Letra e 1950/ Prifti pukjan, pse Fan Nolit i hyri “fort në zemër” Rusia me komunizmin

  • 29 July 2015 - 15:09
Letra e 1950/ Prifti pukjan, pse Fan Nolit i hyri “fort në zemër” Rusia me komunizmin

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”

 Në dy letrat e mëposhtme mes Mustafa Krujës dhe At Paulinit shihet një përpjekje për të hedhur dritë mbi figurën e shumëdiskutuar të Fan Nolit, sidomos enigma që e lidhte atë me Rusinë komuniste. Kruja i përgjigjet letrës, duke bërë një nga profilet më të plota dhe interesante mbi Nolin, përshkruar në të gjitha anët e tij, si politike ashtu dhe atë fetare, pse ai u shugurua prift. Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.

“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11-vjeçar nga vende e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***

BOLZANO, me 1 qershuer ’50

Shum i Ndershmi e i dashtuni Mik,

Dje mora letren e gjatë t’Uejen e mejherë po U shkruej letrën t’eme. Heren tjeter pata harrue me T’i pergjegjë njaj pvetje qi më bajshi në fund të letres. Tue kenë kjo pvetje në faqen e mbrame krejt në vedi, ndersá po shkruejshem letren, më duel sysh e e harrova.

“A ké pergatitun ndoj farë planit per këto studimet t’ua?”. Vetë kam në mend me u kthellue pernjiherë në ket pikë: Shqypnija në relacjon me çashtjen orientale, tue nisë që prej kohës kur Greqija duel shtet në vedi e deri sa Shqypnija u proklamue shtet në vedi, në 1912. Per tash nji herë kam vetëm kta në mend. Per historín e vjetër shqyptare nuk e ndiej vedin t’aftë me i a hî. Duhet me kenë njeri krejt i ri e mos me pasë tjeter punë a detyrë tjeter për me mujtë (njeri) me i a nisë nji të tillë pune.

Thoni në fund të letres: “u gzova fort per rregullimin e plotë të pasaportës”. Ndieni se shka më ka ndollë! Njikohsisht pata lypë visto per Svicer e per Austrí. Në Svicer lypa vetëm 15 dit. Vetë dojshem me shkue atje vetem sa me lypë ndoj ndihmë per studimet e mija n’Austrí. Ju e dini se n’Austrí nuk e kam ashtu kollaj jetesen. Un due me shkue n’Austrí e me u vû mish e shpirt me punue per Shqypnín t’eme. Po, por kjo nuk hecë ashtu pa tjeter, po nuk pat njeri se si me e pague jetesen e banesen në nji kuvend të huej. Edhe nuk do të çuditeni per ket punë. Na si freten e kena kudo deren çilë nder kuvende t’ona. Mirë, por kta s’don me thânë se na mund të shkojm në çdo kuvend të botës e mund të vêhemi me punue shka të na két né qefi e njiherit me jetue në kuletë të atij kuvendi. Seicilli kuvend ka ekonomín e vet. Kur të shkoj vetë në nji kuvend t’Austrís, nuk kam me mujtë me u ndalë aty vetem tue zhbubrrue arkivat e bibliotekat e gjytetit mbi shka ato permbajnë per historín e atdheut t’onë të dashtun, punë e bukur kjo per né shqiptarët, por prej së cillës kuvendi, ku vetë jetoj, s’ ka as nuk pret asnji dobí. Po deshta vetë me punue i patrazuem prej kurrkuj vetem e vetem mbi historín t’onë, më duhet me pasë mjete, per me shperblye buken qi há në shpí të huej, mbasi në ket rasë çdo kuvend, edhe fretensh, âsht njisoj si çdo shpí tjeter e huej, kurse na mos të punojm per interesë t’atij kuvendi, por n’ interesë t’onen. Kjo kje arsyeja pse vetë dojshem mâ parë se në Austrí, me shkue në Svicrën e pasun, me shpresë se do të gjejshem ndoj ndihmë nemose sa per vjeten e parë të banesës seme n’Austrí. Po, por Svicera neutrale nuk m’ a dha viston. Duket se Svicerjant po kan frigë se vetë po i u furem mbrendë e nuk po dal mâ prej Svicret. Kjo punë më ka prishë s’ ka mâ fort ato projektet e mija.

