< “Provokacionet e gushtit”, si sulmuan grekët kufirin me 70 mijë trupa - Dossier - Kosova Sot
“Provokacionet e gushtit”, si sulmuan grekėt kufirin me 70 mijė trupa

“Provokacionet e gushtit”, si sulmuan grekėt kufirin me 70 mijė trupa

Kanë kaluar 68 vjet që nga dita kur forcat monarkofashiste greke sulmuan kufirin shqiptar. U luftua për një muaj rresht nga 2 gushti deri më 5 shtator 1949.

Shumë e mbajnë mend konfliktin e pabarabartë në numër, por ndoshta askush nuk e di, se cili ishte ai që hapi zjarr kundër grekëve. Ishte pikërisht Adem Hoxha, një centralist i
thjeshtë, që në mungesë të çdo komunikimi me autoritete më të larta, dha urdhër për hapjen e zjarrit ndaj forcave që kishin hyrë 500 metra në territorin shqiptar.

Halil Rama na sjell historinë e këtij ushtaraku dibran, që nga burgu fashist në Ventotene, tek ajo natë shërbimi në Kapshticë, kur guxoi të jepte urdhrin: Zjarr!

[HEROI I PROVOKACIONIT TE 2 GUSHTIT 1949]
HEROI I PROVOKACIONIT TE 2 GUSHTIT 1949

HALIL RAMA

Njëqind vjet më parë, në Çidhën të Dibrës lindi Adem Islam Hoxha, emri i të cilit hyri në historinë e kombit për aktin e pashembullt heroik në rezistencën ndaj monarkofashistëve grekë, gjatë provokacioneve të njohura të gushtit të 1949-s. I mbetur jetim që 6-muajsh, pasi babai Islami dhe nëna, Lihja, i vdiqën nga epidemia e tifos e vitit 1917, Ademi do të rritej dhe edukohej nga gjyshi i tij, Abdurrahmani (Hoxhë Kuta).

I njohur me titullin “Hoxha i 12 mijëve” në Shehër të Thatë, njëri ndër udhëheqësit popullorë për organizimin e rezistencës së krahinës së Çidhnës e të mbarë Dibrës kundër pushtuesve serbo-sllavë në fillim të shekullit XX (gjatë viteve 1912-1920), do të përkujdesej që këto virtyte t’i mishëronte edhe nipi, Ademi.

Edukimin e parë atdhetar me dashurinë për atdhe dhe urrejtjen kundër armiqve pushtues e mori qysh në moshën 3-vjeçare, në vitin 1920, në kohën e pushtimit serb, për të shpëtuar nga masakrat e pushtueseve, kur për tre muaj rresht u strehua në një shpellë në Gjalica të Çidhnës, në një kohë që pjesa tjetër e popullsisë së Dibrës u shpërngul drejt Tiranës, ashtu si në vitin 1913. Që nga ajo kohë, dhe sot e kësaj dite, ajo quhet “Shpella e Hoxhës”. Në vitin 1940, për veprimtari atdhetare antifashiste, u burgos nga pushtuesit italianë dhe u internua më pas në kampin e përqendrimit nazifashist në Ventotene të Italisë, ku u dënua me 2 vjet dhe qëndroi nga janari 1940 deri në dhjetor 1941.

Ky fakt vërtetohet edhe nga regjistri që gjendet pranë Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, Tiranë, në faqen nr.3 të të cilit me nr. rendor 21, z. Adem Hoxha (atëherë Kuta) figuron të ketë qenë i internuar prej nazifashistëve në kampin e përqendrimit në Ventotene, Itali, prej datës 11.02.1940 deri në dhjetor 1941, duke mos u përfshirë këtu koha e paraburgimit në Peshkopi, para transferimit në Itali dhe ajo e qëndrimit prej 24 ditësh të tjera në Burgun e Barit në Itali.

