Ditët e fundit të Mbretit Zog

  • 15 April 2017 - 14:09
Ditët e fundit të Mbretit Zog

VDEKJA NË EKZIL E MBRETIT TË SHQIPTARËVE

SHKRUAJNË: FLUTURAK GERMENJI, YLLSON IBRAHIMLLARI

Lufta kishte përfunduar. Princi nuk do dëgjonte më krismat dhe gjëmimet e bombardimeve. Mbretëria e Bashkuar, ku ai u rrit nën kujdesin e Mbretëreshës Geraldinë, do të mbetej gjithmonë një nga vendet më të dashura për të... Aty, krahas gjuhës shqipe, mësoi anglishten dhe pak hungarisht e frëngjisht. Princeshat, motrat e Mbretit Zog, oficerët dhe personeli i Oborrit e kishin shoqëruar rritjen e tij, duke u krenuar me Princin Trashëgimtar të Shqiptarëve. Njëkohësisht, nga njerëzit e Mbretëreshës, që nga nëna e saj dhe motrat, Princi mori një vetëpërmbajtje, që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës së tij... Jeta në Britaninë e Madhe kishte lënë ndikimet e veta tek Princ Leka. Kishte ikur koha e bombardimeve, megjithëse ndihen vështirësitë e pasluftës. Por kujdesi mbretëror për të, jetesa mes fushave me bar të gjelbër i kishte sjellë një qetësi çlodhëse. Ai ishte në qendër të vëmendjes. Rrinte më gjatë me të atin e të ëmën, duke krijuar gëzim dhe hare tek Familja Mbretërore Shqiptare. Ai kishte mundësi të shëtiste dhe të takonte moshatarët e tij. Kjo e gjallëroi më shumë... Në Parmoor Hauz, ku ishin kushtet më të mira për Princin e vogël, Ai i lumturonte të gjithë me fjalët shqipe që i artikulonte si i ati, apo si shumë matjanë të tjerë, që e shoqërojnë me besnikëri Mbretin Zog. Fëmijëria e tij, deri në janarin e vitit 1946, kur u nisën drejt Egjiptit, formoi tek Princ Leka I një karakter të fortë dhe të vendosur, me një temperament përgjithësisht të qetë. Jeta e re e pasluftës kishte befasitë e saj. Pas festimeve të fundvitit ndjehej kudo nevoja për një ndryshim.

Mërgimi i familjes mbretërore

Mbreti Zog I kishte biseduar me miqtë e tij. Situata po ndryshonte me shpejtësi në Evropë dhe në Ballkan. Në shtëpi filluan të diskutoheshin disa plane. Kishte nisur një periudhë e re, ku mërgimi i madh i Familjes Mbretërore Shqiptare do të merrte një drejtim tjetër. Princi filloi t'i ndjejë këto ndryshime në Oborrin Mbretëror Shqiptar, ku bëheshin përgatitje për të lëvizur... Dimri britanik i pasluftës u la pas me një udhëtim të ri edhe për Princin. Mbreti Zog I kishte vendosur që të shpërnguleshin në Egjipt. Udhëtimi tashmë nuk ishte i ngjashëm me atë të prillit të vitit 1939. Mbretëresha Geraldina i kishte folur shumë Princit për këtë udhëtim dhe për historinë e lashtë të Egjiptit. Dielli dhe mikpritja e veçantë, klima mesdhetare me erërat dhe flladet detare e bënë për vete Princ Lekën. Ai ishte rritur më shumë se moshatarët. Me flokët e verdhë dhe shtatin e lartë, binte shpejt në sy. Por rojet nuk i ndaheshin asnjëherë. Familja Mbretërore Shqiptare u vendos në Mena Hauz Hotel, që ndodhej shumë pranë piramidave të Gizehut. Mbretëresha i kujtonte vazhdimisht ato ditë gjatë Nilit. Edhe për Princ Lekën këto ishin çaste shumë mbresëlënëse. Bukuritë e lashtësisë ngjallnin respekt për ta vlerësuar historinë, si pjesë e rëndësishme e kombit... Bashkë me familjen, i shoqëruar nga kushëriri i tij, Tati Kryeziu, nipi i Mbretit Zog, të cilin e thërriste Tati Kosova ata kanë dalë së bashku në shumë fotografi, që ruhen në fondin e Familjes Mbretërore Shqiptare. Edukimi dhe arsimimi i Princit ishte tërë- sisht nën drejtimin e Mbretëreshës. Oborri përgjigjej për ruajtjen e tij. Ndërsa Mbretëresha planifikonte edhe lëvizjet dhe takimet e tjera. Kështu, në verën e vitit 1948 niset drejt Zvicrës bashkë me Princ Lekën. Mbretëresha Geraldina kishte marrë me vete dhe të dy fëmijët e Mbretëreshës Xhovana, Princin Simeon dhe Princeshën Mari-Luizë. Veprimtaritë e përbashkëta shënojnë edhe forcimin e miqësisë mes të dy princave të rinj. Kjo miqësi do të vazhdonte edhe më pas, në Madrid ku do të vendosej Familja Mbretërore Shqiptare... Mbretëresha Geraldina i përkushtohet tërësisht të birit, jo vetëm për studimet e tij, por dhe për organizimin e kohës së lirë dhe të argëtimeve. Kështu, në verën e vitit 1950 udhëtuan së bashku në Liban për të kaluar disa ditë pushimesh. Ndërkohë, Mbreti Zog, që kishte blerë një shtëpi afër New Yorkut dhe përgatiti kërkesën për t'u vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjithë familjen dhe oficerët e personelin që e shoqëronte. Kërkesa u pranua dhe filluan procedurat... Por, edhe shëndeti i tij rëndohet nga hemorragjia e një ulcere të stomakut.