Sidoqi kjoftë n’Austrí do të shkoj. Auktoritetet e saja m’a kanë dhânë pelqimin mejherë qi vetë të shkoj atje; veçse mund të ndalem vetem në zonën anglo-amerikane. Zona franceze âsht e perjashtueme, tue kenë se francezët nuk e njofin ket pasaporten Nansen. Mjerisht edhe Ëien âsht e perjashtueme, tue kenë aty të kater shtetet e mdhaja – edhe Rusija me to. Auktoritetet aleate ushtarake në Romë më kanë thânë se apin leje vetem per zonen anglo-amerikane, kshtu qi mue ka me m’u dashtë me u përqandrue në Graz. Deri me 15 Korrik nuk mund të nisem prej Bolzanos. Se sa do të kémi me mujtë me u ndalë n’Austrí, nuk mund t’a parashof as vetë. Kta mvaret krejt e vetem prej shka Të tfillova sypri.

Të kthejmë tash te pikat t’ona historike. Më ka interesue tek s’ve mâ sidomos shka ju shkrueni mbi historín e nacjonal-çlirimtarvet. Mbi ket politiken e Fan Nolit nuk kam pasë dijtë kurrgja, as nuk e kam pasë kuptue arsyen pse Opozita mbas gjashtë muejsh regjimit pat kenë shpartallue prej Zogut në dhetorin e 1924. Vetem sa per rrshit më bjen nder mend se ata të moçemt na kanë pasë kallxue se Fan Noli e qeverija e tij patën kenë vû në të perpjekun me Rusín komuniste, por se kta e kanë pasë punen aq trashë me Moskë, s’më ka pasë tokue kurr me e ndie.

Prandej në letren e ardhshme bani mirë me më diftue prap mâ gjatë mbi Fan Nolin. Prej kah vjen qi atij i ka hî aq fort në zemer Rusija me komunizëm? Athue âsht se ai don me u ba papë i ortodoksve në Shyqpní, apo si do të kuptohet gjithkjo dashuní e tija per Rus? Në politiken qi paska pasë ndjekë Opozita a âsht vetem Fan Noli qi e ka pasë pergjegjsín në politiken e jashtme per t’ u ndjekë, apor kanë pasë edhe tjerët – si p.sh. Luigj Gurakuqi – ndoj send per të thânë. Si kje e mundun qi opozita nuk desht me u marrë vesht me Italí ase nemose me ndoj tjeter shtet okcidental, por shkoi e i rá në dorë shi Rusís komuniste? Kta më çuditë tejet, mbasi e dij se në Opozitë kanë marrë pjesë mezja e Shqyptarvet t’at hershem, e sidomos më çuditë fakti se françeskajt e kleri katholik pergjithsisht kanë pasë lujtë nji rol mjaft të madh n’Opozitë. Si e gjykoni Ju Fan Nolin si personë?

Edhe per Kliken e Eshref Frashërit m’intereson me dijtë ndoj send mâ gjatë, mbasi kjo gja âsht krejt e re per mue.

Tash nji pvetje tjeter. Kemi pasë folë kúr kjém ndeshë s’parit para mâ se trí vjetve në St. Jakob mbi shamjet e Serbvet kundra Shqyptarvet. Më bje nder mend se më keni pasë kallxue se si Ju kishi pasë kenë perpjekë nji herë në Jugoslaví me nji msues ose nji tjeter, i cilli u kishte pasë thânë dishka, qi nuk më bjen në mend taman se shka, per at shamjen se gjoja Shqyptarët janë me bisht etj. Tue mos më rá mirë nder mend se si m’a keni pasë diftue at herë krejt punen, kishe me u dashtë t’U lutem të m’a diftoni tash me leter. Po kje se dini edhe të tjera kso shamjesh serbe kundra nesh, mos e leni pá m’ i diftue. Kto monstruozitetet qi kanë sajue Serbët kundra Shqyptarësh m’interesojn fort.

