Letra për Belishovën: S'ma merrte mendja që do ta bënte partia

  • 26 June 2017 - 13:54
Letra për Belishovën: S'ma merrte mendja që do ta bënte partia

ZHDUKJA E VAJZËS NGA KOMUNISTËT (3)

Familja që ndihmoi luftën u shpall tradhtare

Nadire Tafani, nëna e Hatlijes, vajzës së zhdukur pa lënë gjurmë, në maj të vitit '45, ka bërë të pamundurën të mësojë të vërtetën për vajzën e saj. Ajo i ka shkruar një letër edhe Liri Belishoves ku i tregon zhdukjen e vajzës. LETRA PËR LIRI BELISHOVËN Anëtares së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH Shoqes Liri Belishova, Jam Nadire Tafani, banuese në ish-rrugën e Barrikadave, tash rruga "Siri Kodra", nr.69 U mbushën 14 vite që vajza ime Hatlije vdiq, si me thënë nëpër lot, në burgjet e sigurimit. Se për cilën arsye e arrestuan dhe se në cilat rrethana vdiq, zyrtarisht, edhe pse jam interesuar pranë degës së Punëve të Brendshme në vitet '45-'46, nuk më është thënë kurrë gjë. Vetëm nga qëndrimi i paarsyeshëm që mbahet karshi punës e sakrificave tona në të kaluarën, unë nënkuptoj se pa asnjë bazë Partia dhe Pushteti na ka futur në listën e elementëve armiq e të prekun. Sikurse e dini unë, Hatlija dhe Ramazani punuam natë e ditë në zjarrin e armikut. Asnjëherë s'u trembëm e s'u zmbrapsëm për me ia arrit fitores mbi armiqtë. Që prej majit 1945, njerëzit e lëvizjes më braktisën dhe kurrkush nuk më pyeti cili është halli jem. Meqenëse ngjarjet u rrokullisën ashtu, unë kam shumë të drejtë që t'ju kujtoj se ju dhe shoqet Nexhmije Hoxha, Fiqrete Shehu e shumë e shumë të tjerë punuat me mua dhe Hatlijen disa dhjetëra herë, dhe se në gjithë rastet ne treguam vendosmëri e besim të patundur te Partia dhe lëvizja. Ne dimë mirë që shtëpia jonë gjatë luftës ishte një nga bazat më të sigurta të Partisë në Tiranë, meqenëse ju e dini mirë këtë, unë nuk po u marr kohë me të tilla gjana. Sikurse na kanë thënë ata që kanë qenë në burg me Hatlijen (e të gjithë sot janë jashtë), se ajo vdiq nën torturë duke thirrur "Rroftë Partia". Ne kemi bindje të fortë se ashtu do të ketë ndodhur, mbasi neve dhe Hatlijen nuk kishte dhe nuk ka seç na lidh me armikun. Pra, çdo akuzë kundër saj ishte e gënjeshtërt. Edhe i ati i Hatlijes, njeri i vobegët ishte arsimtar, e vdiq si patriot në Vjenë. Ne të gjithë dhe vetë Hatlija dhamë për lëvizjen siç e dini edhe ju gjithçka na lejuan rrethanat, me qindra herë e kemi vënë veten në rrezik. Për atë që ndihmuam për fitoren mbi armikun, nuk na vjen fare keq dhe nuk jemi aspak pishman, ajo i qoftë hallall Partisë se ne bëmë detyrën si na mësoi ajo. Djali jem Ramazani është më i humbur se unë plaka për me e ndjek çështjen deri te udhëheqja. Djemtë e motrës teme, Hamdi Sallaku, Xhavid Sallaku e matufi Mahmut Sallaku që kanë dijeni të plotë për punën tonë e që janë në pozita në Parti e në pushtet nuk kanë tregu asnjë interesim, sado të vogël. Unë e kam marrë vesh vonë po nga Hamdiu se ai e ka ditë mirë që Hatlija është e pafajshme, kështu që më mirë mund të pyesni Hamdiun se mua plakës nuk m'i tregojnë të gjitha. Nuk di pse ato nuk guxojnë me tregu të vërtetën mbi aktivitetin e familjes sonë, nuk e di pse Hamdiu harroji dhjetrat e ilegalëve që sillte në shtëpinë time. Për sa i përket Mahmutit, ai thotë se ajo është një çështje e vjetër e nuk meriton me e ndjek. Nuk di si ka qenë çështja, por vetëm di se Mahmuti sikur nuk ka qejf me bisedue mbi këtë çështje, ndonëse unë tezja e tij kam dëshirë me e ditë atë. E dashur si bija ime shoqe Liri! Jam krejt e bindur se nga akuza krejt të rreme Hatlija vdiq. Vdekja e saj më shkaktoi një dhimbje shumë të madhe jo vetëm si nënë për fëmijën, por sepse ajo vdiq si armike, në një kohë kur ne fituam mbi armiqtë, megjithatë që ju e dini. Më copëtohet zemra kur për çdo përvjetor e ditë përkujtimore udhëheqësit e shokët nderojnë me vizita familjet që ndihmuan në triumfin e revolucionit. Ne jo vetëm asnjëherë nuk ngushëllohemi, por për më zi, figurojmë edhe si familje e prekur nga Pushteti Popullor. Me syrin e armikut shikohem, unë plas nga inati që në mes meje dhe familjeve të armiqve e tregtarëve të mos ketë ndryshim. Por i jap kurajë vetes se fundi zemrën e kam të pastër dhe se gjithmonë unë kam qenë e drejtë, e pastër e pa hile ndaj partisë. Me zemër e me vepra ne kurrë nuk do jemi kundra Partisë, pasi Partia na mësoi me luftu armikun pa mëshirë. Pavarësisht nëse do të studiohet ose jo çështja, ne mundimin tonë kurrë nuk ua japim armiqve. E keni në dorë ju, Partia që të më gëzoni mua në këto ditët e fundit të jetës sime duke e hek Hatlijen nga defteri i armiqve e duke na regjistruar ashtu siç ishim familje veterane e patriote. Kur çështja të përfundojë ashtu siç them unë, ju lutem ejani e më shikoni sepse jam e dëshpërueme, me pa në shpinë time dhe një herë njerëzit që i bëmë shokë e miq në zjarrin e luftës për liri. Duke e përfunduar letrën i uroj nga zemra ime e fortë Partisë dhe Komitetit Qendror me shokun Enver në krye, jetë të gjatë e të lumtur, sa malet tona të larta, për të mirën e popullit dhe atdheut.

