Luan Pobrati përgjigje Pëllumb Kullës për të infiltruarit e Sigurimit: Na shpëtuan nga juntat e diversantëve

  • 19 November 2017 - 10:47
Luan Pobrati përgjigje Pëllumb Kullës për të infiltruarit e Sigurimit: Na shpëtuan nga juntat e diversantëve

Luan Pobrati, djali i ish-oficerit të Sigurimit Hekuran Pobrati, i cili bashkë me Asim Alikon, Pal Mëlyshin, Mark Dodanin e të tjerë u infiltrua në grupet e diversantëve që hynin nga ajri dhe nga deti për të krijuar situata për përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës, i përgjigjet një shkrimi të regjisorit Pëllumb Kulla për mënyrën se si duhen trajtuar këto personazhe.

“Një e përditshme ka ribotuar pas njëmbëdhjetë viteve një shkrim të autorit Pëllumb Kulla, në përgjigje të një shkrimi botuar atë mot të largët nga unë. Për t’i dhënë mundësi lexuesit të gjykojë mbi arsyen që e shtyn autorin të rikthehet kaq vjet mbas, duke botuar përsëri shkrimin në fjalë; në vend të replikës sime të munguar dhe në reflektim të heshtjes së treguar për çfarë ai fliste atëherë, pa e parë të nevojshme të bëj asnjë koment, i ofroj gazetës ‘Panorama’shkrimin e mëposhtëm, botuar si pasthënie të monografisë kushtuar Heroit të Popullit, Asim Aliko”, shkruan Luan Pobrati në vend të një parathënie të këtij shkrimi.

Pobrati shkruan se të infiltruarit në grupet diversante parandaluan një gjakderdhje nga terrori që këto grupe kërkonin të krijonin me popullsinë civile. Pëllumb Kulla, në shkrimin e tij të botuar në “DITA” ngre pikëpyetjen nëse sot grupet diversante apo punonjësit e Sigurimit të Shtetit duhen parë si heronj.

LUAN POBRATI

Njëzet vjet më parë pushoi së rrahuri zemra e Heroit të Popullit, Asim Aliko. Ai shkoi duke marrë me vete brengën dhe lënë pas historinë, për të cilën është shkruar që në gjallje, por jo më pak këto vite të mbas nëntëdhjetës. Këto kohë, Asim Aliko, heraherës është lakuar se i shërbeu diktaturës, por plot të tjerë kanë vënë në pah kontributin e dallueshëm të tij në luftën ndaj terrorizmit e banditizmit; nga ndihet se aty ku nuk vë dorë politika, populli di të vlerësojë historinë dhe ata burra që kontribuuan në të mirë të vendit, siç nuk anashkalon rolin e “Tomorrit” në shmangien e një kryengritjeje të armatosur, kur organizatorët e saj ishin të huajt, por konflikti do të ndodhte në Shqipëri dhe përplasja do të bëhej në mes shqiptarëve. Sot njohim palët e përballura gjatë viteve ’50, atë kohë të acartë të Luftës së Ftohtë, siç kemi pranimin zyrtar të zbulimeve anglo-amerikane për dështimin e kryengritjes dhe pohimin e kuadrove të atyre shërbimeve që tentuan të realizonin në Shqipëri konfliktin e armatosur.

Çfarë qëllimisht anashkalohet lidhet me kushtetutshmërinë e veprimeve të palës mbrojtëse, të cilat ishin legjitime, jo thjesht se ana e Asim Alikos fitoi në dyluftim dhe shmangu gjakderdhjen, por edhe sikur të supozojmë të kundërtën, ata që tentuan të merrnin pushtetit me dhunë, vinin në Shqipëri me nëndetëse dhe parashuta natën, siç nuk erdhi më 1939-n as Musolini, nga do të dilte një regjim i ngjashëm me juntat dhe për një kompleks faktorësh të kohës së Pasluftës Antifashiste në Shqipëri, nuk do të përfaqësonin vullnetin e popullit, e për rrjedhojë, as regjimin demokratik. Ndaj nuk është e lehtë të “ulësh në gjunjë” Asim Alikon dhe ata heronj të popullit si ai, që vunë ballë vdekjes veten, për mbrojtjen e qindra mijë të tjerëve.