GJUHESI: 1) “Tirana ishte kushtue me u ba qendra e veprimtarís komuniste në Balkan”. Në vend të ksaj fjale vetë do të kishem shkrue: “Caktue” apor “shenjue”. Si vjen kjo fjala “kushtue”?

2) “Parota perbâhet prej lasvet popullorë”. Shka âsht e prej kah vjen kjo fjalë?

Nuncjata âsht taman si e thotë populli i Shkodrës. Perndryshej mund të thohet edhe “Anuncjata”. Shqypes i pershtatet mâ mirë me e lanë jashtë á-n e fillimit.

Shka don me thânë se letrat t’Ueja kajherë vín të cenzurueme e kajherë jo. Teksti i letrave vjen perherë i pacenzuruem, por veçse shihet se zarfin e kanë çilë. Por kta ndodhë jo gjithmonë. Kjo letra e mbrame kje e çilun, tjetra qi mora para ksaj jo, si âsht per t’u spjegue kjo punë?

Shum shndet nga zemra U dergon

Miku i juej

  P. Margjokaj ofm

Ramleh (Aleksandrí), 6. VII. 1950

Nga pyetjet qi më bâjshe ksaj here po të përshkruej në pak fjalë Fan S. Nolin, ashtu si kam mujtun t’a njoh vetë nga përpjekjet direkte qi kam pasun me tê e prej veprave të tija.

Noli ka lemë në nji katund të Thrakës afër Edrenes (Adrijanopullit). Në mos gabohem atje, së paku n’atë kohë kur ka lemë Fan Noli, ndërmjet 1880-s e 1885-s, kanë qênë dy katunde Shqiptarësh, mbi origjinën e historín e të cilvet nuk dij kurrgjâ. Nolin un fillova me e njohun për së largu e vetëm me emën mbas shpalljes së kushtetís (Costituzione), dmth. të regjimit kushtetuer tyrk në 1908. Fan Noli gjindej në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës, në Boston, asokohe, e ishte prift orthodoks kundra patrijarkís greke e për nji kishë autoqefale shqiptare, natyrisht orthodokse. Nuk dij me çë datë ka shkue në Amerikë. Dij, veç, qi prift e ka shugurue (consacrato) nji peshkop rus, mbasi me kishën greke ishte në luftë qyshë para se me u bâmë prift. Fan Noli s’kishte vokacjon shpirtnuer, kishte lemë orthodoks dhe urrente kishën greke thjesht nga pikpamja politike si Shqiptar. I a muer mêndja se si prift lufta politike e tij kundra hellenizmës së patrijarkís do të kishte mâ shumë fuqí mbi turmën orthodokse të mërgimtarvet shqiptarë t’Amerikës dhe ndër sy t’opinjonit botuer. Prandej vëndoi me u bâmë prift. Ka qênë themeluesi kryesuer ase nji ndër themeluesat kryesorë të shoqatës Vatra e të gazetës Dielli. Kjo gazetë qe themelue në 1909, njikohsisht me gazetën Shkopi n’Egjypt, si reakcjon kundra nji artikulli qi pat shkrue Mid’hat Frashëri në fletoren e tij shqip qi nzierte në Selanik, në të cilin artikull ai profanonte flamurin shqiptar tue e quejtun nji “copë lëvere” e “lëvere e ndyrë” madje. Rasa pat qênë kjo: Dervish Hima, nji propagandist i vjetër i idés kombtare, kishte vojtun në Shkodër me nji flamur të Shqipnís palosun në gjî për propagandë të nji Shqipnije mbë veti. Atje dikush e tradhtoi, nuk dihet se kush, por natyrisht ndonji fanatik in buona fede i Baba Dovletit. E kapën Zhön-Turqit, rregjim’ i asaj kohe, e e çuen në gjyq ushtarak për tradhtí të naltë. Puna u rrit tepër, rinij’e asaj kohe, pra e kohës së rinís s’eme, u trazue kudo qi kishte grumbuj të rijsh intelektualë shqiptarë: Stamboll, Selanik, Monastir et. Mid’hat Frashëri, funkcjonar i Portës në Selanik e themelues e drejtor i gazetës Liria (qi për tê donte me thânë lirí individuale, lirí prej absolutizmës mbretnore, regjim kushtetuer e jo lirí kombtare) shkroi, si thashë, nji kryeartikull komentues mbi incidentin në fjalë ku thonte se Shqipnija s’ka pasun kurrë e s’kishte pra as atëherë flamur të vetin veç atij të mbretnís s’Osmanit, se ai qi i ishte zânë Dervish Himës s’ishte veçse nji copë lëvere. Ky pohim i Mid’hatit e çoi trazimin e të rijve e të kolonive shqiptare në kulm, u themelue Dielli i Bostonit e Shkopi i Kajros nergut për të luftue kundra “tradhtís” së “tradhtorit” N. 1 të kombit shqiptar qi kishte fye symbolin e shênjtë të shqiptarís, shpirtin e Skanderbegut et.

