A pati gisht Fadil Hoxha në masakrën e Tivarit? - Dossier - Kosova Sot
A pati gisht Fadil Hoxha nė masakrėn e Tivarit?

A pati gisht Fadil Hoxha nė masakrėn e Tivarit?

E vërteta për ish-liderin komunist të Kosovës (2)

Fadil Hoxha mund të jetë një figurë e shquar politikës jugosllave, por në asnjë mënyrë figurë e shquar e Kosovës dhe e kombit shqiptar

Fadil Hoxha veproi si struci, kur shteti policor serb shtypi me gjak demonstratat e qytetarëve të Kosovës në vitin 1968 dhe në vitin 1981.

 

-Me rastin e 100- vjetorit të lindjes së Fadil Hoxhës dalin dokumentet se përse ai nuk është hero i kombit shqiptar. Historiani Uran Butka sjell fakte, sipas të cilave, Fadil Hoxha zbatonte vetëm urdhrat e Enverit

Masakra e Tivarit, apo më gjerë, tragjedia e Tivarit, është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, projektuar dhe realizuar ndaj shqiptarëve nga shteti komunist jugosllav në bashkëpunim me shtetin komunist shqiptar. Historinë e plotë të kësaj masakre e kam trajtuar të plotë te libri “Masakra e Tivarit”.

Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubriloviqit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim.” Kështu u mobilizuan 13.050 rekrutë shqiptarë në Kosovë e viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi ( me ndihmën e Divizioneve V dhe VI të ushtrisë NÇ të Shqipërisë, që ishte vënë nën urdhrat e Shtabit Suprem të Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë) dhe u dërguan të çarmatosur dhe të shoqëruar nga ushtria Jugosllave nëpër Shqipëri drejt Frontit të Adriatikut për t’u asgjësuar. Sipas dokumenteve që gjenden në Arkivin e Shtetit Shqiptar dhe në Arkivin e Ushtrisë NÇ të Beogradit, shtabet e divizioneve V dhe VI të Shqipërisë i dorëzonin Shtabit Operativ të Kosovës gjithë të rekrutuarit dhe gjithë vullnetarët kosovarë të vetëdorëzuar në mirëbesim te divizionet e Shqipërisë, të cilët mandej dërgoheshin si mish për top në Srem apo në Tivar, për t’u asgjësuar.

Për ilustrim, vetëm një dokument: SHTABIT OPERATIV PËR KOSOVË E METOHI, PRISHTINË. Bashkangjitur po ju dërgojmë listën emërore të dorëzuarve dhe vullnetarëve kosovarë t’ardhun në radhët e këtij divizioni. Komisari Politik N.Kol. Ramiz Alia.

Komandanti i Divizionit V Rahman Perllaku (Dokumenti: AQSH, Fondi 206/ APL v.1945).

Edhe vetë Rankoviqi e pranoi masakrën e Tivarit

Në udhëtimin e tyre mortor nga Kukësi në Shkodër u vranë dhe u zhdukën më se 1000 nga këta shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua në Tivar e më tutje, gjithsej 3933 bashkëkombës të pafajshëm. Fadil Hoxha ishte në atë kohë (mars-prill 1945) nënkomandant i Shtabit operativ të Kosovës, nga i merrnin urdhrat divizionet dhe brigadat ushtarake jugosllave që vepronin në Kosovë. A ka përgjegjësi Fadil Hoxha për këtë masakër? Kur tri kolonat me rekrutë shqiptarë u masakruan në Tivar, në muajin mars 1945, përse u dërguan dhe tri kolona të tjera në prill dhe që pësuan të njëjtin fat? Përse Fadil Hoxha nuk u përpoq ta ndalonte këtë kasaphanë? Edhe nëse nuk e ndalonte dot, përse nuk foli, nuk kundërshtoi, përse nuk e dënoi asnjëherë këtë masakër, përse nuk dha dorëheqjen nga komanda e Shtabit që drejtonte masakrën kundrejt mijëra shqiptarëve? Madje edhe Rankoviqi, ministri i Brendshëm i Jugosllavisë, e ka pranuar masakrën në Kongresin e Parë të PK të Serbisë, maj 1945, ndonëse e trajtoi si një incident: “Gjatë dërgimit të një numri të shqiptarëve për plotësimin e njësive të Armatës IV, ndodhi një incident, por, drejtuesit tanë, në vend që çështjen ta zgjidhnin pa e përhapur konfliktin, deshën të bënin reprezalje, tentuan t’i pushkatonin 40 shqiptarë për çdo luftëtar të vrarë. Shpërtheu revolta… Kurse komandantët tanë hapën zjarr dhe i vranë 300 shqiptarë” (Kongresi I i PK të Serbisë, maj 1945. Fjala e Rankoviqit.) Gjithsesi, Rankoviqi ka meritën që ta përmendë këtë masakër dhe ta quajë “gabim të tmerrshëm kundrejt shqiptarëve”, ndërsa Fadil Hoxha e Fadilistët, jo vetëm atëherë, por asnjëherë nuk cekën apo nuk e shqyrtuan këtë gjenocid shtetëror kundër shqiptarëve. As në vitet e mëvonshme, kur këtë çështje e rihapi dhe e shtroi me kurajë e fakte denoncuese ish-përjetuesi i Masakrës së Tivarit, Azem Hajdini.

