Fotot e rralla/ Nga Kadri Roshi tek Ema Qazimi, VIP-at që u rritën në jetimore. Si u gjet e vdekur vajza që iku në ’78

  • 03 December 2017 - 08:54
Fotot e rralla/ Nga Kadri Roshi tek Ema Qazimi, VIP-at që u rritën në jetimore. Si u gjet e vdekur vajza që iku në ’78

Një histori e panjohur më parë, që hedh dritë mbi një nga misionet humanitare në vendin tonë dhe që shtrihet në pesë etapa e periudha që nga fillesat e saj deri në ditët e sotme. Nga veprimtaria bamirëse e Motrave besimtare Katolike Stigmatine, të mbështetura më pas edhe nga Kryqi i Kuq Amerikan e Kryqi i Kuq Shqiptar, deri te periudha e mbretërisë. Më pas, historia vazhdon me veprimtarinë e strehës vorfnore në periudhën e pushtimit italian dhe deri pas çlirimit, në periudhën e komunizmit, e deri në ditët tona, pas viteve ’90.

Image

Një histori pak e njohur edhe nga historianë dhe specialistë të fushës, por edhe për publikun e gjerë. Një ngjarje që hedh dritë mbi përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të patriotëve dhe humanistëve, që në përpjekje me vështirësitë e kohës, ia dolën të merrnin në mbrojtje dhe të shpëtonin nga mjerimi e fataliteti ata fëmijë pa familje dhe pa përkrahje, fëmijët jetimë.

Fondi prej 960 fotosh të ekspozuara është siguruar nga Biblioteka e Kongresit Amerikan, Instituti Luces, Qendra Harta e Francës, Fototeka Marubi, AQSH, AQFSH, ATSH, Biblioteka Kombëtare, arkivat e familjeve të vjetra tiranase dhe ato të qendrave të shtëpive të fëmijëve.

Image

Ka njerëz që në jetën e tyre nuk u kushtojnë vëmendje relikteve të vjetra, as që u shkon mendja se çdo kujtim familjar, apo çdo fotografi vjen koha që bëhet pjesë e historisë. Jo pak herë themi: “…si nuk bëmë një fotografi…!?”. Jo pak herë themi “…i kishim po si e humbëm….”. Ku mund ta gjej fëmijërinë time tani? Mirëpo, lumturisht gjenden edhe njerëz që gërmojnë e gjejnë relikte historike, që kanë të bëjnë me jetët njerëzore, i qëmtojnë ato me kujdes dhe ua afrojnë brezave të ardhshëm.

Image

Ekspozitën “100 vjet rrugëtim të humanizmit shqiptar” e pamë ditën kur u bë hapja e javës kushtuar fëmijëve jetimë në oborrin e Presidencës, por iu kthyem sërish, sepse aq të shumta ishin materialet fotografike e aq me vlerë, sa kureshtja të shtyn ta rishohësh, por edhe të ndalosh gjatë dhe të meditosh. Një punë e shkëlqyer dhe plot pasion e kuruar me kujdes nga z. Ilir Çumani, që njëkohësisht është edhe drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

Kuratori i ekspozitës, Ilir Çumani, drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

Image

Historinë e kemi mësuar nëpër libra, na e kanë thënë mësuesit, por kur ndalon përpara disa pamjeve që t’i sjellin afër ngjarjet, atëherë të duket se historinë e ke prekur me dorë e je bërë edhe vetë pjesë e saj. Organizatorët e kësaj ekspozite, Instituti i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta, e kanë titulluar në mënyrë sinjifikative “100 vjet rrugëtim i humanizmit shqiptar”.

Image

Gjithçka ka filluar atëherë, kur Shqipëria kishte pak kohë që ishte pavarësuar, e u përjetua në fillim me dhimbje. Në trojet shqiptare bëhej luftë, shumë shtëpi u dogjën, shumë njerëz u vranë e shumë fëmijë mbetën pa prindër e pa përkujdesje. Shpesh ishin të detyruar të braktisnin shtëpitë e vatrat e tyre, për të gjetur bukë e strehë në krahina të tjera. Në stendat ku janë publikuar jo pak, por plot 960 foto të rralla, shkruhet për një ngjarje tragjike.