Gjenerali i Sigurimit: Hatlija u çmend dhe vrau veten (PJESA IV)

Përgjigjja e Niko Çetës, numrit dy të Sigurimit të Shtetit për Enver Hoxhën mbi rrethanat si është zhdukur 25-vjeçarja nga Tirana në maj të vitit '45, është sa e habitshme, aq edhe absurde. Pavarësisht stisjeve bajate në shpjegimet e tij, gjenerali i Policisë Sekrete, shtrëngohet të pohojë të vërtetën tronditëse se Tafani ka vdekur në qelitë e Sigurimit, pa një proces gjyqësor! I paqartë nga ajo çfarë ka lexuar në dokumentin e të besuarit të tij, Hoxha i ka kërkuar gjeneralit të Sigurimit një informacion më të detajuar për praktikën me të cilën është proceduar Hatlije Tafani. Rikthimi i numrit dy të Sigurimit të Shtetit në rishqyrtimin e çështjes, ka sjellë pas disa ditësh në tavolinën e kreut të regjimit relacionin tjetër, me një panoramë të zgjeruar për rrethanat si është proceduar me Tafanin. E ndërsa në dokumentin e parë, zyrtari i lartë i shërbimit të fshehtë shpjegon përmbledhtas se ajo është arrestuar e proceduar si autore e tri letrave kundër regjimit dhe një vrasje pranë stadiumit "Dinamo", për të cilat nuk pati asnjë provë dhe asnjë procesverbal zyrtar, në të dytin, Çeta pasi pohon të njëjtat arsye për penalizimin e Hatlije Tafanit, rreket të shpjegojë rrethanat në të cilat ajo ka ndërruar jetë në qelitë e Sigurimit. Në këtë sprovë të vështirë, numri dy i Policisë Sekrete, për t'u bërë sa më bindës për Hoxhën, sjell në vëmendjen e tij dëshmitë që ka qëmtuar nga shokët e armës, që janë marrë me çështjen, duke ripohuar faktin se për procedimin e Tafanit nuk ekziston asnjë dosje, madje asnjë material zyrtar (!) Ajo që bie në sy në kujtimet e këtyre të fundit, të cilët janë emra me peshë në hierarkinë e Shërbimit, është shumë pak ta quash sjellje të papërgjegjshme. Mënyra si vërtiten në ligjërimet e tyre Siri Çarçani, Edip Çuçi, Stefan Grabovcka e Manol Milo, tre nga skifterët e njohur të shërbimit të fshehtë, që janë marrë drejtpërdrejt me çështjen e 25- vjeçares fatkeqe, nuk mund ta fshehë aktin makabër, që më së paku s'mund të bëhej pa bekimin e tyre. As më shumë, as më pak, ata pohojnë se Tafanin e arrestuam dhe e proceduam ne, e hetuam pa dokumente(!) për veprimtari armiqësore, pa asnjë provë, por gjatë procesit ajo u sëmur dhe vrau veten në qeli!

