Zbulohet letra e Sigurimit: Feçor Shehu ngjallte frikë, kamarierët të kompromentuar

  • 02 April 2017 - 10:15
Zbulohet letra e Sigurimit: Feçor Shehu ngjallte frikë, kamarierët të kompromentuar

Në pjesën e tretë të këtij dossieri të botuar në numrin e kaluar, u njohëm me raport-informacionin e sekretarit të Komitetit të Partisë së Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, Vangjel Gugu, dërguar Komitetit Qendror të PPSHJ-së në tetorin e vitit 1982, ku ai informonte një numër të madh kuadrosh të lartë të regjimit të asaj kohe, diplomatë, ushtarakë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, të Sigurimit të Shtetit, duke i akuzuar ata për lidhje të ngushta dhe bashkëpunim me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut etj”.

Ky dokument vijon dhe në numrin e sotëm, ku përveç disa ish-funksionarëve të lartë të Sigurimit të Shtetit, bien në sy edhe akuzat ndaj shkrimtarit, skenaristit dhe dramaturgut të njohur, Bashkim Hoxha, për të cilin thuhet se është zgjedhur si kandidat në Byronë e Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, nisur nga miqësia e ngushtë që ai kishte në atë kohë me Bashkim Shehun, djalin e ish-kryeministrit Mehmet Shehu.

Po kështu, në shkrimin e sotëm, që është dhe pjesa e fundit e këtij dossieri, bie në sy akuza që bëhet ndaj Enver Halilit, i cili në atë kohë dhe më pas, ka qenë sekretar i parë në disa rrethe të vendit. Po kështu, është dhe akuza që i bëhet gazetarit të njohur durrsak, Kujtim Kabashi (vëllai i aktorit të njohur, Mirush Kabashi), për të cilin thuhet se është pranuar në parti, edhe pse ka pasur biografinë e keqe.

Kjo gjë, pasi vëllezërit Kabashi kishin dajën e tyre, Skënder Çela, të pushkatuar pa gjyq në vitin 1948, nga regjimi komunist. Dhe për këta shkak, ata kanë pasur shumë probleme me regjimin komunist deri në vitin 1990.

NGA DASHNOR KALOCI

RAPORT-INFORMACIONI I SIGURIMIT PËR KOMITETIN QENDROR

Në muajin korrik 1980, armiku Mihallaq Ziçishti ka shkuar në Korçë me makinën e tij dhe ka marrë Bashkim Dinon, ish-ambasador në Greqi. E solli në Durrës dhe me interesimin e tij e stabilizoi në hotel “Turizmi”, pasi lëvizi prej andej një qytetar. Gjatë 10 ditëve të qëndrimit në këtë hotel, armiku Mihallaq Ziçishti po thuaj çdo ditë është takuar me Bashkim Dinon, ku ka qëndruar dhe biseduar me orë të tëra.

Armiku Mihallaq Ziçishti ka pasur shoqëri të theksuar me Qefsere Bushin, si dhe me Kozma Shaminë, përgjegjës i Doganës, i cili si nga armiku Mihallaq Ziçishti dhe Lirim Pëllumbi, është mbajtur afër. Në vitin 1975- 1976 është pranuar në radhët e Partisë Kadri Plaku, përgjegjës në ofiçinën e Parkut të Tregtisë dhe nga familje e deklasuar. Me përkrahjen dhe ndikimin e armikut Mihallaq Ziçishti, janë pranuar në Parti edhe persona të tjerë me përbërje të keqe politike, si Kujtim Kabashi në seksionin e Arsimit, Aleksandër Kurti në Ndërmarrjen Bujqë- sore Spitallë, Gani Krasniqi në kabinetin metodik, për të cilin organizata bazë e Partisë nuk ka qenë dakord, por me ndërhyrjen dhe ndikimin e armikut Mihallaq Ziçishti është pranuar në Parti.