Fan Noli e shkeli tokën shqiptare, në mos u rrêjsha, për herë të parë në jetën e tij, kúr duel Shqipnija mbë veti, vonë nën Princ Wiedin. Në Vlonë te Ismail Kemali, sa kam qênë un atje prej 28 nandorit 1912 e deri aty në verën e 1913-s s’e mbaj mend qi të ketë pasë ardhun. Nuk dij se në ç’datë qe bâmë peshkop, gjithmonë atje në Boston, prej kishës ruse, në krye të gjithë lëvizjeve kombtare t’ asaj kolonije.

Në 1921 e zgjodh Korça deputet të vetin në të parin parlament të rregullt shqiptar. Këtu u bâ kryetar i Partís Popullore qi përmblidhte në gjî të vet gati të tânë deputetnit e Jugës e prej Veriut vetëm disa kokrra si Ahmet Beg Zogun, ish Ministrin e Mbrendshëm të qeverís së Sulejman Beg Delvinës, zgjedhun prej Kongresit të Lushnjes, Rexhep Mitrovicën, Kolë Thaçin e Patuk Saraçin; prej myslimanvet shkodranë më duket se ka qênë Halid Roi, deputet i zgjedhun me përkrahjen e Musa Jukës, pra partizan personal i Zogut. Përballë Partís Popullore. qi për prjerrje politike përbânte të mângjëten e parlamentit, qëndronte Partija Përparimtare qi përbânte të djathtën me tendenca konservatore. Kjo kishte mbrênda gati të tanë deputetnit beglerë si Vërlac me shokë. Shumic’ e deputetve të Shkodrës, me Luigj Gurakuq e P.Gjergj Fishtë në krye përbâjshin nji grup ndërmjetës mbë vete. Edhe un ishem përzie ndër ta.

Mû në këtë perjodë, t’influencuem kryesisht prej Fan Nolit, orthodoksija shqiptare shpalli autoqefalín e vet e emnoi këtê për kryetar të kishës orthodokse shqiptare. Natyrisht Fan Noli mbet se mbet gjithnji edhe deputet.