Relacioni numër 1

Komitetit Qendror të Partisë (Drejtorisë së Organizim-Administratës) Tiranë Gjegje shkresës tuaj Nr. 414/I, datë 8/12/1959 Sa bëhet fjalë për çështjen e Hatlije Tafanit, ajo u shikua nga ana jonë dhe rezulton se në ngarkim të saj nuk disponohet asnjë material i dokumentuar. Nga hetimet e bëra me shokët që kanë qenë në atë kohë në organet e Punëve të Brendshme, u kujtohet se në verën e vitit 1945, në afërsi të vendit ku është ndërtuar tani stadiumi "Dinamo", ish gjetur një kufomë e mbytur diku gjetkë dhe prurë aty më vonë, kufoma ishte e paidentifikuar. Po rreth kësaj kohe, Hatlija kishte gjetur një letër me përmbajtje armiqësore dhe më vonë një fshatar, që Hatlija nuk e njihte, i ka dhënë një letër për kushëririn e saj, po me përmbajtje armiqësore. Të dyja letrat nga ana e saj janë denoncuar në organet tona, në atë kohë, por tani nuk ekzistojnë. Gjithashtu, nga hetimet del se rreth atyre ditëve që Hatlija kishte marrë letrën e dytë, duke u kthyer në shtëpi në darkë është goditur me thikë nga një person i paidentifikuar, duke e plagosur lehtë. Mbas kësaj, Hatlija u arrestua, gjithashtu u arrestua dhe kushëriri i saj, Mahmut Sallaku, dhe shoqja e saj Nexhmije Shatku, të cilët janë pyetur se çfarë dinin rreth këtyre letrave, por nuk ka dalë gjë. Me sa i kujtohet shokut Manol Milo, Hatlija mbasi ndenjti një kohë të gjatë në arrest, është çmendur dhe ka vdekur në burg, duke u hedhur nga penxherja dhe si përfundim, përkundrejt Hatlijes nuk është vërtetuar ndonjë gjë konkrete.