Të heshtësh ndaj sublimit të tyre, në mos përligj, nxit faktorin psikologjik dhe pengon efikasitetin e luftës kundër terrorizmit, veçanërisht atij ordiner, nga vuan ende shoqëria shqiptare, ndonëse është në konflikt të përhershëm me të. Nderimi për patriotin sypatrembur Asim Aliko dhe ata heronj të popullit të këtij lloji, ngre më lart dashurinë për vendin dhe rrit më tej respektin edhe për ata dhjetëra dëshmorë të rënë në përballje me krimin, këto vite të pas nëntëdhjetës. Përpjekjet për të paraqitur kontributin e Asim Alikos si pjesë e “dosjeve të sajuara” sfumohet nga vetë humbësit, kur ata flasin sot hapur për krimet me thika e kobure në duar, për Tomsonin në gjoks, kapsulat e helmit në gojë dhe të vrarët nga radhët e fëmijëve, grave e të rejave, burrave që punuan e propaganduan për emancipimin e shoqërisë.

Njihet si ka reaguar politika amerikane tridhjetë vjet mbas luftës në Vietnam, sikundër kemi parë presidentët e këtij vendi të nderojnë dhe vlerësojnë heronjtë e saj. Pra, politika reagoi ndaj konfliktit ushtarak të atëhershëm, por nuk ndryshoi vlerësim për të flijuarit në atë luftë. Pjesëmarrësit dhe të rënët në të, s’mund të ishin të gjithë dashamirës të një partie, siç nuk janë sot të gjallët dhe fëmijët e tyre njëlloj politikisht, mbështetës të qëndrimit të kohës ndaj luftës në Vietnam.

Por as kjo nuk lëviz vlerësimin për pjesëmarrësit në atë konflikt dhe as mund të mendohet hakmarrja ndaj familjeve të tyre. Brenda kësaj analogjie, gjykuar në tjetër sens, pra, jo të agresionit a sulmit ndaj një vendi, por të shmangies së gjakderdhjes brenda popullit tënd, vlen të flitet ende sot diçka për çka është bërë e si është sjellë politika me Heroin e Popullit, Asim Aliko, e jo vetëm me të, në kuptim të dyfishtë dhe në dy kohë të ndryshme. Asim Aliko dhe grupi legjendë i banditëve të rremë drejtuar prej tij jetoi në vështirësi sublime, që sot vështirë të imagjinohet. Por, sakrificat e tyre nuk mbarojnë këtu dhe as justifikohet se ndoshta për këtë qenë të përgatitur dhe ishin të ndërgjegjësuar, për sa kishin të qartë edhe misionin.

Ajo do të shoqëronte bashkëshortet, fëmijët dhe prindërit e tyre në planin psikologjik, ekonomik, social e moral që sintezën e gjen në brendinë e fjalëve të nënës së Pal Mëlyshit, kur kërkesës indirekte të shtetarit të lartë, për çfarë plaka mirditore kishte nevojë dhe mundësisë së lejuar për ta ndihmuar, gjithmonë sekret brenda ruajtjes së fshehtësisë të misionit të së birit, Dava iu përgjegj

Mehmet Shehut shkurt: “Përballem me varfërinë, përçmimin, veçimin nga njerëzit dhe shoqëria, por të gjitha këto nuk më ligështojnë. Pali ashtu e gjykoi dhe unë s’kam ç’kërkoj, veç një gja nuk e duroj: më jepni triskën e frontit se ndihem e vdekur kur nuk votoj!” Mirë-të themi, nënat! Por ç’ndodhte ndërkaq me prindërit e gruas së Hekuran Pobratit? Kontribut të pazakontë kishin ofruar ata gjatë Luftës Antifashiste, i cili kulmoi në dhënien e shtatë dëshmorëve për çlirimin e atdheut, e veç vajzës së tyre dhe dhëndrit, tanimë ata s’kishin kënd. Por bashkë me shqetësimin që u solli ai pa dashur mes “rolit të banditit”, njëherazi u mohoi edhe të drejtën për të qenë pak kryelartë, për gjakun e djemve të rënë. Tragjedia e vdekjes të bashkëshortes së të rrallit Asim Aliko mbetet e dhimbshme për kushtet dhe rrethanat në të cilat ajo ndodhi.