Mejherë mbas luftës botore, qyshë në 1919, ishte formue në Shqipní nji komitet i fshehtë me emnin Krahu Kombtar prej nji grupi të vogël jugorësh, ku rolin kryesuer e luejshin Eshref Frashëri e Sejfì Vllamasi si edhe nji farë Rexhep Agopashiqit, podgoriçan prej origjine, mitrovicár për qytetarí adoptive të t’et a të gjyshit e prandej i njohun si Rexhep Mitrovica, shkupjan me banim familjar qyshë prej t’et e zhön-tyrk për edukatë e frymë politike. Koncepti pragramatik i tyne ishte: “Gegnija âsht nji grumbull fisesh primitive nën influençën personale të parís shekullore klerikale, vetëm Tosknija âsht popull e e pjekun nga pikpamja shoqnore e politike, prandej e gatueme për t’a sundue e çue përpara vêndin në jetën shtetnore.” Por e kuptojshin se nji programë me këtë frymë s’kishte si me u zbatue pa komplicitetin e disa elementave gegë. Këndej rridhte orvatja e tyne me rekrutue sa mâ shumë elementa gegë të tërhjekun me premtime e sigurime interesash ase me propagandë të përshtaçme me mendsín ase sympathít e antipathít personale të secilit. Kështu e kupton tash aderimin e typave si Kol Thaçi e Patuk Saraçi në Partín Popullore, ku rolin kryesuer e luente shi Krahu Kombtar, qi mâ vonë u vulos prej kundrështarvet e muer famë me ofiqin “Klika”. Mirpo edhe kaqë po e shihshin mirë se s’mjaftonte; burra si ata Gegë qi kishin mujtun me shti në dorë aty-këtu s’e kishin atë puls qi duhej për t’u ndihmue me i zbutun “egërsinat” e Gegnís, me i bâmë “popull”, me i rrafshue me Tosknín e shtrueme qyshë me kohë prej sundimit tyrk, me i shpëtue prej influencës personale të krenvet e të klerit. I a vênë gishtin dý personave : Ahmet Zogu e Mustafa Kruja. Njani prej ksish u duket i domosdoshëm. Bisedime mbas bisedimesh në gjî të komitetit, optojnë për Ahmet Zogun. Ky për ta ishte “malok” e “ignorant” e prandej ishte mâ lehtë me e mashtrue e me e bâmë vegël. Kishte dhe nji influencë personale të trashigueme për t’a vûmë në dispozicjon të tyne. Edhe Ahmet Zogu, me inteligjencën e tij të rafinueme e kupton në flakë (të pushkës) se ishte tue i ramë në dorë nji okazjon tepër i favorshëm për realizimin e planeve të tija ambicjoze, qi s’kishte për t’a gjetun mâ kurr. E rroku at’ okazjon me të dý duert e hýni në Klikë.

Kur them pra se rolin krysuer në Partín Popullore e luente Klika, l’ Eminenza grigia e ksaj ishte Ahmet Zogu, me këtë ndryshim qi Tremblay-i shqiptar kishte nji eprí squetije të pakrahasueshme ndaj shokët e tij. Për do kohë u suell me ta për faqe krejt i urtë e i butë, i përvûtë e i shtruem vullnetit të tyne. Por tue u shtue e tue u zgjânue fuqij’ e tij me atë shpejtí qi i përmetojshin rasat e jashtzakonshme t’asaj kohe e ai vinte gjithnji tue u emancipue prej zinxhirve të shokvet të vet. E kur mbërrinë këta me e kuptue se ç’farë “maloku” e “ignoranti” kishin shti në gjî të vet për t’a bâmë vegël, i a nisën me u përpushun, por… ofshé për ta, tepër vonë. Kishte hymë kaherë Kurti në Kavajë e s’kishte burrë mâ qi e nxirte!

