LIBRI/ Plasari: Sa i vjetër ky banalitet! Si i manipuloi zgjedhjet Ahmet Zogu

  • 14 June 2017 - 09:07
LIBRI/ Plasari: Sa i vjetër ky banalitet! Si i manipuloi zgjedhjet Ahmet Zogu

Studiuesi Aurel Plasari ka publikuar per lexuesit nje pjese te shkurter te librit te Kolec Çefes te titulluar “Grupi ‘Ora e Maleve’ dhe publicistika e tij”.

Ne liber trajtohet roli i Ahmet Zogut ne manipulimin e zgjedhjeve perpara 1924 si dhe qendrimet e opozites se asaj kohe, por edhe komunitetit nderkombetar. SA I VJETËR KY BANALITET
Nënvizime për ciklin “Me historinë poshtë nënkresës”

Nga një libër modest zbulohet një realitet tronditës. Ky është sekreti i librave të mirë, si monografia e z. Koleç Çefa për historikun e grupit opozitar “Ora e Maleve”: Gurakuqi, Fishta, Harapi, Palaj, Shantoja, Topalli etj. Por edhe të gazetës me të njëjtin emër të atij grupi (1923-1924). Pa qenë recension për librin, ky është vetëm një tok shënimesh me nënvizimet nga leximi prej dokumenteve i një vargu të vërtetash. Janë nga ato që nëpër librat e historisë nuk thuhen.

Shkurt rrethanat historiko-politike: Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes ishte ngritur e qe vendosur në Tiranën që e kishte quajtur “kryeqytet provizor”. 1921-shi ishte vit i të parave zgjedhje parlamentare. Politika e improvizuar e Tiranës rrekej të imitonte politikën e rafinuar të Europës. Ishte krijuar edhe e para parti e njohur politike: veten ajo e quante “Popullorja”, ndërsa për të tjerët do të ishte thjesht “Klika”. Nuk do të vononte dhe në krye të saj do të imponohej Ahmet Zogu. Më 11 korrik formohej qeveria e parë, ajo e Iljaz Vrionit. Pa zgjatur shumë ajo rrëzohej dhe formohej më 16 tetor qeveria e Pandeli Evangjelit. Binte edhe kjo dhe më 6 dhjetor formohej qeveria e Qazim Koculit. Një ditë më mbas, më 7 dhjetor, formohej tjetër qeveri, ajo e Hasan Prishtinës, e cila nuk zgjaste më shumë se pesë ditë. Më 12 dhjetor formohej qeveria e Idhomene Kosturit. Atë më 24 dhjetor e zëvendësonte qeveria e Xhafer Ypit. Destabilizimi qeveritar u la fushë të lirë më 1922 kryengritjeve në disa zona të Shqipërisë. Më 1923 zhvilloheshin zgjedhjet për “Kuvendin Kushtetues”. Më 1924: po dihet.

Ahmet Zogu deputet. – Një parantezë sa për të vënë në dukje një fakt ekzotik në ato hapa të parë të politikës shqiptare: simbas Ligjit për Zgjedhjet në Këshillin Kombëtar, të dekretuar nga Këshilli i Naltë, mosha e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 1921-shit duhej të ishte mbi 30 vjeç, kurse Zogu nuk ishte veçse 26 vjeç. Nuk është shpjeguar asnjëherë sesi ia doli 26-vjeçari të depërtonte në ato zgjedhje nga të cilat dilte fitues.

Europianizëm me ngritje dore. – Qysh në ditën e parë të mbledhjes së Këshillit Kombëtar konsumohet edhe e para bëmë qytetërimore: fjala “bej” zëvendësohet me fjalën “zotëri”, athua se shndërrimi i një mendësie në një tjetër u kryekësh me një të ngritur dore.

Me famë, por pa bukë. – Nga letra e Anvi Rustemit drejtorit të gazetës “Ora e Maleve”: “Uroj nga zemra që gazeta të ketë përparim e jetë të gjatë që, kështu, zëri i saj të zbutë pak mjerimet e popullsisë aty dhe të Maleve me famë, por pa bukë”.

Autoritarizmi ka qitur kokën. – Një nga shqetësimet e grupit “Ora e Maleve”: “të ruhemi që të mos i japim fuqi të madhe pushtetit politik”.

