CIA: Ja si doli Dushan Mugosha kundër Enver Hoxhës

  • 05 August 2017 - 08:24
CIA: Ja si doli Dushan Mugosha kundër Enver Hoxhës

ANTISHQIPTARI ISHTE ORGANIZATOR I PARTISË KOMUNISTE

Shqiptarët që bashkëpunuan me UDB-në

Të tjerë shqiptarë që bashkëpunojnë me qeverinë jugosllave dhe kanë njëfarë prestigji me autoritet janë Nik Sokoli, Tahir Hoxha, Qazim Lushja, Ferid Maliqi dhe Said Rama

Për shërbimin inteligjent amerikan antishqiptari Dushan Mugosha ka qenë një prej organizatorëve të partisë Komuniste. Ka pasur shumë debate mbi rolin e tij dhe atë çfarë ka bërë në Shqipërinë Komuniste, ndërsa tani edhe CIA ka hedhur dritë. Në një dokument të deklasifikuar për vitin 1952 thuhet se ai ishte pjesë e një lidhje kundër Enver Hoxhës në Jugosllavi dhe punonte kundër regjimit. Po ashtu në dokument janë treguar dhe lidhjet që kishin shqiptarët me UDB, duke përmendur dhe disa emra spiunësh të shërbimit sekret serb. Në disa dokumente të tjera të po kësaj periudhe tregohet dhe për rolin rus në vendin tonë.

Maj 1952

Stërvitjet e refugjateve shqiptarë nga qeveria jugosllave

Aktualisht numri i shqiptarëve që kalojnë nga Shqipëria drejt Jugosllavisë është rreth 30 në ditë. Rajonet kryesore nga ata vijnë janë zona e Shkodrës, Obot (në lumin Bunë), Shirok (liqeni i Shkodrës) dhe zona e Hanit të Hotit, si dhe nga Kukësi, Tropoja, Peshkopia, Zerqani dhe Ohri. Aktualisht në Jugosllavi ka rreth 7000 shqiptarë, rreth 6000 prej të cilëve llogariten si të aftë për aksion ose luftim. Të gjithë e kundërshtojnë komunizmin në çdo formë. Një organizatë pro-Tito e quajtur Lidhja e Refugjatëve Shqiptarë është krijuar me seli kryesore në Prizren, e përbërë nga rreth 200 refugjatë që janë regjistruar ose prej presionit të autoriteteve jugosllave ose nga frika e dënimit, por të paktën 80 prej tyre janë simpatizantë të Titos. Shqiptarët e shumtë që vijnë në Jugosllavi priten dhe trajtohen mirë nga autoritetet, pa dallim anësie politike të tyre, megjithëse nacionalistët shqiptarë priten bujarisht por mbahen më shumë në mbikëqyrje. Në rolet e pritësve janë bashkatdhetarë shqiptarë pro-Tito, të cilët kanë fituar besim të mjaftueshëm në ushtrinë ose qeverinë jugosllave.