Hoxha e përmend tragjedinë e Tivarit tek më 1979

Fadil Hoxha, përgjegjësi kryesor i udhëheqjes politike dhe ushtarake në atë kohë në Kosovë, heshti si fija e barit. Vetëm më vonë, pas 35 vjetësh, më 14 dhjetor 1979, në simpoziumin “Forcat e armatosura revolucionare të LNÇ të Kosovës 1941-1945”, pohoi me gojën e tij: “Nuk ka revolucion në botë, ku nuk ka pasur ndonjë gabim. Diçka nga kjo ka edhe në revolucionin tonë, edhe pse shumë pak. Unë nuk pajtohem që tashti të hulumtojmë se kush i ka vrarë ata njerëz në Tivar, pse janë vrarë dhe çka do të thotë ajo? Janë vrarë me gjasë të pagabuar dhe të paborxh. Kaq mund të konstatojmë. Nëse, megjithatë, fillojmë sot ta hulumtojmë atë ngjarje, nuk do t’i kontribuohej shumë historisë…” (Fadil Hoxha, Diskutime, Prishtinë 1981) Kjo është hera e parë dhe e fundit që flet Fadil Hoxha për këtë tragjedi kombëtare. Fatkeqësisht, ai thotë se ajo që ka ndodhur është shumë pak, se shqiptarët janë vrarë me “gjasë të pagabuar dhe të paborxh”, që do të thotë se nuk ka gabuar kush, nuk u ka borxh askush, nuk ka përgjegjësi kush!! Sikur të mos kishte ndodhur asgjë! Ai nuk pajtohet me zërat që kërkojnë të zbardhet e vërteta, sepse e vërteta është e hidhur edhe për atë vetë dhe duhet fshehur.

5. Fadil Hoxha, si komandant i aradheve nacionalçlirimtare në Kosovë kishte luftuar egërsisht kundër forcave kombtariste. Këtë e vërtetojnë urdhrat që ai ka lëshuar si komandant i Shtabit Operativ të Kosmet-it, para datës 8 shkurt 1945, por edhe me veprimet si nënkomandant i këtij shtabi dhe, mandej, si një nga partiakët e pushtetarët më të lartë të Jugosllavisë.

Këtë rol ai e vulosi më 18 shkurt 1945 në mbledhjen e KQ të PKJ në Beograd, ku u diskutua për statusin e Kosovës. Fadil Hoxha nuk e ceku opsionin e bashkimit të trojeve shqiptare me shtetin amë, siç ishte shprehur edhe Konferenca e Bujanit ,si edhe vetë udhëheqësit jugosllavë gjatë luftës. Ai përkrahu zgjidhjen e dytë, atë të ndarjes së trojeve shqiptare dhe bashkëngjitjen e qarkut të Kosovës me Serbinë. Më e keqja është se këtë e pranoi “në emër të popullit shqiptar, si zgjidhja më e drejtë” (Fadil Hoxha, Deklaratë publike, 25 qershor 1990). Kjo ishte zgjidhje e padrejtë, sepse trojet dhe popullsia shqiptare, që zinte vendin e dytë në Jugosllavi për nga numri, pas serbëve, u ndanë ndërmjet Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, duke i hapur kështu rrugën eliminimit të përkatësisë e njësisë kombëtare shqiptare.