Nëna e fëmijëve dha shpirt duke lindur Triumfin dhe e la atë jetim, kur heroi ynë ndodhej në vite atje tej, “kryebandit” në mbrojtje të jetës së nënave dhe fëmijëve të vendit të vet, që rrezikoheshin nga “paqësorët parashutistë”, por dhe mbanin thika në brez, helmin në gojë e kapsulat e dinamiti nëpër çanta, për të hedhur në erë shkollat e depot e drithit, siç bënin me furrat e bukëve. Fatkeqësitë komplekse që shoqëruan jetën familjare, pasojë e neglizhencës dhe mosvëmendjes shtetërore, ia vlen të cilësohen kur flasim se ç’bëri politika e kohës dhe pyesim cilat janë brengat e Asim Alikos e të tjerëve si ai.

Kameriere ishte në Tiranë gruaja e heroit pas vite lufte të Asim Alikos shpellë më shpellë e mal më mal, për t’i kthyer popullit sigurinë e qetësinë, siç kishte bërë dhe trimi Jorgo Suljoti, bashkëshortja e të cilit punonte pastruese në Gjirokastër, sikundër iu afrua vendi i shitëses me karrocë, gruas së Hekuran Pobratit, kur arsimimi dhe profesioni i saj ishte financiere. Gjithsesi, këto gra gojëkyçura e të mbruajtura me fisnikëri dhe të mësuara me vështirësi, nuk e patën të rëndë të punonin aty ku i dërguan, por shtrojmë pyetjen: Të privuara në vite nga ato të drejta që gëzonin në atë kohë shoqet e tyre, rrjedhojë e misionit të fshehtë të bashkëshortëve në “arrati”, të ndodhura mes privacioneve dhe mungesave të mëdha; përse të mos shfaqej të paktën një minimum vëmendjeje e kujdesi, sa të mos vdisnin gjatë lindjes, siç ndodhi me nënën e Lufit të Asim Alikos, kur Xhikua solli në jetë, shokun tim të vegjëlisë?! …

Njoh nga fëmijëria tre djemtë e Asim Alikos dhe jetën e rinisë së tyre, e cila nuk shkonte në rezonancë çfarë gjykoja personalisht, me mënyrën si i trajtonte ata politika. Në kujtesë kam të fiksuar një thënie të Avniut, kur vetë isha thuajse adoleshent, ndërsa ai sapo kishte dalë nga një burg, që do të shoqërohej nga një i dytë, ku do të dënohej 25 vjet! Duhet të jemi të vëmendshëm, -më tha atëherë ai,- se ndaj prindërve tanë nuk janë xhelozë vetëm humbësit, por edhe këta afër tyre, të cilët kuptueshëm nuk mund t’u kundërvihen dot sot baballarëve tanë se e kanë më lehtë të na e kthejnë neve reston?!

Pas vitesh, por në një tjetër kohë, më arrestuan mua për së treti. Tanimë me gjithë vëllanë dhe bashkë me burgosjet politike dhe hakmarrëse, rezultoi i saktë gjykimi Avni Alikos që i kishte provuar më parë nga unë qelitë, për t’u internuar atë kohë pak pas tij, djali tjetër i Asim Alikos. Mirë humbësit që u hakmorën e futën në qeli dhe Heroin e Popullit Jorgo Suljoti, pse me lule në duar shkoi të nderonte dëshmorët më 29, kur këta të mundurit në luftë caktuan si ditë çlirimi 28 Nëntorin, po ata “pranë tyre”, që vunë në përgjim e mblidhnin letra edhe për Asim Alikon e pamposhtur, ç’të kishin vallë ?! Ishte viti 1982 kur politika shtronte versionin, “mos ndoshta suksesi luftës ndaj banditizmit dhe terrorizmit politik kishte qenë në vetvete lojë e zbulimeve të huaja, me synim rritjen e kredibilitetit të agjentëve të tyre superiorë në Shqipëri, për t’i çuar ata pas kësaj drejt majave të pushtetit…

Mbizotërimi i kësaj hipoteze atë kohë, shpjegonte dhe pyetjen në formën e marrjes së mendimit që një byroist i lartë, njëherësh ministër i Brendshëm, i shtroi Hekuran Pobratit: “A përjashtohet mundësia që terroristë të spikatur të jenë gjallë, e në vend të tyre janë kapur sozitë?!” Njeriu që prej vitesh kishte qenë mes banditëve, iu përgjigj: “Kjo që më thoni, është njësoj sikur mbas kësaj bisede të pyes veten ishte ministri Brendshëm ky që fjalosa, apo vallë sozia e tij?!”.