NË ORGANIZATAT E TJERA DOLËN KËTO PROBLEME

Nga ministria, vitet e fundit nuk janë zhvilluar përgatitjet fizike me efektivin, sidomos sambo, mbasi nuk janë krijuar kushtet për zhvillimin e saj. Në lidhje me detyrat e ngritura në Protokollin e sek. të Komitetit Qendror të PPSH Nr. 59, datë 6.5.1981 mbi Policinë, nuk janë zbatuar. Kemi mendimin që ato të shikohen dhe të kërkohet zbatimi i tyre. Në ministri është sabotuar politika mbi qarkullimin e kuadrit, ka kuadro që kanë mbi 20 vjet që nuk kanë lëvizur dhe është krijuar ideja se vetëm këta janë të aftë për të kryer detyrat atje. Në Klubin Sportiv “Dinamo” janë grumbulluar disa elementë me përbërje të keqe politike. Në ministri është pasur si parim dërgimi jashtë shtetit i pjesëtarëve të familjes dhe miqve të udhëheqjes së ministrisë.

Ka nga ata që janë borgjezuar, si Servet Backa e të tjerë. Për kuadrot që gabonin në Sigurim, masa ndaj tyre ishte që të kaloheshin në polici. Lidhur me trajtimin e kuadrove nga ana ekonomike, është bërë diferencim nga udhëheqja e ministrisë. Kështu, është njësuar shefi i Policisë së rrethit, me atë të shefit të seksionit të Sigurimit. Kemi mendimin që të vendoset përsëri regjimi kufitar në zonën e bregdetit, i cili është hequr me qëllim nga armiqtë.

Nga ana e ministrisë është caktuar si vendbanim për të internuarit fshatrat Shetaj e Vilë-Bashtova, e cila është zonë kufitare dhe u jep mundësi atyre për t’u arratisur. Dega jonë nuk është ndihmuar me mjete transporti për gatishmërinë, por është lënë me disa makina të prishura, me përjashtim të makinës së hetuesisë. Maqo Përgjika së bashku me Nexhip Anxhakun, vinin shpesh tek armiku Mihallaq Ziçishti. Dragush Shena është kritikuar për ulje të figurës morale dhe pije alkoolike, por në vend që të merreshin masa për të nxjerrë në lirim, transferohet në Shkodër. Të shikohet problemi i organikës së sektorit të prapavijës për tani dhe kohë lufte.

Të shikohet edhe një herë vendi i mbajtjes së karburantit për kohë lufte (rezervë). Ka mungesa armatimi për efektivin aktiv, sidomos armë brezi. Vendkomandat e Degës për kohë lufte nuk janë të përshtatshme dhe nuk i plotësojnë nevojat. Të shikohen lidhjet e gjinive të punonjësve që janë në marrëdhënie pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Të shikohet puna që bëhet në ofiçinën e Ministrisë, mbasi punohet me kualitet të dobët dhe merret ryshfet. Në Shtëpinë e Pushimit të MPB-së, çdo vit vijnë kuadro të Ministrisë, një vit vijnë me fletë kampi e një vit me dhomë, po kështu vijnë shumë miq e shokë të tyre që nuk punojnë në dikaster.

Kemi mendimin që shpërndarja e fletëve të kampit të mos bëhet nga Dega ë Shëndetësisë, por nga drejtoria e kuadrit. Në vitin 1956, në repartin 100 Durrës, me urdhër të Kadri Hazbiut janë asgjësuar një sasi armësh trofe. Të shikohet mënyra e asgjësimit të tyre. Të shikohet organika e radiostacioneve të rretheve tona. Me kalimin e Hetuesisë, organeve të Punëve të Brendshme me akte nënligjore, japin urdhra e udhëzime jo të drejta: duke kufizuar kështu në shumë raste të drejtat e hetuesisë, duke u bërë presion nga armiqtë Feçor Shehu, Elham Gjika e Lirim Pëllumbi.

Fjalimet e shokut Enver Hoxha për organet e Punëve të Brendshme, veçanërisht për Hetuesinë, asnjëherë nuk janë dërguar në bazë. Kështu u veprua edhe me porositë e Shokut Enver të janarit të 1961-shit në Byronë Politike. Duke qenë Hetuesia në varësi të MPB-së dhe të kryetarit të Degës, ka pasur ndikime negative e presione të ndryshme, disa herë janë bërë diferencime jo të drejta nga ana e Drejtorisë së Hetuesisë, për veprimtari armiqësore e keqbërëse. Ka pasur raste që janë goditur persona që edhe mund të ishin shpëtuar, siç ishte rasti i Haki Hasës.

