Letra e 1950/ Si e nisën luftën komunistët dhe Balli Kombëtar

  • 04 August 2015 - 10:04
Letra e 1950/ Si e nisën luftën komunistët dhe Balli Kombëtar

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”

 Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.

“Letra e fratit pukjan e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vënde e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

Aleksandrí, 3 maj 1950

I dashtuni Atë,

Qe tash po kujtohem prej datës 18 prill të letrës s’ate qi mora me i u përgjegjun, se dje paskam datue e nisun tri tjera me muej të prillit, si qeshë tue gabue edhe me këtê!

Po mundohem edhe nji herë me Të dhânë ndonji kshill për punën e pasaportës. Ka, pra, për refugjatë, si kam marrë vesht, nji pasaportë IRO, e cila lypet prej sekcjonit të saj në Shtetin ku gjinde; ky, besoj mbas informatave qi mbledh për t’ interesuemin, i shkruen qêndrës së vet në Genéve e kjo disponon simbas rasës. Mbandej vetë qeverija italjane lëshon për apolidët nji pasaportë qi heret i kanë pasë thânë Nansen e sod âsht e intestueme kështu: MINISTERO DEGLI AFFARI ESTERI – Certificato d’identità. Bash këtê kam pasë marrë edhe un vetë për me ardhun këtu prej Italije. S’e apin aqë lehtë, por për tý besoj se s’ka me qênë aqë punë e vështirë. Për ngutë kishte me qênë nevoja për ndonji mik në Romë qi i ecë fjala në Ministrí të Mbrêndshme a drejtpërdrejt te kryetar’ i përgjithshëm i policís. Mos qyr intestatën e dokumentit qi âsht e Min. së Jashtme, se kjo vetëm formularët ka e punën e bân ajo tjetra sikur edhe për pasaportat italjane. Për sigurí mâ të madhe me e marrë këtë dokument kishte me qênë mâ mirë, veç, me e kërkue nëpër prefekturën a kuesturën e atyshme ku mund të gjêjsh mâ lehtas mënyrën me e paraqitun veten si duhet e kështu me i dhânë Romës lajme të mira për Tý. Me pasë kush me të ndihmue edhe aty edhe në Romë aqë mâ mirë.

Tash pikë së pari disa pyetje prej anës s’eme: Ç’farë shênjtnish janë, dmth. si quhen shqip këta: 1) Astius? 2) Sergio? (Shën Gjergji? Shirgji? Shirqi?) 3) Arcangelo? 4) Mutter Gottes? ( E dij, natyrisht, se kush âsht; por me këto fjalë s’më bie ndër mênd me e pasë ndie ndonji herë e me e pasë këndue as shqip as italisht as frëngjisht. Un e kam përkthye Shën Mrija nânë ase Shën Mrija virgjën, për me e dallue prej Shën Mrive tjera. Athue shkon? Apo ka ndonji emën mâ të përdorun për tê edhe shqip-italisht-fr.? 5) Sancta Maria a Nivibus? 6) Sancta Maria ab Angeli Salutatione? Qe këta janë për tash pyetjet e mija. E po dal te të Tujat, mbasi të Të falem nderës për tfillimet mbi shkollat katholike të Shkodrës.