Ky konfuzion politik largoi nga skena deri edhe filmat artistikë dhe çfarë qe shkruar tjetër për atë luftë, sa edhe revista në “Shërbim të popullit” mbushte faqet me foto pastorësh që ruanin kufirin, por nuk flitej diçka për Heroin e Popullit, Asim Aliko, që sikur të ndiente se ç’do të ndodhte, me të njëjtën intuitë që dikur kishte mposhtur emisarët e zbulimeve të huaja, pati lëshuar si me humor dhe atë thënien, tanimë të njohur: “Fituam mbi diversantët, por mesa duket, do të na gërryejë lufta mes njëri-tjetrit”, thënie që kur ia çuan në vesh Kadri Hazbiut, si t’i ndjente hidhësinë, ai kish nënqeshur; ndonëse ca më vonë, tek nxitoi të shigjetonte Mehmet Shehun, do të kryqëzohej edhe vetë…!!!

Burri i rrallë Asim Aliko shmangte mjegullën në heshtje dhe jetonte brengën i kyçur në veten e tij. Pranë vajzës fatkeqe e jetëshkurtër, larg djemve fizikisht, por afër tyre memendje dhe zemër. Përkëdhelte me fjalë një qen, mbante mbi komodinë një shishe me dhallë, një termus të vjetër kafeje, një pagure të qelqtë rakie dhe qëndronte në gjunjë mbi një divan. Kur i shkelte shtëpinë ai që ia donte shpirti, buzëqeshte dhe e priste si s’di ta rrëfej me të shkruar. Nuk fliste. As i ardhuri, nuk e pyeste. Qëndronin në heshtje të dy, si të ishin siamezë.

Mpiksesha nga ky komunikim i pazëshëm, nga kjo çmallje në heshtje dhe asnjëherë nuk arrija të kuptoja: ç’thonë vallë kur nuk flasin?! Një radhë guxova dhe tek e pashë tim atë të vuante për mikun e tij të zemrës, i thashë me zë të ngadaltë: “Duhet të ndikoje të mos e mbante afër alkoolin se ja…shëndeti!’. Nuk m’u përgjigj. Heshti siç e kishte zakon dhe unë që ia njihja huqin, në atë çast nuk prisja të fliste. “Ah mor bir, – tha pas një pauze im atë. -Lavdia e Asim Alikos i ngjan diellit që ndriçon, ndonëse ka edhe njolla!”…

Fola kështu në këtë pasthënie të librit për Asim Alikon, për t’i ofruar lexuesve të rinj në moshë, disa prej të vërtetave të njohura nga bashkëluftëtarë dhe bashkëkohës të Heroit, që vet kam pasur fatin t’i dëgjoja qysh nga fëmijëria. Por sa më shumë që rritesha, aq më tepër kuptoja rrethanat komplekse të kohës në të cilën ai veproi dhe guxoi, sikundër ruaj në mendje dhimbjen njerëzore që shoqëroi jetën e tij personale dhe familjare. Rënia e komunizmit në Shqipëri provoi dështimin e politikës, por nuk mohon dot kontributin dhe patriotizmin në mbrojtje të vendit të Heroit të Popullit, Asim Aliko, e të tjerëve si ai.

Po nuk e bëmë këtë ne shqiptarët, s’do të hezitojnë të na i kujtojnë të huajt, siç ndodhi me ish-kryeministrin anglez, Toni Bler, që kur foli për rastet e daljes jashtë loje të shërbimeve anglo-amerikane, përmendi vitet e grupit legjendë të drejtuar nga “Tomorri” dhe atdheun e Asim Alikos. Gjatë punës sime të pas ’97-s në Shërbimin Sekret, detyra ma kërkonte të komunikoja me partnerë të rëndësishëm të shërbimeve inteligjente në Shqipëri, nga konstatoja dukshëm mungesën e kompleksit të tyre kur flitej për vlera dhe historinë.

S’është vendi të zgjatem, por në kontekst të mohimit që politika i bën sot gjithçkaje të së shkuarës dhe varianteve që ajo servir, duke tentuar të shpallë deri “Pishtar të Demokracisë” Hamit Matjanin, kam rastin të pohoj simbolikën e një bisede me homologun e një zbulimi potent, të cilit tek i tregova reagimin e Dritëro Agollit për mundësinë e dekorimit të H. Matjanit, ku shprehej se: “pishtarët jo rrallë janë përdorur për t’i vënë zjarrin fshatrave!”; ai si të kuptonte se ç’duhej të thoshte, u përgjegj: “Historia u jep të drejtë të krenoheni për heronjtë tuaj, kurse në shërbimet inteligjente jashtë çdo politizimi duhet të kenë vendin e nderit njerëz me aftësi të rralla si këta që fituan në vitet e tyre”. Për të gjitha këto, monografia e Heroi të Popullit, Asim Aliko, do të ndihmojë lexuesit të njohin më gjerë jetën e këtij patrioti.