[adee]

Në kampin nazifashist të Ventotenes, Ademi u njoh dhe u miqësua me atdhetarë të tillë, udhëheqës të rezistencës shqiptare kundër pushtuesve nazifashistë, si Nazmi Rushiti, Sadik Bekteshi, Ibrahim Dervishi, Abdyl Këllezi, Zef Mala, etj., apo dhe me nacionalistët Safet Butka, Abas Ermeni, prof. Isuf Luzaj, etj. Shoqëria dhe miqësia e tij me figura të tilla ia rriti Ademit eksperiencën dhe pjekurinë politike. Në dhjetor 1947, kur i kishte kaluar 30 vjeç, u mobilizua për të kryer shërbimin ushtarak të detyruar në Qarkun e Korçës (gjatë viteve 1947-1950), prej të cilëve, dy vjetët e fundit në kufi, në Bilisht.

Pra, në kohën kur dha urdhrin luftarak për të hapur zjarr mbi forcat agresive të monarkofashistëve grekë, Ademi i kishte të gjitha cilësitë dhe aftësitë, si dhe ngritjen ideo-politike dhe përgatitjen ushtarake për të komanduar e për të dhënë një urdhër luftarak me peshë të tillë, që ishte vendimtar për fatet e atdheut.

NGJARJA E 2 GUSHTIT 1949 NË VIDOHOVË

Greqia sulmoi më 2 gusht 1949, pas 8 muajsh provokacione ushtarake në kufi. Dokumentet arkivore, por edhe dëshmitarë okularë vërtetojnë se, në sulmin e 2 gushtit 1949, grekët përdorën kundër Shqipërisë ushtrinë me topa, avionë, ushtri tokësore e gjithçka që përdor çdo ushtri që synon të pushtojë një vend tjetër. Ushtria shqiptare iu kundërpërgjigj sulmit pushtues grek, me luftë të armatosur, në mbrojtje të kufijve e trojeve që u sulmuan.

Ishte një luftë e përmasave dramatike. Ndërsa Greqia vërsuli drejt Shqipërisë mbi 70 mijë forca të armatosura, mbi 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gjuajtës, kryesisht topa, shteti shqiptar mobilizoi dhe futi në luftën mbrojtëse 10 mijë ushtarë, ndërkohë që po mbante në gatishmëri edhe 30 mijë trupa të tjerë pranë zonës së sulmuar.

Më 2 gusht 1949, do të ishte një centralist i thjeshtë nga Çidhna e Dibrës urdhëruesi i hapjes së zjarrit ndaj provokatorëve monarkofashistë grekë në kufirin shqiptar të Kapshticës. Adem Hoxha, centralist i postës kufitare në Kapshticë të Devollit, kishte radhën e shërbimit të gatishmërisë luftarake në natën e datës 1 (një) gusht duke u gdhirë 2 (dy) gushti i vitit 1949, kur rreth orës 02:00 të mëngjesit të datës 2 gusht 1949, ra zilja e telefonit.

Mori receptorin dhe nga ana tjetër, personi që i fliste, u prezantua se ishte komandanti i Postës Kufitare të Vidohovës. Për momentin emri i tij nuk më kujtohet, – tregonte Ademi, – por mbaj mend se ai ishte një djalë i ri, rreth të njëzetedy-tre vjetëve, të cilit, sapo kishin filluar t’i dirsin mustaqet. (Sipas bashkëkohësve, ai duhet të ketë qenë Memo Nexhipi Bejko, pak çaste para se të binte dëshmor, i cili më pas është shpallur “Hero i Popullit”). Kur komandanti i Postës së Vidohovës, z. Memo Nexhipi Bejko, i ka kërkuar centralistit Hoxha që ta lidhte me komandantin e regjimentit, Ademi iu përgjigj se “Komandanti i regjimentit në këtë orë është në shtrat, duke fjetur në shtëpinë e tij, në Korçë. Ai nuk ka telefon në shtëpi”. Më pas, komandant Memoja i ka kërkuar kufitarit nga Dibra që ta lidhte me Ministrinë e Mbrojtjes, por sërish ka marrë përgjigje refuzuese! “Përderisa nuk mundem me të lidhë me Korçën, si mundem me të lidhë me Ministrinë në Tiranë?! Ne nuk kemi lidhje me radio, por vetëm një central të thjeshtë, me tel!”,-i është përgjigjur Adem Hoxha.

Dhe në kushtet kur forcat greke kishin shkelur 500 metra në territorin tonë kufitar, komandant Memoja, i zënë ngushtë, i ka kërkuar një mendje centralistit nga Dibra se si duhej të vepronte.

