Hoxha arriti në bazën angleze në shoqërinë e tre të tjerëve që nuk i njohëm. Në takim vajti i vetëm. Italiani Fernando, pasi prezantoi tek Hoxha bashkëbiseduesit anglezë (Mayer dhe Willson) përgatiti terrenin për vazhdimin e bisedës duke i thënë Hoxhës për të dëgjuar edhe anglezët, se ai, Fernando, furnizonte me armatim njësitë luftarake të E. Hoxhës. D.m.th se Hoxha ishte bashkëpunëtor i tij. Njëkohësisht, duke i thënë Hoxhës se vërtet ishte oficer italian, por në shërbim të anglezëve, i tregonte atij qëllimin e vërtetë se përse ndohej aty dhe rregullat e lojës. Hollësitë i mori përsipër Mayer, i cili i shpjegoi Hoxhës: - Me tërheqjen së shpejti të italianëve, gjenerali Willson do të përgatisë zbarkimin anglez në Shqipëri. Flota ka pushuar bombardimet. Aviacioni, këmbësoria dhe mjetet e blinduara futen në veprim me një urdhër. Nëndetëset tona zbarkojnë forca speciale dhe parashutiste. Gjithë kjo pararojë e makinës luftarake angleze do të futet në veprim nëse ju do të refuzoni të merrni përsipër një detyrë të cilën do t'ua caktojmë ne këtu. Gjithashtu nga kjo detyrë ju do të përfitoni shumë. E para dhe kryesore: Pushtet të plotë. Udhëheqës për të gjithë jetën. Dhe më kryesorja: Jo vetëm do të kesh integritetin territorial të Shqipërisë, por në një të ardhme do të jesh në gjendje të pretendosh Kosovën dhe Çamërinë, d.m.th Shqipëri të rrumbullakët.