Lidhja e Mukaje: e leme dekun! Resistenca shqiptare kundra Boshtit u fillue, si edhe tjerat n’ Evropë, me të hŷmen e Gjermanís në luftë kundra Rusís sovjetike. Qenë komunistat qi e filluen. Por këta në Shqipní ishin të pakë fort në fillim e të damë në qelza (cellula) me tendenca taktike të ndryshme, personale, të paorganizueme e të palidhuna njâna me tjetrën, pa nji qêndër të përbashkët e pa dishiplinë. Prandej edhe resistenca e tyne ka qênë për nji kohë mjaft të gjatë thjesht nominale, nji vepër propagande pa rândsí. N’anë tjetër, edhe Balli Kombtar ishte i themeluem, por i kufizuem vetëm në nji veprimtarí propagandistike. Midhat Frashëri, qi e kryesonte, ishte premas kundra veprimit me armë. Komunistat shfaqeshin nën maskën e vjetër të fabrikueme në Moskë: Çlirimi Nacjonal (qyshë në 1927 un e njihshem me terme të invertueme: Nacjonal-Çlirimtar; aso kohe “çlirimi” sŷnonte kapitalizmën e regjimet fashiste ase shum’a pak antipopullore, për faqe, por në të vërtetë vetëm e vetëm me maskue komunizmën). Ato çerdhe ende primitive e të paorganizueme të komunizmës shqiptare nuk vonuen me ardhun në kontakt me Ballin e me monarqistat e Zogut. Abaz Kupi, kryetar’ i këtyne të fundit, pa kurrfarë kuptimi mbi manovrat e maskimet e komunizmës, qi atëherë vepronte me të vetmen kryefjalë “Vdekje fashizmit, lirí popullit” e pra luftë okupatorit, edhe ai e quejti veten nacjonalçlirimtar e u bashkue me komunistat nën këtë emën e nën titullin-maskë të tyne pa kurrnji kusht tjetër veç luftës kundra okupatorit. Kështu qi dý lëvizjet antipode, komuniste e zogiste, u shkrinë e u bânë nji, nën nji maskë të vetme e me nji kryefjalë të vetme. Balli desh e qëndroi mbë vete, me emnin e vet e me kryefjalën e vet “Shqipnija e Shqiptarvet, vdekje trathtarvet” e me komunistat bâni nji beslidhje taktike-strategjike analoge me aljancën e Okqidentit me Rusín sovjetike. Shkurt, nji aljancë lufte kundra okupatorit. Por, si thashë, komunizma shqiptare ishte e çorganizueme, zogizma pa kurrfarë organizimi tjetër, veç nji njeriu në krye si symbol të nji ideje e me nji turmë amorfe herë mâ të vogël e herë mâ të madhe, herë të rrëgjueme në nji çetë të vetme si Leibëache të kryetarit (kështu deri më 1943) e herë të zgjânueme hove-hove simbas rasës. Së pari, deri ndër muejt e parë të 42-s, akcjonet e ksaj resistence, mbas nji perjode propagandistike individuale e të fshehtë, filluen me u zhvillue me çeta t’armatosuna të hapta për disa zona të jugës e të Shqipnís së mesme, por prap me qëllim propagande e kur u gjurmojshin çetat prej fuqís botore bâhej nga nji përpjekje pa rândsí. Tek e mbramja Tito i fali komunizmës shqiptare dy organizatorë të zott qi e vunë për fije mirë, e lidhën e e organizuen nacjonalisht me metodat klasike të doktrinës së tyne. Nji kongres i përgjithshëm në Pezë hodhi themelat e nji bashkpunimi ndërmjet Çlirimit Nacjonal (komunista e zogista) e Ballit Kombtar. Maska nacjonalçlirimtare e kryefjalët e sipërpërmênduna patën marrë mbë qafë shumë kênd vullnetmirë. Nji ndër nacjonalista mâ të vjetër si shoq’i Riza Danit – qi mâ vonë e pagoi gabimin e vet me krye – ishte nacjonalçlirimtar kâmb’ e kokë, mish e shpirt; prap nji nacjonalist i moçëm e plak si Ndoc Çoba, çohet e shkon në Kongres të Pezës si përfaqësues i çlirimtarve të Shkodrës! Mbas këtij Kongresi resistenca hŷn në veprimtarí të plotë. Ku mundet e si mundet. Me çeta revolucjonare e me atentate. Rryma kishte marrë vrullë të madh. As urtija e Midhat Frashërit – në këtë rasë kiji mëní e foli hakun – nuk mujti t’a refuzojë bashkëpunimin e armatosun të Ballit qi kryesonte, tue ndêjtun në Tiranë i patrazuem prej kurrkuj, me komunistat qi urrente. Krenët e Ballit ishin të tânë legalë, çetat e tyne veprojshin. As unë vetë gjatë 13 muejve të qeverís s’eme, s’i kam gërgá krenët politikë e dirigjenta të Ballit. Kishem respekt për patrijotizmën e tyne e i quejshem viktima të ksaj ndiesije të përbashkët. Kam ndjekun vetëm kê prej antarve të tyne zêjshem me dorë në fakt. B.f. Ndoc Çobën e zûna e e burgosa për pak kohë nga pjesmarrja e tij në kongresin e Pezës. Në ‘43, nën organizimin e ri e prîjën e dy kshilltarvet permanenta slavë dhe kontrollimin e personaliteteve mâ të nalta komuniste slave qi dërgonte herë mbas here partija komuniste jugoslave në Shqipní dhe mâ në funt mbas udhzimevet e urdhnavet