-Zjarr!, – i është përgjigjur Ademi.

-Si të hap zjarr?! Me urdhër të kujt të hap zjarr?, – i tha komandanti i Postës së Vidohovës.

-Me urdhrin tim! – i është përgjigjur rrufeshëm kufitar Ademi.

-Si me urdhrin tënd?! – ka vijuar komandanti?!!

-Po të them: Me urdhrin tim!

Kur forcat greke do të vijnë te posta, ti a do t’u japësh cigare e duhan dhe t’ua ndezish me shkrepse me dorë në zemër? Zjarr mbi agresorët, se vetëm kështu mbrohet Atdheu!

Vetëm këto ishin fjalët e fundit që këmbyen komandant Memoja dhe centralisti Adem Hoxha ndërmjet tyre, në mëngjesin e 2 gushtit 1949, para se të fillonte lufta mbrojtëse në Vidohovë kundër agresionit të monarkofashistëve grekë të 2 gushtit 1949.

Pra, e thënë ndryshe, urdhrin luftarak për fillimin e zjarrit të parë, të pushkëve të para në Vidohovë më 2 gusht 1949 e ka dhënë me iniciativën e vet, një ushtar i thjeshtë dibran, Adem Islam Hoxha, ish-centralist i postës kufitare të Kapshticë-Vishocicës. Më saktë, me atë arsyetim logjik të pjekur, tepër bindës, në ato rrethana të jashtëzakonshme bindi me të drejtë komandantin e Postës së Vidohovës për të hapur zjarr mbrojtës kundër agresionit të monarkofashistëve grekë, më 2 gusht 1949, në atë situatë të nxehtë luftarake.

Një arsyetim i tillë, si ai i Adem Hoxhës, është tepër bindës dhe i drejtë edhe tani, pas më shumë se gjashtë dekadash, në kohë paqeje dhe në një situatë tjetër marrëdhëniesh krejt të ndryshme nga ajo e asaj kohe. Nuk mund të kishte asnjë zgjidhje tjetër, përveç asaj të Adem Hoxhës, të mëngjesit të 2 gushtit 1949: për të hapur zjarr mbi agresorin. Kjo është një e vërtetë historike, ndonëse e pashkruar ndokund, ashtu si shumë të vërteta të tjera të pashkruara të  historisë së popullit shqiptar, e rrëfyer qartë nga protagonisti i kësaj ngjarjeje në vitin 1993, kur ishte në moshën 76-vjeçare.

ÇFARË SHKRUANTE “ZP” MË 6 SHTATOR 1949

Akti heroik i çidhnakut Adem Hoxha jepet fare qartë, qoftë dhe nga një fragment i reportazhit të të dërguarit të posaçëm të “Zërit të Popullit”, Dhimiter Tona, me titull: “Në piramidën 33, në sektorin e Bilishtit”, botuar më 6 shtator 1949. Ndër të tjera në të shkruhet: “…Centralisti ndërlidhës, Adem Islam Hoxha nga Çidhën e Poshtme i Dibrës, në mes mijëra predhash të artilerisë armike, ku s’mbeti pëllëmbë toke pa u qëlluar, ka kryer me heroizëm detyrën e tij: tri herë natën u këput linja, por të tria herët ai e lidhi përmes zjarrit të artilerisë dhe breshrit të plumbave të mitralozit.

“Në luftën NCÇL-thotë ushtari Adem Hoxha, i dekoruar me Medaljen e Trimërisë,-nuk pata fat të luftoja kundër armikut, tashti jam edhe unë kryelartë midis shokëve të mi se kam luftuar ashtu si vëllezërit e mi dje për çlirimin e Atdheut; sot unë luftova për mbrojtjen e tij nga monarkët që duan ta skllavërojnë popullin tonë dhe të sjellin në fuqi armiqtë tanë….”.