Enver Hoxha, njeriu i Perëndimit

Në këtë moment Mayer nxori nga çanta e tij një hartë që tregonte Shqipërinë "e rrumbullakët" dhe i tha Hoxhës: - Detyra jote është të vihesh në shërbim të Civilizimit Perëndimor. Blloku Lindor do të shtrihet tej kufijve sovjetikë, kështu që me rënien së afërmi edhe të Gjermanisë, Civilizimi Perëndimor do të ketë një rrjet të fuqishëm bashkëpunimi, i cili si kalë Troje do ta përmbysë atë kur ta shikojë të arsyeshëm. Dhe vazhdoi. - Civilizimi Perëndimor do të luftojë për mbrojtjen e paqes, pavarësisht se blloku komunist do t'u fryjë sirenave të paqes. Shumë herë njerëzimi mund t'i afrohet pragut të luftës, por makina ushtarake e Perëndimit do të jetë kaq e fortë sa të zhbëjë planet e KOMINFORM-it. Në rast se ti nuk do të pranosh të kontribuosh për Civilizimin Perëndimor, atëherë krejt ndryshe do të zhvillohen ngjarjet në vendin tënd. Së pari gjenerali Willson do të urdhërojë zbarkimin për t'u ardhur në ndihmë forcave të djathta të Abaz Kupit dhe të Hasan Dostit. Së dyti, njësitë e tua të vogla do të shpërbëhen dhe së treti - në këto momente Mayer nxori nga çanta një hartë të dytë, e shtriu mbi të parin dhe vazhdoi: E shikon çfarë tregon harta? Harta e dytë paraqiste gjysmën e Shqipërisë mbështetur mbi Greqinë - dhe ishte me ngjyrë jeshile. Me ngjyrë të verdhë ishte Shqipëria qendrore. -Këtu,- tha Mayer,- do të vendosen baza të ushtrisë angleze nën kujdesin e Mbretërisë së Bashkuar. Shqipëria e veriut….Nuk na duhen malet. Le t'i qeverisin jugosllavët. Djali i Çërçillit, i cili i bie kryq e tërthor Jugosllavisë, të tilla udhëzime ka. Menjëherë mori fjalën gjenerali anglez i cili tha: -Nuk ka nevojë për fjalë të pafundme. Ushtria ime pret urdhrin, për arsye se është vënë në lëvizje divizioni gjerman në Janinë dhe nëse vonohemi, zhvlerë- sohen të dyja variantet. Ndërhyri atëherë oficeri italian duke i thënë Enverit: -Telini ishte italian dhe gjakun e derdhi diku aty në Kakavijë. Dhe kjo nuk u bë për një tepsi me flori që i falën zonjat e bejlerëve gjirokastritë e delvinjotë, por sepse ai simpatizonte Shqipërinë. Nëse nuk do të ishte ai, nuk do ta gjeje kaq atdheun tend. Tani atdheun e ke në kurriz ti. Mos e refuzo këtë mision. Ke shumë për të përfituar. T'i tha pak më përpara zotëria dhe nëse do ta dish, gjallë që këtej brenda nuk del. Pas fjalëve të italianit tre kobure zunë vend mbi hartat e shtrira. Atëherë, zoti Hoxha, "kryekomunisti" që vritet e pritet akoma për komunizmin dhe kushedi sa do të qeverisë akoma, u tkurr paksa dhe me kokën ulur tha: -Dakord, "je suis d'accord". Atëherë koburet u vendosën në vendet e tyre. U çuan në këmbë u përqafuan dhe vunë pije për ta festuar. Folën sesi do të dilnin në malet e Martaneshit, si do t'i ndihmonte aviacioni britanik. I thanë Hoxhës se Stalini po i nis njëfarë Sejfulla Malëshova, duke shtuar se "dimë ne si do ta vëmë atë në hije". Tek hanin e pinin, i dhanë urdhër Ferndandos që i gjithë armatimi italian të kalonte në duart e Enverit me qëllim që të mos gjente asgjë në depo gjermani… Në korrik të vitit 1944, një mik i Ivziut, ish-nëntoger në ushtrinë e Zogut, erdhi në shtëpi dhe i tha në mirëbesim dhëndrit që të mos aktivizohej me forcat e djathta të Abaz Kupit se Anglia nuk i përkrah sinqerisht. Nuk do t'u jepet pushteti atyre. "Nëse do", i tha, "eja me mua se edhe unë me ata që kanë yllin e kuq marr e jap. Është urdhër. Dhe kur të iki unë, eja dhe ti me mua se anglezët do të ikin një ditë që këtu…". Ky ishte thelbi i historisë sekrete që koloneli i Zogut rrefeu tek diversanti grek Stefo Petro. I sqaroi edhe arsyet se përse nuk e kishte zbuluar me parë këtë marrëveshje të fshehtë të E. Hoxhës me Intelligence Service: "Familja jonë është nacionaliste dhe për këtë nuk nxorëm sekretin. Vend nderi do të na jepte KOMINFORM-i, por nuk pranuam ta bënim dhe për këtë do të vdesim në burg". "Ti nuk duhet ta tregosh", i tha diversantit, "se Hoxha i shërben civilizimit perëndimor. Juve ju hëngrën në besë aleatët tuaj. Komunistët një ditë do ta denoncojnë Hoxhën, por asgjë nuk kanë për t'i bërë se Perëndimi ka rrjet shumë të fuqishëm dhe do ta kalojnë nga shumë monopate, pa i hyrë gjemb në këmbë". "Në gusht të vitit 1952", tregon në vijim Stefo Petro, "koloneli i Zogut vdiq. Mjeku plak i burgut, Sadedini, konfirmoi vdekjen. E mbështollën në një kuvertë dhe e nxorën në korridor. E lanë në krye të shkallëve. Një gardian e shtyu dhe trupi i tij u rrokullis nëpër shkallë. Një hamall u përpoq ta fuste në një thes, por ishte e pamundur. Atëherë mori një kazmë, e preu në mes dhe pasi e futi në thes e hodhi në krah për ta lëshuar pak me tutje në një karrocë ngarkuar me qymyr". *** E. Hoxha qeverisi derisa vdiq në Shqipërinë e tij socialiste. Dyshime se E.Hoxha ishte njeriu i italianëve ka edhe biografi më i fundit i Enver Hoxhës, Blendi Fevziu. Ndërsa vetë Hoxha, ashtu si gjithë historiografia e re në lidhje me themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, pranon se E. Hoxha, njeriu i rastësishëm në këtë lëvizje, do të vihet në krye të saj me ndihmën e komunistëve të Titos të cilët kishin urdhër nga KOMINFORM për themelimin edhe të PKSH-së. Nga ana tjetër përfaqësuesi i EAM-it (Frontit Nacionalçlirimtar) grek në organizimin e minoritetit grek në lëvizjen çlirimtare përkrah popullit shqiptar, Miltos Kyrjanis, dëshmon se, si jugosllavët ashtu edhe anglezët kishin përfaqësuesit e tyre në jug të Shqipërisë, të cilët pengonin çdo lëvizje dhe ide për vetëvendosje sipas Kartës së Atlandikut, në minoritetin etnik grek. Dy fakte po aq domëthenëse janë roli i jugosllavëve (aktiv, që tërhoqi me vete gjithë kampin socialist) dhe i anglezeve (pasiv) në pjesëmarrjen dhe qëndrimin e E. Hoxhës në Konferencën e Paqes në Paris më 1946. Po ashtu incidenti i trefishtë i kanalit të Korfuzit nga distanca kohore dhjetëra vjeçare tregon se bëhej fjalë për një akt që synonte rritjen e kredibilitetit politik e popullor të E.Hoxhës.

(Kosova Sot)