Dy fëmijë jetimë kishin rrugëtuar për ditë e net drejt Tiranës e u gjetën nga xhandarët në gjendje të mjeruar, të uritur e pa strehë, u morën nga autoritetet në përkujdesje, por njëri nga fëmijët ishte dobë- suar aq shumë, sa vdiq. Rauf Fico, që ishte një nëpunës i lartë i shtetit shqiptar, kur e mori vesh këtë lajm tragjik, u pikëllua shumë dhe në bashkëpunim me bamirës si Myrtesim Këlliçi, Sheh Abdurrahman Dyri, Murat Toptani, Zyber Hallulli e të tjerë, organizuan dhe çelën jetimoren e parë shqiptare në vitin 1917.

Gjithçka ka filluar atëherë, kur Shqipëria kishte pak kohë që ishte pavarësuar, e u përjetua në fillim me dhimbje. Në trojet shqiptare bëhej luftë, shumë shtëpi u dogjën, shumë njerëz u vranë e shumë fëmijë mbetën pa prindër e pa përkujdesje. Shpesh ishin të detyruar të braktisnin shtëpitë e vatrat e tyre, për të gjetur bukë e strehë në krahina të tjera. Në stendat ku janë publikuar jo pak, por plot 960 foto të rralla, shkruhet për një ngjarje tragjike.

Dy fëmijë jetimë kishin rrugëtuar për ditë e net drejt Tiranës e u gjetën nga xhandarët në gjendje të mjeruar, të uritur e pa strehë, u morën nga autoritetet në përkujdesje, por njëri nga fëmijët ishte dobë- suar aq shumë, sa vdiq. Rauf Fico, që ishte një nëpunës i lartë i shtetit shqiptar, kur e mori vesh këtë lajm tragjik, u pikëllua shumë dhe në bashkëpunim me bamirës si Myrtesim Këlliçi, Sheh Abdurrahman Dyri, Murat Toptani, Zyber Hallulli e të tjerë, organizuan dhe çelën jetimoren e parë shqiptare në vitin 1917.

Image

Por për këtë kauzë humane do të kishte edhe bamirës të tjerë, si Hasan Vogli, Salih Vuçiterna e Sadik Numani. Emrat e këtyre bamirësve i gjen që në krye të ekspozitës. Për fat, janë ruajtur edhe fotografi të asaj kohe, e në një prej tyre se jetimorja u bë në shtëpinë e Harasanëve, në Tiranë. Gjendja ekonomike e popullsisë ishte shume e rëndë, nevojat ishin të mëdha, ndaj shteti i ri shqiptar, krahas jetimores, përveç ndihmës që jepte në ato kohë të vështira misioni i Kryqit të Kuq Amerikan, organizoi dhe Kryqin e Kuq Shqiptar, i cili ndihmonte shtresat e varfra.

Drejtuesi i parë i KKSH ishte Dr. A. Sadetini, në vitet 1922-1924, e më pas Dr. Qemal Jusufati, 1924-1933. Historia për ngritjen e institucioneve të bamirësisë zë fill edhe nga veprimtaria humanitare e Motrave Katolike Stigmatine, që ushtronin veprimtarinë e tyre bamirëse në zonën e Nënshkodrës, në veri të vendit, gjithashtu me Kryqin e Kuq Amerikan në vitet 1917-1924 (fotografi të dhuruara nga Libraria e Kongresit Amerikan), që dhanë një ndihmë të madhe për popullsinë shqiptare në kushtet e një mjerimi të përgjithshëm e shkatërrimi nga luftërat.

Një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare, e mbetur jashtë shtetit të ri shqiptar e nën sundimin e fqinjëve, u përzunë nga vatrat e veta dhe u vendosën në Shqipëri. Nëpër stenda shihen foto të shumta ku Kryqi i Kuq ndante supë për të varfrit, jetimët, apo bënte kontrolle mjekësore, shihen në foto vajza në strehën vorfnore, në mensa, në klasa, ku mësonin të punonin në avlëmend.

Image

Me sa duket, ata që merreshin me jetimet kishin edhe vizionin e të ardhmes së këtyre fëmijëve, ndaj i përgatisnin për jetën. Një stendë e veçantë ishte me drejtuesit e jetimoreve nëpër vite, Shaufqet Muka, ishte drejtor jetimoreje në vitin 1930, Myzafer Xhaxhiu në vitet 1940-1942 në Tiranë, Lame Xhama në vitet ’50 -’60 në Delvinë, Niko Ceci në Korçë, Persa Grabova në Shkodër, Evanthi Ciko në Tiranë, apo dhe Aneta Shuteriqi në Elbasan.