Liria e shtypit. – “Ora e Maleve” për çështjen e mbrojtjen e kufijve të Veriut të rrezikuar nga ndërhyrja jugosllave: “Nuk na çudit fort heshtja e deritanishme e gazetave proqeveritare, mbasi disa prej tyne kanë frenin në gojë”.

Fobia nga të vërtetat e shtypit. – “Ora e maleve” boton një numër të veçantë për çështjen e kufijve të rrezikuara nga ndërhyrja jugosllave. Prefekti i Shkodrës e konfiskon numrin dhe arreston e fut në burg shitësit e gazetës, djem të vegjël 10-12 vjeç. Por kjo nuk i mjafton: var nëpër mure një shpallje, në të cilën vetë prefekti polemizon me “Orën e Maleve”. Shpallja i jepet edhe tellallit që, i përcjellë me polic, t’ia trumbetojë popullit. Afërmendsh që prefekti nuk e kupton që në këtë mënyrë e bën edhe më popullor numrin e konfiskuar të gazetës.

Administrimi i Shkodrës. – Luigj Gurakuqi në Parlament mbas skandalit të prefektit: “Mos e merrni aq lehtë çështjen e administratës së prefekturës së Shkodrës, se Shkodra asht nji prefekturë e madhe, e asht mësue me u administrue prej zyrtarësh të naltë, ka pas në krye gjenerala. Mos e lini mbas dore nji qytet ku luhen role të mëdha…”.

Të gjitha mjetet kundër opozitës. – Në përgatitjen e zgjedhjeve të 1923-shit për Kuvendin Kushtetues mund të nxirret nga fletorja “Ora e Maleve” lista e të gjitha mjeteve të përdorura nga qeveria, legale e ilegale, për të penguar opozitën: premtime dhe kërcënime, ryshfete e ndëshkime, arrestime e burgosje.

Reformë territoriale më 1923. – Ndër mënyrat që mund të quhen “marifete” të përdorura nga qeveria për të penguar opozitën është edhe njëfarë “reforme territoriale”: ajo shkëput nga prefektura e Shkodrës krahinat mirditase të Këthellës, Bishkashit, Selitës dhe ua bashkon ato nënprefekturave të Matit, ku Ahmet Zogu i ka pozitat më të forta.

Diplomaci e paanshme? – Nga letërkëmbimi i kryepeshkopit të Shkodrës lexohet: ambasadori i Italisë, markezi Di Durazzo, ka ndërhyrë pranë tij në favor të Ahmet Zogut për të fashitur opozitën e grupit “Ora e Maleve”. Ka ndërhyrë madje “me kambëngulje”, sqaron arkipeshkvi Lazer Mjeda. Ai orvatet të sqarojë Grupin që ndërhyrja e “markezit” në këtë çështje është “tanësisht gja e veçantë e tij” dhe qeveria italiane nuk ka të bëjë aspak në këtë ndërhyrje.

Vajguri dhe kontrabandë paresh. – Nga një shënim i Fishtës mësohet që në Shkodër ka vajtur edhe ambasadori anglez për të bindur autoritetet që të votohet në favor të listës së Ahmet Zogut. Fishta nuk ka ngurruar të saktësojë: “ministri anglez mjaft i njohun për hir të interesave në çështjen e vojgurit, si dhe për kontrabandë paresh në Shqipní”.

Korrupsion në fushatë. – Nga një mesazh Luigj Gurakuqit prej Arkipeshkvit të Shkodrës, 1 korrik 1924: “qeveria e Zogollit ka shpërdorue me mija napulionash per qellime korrupsionit në kohë të zgjedhjeve”.

Fqinjë si fqinjë. – Në një letër të Arkipeshkvit të Shkodrës, që botohet për herë të parë, tërheq vëmendjen shënimi që në fushatën elektorale të 1923-shit pro listës qeveritare “qeveria dhe jugosllavët shpërndajnë pare”. Saktëson arkipeshkvi: “Na nuk kemi e nuk duem me dhanë asnji soldë”.

Erdogani nuk ishte. – Megjithëkëtë nënkryetari i Parlamentit Eshref Frashëri shpall: “Neve me Tyrqinë jemi një trup edhe sot interesat i kemi të përbashkëta”.