1923-shi e gjet pra situatën politike të Shqipnís krejt të ndryshueme. Në të katër anët e Shqipnís nji emën ushtonte përmbi të gjithë tjerët : Ahmet Zogu. U bânë zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues. Zogu ndodhej atëherë Ministër i Mbrêndshëm, ende formalisht pjestar i Klikës. Shokët e vet nëpër Partín Popullore, e detyruen me e lëshue atë vênd gjatë zgjedhjeve e me i a lëshue nji tjetër kolegu të kabinetit si zevêndës. Edhe ai as qi i pa të nevojshme me bâmë ndoj kundrështim të fortë, mbasi makinën elektorale e kishte tashmâ të ngrehun mâ së miri. Por ky ndryshim i përkohshëm i dha tash rasë me dalë për të parën herë për fushë si Ahmet Zog, me nji manifest elektoral të venë drejtue gjithë popullit shqiptar e me kandidatë të vet. Ndër zgjedhje duel fitues me mâ të fortin grup parlamentar kundrejt secilit grup tjetër mbë veti. S’kishte mâ partina, por nji Ahmet Zog me grupin e vet e grupe aljate qi përbâjshin shumicën edhe nji “Opozitë” qi, ndonse në pakicë numrore, përmblidhte intelektualët mâ të shquem të Shqipnís në lamen politike. Un vetë në këtë perjodë ishem i dënuem e i arratisun përjashta për shkak se atê qi donte të bânte tash Opozita, si koshi mbas të vjelash, ishem mundue me e bâmë me kohë kur kishte mundsí, por kur edhe shumic’e intelektualvet opozitarë të tashëm forcojshin në verbnín e tyne atë pozitë qi tash dojshin me shêmbun, prandej ishem shtypun nën barrën e rândë qi i kishem ngarkue vetes.

Âsht nji punë tepër e vështirë me u gjykue në se kjo rrjedhë e ndodhivet shqiptare në perjodën e mbasluftës botore ka qênë historikisht nji fat i mirë apo i keq për Kombin. Kallzimet e mija këtu kanë vetëm karakter kronike e jo historije. E pra le të kthejmë te Fan Noli., qi po âsht thema kryesore e ksaj bisede.

Siç do t’a keshë kuptue qartas deri këtu, Fan Noli në të tâna ndodhítë e sipërpërmênduna, hiq çâshtjen kishtare orthodokse, ka luejtun vetëm nji rol të dorës së dytë. Ashtu në Partín Popullore e po ashtu në grupin e Opozitës mâ vonë. Për erudicjon s’kishte asnji Shqiptar qi i a kalonte, ishte nji ndër oratorat mâ të fuqishëm të parlamentit, i zoti me e dërmue kundërshtarin e tij me satirat e holla qi s’i mungojshin kurrë si shoqit të vet Stavro Vinjaut, por qi nga nji herë dilshin edhe mjaft të fyeshme. Kultura politike e tija ka qênë thjesht theorike. Prej sa të kam tfillue e din tash se Shqipnín, popullin shqiptar, shoqnín shqiptare s’e njihte aspak. I drejtë, i patëkeq, jo vetëm qi s’i vijshin për dore intrigat politike, por as nuk i kuptonte këto kur i a bâjshin shokët e partís ase kundrështarët. Cilësít e nji burri të Shtetit i mungojshin krykëput. S’kishte nji ambicjon të madh politik, as vanitet. Luigj Gurakuqi qi e njihte mirë e e çmonte fort për ato cilsí pozitive qi kishte, ka luftue shumë në qershorin e 1924-s kundra kandidaturës së tij për kryetar qeverije, të vûme prej shokve tjerë të tij e jo prej atij vetë, ashtu siç pat luftue, i mjeri Luigj, edhe për me ndalun atë lëvizje qi e krijoi atë situatë, d.m.th. lëvizjen e leme prej vrasës së Avni Rustemit. Me gjithë këtê, Fan Nolit asnji grimë s’i u prish qejfi prej qëndrimit kundrështar të Luigj Gurakuqit, qi në qeverín e tij muer pjesë si Ministër i Financavet. Nji provë e burrnís morale të Fan Nolit shihet në këtë fakt të plotkuptimshëm, sidomos… për nji shqiptar: Faik Konica s’mujt me ndêjtun pa e derdhun vënerin kronik të tij kundra Gurakuqit as mbas dekës së këtij. Tue kritikue Fan Nolin në Diellin e Amerikës mbasi ishte kthye Zogu në fuqí, tha se s’kishte qênë kurrgjâ tjetër veçse nji vegël e kukull në dorë të Luigjit. Ai, Noli, i u përgjegj prap botnisht, kështu: “Kam veprue si m’a ka marrë mêndja e ime e jo si vegël e kurrkuj; por sido qoftë, edhe në qofsha bâmë vegël e nji Luigj Gurakuqit, siç thotë Faiku, kjo gjâ s’do të ishte veçse nji nderë për mue.”