Prokurori i Përgjithshëm, në disa raste ka dhënë në seksion urdhra për arrestim për persona, për të cilët nuk ka pasur prova të mjaftueshme, ose vetëm një provë, gjë që ka vështirësuar zbulimin e aktivitetit të tyre. Për këto ka ndikuar armiku Mihallaq Ziçishti, Lirim Pëllumbi e Feçor Shehu. Në disa raste, këta armiq kanë ndikuar në Prokurorinë e Gjykatën e rrethit, ku janë bërë arrestime me urdhër të tyre, duke përcaktuar edhe masën e dënimit. Mihallaq Ziçishti ka përkrahur elementë me përbërje jo të mirë politike e morale, që kanë qenë edhe në burg, duke u dhënë strehim, punë dhe të drejtë studimi. Shumë qendra zjarri janë çuar në vende të ndryshme pa kriter dhe tani po bëhen shpenzime për zhvendosjen e tyre. Disa prej tyre janë vendosur në vende të papërshtatshme.

Bashkim Hoxha është zgjedhur kandidat i Byrosë së Komitetit Qendror të Rinisë, i cili ka qenë në lidhje të ngushtë shoqërore me Bashkim Shehun, djalin e armikut Mehmet Shehu. Kiço Simaku ka qenë shoku i ngushtë i Mihallaq Ziçishtit dhe Lirim Pëllumbit, ka marrë pjesë në dreka e darka me ta. Bajram Alizoti, nëndrejtor i Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u kritikua për vesin e pijes dhe se është në lidhje fisnore me armikun Kadri Hazbiu, nga ana e së shoqes. Për shkeljet e normave, veç përgjegjësisë që ka Komiteti i Partisë së Degës dhe ai i Rrethit, përgjegjësi kanë edhe shokët e instruktorëve për organet e Punëve të Brendshme pranë KQ të Partisë.

Kemi mendimin që personeli i shërbimit të hotel “Adriatikut” të qarkullojë, mbasi janë të komprometuar. Të shikohet puna e Isuf Mullait, sepse ka pasur miqë- si të ngushtë me Feçor Shehun. Lirim Pëllumbi nuk përkrahte dhe t’u krijonte ambient të ngrohtë kuadrove të reja, i godiste, i diskreditonte ata: mbante pas vetes disa persona servilë, në zbatimin e vendimeve dhe direktivave të Partisë, nuk tregonte kujdesin e duhur, përparë- si u jepte udhëzimeve dhe porosive të armikut Feçor Shehu, kishte tendencë të fuste sa më shumë njerëz në burg, përkrahte elementë me përbërje të keqe politike, ka ndërmjetësuar të mos zbatohej vendimi për internimin e Skënder Haznedarit, djali i diversantit Sabaudin Haznedari, ka ndërhyrë për të pasaportizuar në qytetin e Durrësit gruan e vëllait të armikut Fadil Paçrami.

PËR FEÇOR SHEHUN

Në metodën e tij kishte krijuar frikën, gjë e cila ka penguar për t’ia thënë gjërat hapur Partisë. Lirim Pëllumbi në “Turizëm” bënte politikën e kuadrit Feçor Shehu, kur ka prezantuar në Sarandë Ylli Hilën, është shprehur se: vjen aty për të forcuar punën, në fakt ai ishte shkarkuar për shkelje të rënda që kishte bërë në marrëdhëniet me të huajt. Feçor Shehu ka pasur marrëdhënie të ngushta me Ylli Hilën dhe Gëzim Hilën, të cilët janë edhe sot në këto organe dhe janë kunetërit e Muhamet Prodanit. Në vitin 1963, kur Feçor Shehu ishte kryetar Dege në Shkodër, ka pasur shoqëri me Enver Halilin, vinte shpesh për gjueti në breg të Bunës. Marrëdhëniet e ngushta të Ylli Hilës me armikun Feçor Shehu janë dukur që kur Ylli ka qenë shef seksioni në Durrës.

Armiku Kadri Hazbiu ka pasur miqësi të ngushtë me armikun Mihallaq Ziçishti, kjo është parë se vinte shpesh në shtëpinë e tij. Armiku Llambi Peçini, kur ishte kryetar Dege në Vlorë, lundronte shpesh në det të hapur për peshkim, natën, dhe nuk dihej qëllimi i tij, shkonte me makinë natën në disa rrethe. Armiku Mehmet Shehu, kur vinte në Vlor,ë merrte me vete Llambi Peçinin.

Sekretar i Komitetit të Partisë të Degës Vangjel Gugu Durrës, më 25.10.1982

(Kosova Sot)