KUSH ISHTE ADEM HOXHA

Po kush ishte ky ushtari, Adem Hoxha, që mori një iniciativë të tillë për të dhënë një urdhër luftarak të tillë, për fillimin e një lufte frontale si ajo e 2 gushtit 1949?! Çfarë përgatitje ideopolitike e ushtarake kishte ai person që paska marrë një iniciativë të tillë për të dhënë një urdhër luftarak të tillë si ai, për të hapur zjarr kundër provokacioneve të një ushtrie të një shteti tjetër, si Greqia? Adem Hoxha, i biri i Islamit dhe i Lihes (1917-1993), nga Çidhna, Dibër, veterani i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, i internuar në kampin e përqendrimit nazifashist në Ventotene, Itali, në periudhën janar 1940-dhjetor 1941 dhe luftëtari i vijës së parë të frontit të luftimeve për mbrojtjen e kufijve të Atdheut tonë nga provokacionet e monarkofashistëve grekë në gusht të vitit 1949, ishte tepër modest, ndaj nuk ka lënë kujtime të shkruara, por vetëm këto rrëfime gojore që nuk na shqiten lehtë nga kujtesa.

Për aktin heroik ish-centralisti dibran i postës kufitare “Guri” në Kapshticë të Devollit, Adem Hoxha është dekoruar me “Medaljen e Trimërisë”. Kjo vërtetohet me certifikatën e lëshuar nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor të RSH me nr. 6749 dhe nr. i Dekretit 911, datë 23 gusht 1949 që mban nënshkrimin e ish-Presidentit Dr.Omer Nishani dhe të ish-Sekretarit Sami Baholli. Në këtë Medalje është shënuar ky motivacion: “Gjatë luftimeve për mbrojtjen e kufijve t’Atdheut në sektorin e Trestenikut nga agresioni i monarkofashistëve grekë, është dalluar për trimëri, vendosmëri e besnikëri”.

Kjo certifikatë është një argument tjetër më shumë që vërteton katërcipërisht se Adem Hoxha ka qenë i saktë në rrëfimet e tij të para dy dekadave. Përpos kësaj, autoriteti i tij i padiskutueshëm në jetën civile, kur ka shërbyer mbi 60 vjet si imam, drejtues fetar dhe shoqëror, nuk lë asnjë shteg për asnjë fije dyshimi mbi të vërtetën e tregimeve të tij për organizimin e rezistencës ndaj provokacioneve të monarkofashistëve grekë të 2 gushtit 1949. Si bashkëbisedues i para dy dekadave ruaj në memorien episode të rrëfyera mjeshtërisht nga Ademi për Provokacionet e 2 gushtit 1949.

Shpesh herë ai thoshte se jetën në atë luftë ia ka shpëtuar ish- Komandanti i Regjimentit, z.Baki Starja. “Gjatë luftimeve unë kisha detyrë që të mbaja ndërlidhjen me central fushor, të lëvizshëm, atje ku zhvilloheshin luftimet. Pozicioni i centralit nuk mund të ndryshohej pa urdhrin e komandantit.

Në një moment të caktuar, gjatë luftimeve ra një predhë murtajë  e armikut vetëm disa metra larg, ngjitur me pozicionin ku unë kisha vendosur centralin. Pranë meje ndodhej edhe z.Baki Starja, më vonë gjeneral. Fill pas atij momenti, komandant Bakiu më urdhëroi: Adem, shpejt spostoje centralin m’u në gropën që hapi predha e murtajës së armikut. Sapo unë instalova aparaturën e telefonit në vendin e caktuar, vetëm disa sekonda më pas, ra predha e murtajës së armikut, pikërisht në vendin ku unë pata më parë pozicionin e centralit.

Po të mos kisha ndërruar pozicionin e instalimit të centralit, unë do të isha vrarë në atë luftë,” tregonte Ademi, duke shprehur njëherësh edhe respektin dhe mirënjohjen për Gjeneral Baki Staren që ka qenë oficer madhor në Provokacionet e gushtit 1949. Gjatë një takimi të rastësishëm, gjenerali në pension, Baki Starja, jo vetëm ma konfirmoi plotësisht atë çka treguam më sipër, lidhur me spostimin e centralit fushor, por pasi më shprehu edhe konsideratën e lartë dhe kujtimet që ruante për ish-ushtarin e tij 32-vjeçar, nga Dibra, bashkëmoshatarin Adem Hoxhën, më tregoi edhe arsyen e dhënies së atij urdhri, d.m.th. eksperiencën e tij luftarake.