Fan Noli, bir i nji katundari, ndoshta të vorfën, rritun me halle e jetue gjithmonë ndër vende të hueja, ushqyem me nji kulturë humaniste e ndiesí humanitare – me gjithë qi jetesa komode për veti, kur ka mundsí, i pëlqen fort -, shpirtnisht i lamë prej fejet – me gjithë qi prift e kryetar kishe për oportunitet politik-, tue pamë se Shtetet kapitaliste fqîj s’kishin tjetër qëllim veçse me e skllavnue kombin shqiptar, pa plâng e pa shtëpí në kuptimin shqiptar, pa largpamje të nji shtetisti qi kur âsht nevoja din me zgjedhun ndër shumë të liga, atê mâ të lehtën, nuk âsht asnji çudí qi ka ramë si miza në qumësht (në tâmbël) në lak të bolshevizmës moskovite, sadoqi jam i sugurtë qi metodat antinjerzore të komunizmës i deprekon. Qe nji fakt kuptimtar : aty kah fund’ i luftës së kalueme, në 1943 besoj, pat predikue n’Amerikë se i vetmi shpëtim i Shqipnís qëndronte në nji bashkim të gjithë Shqiptarvet rreth Mbretit Zog, krejt nja’ashtu si kishem fillue me predikue edhe un në Shqipní. Por kur Anglo-Amerikanët shfaqin nji qëndrim të dyshimtë kundrejt integritetit të Shqipnís e kundrështarë për pranimin e Shqipnís komuniste në ONU, edhe këta jo pse Shqipnija ishte komuniste, por pse pranim’i saj në ONU do të siguronte edhe tansín toksore të saj kundrejt Greqís qi kishte pretendimet e veta të përkrahuna indirekt edhe prej Inglizvet, Fan Noli i shkruen nji letër Mbretit Zog e i thotë se ai e shihte shpëtimin e Atdheut vetëm në përkrahjen ruse e se prandej aty e mbrapa merrte lirín e tij për me ndjekun atë drejtim politik.

Në lidhjen e relatave diplomatike ndërmjet Rusís sovjetike e të Shqipnís nën qeverín e Fan Nolit pa dyshim ka qênë vendim’i gjithë kabinetit, ndryshe s’kishte si me u bâmë. Por kaqë ka qênë puna e jo mâ tepër ; për Bolshevikët mjaftonte sa me installue nji legatë me nji personel 40 vetësh në kryeqytetin e nji Shteti të vogël e të dobët të Balkanit, mandej dijshin vetë se si me veprue.

