Kablloja nëndetare që lidhi Vlorën me Otranton në 1864 dhe pse u prish në 1913

  • 25 November 2017 - 11:45
Kablloja nëndetare që lidhi Vlorën me Otranton në 1864 dhe pse u prish në 1913

Nga Kreshnik Kuçaj

Në librarinë “Oliveriana” të qytetit të Pesaros në Itali gjenden tre objekte të rralla të një linje telegrafike që kanë edhe një pllakatë ku shkruhet “Linja telegrafike Otranto-Vlorë, ndërtuar për qeverinë italiane nga “Henley Company” e Londrës.

Roberto Mantovani nga Universiteti i Urbinos do t’i haste rastërisht këto objekte në një kuti që ndodhej në depot e librarisë dhe kjo do t’i jepte shkas për të realizuar një studim të plotë për origjinën e telegrafisë nëndetare në Itali.

I zhvilluar mes viteve 1830-’40 nga Samuel Mors dhe më vonë nga shpikës të tjerë, telegrafi revolucionarizoi komunikimin në distance të gjata në botë. Ai funksiononte përmes transmetimit të sinjaleve elektrike përmes një kablloje që shtrihej mes stacioneve.

Paralelisht me shtrirjen e kabllove tokësore do të realizoheshin me sukses në fund disa përpjekje për të shfrytëzuar distancat edhe më të shkurtëra që mundësoheshin nëse kaloheshin linja përmes detit.

E në këtë kuadër, do të ndërtohej për herë të parë edhe linja nëndetare që kalonte përmes kanalit të Otrantos dhe që lidhej me Vlorën, duke mundësuar kështu një stacion komunikimi mes lindjes dhe perëndimit.

Si u ndërtua dhe u prish linja e parë nëndetare e Vlorës?

Me fuqizimin gjithnjë e më shumë të komunikimit telegrafik do të arriheshim disa marrëveshje mes italianëve dhe Perandoria Osmane në vitet 1858 dhe ku parashikohej të krijohej një aks komunikimi mes lindjes e perëndimit përmes një rrugë më të shkutër e më pak të kushtueshme që kalonte përmes Shqipërisë. Në këtë marrëveshje parashikohej shtrirja e një linje detare që lidhte brigjet e Otrantos me ato të Vlorës dhe më pas vijonte përgjatë tre drejtimeve. Njëri drejtim ishte nga Vlora në Shkodër e më tej në Kotorr ku krijohej lidhja telegrafike me austriakët. Drejtimi tjetër ishte ai përmes kalimit të kabllos nga Manastiri-Selaniku për të arritur në Konstandinopojë dhe drejtimi i tretë ai që parashikonte shtrirjen e kabllos deri në kufinjtë e Rusisë.

Marrëveshja parashikonte detyrimin që linjën nëndetare ta financonin italianët ndërsa linjat tokësore t’i financonin osmanët. Pala italiane merrte gjithashtu angazhimin për të mirëmbajtur kabllon detare me shpenzimet e saj dhe ndërkohë duhej të paguante dy inxhinierë të cilët do të qendronin për t’u kujdesuar për stacionin e telegrafit në Vlorë.

Kablloja e telegrafit u shtri në kanalin e Otrantos edhe më herët se dekreti të kthehej në ligj në vitin 1859 përmes një anije që drejtohej nga Edoardo D’Amico. Kablloja që u përdor ishte e lehtë, me një konduktor, 119 kilometra i gjatë dhe mbulonte 82 kilometra shtrirje në det.

Vitin e parë punoi mirë. Me 23 dhjetor 1860 kablloja doli jashtë shërbimit dhe për shkak të zhvillimeve politike të asaj periudhe, riparimi nuk konsiderohej si opsion dhe si rrjedhojë u braktis.

Si u shtrua linja e dytë nëndetare nga kompani e inxhinierit britanik Uilliam Thomas Henley!

Përgjatë vitit 1860 kablloja u përdor më së shumti për eksperimente dhe për lajmërime emergjence për faktin se qeveria osmane nuk e kishte ndërtuar ende linjën tokësore të telegrafit për të cilën ishte angazhuar në marrëveshje.