Lidhja e refugjatëve

Lidhje e Refugjatëve Shqiptarë në Prizren drejtohet nga Apostol Tenefi, i lindur në Korçë dhe ndjekës besnik i Koçi Xoxes. Por në radhët e Lidhjes po dallohet gjithnjë e më shumë gjenerali Dushan Mugosha, një malazez organizator i Partisë Komuniste Shqiptare atje pasi flet mirë gjuhën shqipe. Një tjetër drejtues i lidhjes është Lutfi Spahiu, një ish-zyrtar i lartë në Prizren, i cili nuk konsiderohet si komunist, por ka simpati nacionaliste dhe besohet se dëshiron të kontribuojë në kauzën shqiptare duke përfituar nga pozita e privilegjuar që ka arritur me autoritetet jugosllave. Në lidhje me këtë ai besohet se ndihmuar tërthorazi shumë shqiptarë që kanë arritur nga kufiri në Jugosllavi. Kol Shiroka, me profesion berber, është një aventurier që ka përfituar personalisht nga komunizmi dhe është ngritur në rangun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Disa agjentë të tjerë pro-Tito të Lidhjes së refugjatëve, të ngarkuar me detyrat e mbikëqyrjes dhe menaxhimit të refugjatëve janë si më poshtë: Major Bajio Xhuhanoviç, më parë organizator politik i lidhjes së Korçës. Ai aktualisht mban një post të lartë në selinë e ushtrisë jugosllave në Beograd. Profesore Rada Simenoviç, këshilltare në Ministrinë e Informacionit Publik për Minoritetin Shqiptar. Ajo udhëton shpesh mes qyteteve Bar dhe Ohër dhe punon me refugjatët shqiptarë gjuhën e të cilëve e flet shumë mirë. Janë disa agjentë të tjerë të UDB të ngarkuar me marrjen në pyetje të refugjatëve shqiptarë në lidhje me situatën politike, ekonomike dhe ushtarake. Në disa raste këta agjentë shoqërojnë grupe nacionalistësh që kalojnë kufirin drejt Shqipërisë me qëllim mbikëqyrjen dhe shoqërimin e atyre që rrezikojnë arrestimin nga qeveria e Hoxhës. Më të njohurit mes tyre janë Staf Lleshi, shqiptar, i dyti në komandë në degën e UDB në Debar. Shefki Lleshi, është komandanti i UDB në Debar. Këta agjentë, bashkë me Ganio Seferin, Xhetan Kaleshi, Ali Daci dhe Refik Kaja, veprojnë në zonën e Ohrit, Debarit dhe Kukësit. Agjentët Nazif Bajrami dhe Shazi Fida operojnë në krahun tjetër të Bunës, në Ulqin, Hani i Hotit dhe Titograd. Të tjerë shqiptarë që bashkëpunojnë me qeverinë jugosllave dhe kanë njëfarë prestigji me autoritet janë Nik Sokoli, Tahir Hoxha, Qazim Lushja, Ferid Maliqi dhe Said Rama. Kurse trajnimi të drejtuara nga zyrtarë të UDB po kryhen në Jugosllavi për liderët e palës shqiptare dhe agjitatorët me qëllim zëvendësimin e qeverisë së Hoxhës, në kohën kur Jugosllavia mendon se kjo do të jetë e mundur, me idenë e përfshirjes së Shqipërisë në federatën Jugosllave. Qendra e trajnimit në Danilovgrad të Malit të Zi drejtohet nga kapiten Pero Musanoviç dhe lejtnant Vido Ivanoviç. Ndërsa qendra e Gucijës, rreth shtatë kilometra larg kufirit shqiptar drejtohet nga kapiten Gjok Masallari. Qendra e trajnimit në Gjakovë drejtohet nga Hysen Prisha deh ka aktualisht gjashtë agjentë në stërvitje. Qendra e Titogradit ka 19 agjentë. Stërvitje guerile po bëhet edhe në qendrën e Mitrovicës në Prishtinë të Kosovës, ku gjithashtu po bëhen dhe kurse parashutizmi.

Mars 1952

Influenca dhe kontrolli i Rusisë

Çdo njësi ushtarake në Shqipëri deri në rangun e regjimentit, kishte një major rus, që vepronte në kapacitet konsulenti, ndërsa të gjitha komandat më të larta kishin më shumë se një këshilltar rus. Ndërsa në institucionet civile, grupet ruse të punës ndaheshin në sektorë politikë, ekonomikë dhe teknikë. Dy sektorët e parë kishin ekzistuar që në fillim, teksa me dominimin teknik të Bashkimit Sovjetik u shtua dhe sektori i veçantë teknik i këshilltarëve. Pas prishjes së BRSS me Jugosllavinë e Titos, sovjetikët dërguan një numër të madh teknikësh në Shqipëri, të cilët tashmë drejtojnë të gjitha projektet madhore të ndërtimit, ato industriale, hekurudhat, termocentralet apo uzinat e tekstilit.

Policia

Ne kemi dalluar dy organizata të ndryshme policore, atë të policisë politike dhe policinë e zakonshme. Policia politike nganjëherë mund dhe të kontrollojë për dokumente identifikimi dhe ka agjentë me veshje civile, për numrin e të cilëve nuk kemi të dhëna. Forca e zakonshme e policisë kanë stacionet e tyre të përmendura zakonisht në fshatra e qytete. Fshatrat zakonisht kanë një polic të armatosur me pushkë. Armët e zakonshme të policisë janë pushkë e pistoleta gjermane e italiane të kohës së luftës, si dhe një sasi e vogël pistoletash ruse. Fshatrat malore kanë një polic vendor që rri me veshje civile. Ata zakonisht nuk dalin jashtë fshatrave. Rezistenca ndaj regjimit Ka grupe aktive rezistence në rajonet në veri të Shkodrës dhe gjithashtu në pjesën jugore të vendit. Këta partizanë janë të armatosur me pushkë dhe pistoleta të marra gjatë fundit të luftës, të vjedhura nga kazermat ose pas vrasjeve sporadike të oficerëve komunistë. Është një fat i njohur se grupet e rezistencës nuk prekin ushtarët por fokusohet te oficerët. Autoritetet kanë reaguar ndaj kësaj duke mbrojtur të afërmit e tyre. Nëse dikush emigronte apo zhdukej, familja e tij dërgohej menjëherë në kampet e internimit. Një pakënaqësi e madhe ekziston në vend në lidhje me shpronësimin e fisnikërisë së krahinave të të gjithë vendit. Përgjithësisht, ata që kanë përfituar poste në regjimin e ri janë të kënaqur, kurse pjesa tjetër është e trishtuar por përveç grupeve të rezistencës askush nuk tregon shenja kundërshtimi.

