Varrimi tradicional/ Kur shqiptarët e Thethit kërcenin afër vdekjes (Foto)

  • 21 September 2017 - 09:59
Varrimi tradicional/ Kur shqiptarët e Thethit kërcenin afër vdekjes (Foto)

Dr. Raimer Shulc (vd. 1941) ishte antropolog gjerman. Në vijim të punës së antropologut amerikan Karlltën Kun (Carleton Coon, 1904-1981) në vitet 1929-1930, Shulci kreu hulumtime shkencore të antropologjisë fizike në malet e Shqipërisë së Veriut.

 

Në vitin 1937, ai mori pjesë në një ekspeditë gjermano-italiane në Theth të Dukagjinit në emër të një ashtuquajtur Enti Rajonal i Tyringisë për Çështje Racore (Thüringisches Landesamt für Rasseëesen) në Vajmar, shkruan Mapo.

Gjatë një qëndrimi të gjatë në Theth, mati dimensione të trupave të banorëve të luginës së Shalës në kuadrin e degës shkencore të antropometrisë, e cila në atë kohë ishte mjaft e ndikuar nga ideologjia fashiste dhe më vonë ra pak a shumë në harresë.

Gjatë hulumtimeve në Dukagjin,  Shulci bëri edhe mbi dyqind fotografi të nxënësve të shkollës dhe foto të tjera. Koleksioni i tij u dhurua një arkivi në Hale (Halle) por, siç duket, u zhduk gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ato që kanë mbetur nga vepra e Rajmer Shulcit janë disa fotografi të pakta të një varrimi tradicional në Theth që ai i botoi në revistën e Lajpcigut Atlantis (vëll. 10, 1938, f. 257-259) dhe që paraqiten këtu. Rajmer Shulci kishte ndërmend të plotësonte punën e tij antropologjike me një udhëtim të dytë në Theth dhe kishte filluar të mësonte shqip, por ndërkohë erdhi Lufta e Dytë Botërore.