Ndryshe reagoi Halim Spahia, njëri nga personalitetet e Lëvizjes NÇ dhe të Konferencës së Bujanit: “E gjithë ndihma që ne i dhamë LNÇ të Jugosllavisë paska qenë e kotë. Ne qenkemi tradhtuar!” Fadil Hoxha, Mehmet Hoxha, Xhavit Nimani e të tjerë udhëheqës komunistë të Kosovës dhe vegla të bindura të PK Jugosllave, në bashkëpunim të plotë me Dushan Mugoshën dhe Spasoje Gjakoviqin, kryetar i OZNA-s etj., organizuan më 27 mars 1945 të ashtuquajturin Komitet të Shqiptarëve të Kosovës e Metohisë, i cili në Kuvendin Themelues, me kryetar Fadil Hoxhën, shprehu “vullnetin” e popullit të Kosovës për bashkim me Serbinë, duke varrosur përpjekjen shqiptare për çlirim e bashkim kombëtar.

Doli kundër Konferencës së Bujanit

Kuvendi Themelues iu drejtua kolonel Fadil Hoxhës, i cili saktësoi “randësin e kuvendit dhe qëllimet e tij” ( Rilindja, Prishtinë 5 prill 1945) Fadil Hoxha mohoi publikisht si të gabueshme vendimet e Bujanit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë mbi parimin e vetëvendosjes, kur deklarohej ndryshe në Kuvendin e Prizrenit (10 korrik 1945), i cili ligjëroi përfundimisht aneksimin e Kosovës nga Serbia, si “qark autonom” pa të drejtë flamuri, gjuhe zyrtare dhe të drejta kombëtare”: “Ligjërisht dhe në mënyrë demokratike njëherësh anulohet edhe pjesa e gabueshme e Rezolutës së miratuar në Konferencën e Bujanit” – deklaronte Fadil Hoxha në Kuvendin e Prizrenit, që vendosi për bashkimin e Kosovës me Serbinë. Krahas këtyre akteve kolaboracioniste, erdhi ripushtimi i dhunshëm e i përgjakshëm i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare nga Jugosllavia, me ndihmën e brigadave nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të divizioneve të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë. Fadil Hoxha veproi si struci, kur shteti policor serb shtypi me gjak demonstratat e qytetarëve të Kosovës në vitin 1968 dhe në vitin 1981 dhe Kosova u zbraz nga intelektualët e shquar.

Fadil Hoxha nuk u bë i gjallë as kur kasapi i Ballkanit, Milosheviqi, kreu masakrat e përbindshme mbi popullin e Kosovës në vitin 1999 dhe realizoi spastrimin më të madh etnik të Kosovës, kur mbi 1.000.000 shqiptarë i përzuri me forcë nga trojet dhe shtëpitë e tyre. Mundet që Fadil Hoxha mund të jetë një figurë e shquar e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, e politikës jugosllave dhe e shtetit komunist jugosllav, ku shërbeu dhe arriti majat më të larta, por në asnjë mënyrë figurë e shquar e Kosovës dhe e kombit shqiptar. /Fund/

Fadil Hoxha, përgjegjësi kryesor i udhëheqjes politike dhe ushtarake në atë kohë në Kosovë, heshti si fija e barit. Vetëm më vonë, pas 35 vjetësh, më 14 dhjetor 1979, në simpoziumin “Forcat e armatosura revolucionare të LNÇ të Kosovës 1941-1945”, pohoi me gojën e tij: “Nuk ka revolucion në botë, ku nuk ka pasur ndonjë gabim. Diçka nga kjo ka edhe në revolucionin tonë, edhe pse shumë pak. Unë nuk pajtohem që tashti të hulumtojmë se kush i ka vrarë ata njerëz në Tivar, pse janë vrarë dhe çka do të thotë ajo? Janë vrarë me gjasë të pagabuar dhe të paborxh. Kaq mund të konstatojmë. Nëse, megjithatë, fillojmë sot ta hulumtojmë atë ngjarje, nuk do t’i kontribuohej shumë historisë…” (Fadil Hoxha, Diskutime, Prishtinë 1981)

(Kosova Sot)

11 orë e 29 minuta më parë