Kjo e fundit, e nisi punën në përkujdesjen e fëmijëve jetimë parashkollorë, që kur ishte 17- vjeçare e deri sa doli në pension. Një jetë me përkushtim për fëmijët jetimë. Në disa stenda të mëdha ishin vendosur portretet e shumë personaliteteve të kulturës e artit apo fusha të tjera të jetës, të cilët janë rritur jetimë, por kanë qenë të suksesshëm në jetë dhe përbëjnë frymëzim e krenari për brezat e sotëm e të ardhëm.

Spikatin mbi 50 personalitete të njohura, mes tyre dëshmorët Meta Hasa, Hydajet Lezha, Ali Demi, Manush Alimani, Kadri Roshi, Ibrahim Kodra, Qamil Grezda, Violeta Manushi, Bedri Dedja, Besim Levonja, Enver Dauti, Eno Koço, Shyqyri Sako, Ema Qazimi, Margarita Xhepa, Limoz Dizdari, Bedri Dedja, Nina Mula, Farudin Hoxha, Kiço Fotiadhi, Xhevahir Spahiu, Perikli Çuli, Fadil Zeqiri, Zoica Haxho, Astrit Kalenja, Bilal Xhaferri, Serafin Fanko, Margarita Xhepa, Jolanda Shala, Farudin Hoxha, Lek Sokoli, Vitore Sallaku, Kolec Traboini, Petraq Qafëzezi, Astrit Kalenja, Ilir Çumani, Mimika Luca, Bejkush Birçe, Jorgo Papingji, Lek Sokoli, e të tjerë.

Image

Duhet thënë se, koha e monizmit bënte kujdes për fëmijët jetimë, por në të njëjtën koha paradoksalisht, nuk ngurronte të ekzekutonte pa mëshirë një jetim: i rritur në Shtëpinë e Fëmijës, në moshën 22- vjeçare, Skënder Daja, në revoltën e Spaçit maj 1973. Një stendë e veçantë me portretin e Skënder Dajës dhe procesverbalet e gjyqit të improvizuar, ku brenda ditës u dha vendimi dhe u bë ekzekutimi i katër të burgosurve tek Ura e Fanit në Mirditë.

Lexojmë lutjen që kanë bërë të dënuarit, por edhe refuzimin për faljen e jetës nga presidiumi i Kuvendit Popullor i asaj kohe. Në stendat fotografike, koha dhe hapësira janë të gërshetuara. Aty gjen fëmijë të viteve të ndryshme, por tematikat edhe shtresëzohen sipas rrjedhës historike. Interesant është fakti se, me fëmijët e jetimoreve janë bërë edhe spekulime e demagogji.

Në një stendë shohim foto të rralla të Instituti Luce” në Romë, ku duket Benitto Musolini (Duçe) në mes të një grupi fëmijësh jetimë që janë sjellë nga Shqipëria për të festuar në Itali. Por ka edhe pamje nga Shqipëria, ku italianët shpërndajnë ndihma dhe ushqime për të varfrit dhe fëmijët jetimë, ata që lufta i viktimizoi. Gjen materiale fotografike interesante nga Shtëpitë e Fëmijëve Delvinë, Sarandë, Durrës, Korçë, Pogradec, Shkodër e qytete të tjera.

Por ata të bregdetit të duket se ishin më të privilegjuar, sepse kishin pranë detin, rërën, i sheh në plazh, i sheh tek lozin në rërë gjatë pushimeve të verës apo të këndojnë aty pranë valëve. Një grup fëmijësh këndojnë dhe një i rritur u bie veglës muzikore. Interesant është se në shtëpinë e fëmijëve gjen edhe fotografi të fëmijëve afrikanë. Sipas të dhënave, nga Tuluza në Francë kishin ardhur fëmijët e një revolucionari afrikan Ofana Osandez, aty nga viti 1960, dhe shteti shqiptar kujdesej për ta.

