Letra e kryeministrit francez për Esat Pashë Toptanin

  • 10 May 2017 - 14:27
Letra e kryeministrit francez për Esat Pashë Toptanin

Bashkëpunimi me francezët dhe qëndrimi pro-amerikan i Esat Pashë Toptanit.

Esat Pashë Toptani është figura më enigmatike e historisë së shekullit të kaluar. Dëshmitë kontroverse mbi aleancat e tij me fqinjët dhe marrëveshjet që ai bëri në rrethimin e Shkodrës nuk janë fakte të tjera veçse e klasifikojnë kontraversitetin e tij. Sigurisht që për regjimin komunist figura e tij, ajo e latifondistit duhej eliminuar, ndaj u vesh me petkat e një tradhtari. Po a ishte i tillë? Duke mos dëshiruar njëanshmëri në këtë figurë kaq të lakuar Konica.al po boton dhe anën tjetër të medaljes. Pra suksesin që ai kishte tek të huajt.
Historianët kanë sjellë fakte të ndryshme dhe tejet kontroverse. Ajo që dihet është fakti se ai u vra nga Avni Rustemi në Paris në 13 qershor të vitit 1920. Jeta e tij superluksoze, shumat marramendëse që harxhonte për të dashurën e tij bënë që ky njeri të ishte i përfolur dhe të zinte një vend të rëndësishëm në tabloidet e huaja.

 

Esati kreu detyrën e kryeministrit shqiptar nga 12 tetori I vitit 1913 më 12 shkurt të vitit 1914 si dhe nga 5 tetori I vitit 1914 deri më 24 shkurt të vitit 1916.
Por dhe pse nuk ishte më kryeministër i Shqipërisë gjatë viteve 1918 – 1920-të, Esat Pasha përpiqej që përmes aktivitetit të tij në mërgim në Paris, Francë të përfaqësojë Shqipërinë në Konferencën e Paqes, përkundër asaj se delegacioni shqiptar nuk e përkrahte, madje të gjithë pjesëtarët e këtij delegacioni ishin kundërshtarë të hapët politikë të Esatit. Ja se ç’thotë një letër e kryeministrit francez Aleksandër Mileran.

Emri i Esat Pashë Toptanit përmendet në një letër të kryeministrit francez, Aleksandër Mileran (njëkohësisht edhe president i Konferencës së Paqes në Versajë) më 30 janar 1920, drejtuar Fuqive të Mëdha. Në letrën e tij ai flet për dëmet që i ishin shkaktuar Shqipërisë dhe Esat Pashë Toptanit dhe familjes së tij gjatë bombardimeve të Durrësit. Në letër shprehet qartë, se sipas Aleksandrit, fakti që Shqipëria qëndroi përkrah vendeve të Antantës ishte meritë kryesore e Esatit, duke i dhënë këtij të fundit edhe një meritë të madhe ushtarake dhe morale. Me sa duket nga letra, Esat Pasha ka ndihmuar sistematikisht ushtritë serbe dhe kjo tregon një besnikëri të tij ndaj Fuqive të Mëdha, të cilat e kishin urdhëruar Esatin për një gjë të tillë. Kryeministri francez nuk limitohet me kaq, por ai e falënderon komandantin shqiptar për ndihmën e tij të çmuar në Luftën e Selanikut. Në këtë betejë Esat Pasha operoi si pjesë e divizioneve franceze dhe supozohet se ai ka mbajtur peshën më të madhe në frontin prej 30 kilometrash të Frontit të Selanikut.

Por ajo që e vulos ndihmën e dhënë për njohjen e Shqipërisë dhe ruajtjen e sovranitetit të kufijve politike dhe fizikë është qëndrimi pro-amerikan i Esat pashës, që në këtë pikë është i përbashkët me atë të delegacionit shqiptar në Paris, pra edhe me atë të Mehmet Konicës e diplomatëve të tjerë shqiptarë që negociuan për Shqipërinë. Një seri gazetash londineze e kishin bërë të njohur publikisht në Perëndim emrin e Esat Pashës, si “The Daily Neës”, “Leader” dhe “The Spectator”, duke botuar biografinë e tij. Kjo i shërbeu shumë atij si figurë politike dhe i siguroi atij një vend nderi si diplomat i parë në sytë e diplomacisë evropiane. Sipas studiuesit Hari Silajxhiç ai arriti që në mesin e prillit 1919 të takohej në Paris me presidentin amerikan Udrou Uillson. Gjatë bisedës ai i tha presidentit Uillson, se më e pakta që ai priste ishte që Shqipëria të mbetej në kufijtë e vitit 1913. Edhe ai si diplomatët e tjerë shqiptarë kërkoi nga Uillsoni që SHBA të pranojë mandatin mbi Shqipërinë, duke shprehur besimin absolut të Shqiptarëve tek SHBA, shkruan Konica.al.

Madje emri i Esat pashës figuronte në programin e takimeve në mbledhjen e ministrave të jashtëm të Konferencës së Paqes më 9 maj 1919. Por kjo nuk hasi në mirëkuptimin e delegacionit shqiptar, i cili protestoi ashpër ndaj Esat Pashës, duke e cilësuar si intrigant, dhe që nuk do të mirën e Shqipërisë. Pavarësisht qëndrimeve të ashpra të delegacionit shqiptar dhe protestave të Çarls Telford Erikson, i cili shoqëronte delegacionin shqiptar dhe kishte kontribuar gjallërisht për njohjen e kauzës së drejtë shqiptare në SHBA dhe pranë delegacionit amerikan në Paris, si dhe të Parashqevi Qiriazit, qëndrimet dhe veprimet e Esat Pashës si “një diplomat mjeshtër i shkollës së vjetër” sipas Silajxhiçit arritën të kenë një ndikim pozitiv dhe ta kalojnë Shqipërinë në krahun e forcave të Antantës.