RRËFIMI I GJENERAL BAKI STARJES

Gjeneral Baki Starja që kishte kryer shërbimin e detyruar ushtarak në kohën e luftës Italo-Greke, kujton gjithashtu kohën kur ka qenë i mobilizuar në repartin e ushtrisë shqiptare dhe shoqërinë me bashkushtarin Vesel Bushi (Spata) nga Blliçja e Peshkopisë. Nga përvoja e asaj lufte ata kishin mësuar se ushtria greke, artiljerët i kishin ushtarë të karrierës me rrogë dhe jo rekrutë të shërbimit të zakonshëm të detyruar.

HEROI I PROVOKACIONIT TE 2 GUSHTIT 1949

“Artiljerët grekë, si profesionistë të kualifikuar, predhat e artilerisë nuk i shpërdoronin, prandaj ata nuk shënjonin me gjuajt dy herë në të njëjtin vend, por për çdo qitje e lëviznin gradimin e shënjimit, për të mos rënë dy predha radhazi në të njëjtin vend. Duke ditur këtë eksperiencë, unë e urdhërova Ademin që menjëherë të spostonte instalimin e aparaturës së centralit pikërisht në vendin kur ra predha e mëparshme, pasi e dija se aty ishim të sigurt nga goditjet e armikut”, tregon gjeneral Starja.

Ndërsa centralisti Adem Hoxha, me krenari pohonte faktin që të gjithë ushtarët dibranë që morën pjesë në luftimet kundër provokacioneve të gushtit, shkëlqyen, duke u dalluar ndër të tjerët. Përpjekjet midis palëve vazhduan me ndërprerje nga 2 gushti deri më 5 shtator 1949 në zonat e Bilishtit, Kapshticës, Leskovikut dhe Konispolit, duke i shkaktuar Shqipërisë qindra civilë dhe ushtarë të vrarë, si edhe dëme materiale në fshatrat e kufirit. Gjithashtu dhe forcat monarkiste greke, lanë dhjetëra ushtarë të vrarë në territorin shqiptar, madje edhe robër lufte. Sipas z. Starje në frontin e rezistencën u ndodhën dhe dhanë shembullin e tyre heroik dhjetëra ushtarë nga Dibra.

Asnjë ushtar dibran nuk u largua nga pozicioni i luftimeve, ku e kishte caktuar komanda, por të gjithë ata, në përfundim të luftimeve u gjetën në vijën e parë të frontit. Kjo, ndoshta, u bë shkak që më pas dibranët të shiheshin me një sy tjetër më të mirë, nga komanda, ndryshe nga më parë, pasi deri para provës që dhanë në luftime, ata shiheshim si të dyshimtë, për shkak të luftës që qe bërë në Fushalie të Dibrës, në korrik të vitit 1944. E thënë ndryshe, luftimet e provokacioneve të gushtit 1949 u bënë shkak që të rehabilitoheshin dibranët.

Në këtë aspekt, ndër më të dalluarit, përveç oficerëve Bajram Hysen Kovaçi e Isuf Daci, nga Grykë-Noka, ai kujtonte edhe Arfi Pitarkën po nga Grykë-Noka, që shërbente në postën e Vidohovës, si dhe të tjerët nga reparte të tjera si Fali Konozi nga Grykë-Noka, i plagosur, Sulë Daci po nga Grykë-Noka, Sali Pana nga Kodër-Leshej që ra dëshmor; të gjithë të dekoruar me “Medaljen e Trimërisë” etj. Ndër shokët dhe kuadrot drejtues të rezistencës kundër agresionit të provokacioneve greke të 2 gushtit ’49, Ademi ruante respekt të veçantë për kolonel Skënder Malindin.

Kjo edhe për faktin se kolonel Malindi, i sapo kthyer nga Akademia Ushtarake e Bashkimit Sovjetik, në vitin 1947, e konsideronte Ademin jo si ushtar të thjeshtë, por si shok, të barabartë me të. Ndaj dhe organizatorët dhe pjesëmarrësit e asaj rezistence të pashembullt ndaj agresionit të monarkofashistëve grekë, meritojnë nderim të veçantë.

 

(Kosova Sot)
19 orë e 53 minuta më parë