qi ajo partí u çonte përfaqsuesve të saj pranë komitetit qëndruer të partís komuniste shqiptare, kjo u kap e u forcue aq sa dalkadalë nisi me u afirmue, tue dalë për fushë me fytyrën e vet të vërtetë, dmth. drejtpërdrejt si partí komuniste shqiptare “në koalicjonin e Çlirimit Nacjonal”. Balli Kombtar u trondit. Filloi edhe me qênë i provokuem prej komunistavet. Nisi polemika me gojë e me trakte. Balli lypi nji sqarim e nji marrveshtje leale e të preme në nji kongres të dytë. Çlirimi Nacjonal (alias koalicjoni komunist-zogist) e pranoi. U bâ mbledhja e delegatënvet në Mukaj, nji katund ndërmjet Krujës e Tiranës. Balli kërkoi që të futej ndër qëllimet e lëvizjes çlirimtare të Resistencës edhe e drejta shqiptare për aneksimin e Kosovës e të protokollohej. E insistoi për këtë pikë. Ky gjest patrijotizme s’i mohohet Ballit. Por n’anë tjetër për tê ky gjest imponohej edhe si taktikë politike. Të drejtën shqiptare në Kosovë e kishin imponue mâ parë e mâ dalë faktet e asajë kohe. Bashkim’ i Kosovës me Shqipnín tjetër ishte nji fakt i kryem n’atë kohë. Un në të mbramin fjalim t’emin si kryeministër, me 22 nânduer 1942, kishem deklarue: “… E në qoftë se populli shqiptar do të gjindet nji ditë përpara dilemës me zgjedhun njisín kombtare me nji gjysë lirije si atê qi i njeh statut’ i sodshëm apo lirín e plotë pa Kosovën, eh mirë pra, le t’a dijë bota mbarë se zgjedhja e tij âsht e bâme: don Shqipnín me gjysë lirije, por bashkë me Kosovën!” Kosova, mbas lirimit të saj prej zgjedhës sërbe, ka qênë bâmë shumë popullore në Shqipnín e vjetër. Balli Kombtar, pra, taktikisht s’kishte si mos me e marrë para sŷsh nji opinjon kaqë të gjânë në favor të Kosovës e s’donte me i a lânë meritën patrijotike mâ të madhen ndër sŷ t’atij opinjioni bash atyne (kolaboracjonistave) qi i quente trathtarë. Çlirimi Nacjonal e pranoi thesën e Ballit, Abaz Kupi e ata nacjonalçlirimtarë qi s’ishin komunista e pëlqejshin, delegatët komunista u shtrënguen t’a pranojnë me gjûj në bark, si thonë te na, dmth. përdhuni, për oportunitet, për taktikë politike. U zgjodh edhe nji kshill i ri i koalicjonit ballist-zogist nacjonalçlirimtar e komunist nacjonalçlirimtar. Por delegatët e partís komuniste e kishin bâmë hesapin pa hanxhín! Kur u kthyen ke të zott, ke Miladini e Dushani pranë komitetit qëndruer, këta qênë tue i përpí për së gjalli për shka kishin bâmë. Menjiherë u skonfesuen e skomunikuen. Lidhja e Mukaje me të gjitha vëndimet e saja u shpall prej komitetit qëndruer komunist e paqênë e e pabâme. Ndërmjet Ballit e P.K.SH. lufta e ftohtë, filluem prej anës komuniste qyshë para Mukaje, u ashprue keqas, deri qi, mâ në funt, u bâ edhe e nxetë. Ballista e komunista filluen me u vrá, së pari individualisht e mbrapa aty-këtu edhe ndërmjet çetash të tyne. Këtu në këtë fazë shumë me rândsí Balli Kombtar ka bâmë nji gabim të madh, ka humbun nji kohë të çëmueshme. Në vênd qi me shtrëngue rreshtat e tyne, qi ishin ende mjaft të fortë, e me i qëndrue burrnisht bejlegut e ofensivës së komunistave e madje me i u shpërvjelë kundrofensivës edhe me ndihmën, makar indirekte, qi mund t’u epshim pa kursim na tjerët, deshën ende t’i quejshin aljatë në të njâjtën kafshë (causa) të luftës kundra okupatorit dhe qëndruen nji kohë të gjatë në defensivë tue qamë si grát e këqija për “vllavrasjen”, tu u lutun e lëvyrun qi kjo të prânte, derisa komunistat me guximin e dishiplinën e tyne vijshin tue fitue terreno për ditë e mâ tepër e ata përkundrazi tue humbun. Populli shqiptar, edhe pse s’na pëlqen me e pohue, e ka pasun në thue gjatë tânë historís së vet me ndjekun mâ të fortin! Më jet me Të folë edhe pak për zogizmën. Nuk dij mbas sa kohe qi deshtoi lidhja e Mukaje, edhe zogistat bânë kongresin e vet, diku në Shën Gjergj të Tiranës më duket, edhe themeluen e shpallën “Lëvizjen e Legalitetit” dmth. për kthimin e gjêndjes legale, para 7 prillit 1939. Kështu qi koalicjoni tripartit u shkatrrue kryekëput, pozitat u qaruen, por, ofshé, në favor të komunizmës. Ka dalë në dritë kamot nji botim sërbisht i dokumentuem nga pikpamja sërbe përmbi gjithë lëvizjen e Resistencës shqiptare, me titullin Gjaku i tradhtuem i përkthyem edhe italisht e në shitje me titullin Il sangue tradito. Po T’interesoi mund t’a porositish në Romë ase mund t’a gjêjsh ndoshta edhe në ndonji librarí të Bolzanos.