Titulli i autorit: Asim Aliko mori me vete brengën dhe na la pas historinë.

Kush janë heronj, diversantët apo të infiltruarit e Sigurimit?

Regjisori i njohur, Pëllumb Kulla, në një shkrim të ribotuar në gazetën “Dita”, hedh dilemën se në ditët e sotme cilët duhen trajtuar si heronj, ata që shërbimet sekrete britanike dhe amerikanë sollën në Shqipëri si diversantë për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës, apo punonjësit e Sigurimit të Shtetit që u inflitruan brenda grupeve të tyre për të ruajtur regjimin e Enver Hoxhës.

“Pyesja: Kur të ftohen gjakrat që po turbullojnë his-
torinë e Shqipërisë, këta djem të zbritur me parashuta, do t’i quajnë luftëtarë me detyra çlirimtare, apo mercenarë të shitur tek angloamerikanët që vinin t’u kërcënonin lirinë shqiptarëve të tjerë, të cilët thoshin se ishin të lumtur ashtu, të qeverisur nga Enver Hoxha dhe njerëzit e tij?

Shtroja dhe kundërpyetjen: Nëse do të pranojmë që përgatitja këmbëngulëse, përkushtimi dhe vendosmëria e antikomunistëve, Matjanit, Lleshanakut, Zenel Shehut e misionarëve të tjerë parashutistë janë bëma heroike, atëherë ç’emër t’u vemi Asim Alikos, Pal Mëlyshit dhe Dodanit vetë, që
me guxim të rrallë ishin futur në radhët e të arratisurve, që të sabotonin përpjekjet për rrëzimin e Hoxhës? Se urtësia popullore na ka vënë dorësh një shprehje, që unë e fus shpesh në vallë, atë që nuk mund të ndodhë që edhe pulat të ngopen, edhe ham barët të mos pësojnë gjë!….
……Zoti Dodani, me një takt fisnikësh, nuk përdor më epitetet “tradhtarë”, “të shitur”, “kriminelë” e “diversantë”. Për njerëzit që ish ngarkuar t’i luftonte dhe t’i mposhtte, ai përdor ca terma të rinj, njerëzorë. Ai shkruan për ta si “kundërshtarët
tanë”, “të pakënaqurit nga regjimi”, “ata të Frontit të Rezistencës” e të tjera përcaktime, pa ngarkesat e njohura emocionale dhe poshtëruese, që u përdorën në letërsi dhe gazeta për gjysmë shekulli rresht.
….Zoti Dodani, pa asnjë dyshim është përmbi këta. Ai është përmbi shtetin shqiptar, përmbi Akademinë e Shkencave, që vegjeton në pritje grindjeve të politikanëve dhe lëndën historike të Dodanit as nuk e ka përfytyruar ta shqyrtojë! Atje nuk po dinë akoma se ç’emër t’u vënë Safet Butkës, Hysni Lepenicës e qindra të tjerëve që ranë nga ana tjetër, në luftën e tyre për çlirim e demokraci. Ende për Abaz Kupin nuk gjendet vullneti që t’i shpallen meritat e rezistencës dhe besnikëria e tij ndaj aleatëve të mëdhenj antifashistë. Për të, si dhe për shumë të tjerë, diktatori i sëmurë, Enver Hoxha, pat bërë nga dy fjalime të kundërta dhe histori e tërë e një kombi, i rri ende gatitu vetëm fjalimeve nega-
tive. Është vërtet poshtëruese të angazhohesh sot palët, nga të cilat njëra mallkon 29 Nëntorin – për të na bindur se i përket antikomunizmit dhe tjetra, më 29 Nëntor organizon parada ushtarake, – si provë të besnikërisë ndaj idealeve çlirimtare!

Mjafton të mënjanohej zhurma dhe buja dhe çdo gjë do të zinte vendin e vet. Ka plot teste të tjera për të dëshmuar antikomunizmin…”, shkruan Kulla në gazetën “Dita”.

 (Kosova Sot)