Tendencat anti-jugosllave

Pas prishjes së Titos me vendet Prosovietike edhe ndjesi në Shqipëri u bë armiqësore ndaj regjimit të Titos, por për shumë shqiptarë ishin rrethanat dhe jo zgjedhja e tyre që i detyroi ta shihnin Titon në mënyrë negative. Shqiptarët duket se e konsiderojnë veten superiorë ndaj jugosllavëve, prandaj dhe nuk ka shumë shenja të mbetura të influencës jugosllave në vend, që prej largimit të teknikëve e këshilltarëve jugosllavë.

Viti 1952

Rëndësia e Shqipërisë

Rëndësia e Shqipërisë në përgjithësi është minimale, po në rast konflikti, ajo mund të ketë nevojë për vëmendje të konsiderueshme, për të përcaktuar qëllimet e armikut në lidhje me të. Por duke pasur parasysh kërkesa më të urgjente në vende të tjera, nuk ka shumë justifikime për harxhimin e burimeve të vlefshme në kohë lufte. Ne mund të përdorim dy ose tre persona që kemi aktualisht, të cilët kanë pasur eksperienca operacionale në Shqipëri, duke u dhënë atyre dhe personave të tjerë me ose pa eksperienca me Shqipërinë, trajnimet e nevojshme.

Mbështetja për misionin ushtarak në kohë lufte

Çdo diskutim i kësaj pike është i vështirë deri sa të njihet lloji i misionit ushtarak në lidhje me Shqipërinë. Por gjithsesi mund të parashikojmë se funksioni ynë do të kufizohet nga natyra e përgjithshme e qëllimeve të armikut në lidhje me Shqipërinë, në vazhdim të të cilit edhe aktiviteti ynë do të intensifikohet. Pas një periudhe të mundshme 24 mujore aktivitetet do të reduktohen pasi edhe qëllimet e armikut me shumë gjasa nuk do të kenë më lidhje me Shqipërinë, siç ndodhi në Luftën e Dytë Botërore ku asnjëra palë nuk kishte çka të fitonte por vetëm mundësi humbjeje të forcës njerëzore ushtarake, prandaj nuk duhen bërë përpjekje për të krijuar baza të mëdha ushtarake apo për të pushtuar e kontrolluar vendin. Misioni ynë me shumë gjasa do të jetë, të paktën fillimisht, përcaktimi i vërtetësisë së hipotezës. Për këtë do të përdoren elementë të inteligjencës së fituar në operacionet e infiltrimit, ato nga ajri apo rrugë të tjera. Meqënëse se kjo është bërë edhe në të kaluarën, përpjekjet tona nuk kanë nevojë për orientime të reja.

Mundësitë e Inteligjencës

Aktualisht nuk ka arsye për të besuar se në kohë lufte Shqipëria do të ishte ndryshe nga ajo me të cilën përballemi tani. Për arsye të pozitës së saj gjeografike, vendi do të luante rol shumë të vogël në një konflikt të ri. Ajo është larg rrugëve kryesore të avancimit të forcave tokësore dhe nuk ka avantazhe të bazave ajrore. Me shumë gjasa do të kontrollohet nga sovjetikët në kohë lufte, por edhe nga ana logjistike është pak e vlefshme pasi nuk ka lidhje madhore rrugore apo hekurudhore me vendet fqinje dhe së fundmi nuk do të ishte logjike që vendet evropiane të tentonin një zbarkim në një vend armiqë- sor dhe mbrojtës të fuqishëm. Për këto arsye, "konfuzioni dhe kaosi" që sjell lufta në Shqipëri do të mungonte, vetëm në rast të ndjelljes së tij nga faktorë të jashtëm. Detyra për nxitjen e kushteve të tilla do të jetë shumë interesante por ky dokument nuk ka si qëllim diskutimin e organizimit të rezistencës, pasi kjo është kompetencë e degës OPC dhe jo OSO. Nevoja e përfitimit nga nxitja e kaosit në kohë lufte mendohet si e njohur por në këtë rast ka shumë faktorë të panjohur që e bëjnë një organizim të tillë jo-praktik për momentin. Në lidhje me këtë duhet të theksohet se Shqipëria mund të konsiderohet si e rëndësishme për rezistencën në kohë lufte prandaj do të ishte e mundur të suplementonim misionet tona të inteligjencës për të kuptuar qëllimet e Bashkimit Sovjetik për rajonin.