Në foto të viteve 1970 – 80 duken fëmijë, jo vetëm në procese mësimore, por edhe në kohën e pushimeve. Ndërkohë që disa i gjen me pushime në bregdet, fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës Korçë, mesa duket kanë preferuar kampin pushimeve të Voskopojës. Gjen plot fotografi nga jeta e fëmijëve në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë. Në mes të fëmijëve shfaqet dhe një vajzë që do të kishte një fat tragjik. Xhuljana Luli, vogëlushja që shihet në fotografi, u revoltua nga trajtimi jo i kujdesshëm në Shtëpinë e Fëmijës atje, në Sarandë, dhe u largua.

Po ku të shkonte? Kur erdhi mbrëmja, ajo nuk pa tjetër veç të hipte në një pemë, prej ku ra dhe e gjetën të vdekur. Ishte 20 maji i vitit 1978. Ende sot, Ilir Çumani që e ka njohur në vitet e fëmijërisë, e shpreh pikëllimin dhe dhimbjen për vogëlushen dhe pikërisht për të përjetësuar kujtimin e saj, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë që ai drejton, ka krijuar një ditë të veçantë përkujtimore, duke e shpallur 20 majin si Ditën Kombëtare të Fëmijëve Jetimë.

Ka kaq vjet tashmë që e përkujtojnë këtë ngjarje me veprimtari masive për të bërë të ndjeshme shoqërinë për fatet e fëmijëve jetimë e që shteti e shoqëria të plotësojë vendin e prindit të munguar te jetimet. Plot çaste të fiksuar nga jeta e fëmijëve.

Fëmijë duke bërë punëdore, duke vizatuar, në sallat e studimit, në kurse rrobaqepësie, marangozët e vegjël gjatë punimeve me dru dhe një e papritur e bukur për çdo vizitor të kësaj ekspozite mbresëlënëse; një vajzë e rritur në Shtëpinë e Fëmijës bën dasmën e vet me fëmijët që kanë fatin e saj në jetë dhe edukatorët.

Kjo ka ndodhur në shtëpinë e Fëmijës në Tiranë, në vitin 1983. Në këndin e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër ka plot fotografi me fëmijë që ish-nxënësi i kësaj strehe, Kolec Traboini, i saponderuar nga Presidenti i Republikës Ilir Meta me titullin “Mjeshtri i Madh”, i njeh e i kujton me mall e nostalgji për ato vite fëmijërie.

Ai kujton me respekt dhe mirënjohje drejtoreshën e paharruar Persa Grabova, edukatore Gjyljana, vëllezërit jetimë Mani nga Tropoja, Shabani, Shpresa, Saliu dhe Kadriu që më pas u arratis nga Shqipëria. Po kështu, vëllezërit Gazulli, Filipi dhe Antoni, edhe ky i fundit u arratis dhe që të dy vëllezërit me familjet e tyre jetojnë tashmë në Nju Jork. Aty është edhe Nurie Rama, Fatime Uka, Kristaq e Violeta Turtulli, dy motrat Katrina dhe Lena, vëllezërit Fejzi dhe Enver Leka, Pjetër Zefi e Geg Sokoli, Frroku, ai fëmijë i qeshur që Kolec Traboini e kishte shok banke në klasën e tretë, ku kishin mësues Njac Nënshatin.

Në stenda gërshetohen brezat dhe kohët, aty gjen edhe foto me ngjyra të viteve të fundit, por gjithsesi ato fotot e vjetra që mbajnë gjurmët e viteve me velatura, janë më interesante dhe të ndalojnë për t’i soditur për një kohë më të gjatë.

Ndaj të duket sinjifikativ edhe ai paralelizëm i një fotoje të vitit 1917 me fëmijët jetimë te asaj kohe, me një foto tjetër të vitit 2017, bërë në të njëjtin vend dhe të vënë pranë aty në shtëpinë shekullore të Harasanëve të Tiranës. Një histori në fotografi që bashkon kohët e na thërret për një mision të madh, t’u rrimë afër e të përkujdesemi si shoqëri dhe si shtet për fëmijët jetimë të Shqipërisë.

Burimi: http://www.panorama.com.al/fotot-e-rralla-nga-kadri-roshi-tek-ema-qazimi-personalitetet-qe-u-rriten-ne-jetimore-si-u-gjet-e-vdekur-vajza-qe-iku-ne-78/.

(Kosova Sot)