“Historinë e bëjmë ne!”/ Ja çfarë i bënë komunistët historianit shqiptar - Dossier - Kosova Sot
“Historinė e bėjmė ne!”/ Ja ēfarė i bėnė komunistėt historianit shqiptar

“Historinė e bėjmė ne!”/ Ja ēfarė i bėnė komunistėt historianit shqiptar

Atë Marin Sirdani, i pagëzuar në lindje me emrin Gjeto, lindi në një datë të panjohur në vitin 1885 në Bogë. Ishte vëllai i dom Aleksandër Sirdanit dhe pas vdekjes së prindërve, u rrit nga një hoxhë i cili, kur fëmijët mbuhsën moshën, i dërgoi të studionin në shkolla katolike në Shkodër, Aleksandrin tek Kolegji Saverian ndërsa Gjeton te Kolegji Illyricum (françeskan) ku pasi u shugurua meshtar mori emrin Marin.

Pasi studioi në Ausitri, u kthye në Shqipëri ku u shugurua meshtar në vitin 1909. Shërbeu si fammullitar në Kthellë, Pishkash e Bazë pranë Burrelit e Matit.

I’u përkushtua studimeve të historisë dhe ishte nxënës i atë Shtjefën Gjeçovit. Për të shkruan atë Zef Pllumi në librin “Françeskanët e Mëdhaj”:

Përveç bibliotekës së vet, ai kishte mundësi të shfrytëzonte bibliotekën tepër të pasun të At Shtjefën Gjeçovit si edhe atë ma të madhen “Bibliotekën Françskane”, ku gjindeshin të gjitha veprat e studimet mbi popullin shqiptar. Ajo ishte aso here ma e mira bibliotekë e albanologjisë në Shqipni. At Marini ishte nji njeri studiues, i cili nuk kënaqej vetëm me burimet historike, por nga ato nxirrte konkluzionet e veta shkencore. Shi për këtë arsye veprat e tij kanë, dhe gjithnji marrin vlera të pashlyeshme shkencore.

Në të gjithë jetën e revistës “Hylli i Dritës” mund themi se At Marini kje bashkëpunëtori ma i rregullt, tue trajtue probleme nga ma të randësishmet të historisë sonë kombëtare e kishtare. Nga të gjithë këta artikuj un kam pregatitë për shtyp Veprën madhore të At Marin Sirdanit, e cila përmban faza të ndryshme të historisë sonë kombëtare.

Në vitin 1944 e gjithë veprimtaria e tij u pezullua për shkak se regjimi komunist mbylli revistën “Hylli i Dritës” e pak ma vonë edhe liceun “Illyricum” të françeskanëve. At Marini aso kohe ishte drejtor i Kolegjës Françeskane, e cila u mbyll në fillim të vitit 1946. U vendos bashkë me ne në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Aty të gjithë pritnim si qingji te kasapi se çdo të bahej me ne.

Po aso here At Marini ndodhej në gjendje ma të favorshme se ne klerikët e tjerë, sepse Tuk Jatkova, anëtar i Byrosë Politike dhe zv/kryeministër, kishte shfaqë me shokët e vet simpati e mirënjohje për mësuesin e ij të fmijënisë, i cili në këshillin shkollor, insistonte që të kalonin gjithë nxanësit fukarej, mbasi nuk kishin për t’u ba kurr burra shteti, për me drejtue fatet e popullit.

Jo vetëm me nxanësit tregohej i butë e i mëshirshëm, por edhe me të gjithë të vorfnit e punëtorët shprehte nji dashuni, që i kalonte kufijtë e mundësive ekonomike të Urdhnit Françeskan, aq sa shpesh superiorët ose kolegët i thonin: “At Marin na nuk mund i mbajmë të gjithë të vorfnit e tokës”. E ai përgjigjej: “E kam provue vetë në shpinën teme, e sikur mos t’ish kenë njeri i Zotit ai hoxhai Gucisë, që mëpruni si jetim në Kolegjin Françeskan, ndoshta nuk do të kishem pasë kurrnji gëzim në jetë. Prandej gjithmonë përpiqem me u ba mirë, ndoshta tue mbetë keq edhe vetë”.

Mbas sekuestrimit të Kuvendit Françeskan të Gjuhadolit, me 11 dhetor 1946, të gjithë fretnit e tjerë u burgosën nën akuzën e “fshehjes së armëve në kishë” ose disa prej tyne u shpërndanë pranë familjeve të veta. Ndërsa At Marin Sirdani dhe At Pashko Bardhi shkuen te Kuvendi i Arrës së Madhe, në periferi të qytetit.

Bisedimet Tuk-Marin ishin shumë të gjata e të vështira dhe sado miqësi që kishin midis tyre, u pa se ata nuk do të përfundijshin kurrë. Prandaj shefi i madh i komunizmit shqiptar, i tërbuem nga kjo qëndresë e klerit, që mbas gjithë atij kërbaçi që kish pësue në ato tre – katër vjet, nuk pranonte as metodën e butë, vendosi burgimin e Atë Marinit, i cili për më shumë se dy vjet u mbajt në izolim të plotë në një ndër birucat e Tiranës

Gjatë kësaj kohe Enveri i nguli edhe të parën thikë mbas shpine “shokut të ngushtë të armëve” Tuk Jakovës, tue e shkarkue nga Byroja Politike e Partisë dhe tuj i kërkue që të bante nji “autokritikë serioze”, sepse “kishte reaguar dobët me klerin katolik”.

Mbas ndonji viti tjetër At Marinin e liruen, por tashma ai ish i plakun e i randuem shumë keq në shëndet. Në Kuvendin françeskan të Arrës së Madhe në Shkodër, dha shpirt mes kolegëve, nxanësave e vllazënve të vet.

Ai la pas studime të shumta të cilat u mblodhën për herë të parë nga Atë Zef Pllumi në vitet e tij të fundit dhe u ndanë në disa vëllime të cilat akoma edhe sot presin të botohen të plota për t’i dhënë historisë shqiptare një tjetër aset të çmuar.

(Kosova Sot)

14 orë e 41 minuta më parë