Relacioni numër 2

Komitetit Qendror të Partisë Në lidhje me çështjen e Hatlije Tafanit, ju njoftojmë si më poshtë: Kontrolluam imtësisht, por nuk gjetëm asnjë dokument në lidhje me akuzat për të cilat ajo ka qenë arrestuar, si procesverbale të mbajtura kundër saj, ose të dhëna të tjera. Për të sqaruar çështjen e arrestimit të saj, ne pyetëm edhe një sërë kuadrosh të vjetra të organeve tona, por dhe ata nuk dinin gjë konkrete për të. Së bashku me Hatlijen kanë qenë arrestuar në atë kohë (korrik 1945) dhe të quajturit Mahmut Sallaku dhe Nexhmije Shatku (Peja). Për të parin nuk gjetëm asnjë material (si procesverbale etj.), ndërsa për Nexhmijen ekziston vetëm një procesverbal i mbajtur kundër saj më 7 korrik 1945, në të cilin nuk përmendet fare emri i hetuesit. Në procesverbalin e sipërm dhe veçanërisht në bisedën që patëm tani me të, Nexhmija tregon se Hatlija i kish thënë se kishte gjetur në rrugë një letër, e cila bënte fjalë për një mbledhje të bërë në Tiarën, në shtëpinë e të quajturit Hasan Zagolli, ku ishte vendosur që tregtarët të mos i dorëzonin floririn qeverisë, por ta ruanin atë për Zogun, kur ai të vinte në Shqipëri, ose t'ia çonin në Greqi. Hatlija i ka thënë Nexhmijes se këtë letër ajo ia ka dorëzuar teknikut të shtypshkronjës ushtarake, të quajturit Refik Bicaj, i cili e ka dorëzuar tek organet e Punëve të Brendshme. Nexhmija thotë se Hatlija i ka treguar asaj, se mbas disa kohe të gjetjes së letrës së parë, një fshatar i ka dhënë një letër tjetër, të cilën ish-i arratisuri Selman Petrela (tani i vdekur) ia dërgonte të quajturit Mahmut Saraçi. Këtë letër Hatlija ia ka dhënë kushëririt të saj, Mahmut Sallaku, dhe ky i fundit e ka dorëzuar tek organet e Punëve të Brendshme. Në këtë letër flitej që të thyhej Burgu i Tiranës dhe të liroheshin të burgosurit; thuhej se do të vritej personi i cili mund ta humbiste letrën etj. Nexhmija nuk e di si quhej fshatari që, sipas thënies së Hatlijes, ia kish dhënë asaj letrën e sipërme. Gjithashtu, Nexhmija tregon se para arrestimit, Hatlija është goditur me thikë nga dy persona të panjohur. Këtë Nexhmija e ka dëgjuar nga persona të tjerë. Sipas thënieve të Nexhmijes dhe në bazë të pyetjeve që i janë bërë asaj në hetuesi, del se shkaku i arrestimit të Hatlije Tafanit duhet të kenë qenë dy letrat e më- sipërme dhe gjetja e një kufome të një personi të mbytur, i paidentifikuar, në një kohë me çështjen e letrave. Se çështja e arrestimit të Hatlijes është bërë në lidhje me gjetjen e kësaj kufome, këtë e thotë dhe nënkolonel Manol Milo, megjithëse ai nuk di gjëra konkrete për të lartpërmendurën. Naxhmija thotë se në fillim ajo është marrë në pyetje nga shoku Siri Çarçani dhe pastaj prej shokut Edip Çuçi dhe Stefan Grabovcka. Nexhmija tregon se gjatë hetuesisë, Stefo Grabovcka i ka paraqitur asaj letrat e lartpërmendura, duke e pyetur nëse ishte ose jo shkrimi i saj dhe Nexhmija thotë se shkrimi i letrave i është dukur si i Hatlijes, por për këtë ajo nuk është plotësisht e sigurt. Për këtë arsye ajo ka dyshuar se ndoshta këto letra janë bërë prej vetë Hatlijes. Në hetuesi Nexhmija është ballafaquar me Hatlijen dhe në këtë ballafaqim, shoku Siri Çarçani e ka pyetur Hatlijen rreth personit që është gjetur i vdekur dhe letrave, por ajo ka thënë se nuk dinte gjë se kush i ka bërë letrat dhe as për personin e vrarë, ndërsa Nexhmija, duke u nisur nga shkrimi që i dukej sikur ishte i Hatlijes, ka shfaqur dyshimin se letrat mund t'i ketë bërë Hatlija. Sa i kujtohet nënkolonel Manol Milos, Hatlija mbas një kohe që është arrestuar, ka luajtur mendsh dhe ka vdekur duke u hedhur nga penxherja, por këtë të fundit ai nuk e di me siguri. Nënkolonel Manoli thotë se Hatlijes nuk i është vërtetuar ndonjë gjë konkrete. Meqenëse në ngarkim të Hatlijes nuk gjendet asnjë dokument, duke përfshirë këtu edhe procesverbalin dhe letrat e lartpërmendura, ne mendojmë se për sqarimin e çështjes së saj është e nevojshme të pyeten shokët Siri Çarçani dhe Edip Çuçi, të cilët, sikurse del nga thëniet e Nexhmijes, kanë ndjekur çështjen e Hatlijes. Vetëm pasi të pyeten këta, mund të nxirren konkluzionet rreth fajësisë së saj. Shtojmë se gjatë luftës familja e Hatlijes, duke përfshirë edhe vetë Hatlijen, ka qenë e lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, kanë strehuar ilegalë të sëmurë e të plagosur, në shtëpinë e saj janë bërë mbledhje, vetë Hatlija ka zhvilluar aktivitet në lagje etj.

 Zv.drejtor i Sigurimit të Shtetit Gjeneralmajor Niko Çeta

(Kosova Sot)