Si vdiq në burgun e Burrelit gjenerali Abaz Fejzo, i diplomuar “Frunze” të Moskës

  • 09 March 2018 - 11:47
Si vdiq në burgun e Burrelit gjenerali Abaz Fejzo, i diplomuar “Frunze” të Moskës
Shpendi Topollaj – Nuk ka njeri të mos e ketë dëgjuar emrin e fshatit Tragjas në Vlorë. Ky emër ka marrë përmasa epike, pasi banorët e tij të çdo periudhe kanë dhënë shembuj të shkëlqyer guximi, sakrifice e heroizmi sa herë i ka thirrur zëri i atdheut. Tragjasiotët janë njerëz të virtytshëm, bujarë dhe arsimdashës. Ata nuk dinë të mburren me shërbimet që i kanë bërë vatanit, pasi kjo u duket si diçka krejt normale, por nuk mënojnë të krenohen kur bije fjala te bukuritë e vendlindjes. Dhe si për ta përforcuar këtë, ata kujtojnë fjalët e poetit Xhorxh Gordon Bajron, i cili kur i ra rruga andej, u shpreh: “Këtë fshat e ka dashur shumë Perëndia… sa kujton se je në parajsë”. Shumë nga bijtë e tij si Halim Ramohito, Xhemal Imeri, Halo Sinani, Mehdi Ramohito e plot të tjerë, magjinë e këtij fshati dhe dashurinë e pashuar për të e kanë hedhur në letër me vërtetësi, ngjyra dhe ngrohtësi të veçantë.

Rrethanat e luftës së fundit bënë që pas shkrumbosjes së tij, të marrin udhë dy emra: Tragjasi i Vjetër, tashmë ai i reminishencave sa të këndshme aq dhe të hidhura dhe Tragjasi i ri. Ai i vjetri ishte ngritur në një kodër, prej nga shpërfaqej një peizazh përrallash që do ta lakmonin edhe piktorët e shquar, por që ishte i dënuar që t’i kalonte historisë. Kurse ky tjetri, ku u zhvendosën të gjithë banorët, sa vjen e po merr përmasa dhe pamje tjetër, sidomos tani me mundësitë që krijoi demokracia. Fshati lëvizi, por asgjë nuk ndryshoi nga vetitë e larta të banorëve të tij. Ata mbetën si përherë blegtorë dhe atdhetarë të mirë, të zgjuar dhe besnikë. Ashtu sikurse ata, edhe historinë e lavdishme e morën me vete, si diçka të shenjtë. Dhe pjesë e kësaj historie që nuk i numërohen luftëtarët dhe heronjtë e dëshmorët është dhe fati i birit të tij, gjeneral Abaz Fejzos, mburrjes së dikurshme të ushtrisë shqiptare.

Abazi, nxënës në Liceun Francez të Korçës

Abazi u lind më 10 janar të vitit 1925 në një familje të thjeshtë. E quajtën me atë emër, pasi ai, ose donte të thoshte në arabisht luan, ose ngaqë kështu quhej një figurë legjendare, që njihej dhe respektohet sidomos nga bektashinjtë, si vëlla i nipërve të Profetit Muhamet dhe për të cilin në malin e Tomorrit është ngritur një tyrbe qysh nga viti 1620, e cila vizitohet nga mijëra njerëz, pasi besohet se ai kthehet nga Olimpi. Sido që të jetë, ai me jetën dhe veprën e tij e meritoi emrin që i vunë. I ati i tij, Aliu u nda shpejt nga jeta, duke i mbetur rritja e djalit dhe vëllait të tij kujdesit të së ëmës, Rabies, që sapo i kishte lënë të njëzetat, por që mbeti gjithmonë një grua e fortë dhe e sakrificës. Abazit të vogël jo rrallë i takonte të ruante bagëtinë atyre livadheve, gjersa duke parë zellin e tij për të nxënë, e çuan në shkollë. Pasi kreu filloren, me përkrahjen e mësuesve të tij dhe sidomos Elmaz Bitrit, i cili e donte aq shumë sa e merrte në kalin e tij për ta shpënë në shkollë, dhe të inspektorit të arsimit Beqir Sinanit, Abazin e regjistrojnë në shkollën ushtarake mbretërore “Skënderbej”, e cila për shkak të rrethanave që kalonte vendi u mbyll. Pas kësaj vazhdoi shkollën amerikane të Kavajës, e cila nuk e tërhiqte dhe përfundoi në Liceun e Korçës. Këtu zë plot shokë, ku më i ngushti qe Jakov Xoxe, i cili shpesh i kujtonte se Aristoteli kish thënë se “Rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por pemët janë të ëmbla”. Në këtë qytet, Abazi njihet edhe me Vaskë Gjinon, me të cilin do t’i lidhte fati i përbashkët. Ishte koha kur kishte nisur të shpërthente revolta popullore ndaj pushtuesit italian dhe po depërtonin idetë komuniste. Ai merr pjesë në demonstratën e bukës dhe atë të Pavarësisë dhe pranohet në parti.