Shkuarja në SHBA

Kjo situatë tepër e rëndë shëndetësore i shtyu të gjitha parashikimet për të shkuar në SHBA. Edhe situata politike po acarohet në Egjipt. Pas kalimit të një infarkti, rëndohet më tepër shëndeti i Mbretit Zog. Gjithçka po shkonte drejt largimit nga Egjipti. Princ Leka I, i shoqëruar kudo me truproje, vazhdonte Kolegjin Viktoria. Edhe ai i jetonte këto ngjarje, që tronditnin jetën e tij. Mbretëresha Geraldinë e kujtonte gjithmonë se sa vuajtje i shkaktonin këto situata për të birin, që ishte pjesëmarrës në të gjitha këto ngjarje, duke mbajtur përgjegjësitë e tij, por dhe që po rritej pa shoqërinë e gëzueshme të moshatarëve të tij... Mbreti Zog i filloi të rrinte më gjatë me të birin, Princin Trashëgimtar të Shqiptarëve. Kjo nuk ishte thjesht një dëshirë prindërore. Kishin filluar ngjarje të rëndësishme për Familjen Mbretërore Shqiptare. Mbreti e ftonte princin të qëndronte edhe në disa nga takimet më rëndësishme që zhvillonte. Kështu, Ai ndoqi edhe takimet me përfaqësuesit më të njohur të diasporës, figura politike me ndikim në historinë e Shqipërisë. Krahas diskutimeve me Mbretëreshën, me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Mbreti Zog I filloi të bashkëbisedonte edhe me të birin. Këto ishin jo vetëm biseda me karakter njohës, por edhe me konkluzione të shpeshta për situata të caktuara. "Ishin një shkollë e madhe për mua, - tregonte Mbreti Leka I. - Bisedat pas takimeve fillonin me pyetjet e Mbretit Zog. Ai ishte i interesuar të dinte se si i kisha kuptuar situatat e ndryshme. Pastaj vazhdonte me shpjegimet e tij. Ato përfshinin shumë tema, që nga karakteri dhe traditat, nga historia dhe problemet politike e ushtarake të situatave, nga veprimi diplomatik e aksioni politik, deri tek angazhimi i njerëzve dhe i forcave për të realizuar qëllimin... Kurdoherë ky ishte i lidhur me Atdheun, me të gjithë shqiptarët... Ishte një bashkëbisedim i vazhdueshëm, mes babait dhe djalit, por edhe i Mbretit me Princin... 