Porsa qe emnue qeverij’ e Fan Nolit, Mussolini personalisht çoj e thirri n’udjencë përfaqsuesin e Shqipnís atëherë në Romë, të Ngarkuemin me Punë, Z. Tefik Mborjen e i tha: “Jam i kënaqun për ndryshimin qi u bâ në Shqipní. E dij qi qeverij’e re ka nji morí nevojësh për t’u konsolidue e për të çue për së mbari punët e Shtetit të rí. Jam gati me i ndihmue me gjithça: me i dhânë armë e municjon për organizimin e projës së Shtetit e të regjimit sa të dojë e falas ; jam gati me i dhânë nji hua me kushte të mira, të cilën po desh qeverij’e juej le t’a kërkojë prej Lidhjes së Kombevet, se atje i dal zot e e marr përsipër vetë ; jam gati me lidhun nji aljancë difensive reciproke me Shqipnín. Bânje me dije qeverín t’uej për sa po të thom, ajo le të mendojë e të veprojë si të dojë, prej anës s’eme nji kusht keni, qi po s’u mbajtë, gjithçkafja bâhet si mos me pasë qênë folë aspak: për deri qi qeverija shqiptare të vëndosë me më dhânë nji përgjegje positive a negative, heshtje absolute”.

Pa u bâmë trí dit ofertat e Mussolinit nisën me u diskutue nëper kafet e Tiranës prej gjith politikâjvet të çdo kategorije qi popullojshin kryeqytetin.!

Thërret atbotë Contarini, Sekretár i Përgjithshëm i Ministrísë së Jashtme Italjane të ngratin Tefik Mborja e i zgufuret: “Legat’ e jonë në Tiranë na lajmon mbi do gënjeshtra qi ti paske kumtue qeverís s’ate kinse prej anës së Duçes: e kur e ke pá ti me sy Duçen? Dil jashtë e mos u duk mâ këndej!” Kot u mundue i yni me çelë gojë për me u pruejtun, me i thânë Contarinit se para trí ditve ky vetë e kishte shti ke Duçja et. U shtrëngue me dalë fishek për dere e me çá me krye ultë tue lá gjobën për poçat qi kishin thye të parët e tij. Ministër i Jashtëm i Fan Nolit ishte Sulejman Delvina, qi mbas do kohe qe çëmendun e aljenistat e patën gjetun qi atë lëngatë e kishte pasun të vjetër nja 5-6 vjeç! Mbrenda asaj kohe të shkurtën qi duel fjala e muer dhén për ofertat e Mussolinit, ai ndoshta vetëm Kryeministrin në pastë pasë lajmue, se shokët tjerë të kabinetit s’e besoj. Por sigurisht sekretarët e tij, miqtë e tyne e të vett sigurisht po… fat i qeverís së Fan Nolit ishte caktue qyshë prej atij çasi.

GJUHSÍ. Ke në letrën t’ Ânde nji “sido qi qoftë”; Faik Konica edhe mâ zí ka pasë shkrue “sido qi në qoftë”. Âsht gabim, nuk thuhet as “qi qoftë” as “ qi në qoftë”; por vetëm e thjesht “qoftë”, pra “sido qoftë” ase “sido qi të jetë”.

Ke të drejtë me e kritikue frazën t’eme, të frymzueme prej gjuhëve të hueja, “Tirana ishte kushtue me u bâ…, “. Me i a kushtue = dedicare, consacrare a… po, por n’atë formë qi e kam shkrue un jo. Shenjue, si thue Ti, edhe mâ mirë se caktue qi ep nji kuptim të premë me vullnet.

Lasët janë ata qi lajnë nji të paditun për nji faj. Âsht skanj jurispondence zakonore.

Mos u çudit qi letrat i marrim si Ti si un herë të çelme prej censuret (po natyrisht të pashlyeme kurrkund, mbasi s’ka ndër letrat t’ona gjâ për të shlye) herë jo. Censura, mjaft e lehtë, kap a casaccio disa letra e i hap, tjeravet u vên vulën e vet pa i hapun aspak. Por kujtoj se tash ka mbarue krejt, s’ka mâ censurë.

Nji lutje: Më ra ndër mênd vonë qi kjo letër kishte meritue t’a shkruejshem me nji kopje për veti. Pra me ngé të madhe mos harro e mos prito me m’a xjerrë nji kopje e me m’ a çue.

Shëndet, udhë të mbarë e punime të frytshme T’u

Miku yt

M.Kruja