BEKTASHIJT E ENVER HOXHA. Lexo nji herë sa Të kam shkrue mâ parë mbi bektashijt. Këta pra janë nji sektë shum’ a pak mysterjoze, nji farë masonerije besimtare, liberale e nacjonaliste, shkurt me të gjitha cilsít per me u drashtun prej nji regjimi totalitar përgjithsisht e posaçe kur ky regjim totalitar âsht ai i soçmi në Shqipní. Edhe në luftën e resistencës, për aqë sa kanë mujtun e kanë dashtun me ndihmue, kanë qênë me Ballin. Âsht krejt e vërtetë se gati të gjithë të parët e asaj sekte janë shfarue prej regjimit t’Enver Hoxhës, nji për nji si ata të juejt.

MARTESA E MBRETIT ZOG. “Si u suell puna qi Zogu me martue nji grue ungareze katolike?” po më pyet Ti. Para se me të thânë ç’dij përmbi këtë fakt historik, due me të vûmë në beft për nji fakt gjuhsuer, nji gabim qi mjerisht ka marrë dheun ndër intelektualë qi kanë nxânë gjuhë të hueja. Shqipja i ka thjesht të dame dý format aktive e pasive të verbit martue: martoj t’im bir, t’ime bijë et. me …; vetë martohem, u martova, akcili martohet, u martue me… E tash për historí: pra, me sa dij un, pikë së pari Mbreti Zog, ase në këtë rasë mâ drejt me thânë Zogu mbret, dmth. si u bâ mbret, e kishte dá mênden qi Shqipnín sa t’ishte e mundun t’a okcidentalizonte, së paku t’a niste për atë rrugë e tue fillue prej dynastís e prashtu prej martesës së vet. Ka pasun rasa, besoj edhe oferta, për nji martesë shum’a pak të majme me ndonji orjentale. S’e ka dashtun. Pa dyshim mund të ketë ushqye edhe deshirin me u lidhun me ndonji dynastí mbretnore okcidentale. Por për këtë deshir të tij krejt të natyrshëm si nga pikapmja politike ashtu edhe personale, mbasi nuk dij fakte të sigurta, e shoh për detyrë e për respekt faqe historís me heshtun. Nuk dij as se qysh e diktoi Mbretneshën Geraldina. Sigurisht derën e Apony-vet e ka njohun e vajzën do t’i a ketë përshkrue ndokush qi e kishte pamë. Dihet qi ka lypun t’a shohë e t’a njohë edhe vetë e kështu, mbas nji marrveshtjeje të parandejshme me familjen e saj, ka shkue Jak Koçi e e ka marrë bashkë me do të vett e të vetat edhe i ka çue miq të Mbretit në Tiranë. Vajza i ka pëlqye Mbretit mbas disa pjekjesh në shoqní me tê edhe kështu âsht bâmë, kujtoj, mâ parë fejesa dhe mbandej martesa. Pozita fetare e Mbretneshës ka pasë mbetun e parregullueme në fillim, por me gjasë do të jetë rregullue dikur në mërgim, tue qênë se e dij pozitivisht qi Mbretnesha i bân të gjitha kushtet e fés katholike e âsht shum’e devoçme e e lume nga ajo pikpamje.

Tfilloj. Shqipnij’ e mesme ka nji verb ftilloj, qi don me thânë: vê për fije secilën gja në vend të vet: ftilloj shtëpín 2) ftilloj nji gjâ të ngatrrueme, nji lamsh pêjsh p.sh.; 3) nji punë, nji çashtje të ngatrrueme ase pak të qartë; 4) moti u ftillue = u kthillue, u sqarue. Ka qênë Aleksandër Xhuvani, kujtoj, i pari qi e ka përdorë në vend të fjalës spjegoj, marrë, si duket, mjaft vonë prej italishtes, edhe ka bâmë shumë mirë. Ftilloj, pa dyshim âsht nji anagramë e formës tfilloj, me parashtesën t – qi e gjêjmë edhe ndër sa verbe tjera edhe rrjedh prej emnit fill. Un, me kuptimin e fundit qi mund të quhet edhe nji gjymsë neologjizme nxjerrë prej kuptimit 3) e 4) e kam kthye verbin në formën origjinale tfilloj.

Tash a Të kam dalë hakut?

Nji pyetje: e dij prej letrave të Tuja se ke ndër mênd me bâmë nji udhtim për studime historike qi i përkasin Shqipnís. Qëllim i shênjtë ky. Por a ke përgatitun ndonji farë plani për këto studime? A por veç me shkue e me u zhytun ndër arqiva e biblijotheka të pasuna e mbandej shka të qesë Zotynë nëpër duer e ndër katalogë?

E tu mirë u pafshim ndër letrat qi vijnë!

   Mkruja