< Dosja hetimore ndaj poetëve Leka e Blloshmi, historiani: U mor nga Arkivi kundër rregullave - Dossier - Kosova Sot
Dosja hetimore ndaj poetėve Leka e Blloshmi, historiani: U mor nga Arkivi kundėr rregullave

Dosja hetimore ndaj poetėve Leka e Blloshmi, historiani: U mor nga Arkivi kundėr rregullave

Një miku im, kureshtar për çështjet arkivore më dërgoi sot kapakun e një dosjeje hetimore-gjyqësore shoqëruar me pyetjen në janë apo jo këto lloj dokumentesh informacione të klasifikuara sekret shtetëror. Ishte fjala për dosjen hetimore-gjyqësore, në ngarkim të poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmit, Bedri Blloshmit, etj, e cila iu dhurua para disa ditësh djalit të Gencit, pavarësisht se ky i fundit asnjëherë në këto vite nuk ka treguar interes për të.


U habita teksa në kapakun e dosjes vërejta një vulë me shënimin “deklasifikuar”. Gjej rastin kësisoj, që mikut dhe publikut t’i jap informacionin e mëposhtëm.


Kjo dosje, pjesë e fondit prej më pak se 14 mijë dosjesh të fondit hetimor-gjyqësor të Arkivit të Sistemit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka qenë dhe është lirisht e shfrytëzueshme. “Deklasifikimi” i kryer nuk e di për çfarë arsye nga Autoriteti “për hapjen e dosjeve”, jo vetëm është veprim i kotë, por dëshmon më së miri mosnjohjen e legjislacionit për arkivat dhe informacionin e klasifikuar sekret shtetëror.
Dosja është e njëllojtë me çfarëdolloj dosje hetimore-gjyqësore në Shqipëri, të cilat gjenden në gjykatat e vendit, pavarësisht natyrave të çështjeve. Sigurisht edhe këto dosje nuk janë të klasifikuara sepse nuk mund të jenë të tilla pasi janë procese publike. Dosja e poetëve është marrë nga Arkivi (pjesë e së cilit është ligjërisht) në kundërshtim me rregullat arkivore, duke dalë nga njësia e ruajtjes duke bërë xhiro dhe tani po i tregohet publikut si “dosje sekrete”.
Autoritetit, çdo dokument i kohës së komunizmit i duket sikur vjen nga Sigurimi, madje për dosjet hetimore-gjyqësore, në ligjin e tyre kanë vendosur edhe një përcaktim të çuditshëm që nuk shkon as nga ana gjuhësore dhe as nga ajo ligjore, “për sa kohë qëndrojnë te Sigurimi” (nuk e kam kuptuar asnjëherë se ku është ky Sigurim imagjinar, sepse dosjet qëndrojnë në arkiv e jo në Sigurim).
Procesi hetimor-gjyqësor ka qenë një proces publik dhe jo agjenturor-operativ. Konkretisht dosjen e kanë përgatitur hetuesit e Librazhdit në varësi të Drejtorisë së Hetuesisë në MPB, Gjykata e Librazhdit në varësi të Gjykatës së Lartë dhe Prokuroria e Librazhdit në varësi të Prokurorisë së Përgjithshme. Pra me gjithë dëshirën e pafund për të parë Sigurim gjithandej, kjo dosje nuk lidhet fare me Sigurimin.
Tani të vijmë te niveli i klasifikimit. Komisioni për Deklasifikimin dhe Zhvlerësimin i Informacionit të Klasifikuar sekret shtetëror në Ministrinë e Brendshme nuk i shqyrtoi asnjëherë për deklasifikim këto dosje, pasi në masën 99.99% nuk u konstatua se në to kishte dokumentacion të klasifikuar.
Nuk përbëjnë arsye për deklasifikim dhe nuk janë shenja klasifikimi kapakë dosjesh dhe fletë inventari të shtypura standard në shtypshkronja. Që një dokument të jetë i tillë, duket që në çdo akt të hetuesisë, vendimmarrje administrative dhe vendim gjykate, të jenë të vendosur krahas datës, në mënyrë të qartë edhe nivelet e klasifikimit (të kohës): tepër sekret, sekret dhe SRV (sekret i rëndësisë së veçantë).
Konkretisht te ky fond janë sekret vetëm disa fletë lirime të të dënuarve (që përbëjnë rreth 0.001% të dosjeve), të cilat janë trajtuar nga dispozitat e ligjit nr.9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë nga regjimi komunist”, si dhe mund të ndodhet ndonjë material operativ i rastësishëm (që mund të përbëjë rreth 0.001% të dosjeve). Thënë ndryshe, fondi nuk paraqet probleme që lidhen me sekretin shtetëror.
Deri në vitin 1999, për informacionin e klasifikuar, shërbente si bazë ligjore VKM-ja, nr.243, datë 27.8.1982 “Për ruajtjen e sekretit shtetëror”. Ndonjë dispozitë në fundin e kësaj VKM-je mund të interpretohej në mënyrë abuzive. Por, me daljen e ligjit nr.8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, ndryshuar me ligjin nr.9541, datë 22.5.2006″, për klasifikimin origjinal dhe deklasifikimin zbatohen vetëm dispozitat e këtij ligji. Ky nuk i jep asnjë kompetencë Autoritetit “të hapjes së dosjeve” të jetë autoritet klasifikues e për rrjedhojë nuk mund të jetë as deklasifikues.
VKM-ja nr.124, datë 15.3.2001 “Për deklasifikimin e zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar sekret shtetëror”, që ndodhen në rrjetin kombëtar të arkivave”, në nenin 1 të saj e përcakton qartë që “në rrjetin kombëtar të arkivave, të ngrihen Komisionet për Deklasifikimin dhe Zhvlerësimin (KDZH) të informacionit të klasifikuar sekret shtetëror, i cili përfshihet në çfarëdolloj fondi dokumentar”. Këtë të drejtë ligji ua njeh autoriteteve klasifikuese (që kanë edhe arkivave sistemi) si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Edhe vetë ligji i krijimit të Autoritetit “të hapjes së dosjeve”, nuk ka asnjë dispozitë që parashikon të drejta deklasifikuese të këtij institucioni.
Po ashtu e gjej me vend të theksoj se personat që kanë ushtruar detyrat e oficerit të Sigurimit, etj, si persona që kanë ushtruar gjenocid, nuk mund të mbrohen nga asnjë lloj veprimi apo propagande se gjoja emrat e tyre qenkan të “dhëna personale”. Nuk e di kush e këshillon Autoritetin të bëjë avokatinë e kësaj kategorie, shpresoj jo oficerët e Sigurimit, ndoshta janë arsye të tjera, por e sigurt është që ligjet ndërkombëtare që ka nënshkruar Shqipëria për dënimin e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit nuk mund të parashkruhen e mbulohen, aq më tepër në këtë formë.

(Kosova Sot)

10 orë e 1 minuta më parë