Në këto kushte, në vitin 1862 nënshkruhet një marrëveshje e dytë mes autoriteteve italiane dhe osmane ku pala italiane angazhohej për riparimin e linjës së prishur nëndetare ndërsa ajo osmane për të aktivizuar linjën Vlorë-Kostandinopojë.

Kjo marrëveshje mundësoi hapjen e dy stacioneve telegrafike në Vlorë, një stacion për osmanët dhe një stacion për italianët që ishin vendosur në të njëjtën godinë. Në fakt, marrëveshja në letër parashikonte 4 makina telegrafike që do të përdoreshin për transmetim në mënyrë konstante për të dhënë e marrë njoftime nga Kostandinopoja dhe Austria.

Përtej këtij fakti, marrëveshja e re solli nisjen e punës për riparimin e linjës telegrafike që ishte jashtë shërbimit por këto përpjekje do të rezultonin të dështuara.

Në këto kushte, italianët do t’i drejtoheshin në 1863 inxhinierit të famshëm në atë periudhë Uilliam Thomas Henley i cili kishte kompaninë në Londër. Për shtrirjen e kabllos së re, kompania britanike do të paguhej 375 mijë lira italiane dhe shtrirja e kabllos së re do të niste me 28 janar të vitit 1864, këtë herë nga ana e Vlorës. Anija “Semaphora” që po shtrinte kabllon në det do të haste në probleme e do ta kishte të pamudnur të përfundonte misionin e nisur e në këto kushte procesi do të përfundohej nga anija “Caroline”. Kablloja nëndetare e telegrafit do të niste funksionimin në shtator të vitit 1864. Edhe pse kompania londineze kishte detyrim si garanci që kablloja të funksiononte së paku tre muaj pa probleme, në fakt ajo do të funksiononte mirë e pa probleme për 4 vite.

Kablloja filloi të shfaqë probleme në funksionim, vetëm në 1869 por përherë riparohej.

Në Vlorë do të bëheshin dy shkëputjet e para të kabllos në mars 1869 dhe në nëntor të 1870. Problemi më serioz ishte ai i vitit 1872 për shkak të prishjes së materialit izolues të kabllos që ndodhi në një vend me thellësi të madhe e larg brigjeve tët ë dy vendeve.

Ky keqfunksionim filloi të shfaqte probleme të vogla dhe graduale deri në vitin 1878 kur ndërpreu plotësisht komunikimin.

Operacioni për të rregulluar kabllon rezultoi i vështirë dhe përpjekja e parë në 1878 do të rezultonte pa sukses derisa do të rregullohej brenda pak muajve nga administrata italiane e telegrafëve, me ndihmën e francezëve.

Në vitin 1885 përmes një marrëveshje mes autoritetet italiane do t’i jepnin kontratën e mirëmbajtjes së linjës së telegrafit me Vlorën, kompanisë Pirelli &CO. Që prej vitit 1896 linja do të prishej vazhdimisht po do t’i nënshtrohej riparimeve të vazhdueshme nga inxhinieri Emanuele Jona.

Lidhja e vetme e direkte e qeverisë së Ismail Qemalit dhe prishja në 1913

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipëri në 1912 kablloja telegrafike Vlorë-Otranto do të ishte vetmja lidhje direkte ndërkombëtare që do të përdorte qeveria e përkohshme e drejtuar nga Ismail Qemali.

Referuar kujtimeve të Eqerem Bej Vlorës, kabina e kabllos telegrafike ishte në ranishtën apo bregdetin e qytetit të Vlorës. Ajo ishte një godinë prej guri me aparaturat përkatëse ndërsa kablloja zhytej në det. Në mars të vitit 1913, kjo kabllo do të dëmtohej duke shkëputur të vetmen lidhje ndërkombëtare direkte që kishte qeveria e përkohshme e Vlorës e drejtuar nga Ismail Qemali e duke i krijuar jo pak probleme komunikimi asaj.

(Kosova Sot)