Aventura e një turisti britanik te varri i Enver Hoxhës

  • 13 July 2017 - 09:34
Aventura e një turisti britanik te varri i Enver Hoxhës

Aventura e pabesueshme e një turisti britanik gjatë dy ditëve të fundit në Tiranë. Historia e një ushtaraku aleat pranë forcave partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndryshimet që ka parë në Shqipëri në dy kohë,  me diferencë 30 vite… Çfarë mendon ai për ish-udhëheqësin komunist që nuk e kish njohur asnjëherë…

Turisti anglez, Mark Leslie, është rikthyer këtë fundjavë pas 30 vitesh në Shqipëri. 57- vjeçari shoqërohet nga 2 djemtë e tij Peter dhe Andrew Leslie dhe kishte dëshirën e madhe për ta vizituar edhe një herë varrin e diktatorit Enver Hoxha.

Pas një aventure jo të zakonshme, Leslie arrin ta gjejë e të vendosë lule atje. Unë pata rastin ta përjetoj këtë “aventurë” angleze dhe po e tregoj ashtu si e përjetova.

Për një të pasionuar deri në ekstremitet pas historisë botërore, përfshirë edhe asaj të Shqipërisë, misioni për të vizituar dhe t’u treguar djemve të tij varrin e Enver Hoxhës, ishte edhe sfida e radhës për turistin anglez 57-vjeçar Mark Leslie, drejtues i një kompanie sigurimesh në Angli, Tobell Insurance Services Ltd. Për të ishte më shumë se një detyrim shpirtëror. Po rikthehej pas 30 vjetësh në Shqipëri.

“Kam qenë 27 vjeç në verën e vitit 1987, sa është tani djali im, Piter, kur së bashku me një grup prej 40 turistësh të tjerë anglezë vizituam Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë. Në krah të monumentit (“Nëna Shqipëri) pamë dhe varrin e Enver Hoxhës, udhëheqësit tuaj komunist, të rrethuar komplet me lule. Në fakt, u befasova, pasi ishte një varr i thjeshtë, ndryshe nga sa unë besoja se do të ishte, nisur dhe nga fakti se ai drejtoi Shqipërinë me dorë të hekurt, për më shumë se 40 vjet. Kam disa foto në shtëpi te varri i Enver Hoxhës nga vizita gjashtëditore në Shqipëri atëherë, të cilat fatkeqësisht nuk i kam me vete”,  – më thotë Mark Leslie, babai i të cilit ka qenë një nga ushtarët britanikë që luftuan në mbështetje të partizanëve shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“E di që në Tiranë ndodhen varreza e ushtarëve britanikë, – shton Mark në ambientet e Hotel Jolly në kryeqytet, duke më treguar një hartë të Tiranës, që ndodhej në librin e tij të udhëtimit mbi Shqipërinë.

“Kur erdha në vitin 1987 në Shqipëri, doja të plotësoja pikërisht një dëshirë të babait tim. Na u deshën dy muaj për të marrë vizën hyrëse në Shqipëri dhe plotësuam shumë formularë. Hymë nga kufiri me Malin e Zi dhe pasi na kontrolluan imtësisht, bëmë gati 200 metra më këmbë për të hipur në autobusin shqiptar, që na çoi në hotel “Adriatik” në Durrës. Përpara se të vinim ne Shqipëri na kishin dhënë shumë informacione për vendin, Enver Hoxhën dhe udhëheqësin e ri të vendit, Ramiz Alinë”, – vazhdon bashkëbisedimin Mark Leslie, që shton se, nëse para 30 vjetësh ai kishte parë vetëm një semafor e pak makina, tani ishte i befasuar nga pamja dhe trafiku që ofronte kryeqyteti shqiptar.

“Erdhëm në Shqipëri me makinë nga Ohri i Maqedonisë, duke kaluar nga pika kufitare e Tushemishtit. Qytet shumë i bukur Pogradeci. E shijova rrugën për në Tiranë dhe mezi prisja t’u tregoja djemve varrin e Enver Hoxhës. Shkuam në Varrezat e Dëshmorëve, por nuk e gjetëm varrin e tij, edhe pse e kërkuam për disa minuta. A mund të më ndihmosh, për ta gjetur. Dua ta vizitoj patjetër”, – më thotë Mark Leslie.

“Pas ndryshimit të regjimit dhe ardhjes në pushtet të qeverise së re demokratike, varrin e tij e zhvendosën në varrezat publike të Sharrës”, i them unë, duke i treguar disa foto të varrit të Enver Hoxhës pas kërkimit në motorin e Google dhe duke i shkruar në një letër rrugën sesi mund të shkonte atje.

“Vërtet, kaq shumë njerëz dhe lule çojnë njerëzit atje. Po, kjo grua e vjetër kush është?”, më pyet Marku. “Nexhmije Hoxha, gruaja e Enverit? Po sa vjeç është tani? E mbaj mënd pamjen e saj nga fotot e albumit që bleva në Tiranë. Dukej një grua e fisme”.

Të nesërmen, me letrën ne dorë, Mark Leslie dhe dy djemtë e tij, shkuan në varrezat e Sharrës.

“Ishin tepër të mëdha, pyetëm tre veta, por një djalë i vogël rreth 11-13 vjeç na ndihmoi ta gjenim varrin e Enver Hoxhës” – më tha anglezi, që shton se i kishte dhënë pesë mijë lekë të vjetër djalit që e ndihmoi. “I meritonte, pasi pa ndihmën e tij nuk do ta gjenim kurrë”, më tregon fotot e tij pranë varrit të diktatorit komunist.

Mark Lesli e dinte që në Shqipëri ishte ndërtuar edhe një mauzeleum për Enver Hoxhën, por edhe pse kishte shëtitur bulevardin kryesor të Tiranës nuk mund ta gjente dot. “Nuk ekziston më. Tani quhet piramida dhe është në gjendje të shkatërruar”, i them. “Por, si është e mundur? Historia është pjesa më e rëndësishme e kujtesës së një kombi. Unë që e kam pasionin tim kryesor historinë nuk e kuptoj”, thotë ai.

Unë  zgjodha heshtjen, ndërsa Mark Leslie dhe dy djemtë e tij morën rrugën drejt Bunk’Art 2. Teksa e pyeta se çfarë mendon për historitë e viktimave të regjimit komunist me të cilat u njoh në Bunk’Art 2, Leslie thotë se janë vetëm ana e keqe e figurës së Hoxhës dhe se Shqipëria sot ka ndryshuar shumë.

“Kjo është vetëm ana e errët e figurës së diktatorit, nuk mund të themi që ai kishte vetëm ndikim negativ. Në Bunk’Art ka shumë informacion për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën. Është shumë interesante. Shpenzova 1 orë kohë për të parë dhe lexuar histori. Sot Tirana dhe Shqipëria janë shumë më ndryshe se para 30 vitesh”.

 (Kosova Sot)