Detyrat Operacionale

Sipas kuadrit të përcaktuar, urdhërohet që operacionet e CIAs në Shqipëri të kryhen sipas instruktimeve të mëposhtme Këto detyra operacionale do të reflektojnë kërkesat e vëna mbi CIAn nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Departamenti i Mbrojtjes. Këto do të marrin në konsideratë kapacitetet e CIAs, të interpretuara sipas disa parimeve bazë: a. prioritetet shtetërore tregojnë sesi duhet të vihet theksi i veprimeve. Të mos neglizhohen detyrat e prioritetit të ulët gjatë kryerjes së detyrave me prioritet të lartë. b. Gjatë mbledhjes së inteligjëncës, duke përfshirë vëzhgimet dhe lëviziet e tipit veprues, veprimet duhet të ndahen ngha njëri-tjetri gjatë gjithë kohës, dhe burimet të përdoren sipas radhës së përcaktuar të prioriteteve në politikën kombëtare. Potencialet për agjentë Ekzistojnë kontakte mes disa oficerëve dhe dy anëtarëve të legatës shqiptare në Romë. Disa takime nuk kanë dhënë shumë shpresa për një dezertim të mundshëm, edhe pse njëri ka treguar mundësi të konvertimit. Ekzistojnë mjetet për përgjime audio por infiltrimi i fshehtë në ambasadat e Romës apo Parisit nuk është i mundur aktualisht. Në Paris mund të kryejmë përgjime por personel amerikan nuk ka të gatshëm. Zakonisht në operacione të tilla nevojitet një pikë ndërlidhjeje, dhe jemi të informuar se mund të ketë komplikime. Ndërsa në Romë kemi pajisjet dhe personalin por për arsye të prioritetit të ulët të caktuar për Shqipërinë, në krahasim me zona të tjera, ka pak shanse të shfrytëzimit të tyre. Zakonisht kërkimi i agjentëve kushtëzohet nga mungesa apo lindja e mundësive të rastit. Ne do të vazhdojmë të kërkojnë dhe të shrfrytëzojnë çdo mundësi që do të lindë.

Punime fortifikimesh në Shqipëri Janar 1950

Zonat e Tomorrit, Lubash, Kapinovë janë tashmë të mbyllura për të gjitha lëvizjet dhe për të gjitha qëllimet. Ka pasur përshpejtime të dërgesave të materialeve për këtë zonë, si për shembull më 4 maj 1949 herët në mëngjes, rreth 29 kamionë me materiale kaluan përmes Beratit në drejtim të Çorovodës. Të gjitha mjetet ishin ushtarake dhe pranë shoferëve ishte ulur një zyrtar i sigurisë. Përveç kamionëve të mbuluar kishte dhe nga ata me kabllo elektrikë, që kanë udhëtuar vetëm natën. Postblloku i parë në rrugën Berat- Çorovodë është instaluar në Urën "Revolucioni Proletar". Që është rreth 300 metra në jug të Beratit. Postblloku i ardhshëm me personel të sigurisë është Quhajezi, që është një fshat i vogël me tre ferma (kooperativa?) nga i cili banorët janë larguar. Ai ndodhet rreth 7 km në jug të Beratit. Në Berat ka dy pompa nafte, një prej të cilave shërben ekskluzivisht kamionëve që lëvizin në drejtimin Berat-Vertop. Kjo pompë lëshon rreth 650 litra karburant në ditë. Distanca mes Beratit dhe Vertop është 17 km.

Fortifikimet në Lumin Mat

Mati kalon përmes zonës Plana-Milot dhe ka një urë 1300 metra që kryqëzon lumin pranë maleve Plana e Milot. Kjo urë është ndërtuar në 1925 dhe është quajtur me emrin e mbretit Zog, por tashmë quhet Ura e Matit. Mali Plana në veriperëndim të urës është 500 metra i lartë dhe ka fortifikime nëntokë- sore me pozicione armësh të rënda që shikojnë nga veriu. Fortifikata ka dy hyrje. Fortifikime ka gjithashtu në malin e vogël Maja Kunora, rreth 200 metra i lartë. Fortifikimet shikojnë nga fusha e Lezhës. Fshati Rubik ndodhet në bazën e këtyre maleve, zona është e minuar dhe atu gjendet dhe një kamp për guerrilët. Mali Maliot në juglindje të urës është 600 metra i lartë. Këtu ka fortifikime të nëndheshme të nisura që në vitin 1931. Njëra hyrje është në anën jugore, rreth 200 metra larg fshatit Milot dhe tjetra në rrugën Tiranë- Shkodër.

(Kosova Sot)