Miqësitë e Mbretit Zog

Mbreti Zog I ishte shembull për të gjithë, sepse i njihte shumë mirë filozofi në dhe traditat arabe... Nga këto takime dhe biseda të gjata, Princ Leka mësoi shumë, por edhe krijoi mundësitë për vazhdimin e miqësive të mëdha, që kishte Mbreti Zog I me përfaqësuesit më të lartë të Turqisë,Egjiptit, Arabisë Saudite, Jordanisë, Palestinës, Sirisë, Libanit, etj. "Këto ishin miqësi të vyera edhe për ne. Kështu, Mbreti Zog u mori fjalën vendeve arabe për të mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kjo kishte një rëndësi të madhe në atë kohë... por edhe për më vonë, sepse tek arabët ka shumë rëndësi vazhdimi i miqësisë, kur kjo është e vendosur mes të dy palëve. Miqësia shihet si jetesa mes vëllezërve. Për arabët, por edhe për ne miqësia është një vlerë, një traditë e shenjtë. Të ndihmon gjithë jetën..." Për Princin këto janë takime mbresëlënëse. Le t'i rikthehemi kujtimeve, të shkruara nga Kolonel Hysen Selmani, sipas notimeve të Mbretit Zog

Francë - Ablon, 15 mars 1961

Madhëria e saj, Mbretnesha Geraldinë, prapë i thirri profesor Leneger dhe 2 specialistë të ulcerës të Spitalit "Foche". Në konsultë, profesor Lenegar tha se nuk është më zemra, por është ulcera dhe lipset për disa ditë të shtrohet në spitalin "Foche". Kurse Mbreti Zog dëshironte të shtrohej në spitalin amerikan, ku punonte profesor Leneger. Por, aty nuk ishin ato mjete, që i kishte spitali Foche. Nuk kishte as specialistët e kështu u vendos të shtrohej për nja 10 ditë. Kjo sa për t'i bërë gjilpërat, siç vendosën në konsultë. Dhe, më 20 Mars 1961, ai u shtrua në Spitalin "Foche". Ishte jo dhe aq i lodhur. Gjithnjë ishte me ato shaka. Por pinte shumë duhan e kafe dhe hante shumë pak. Aty u zu një apartament ku Mbretëresha Geraldinë ishte gjithnjë me Mbretin. Edhe ne zumë dy dhoma për dy oficerë të shërbimit. Përditë e vizitonin Princeshat dhe gjithë personeli i Oborrit. Kolonel Husein Selmani ishte me Princin Trashëgimtar Lekën, por tri herë në ditë shkonin dhe e shihnin. Javën e parë ishte fare mirë. Edhe në spital pranonte vizita. E kishte bërë pothuaj si në shtëpi. Përditë i vinin të huajt e shqiptarët. Ishin me qindra. Atij nuk i vinte zor, por kënaqej kur bisedonte me ta. Asnjëherë duhanin nuk e linte dhe as kafen. Kur i vinin vizita, ai i priste në një sallon, jashtë apartamentit. Nuk mbante kurrë rrobdeshamber në takim. Dhe, nuk ka pritur njeri, pa u veshur me rrobe. Ishte i qeshur dhe i palodhur. Kur filloi të ndjejë dhimbje dhe debulesë, menjëherë u thirr profesor Leneger dhe doktorët e spitalit "Foch". Ata na këshilluan të thërrisnim edhe një profesor prej Gjermanie dhe një prej Zvicrës. Kështu do të bëhej një konsultë e përgjithshme. Ata u thirrën menjëherë dhe erdhën e u vendosën në spitalin "Foche". Më datën 28 mars 1961, u bë konsulta në prezencën e 6 profesorëve më kompetentë të Evropës. Këta, pasi panë gjithë analizat dhe i bënë shumë grafi e shikime, pas gjithë këtyre provave konstatuan se përveç ulcerit kishte dhe mëlçinë e zezë. Në të cilën ishte kancer. Dhimbje e madhe nuk ishte prej ulcerit, po prej mëlçisë së zezë. Pas shumë ekzaminimesh, e vërtetuan se është kancer. Profesorët u këshilluan njëri me tjetrin dhe me shumë prova shikonin se a mund t'i bëhej një operacion. E panë si të pamundur, pse kishte arritur në gradën e fundit. Në këtë mënyrë, ata dhanë vendimin…