Drejtësi. – Qeveria ka planifikuar të hedhë në gjyq fletoren “Ora e Maleve” për një artikull të botuar “kundra qeverisë”. Është vënë në lëvizje Ministria e Punëve të Brendshme, sepse gjykatësi të cilit i takon çështja ka qëlluar simpatizues i “Orës së Maleve”, madje në marrëdhënie të mira me redaksinë e fletores. Atëherë? Zyra sekrete propozon që “shpejtazi” të nxirret e të komunikohet dekreti për transferimin e gjykatësit në fjalë.

Oligarki. – Ja që nuk qenkësh term i ri në qeverisjen e Shqipërisë. E ka përdorur Gurakuqi: “tendenca oligarkike vete tue u shtue, qarku tue u ngushtue, personat tue u paksue…”.

Vetëm njëri jo në parlament. – Të gjithë kundër njërit, kundër opozitarit të quajtur edhe “njeriu sine qua non”. Luigj Gurakuqi rezulton i luftuar egër jo vetëm nga kundërshtarët e tij të partisë së Zogut, por edhe nga një pjesë e “të vetëve”: shpifje, thashetheme, fyerje, falsifikime. Si shpjegohet, ndaj një personaliteti kulturor e politik si Gurakuqi, kjo frikë e ndërzyer me urrejtje? Lexohet tek “Ora” edhe me vetëm një gjysmë fjalie: “në te kundërshtarët shohin kundërshtarin ma të fortë”. Si reziston ky njeri? Është tërhequr në Troshan për të ruajtur qetësinë dhe për të kalitur vullnetin. “Ishin këshillat e të ligut, e të verbëtit, e na nuk i ndoqme, – ka kujtuar Shantoja: – nji accord me të cilin kishim për të pasë gjithçka dëshirojshim, mjaft që t’u shlyente emni i Luigj Gurakuqit…”. Vetë Luigji, duke përshkruar “fatin” e vet, i rrëfehet në një letër imzot Mjedës: “Fitimet qi kam pasun deri më sod prej jetës s’eme politike janë këto: rrezik jete, të shame, e borxhe”.

Nëpunësí si çështje partie. – Situata kuptohet nga ky shënim i “Orës”: “Çashtja e nëpunësisë asht tue u ba çashtje partie. Do ta themi açik: për me hi në punë s’po kërkohet fort vlera e nëpunësit, por fytyra a ma mirë boja e atij që e porositë. Opozita deshiron që administrata jonë të jetë si nji makinë e lehtë, të ketë pak nëpunës, por të zotët, nëpunës të paguem mirë, të marrun me konkurs, por jo në atë mënyrë konkursi që përdorë qeveria e soçme”.

Operacion që nuk u bë. – Këshilla të “Orës” edhe për administratën e qeverisë e Nolit: “Dlirnie prej parazitëve hafije, prej ushujzave zyrtarë, prej deputetëve keqana e keni shpëtue Shqipninë. Mbanie mend, zotnitë e mi, parimin kirurgjik se nji kirurg i dhimbshem, ose i padijshëm, asht nji kasap katil. Banie këte operacion sa ma shpejt, sa ma me rrajë e me ma pak gjakderdhje”.

24-a e paralajmëruar më 1923. – “Ora e Maleve” për vrasjen e Avni Rustemit: “Në artikullin që botuem në rasën e hapjes së Këshillit Kombëtar patme shkrue se Shqipnija i kishte ngja nji anijes që udhëton me nji të dekun mbrendë. Nuk e kishim mendue kurrë se ai i vdekun do të ishte Anvi Rustemi”.

Duhet falenderuar z. Kolec Çefa, i cili pati synimin e bukur të nxirrte në dritën e homazhit një grup burrash të mëdhenj të politikës shqiptare, që e ushtruan opozitarizmin si nder dhe luftuan për të pa tradhtuar e madje duke u flijuar. Autori nxit të ruajmë për ta “kujtimin e ngrohtë”. Vetë, që pëlqej të lexoj edhe “kujtimin e ftohtë” të historisë, i jam mirënjohës që ma përkujtoi edhe një herë se sa i vjetër është ky banalitet, që tash së afërmi mund të mbushë plot 100 vjet.

 (Kosova Sot)