Shpresat për shërim, të pakta

Atëherë thirrën: Madhërinë e saj, Mbretneshën Geraldinë, Princin Trashëgimtar Lekën, Princeshën Sanije e kolonel Husein Selmanin, dhe ju komunikuan se në konsultën e bërë u konstatua dhe u vërtetua: "Pas gjithë mjekimeve, që i kemi bërë Mbretit Zog, ai nuk ka vetëm ulcerën, por ka shumë sëmurë edhe mëlçinë e zezë dhe të gjitha dhimbjet i vijnë prej kësaj. Ky është kancer. Bëmë çmos, për t'i bërë një operacion por është krejt e kotë se mbetet në dorë. Qysh sot ka për të vazhduar të bëjë këto kura. Në është se fillon një përmirësim ka mundësi t'i bëjmë një operacion". Profesorët deri diku na këshilluan se "me këto kura, që po i japim e në rast se një përmirësim i vogël diktohet, Profesori i Spitalit "Foche", do të na vejë në dijeni dhe ne do të vijmë menjëherë. Mund t'i bëjmë një operacion, shumë pak shpresë ka". Këto ishin fjalët e fundit të konsultës së 6 profesorëve të nderuar… Pas këtij komunikimi të profesorëve, Oborri Mbretëror Shqiptar lëshoi një komunikatë urgjente, duke i njohur të gjithë shqiptarët në botën e lirë si edhe miqtë e shumë personalitete mbi sëmundjen e Mbretit Zog, në bazë të konsultës së fundit, prej 6 profesorëve më të mirë të Evropës. Pasi u dha kjo komunikatë, me mijëra telegrame e telefona, u mblodhën nga të gjithë anët e botës së lirë prej Amerike, Australie, Kanadaje dhe Turqisë, Italisë, Anglisë, Gjermanisë, Belgjikës e nga të gjitha vendet… Mbreti Zog është mjaft i lodhur, por ka kurajë të madhe. Ai pranon vizita dhe ju flet. Ai ka shpresë të përmirësohet. Zogu i I flet si gjithmonë me buzëqeshje e sidomos me të huajt. Gjithnjë pranon vizita, megjithëqë doktorët nuk e dëshirojnë. Po ku pyet Ai? Telegramet e telefonat vazhdojnë. Ato më tepër vinë nga të gjithë anët. Megjithëse ne u përgjigjemi, ata nuk besojnë dhe duan të vijnë në Francë. Për çdo ditë e gjithë emigrata në Belgjikë dhe ajo në Gjermani vijnë me qindra në kufi rin francez dhe kërkojnë të kalojnë. Ky gjest miqësor e bujari e francezëve nuk përshkruhet. Kur ju kanë thënë se shkojmë me pa Mbretin tonë, që është i sëmurë menjëherë i kanë lejuar. Ju kanë thënë se "jeni të lirë të kaloni, pa viza dhe pa kurrgjë". Janë pothuaj më tepër se 500 vetë. Dhe, kur kanë mbërritur në afërsi të Spitalit aty u dha një britmë e madhe, saqë habiti botën dhe nuk kishte zemër njeriu, që mos të dridhej e mos të hidhte lot. Burra e gra duan patjetër me pa Mbretin tonë të dashur. Me gjithë këtë, një pjesë e madhe hynë brenda. Ata hapën dyert e apartamentit, ku ishte Mbreti Zog I i sëmurë rëndë. Ai ju çoi sytë, po me atë buzëqeshje, dhe ju tha se: "për së shpejti kam për t'u përmirë- suar, e do ju shoh të gjithëve" Kur një palë, nuk mundnin me ndaluar lotët, ju tha: "Jo djemtë e mi. Shqiptari nuk derdh lot kurrë. Mbani veten si burra të fortë e të patundur. Unë jam mirë". Kështu ngriti dorën dhe i falënderoi të gjithë. Por, kjo ishte dita e fundit. 

(Kosova Sot)