Abazi me krerët kryesorë të Lëvizjes në rrethin e Vlorës
E kishin përjashtuar për këto angazhime nga shkolla dhe qe kthyer në fshatin e tij dhe i bashkohet njësitit gueril, ku shquheshin trimat Sali Ormeni dhe Tanush Shyti me shokë. Lufta nisi të merrte përmasa më serioze dhe Abazi përfshihet në çetën e porsakrijuar dhe të drejtuar nga komandant Vangjua (Neki Imeri) dhe komisar Difi (Qazim Çakërri). Ishte ende e gjallë, madje po rritej më tej, fryma e guximit të Alem Mehmetit, Hodo Zeqirit, Hysen Jazos, Zenel Ramohitos, Bejko Numanit etj. Si të gjithë luftëtaret dhe luftëtarët e tjerë, edhe djaloshi Abaz Fejzo nisi të dallohej në të gjitha përleshjet me armikun si partizan sypatrembur. Por njëkohësisht nuk kish sesi të mos i bënte përshtypje qëndrimi dyshues ndaj ndjekësve të çetës së Ballit Kombëtar “Shqiponja”, drejtuar nga Hysni Lepenica dhe sidomos ndikimi i emisarëve jugosllavë në çetën Plakë të Vlorës, ku ai ishte rreshtuar. U influencua nga qëndrimi mospajtues dhe gati i hapur i kuadrove si Pali Terova, Fejzo Gjomema etj. dhe u bë dëshmitar i goditjes së të ashtuquajturit Fraksion i Vlorës nga ana e vetë Enver Hoxhës, që shoqërohej nga Hysni Kapo e Bedri Spahiu. Duke parë se ky djalë i ri mbështeste pikëpamjet e atyre që u quajtën fraksionistë, Enver Hoxha që nuk harronte kollaj, e fiksoi mirë atë. Nga ana tjetër, në ditët në vazhdim Abazi pa edhe goditjet e pabesa deri në asgjësim të shokëve me influencë dhe herë pas here shprehte rezervat e tij ndaj vrasjeve të shqiptarëve prapa krahëve. Ndërkohë, u krijua batalioni “Hodo Zeqiri” ku bënte pjesë dhe Abazi, por që nuk vazhdoi gjatë, pasi ishte futur në një listë prej dhjetë vetash që do të niseshin për në Vithkuq të Korçës, ku do të krijohej Brigada e Parë Sulmuese me komandant Mehmet Shehun dhe komisar Tuk Jakovën. Kishin ardhur me këtë rast komandanti Spiro Moisiu dhe komisari i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Enver Hoxha, i cili sapo e pa Abazin, e quajti fraksionist i vogël. I shkathët siç ishte, partizani tragjasiot ia ktheu se, “unë nuk di nga këto, por ajo që di, është se tani fjalën e ka pushka dhe do ta nderoj këtë Brigadë, qoftë edhe me jetën time”.

Abazi, komisar në Brigadën e Parë të Mehmet Shehut
Dhe ashtu ngjau me të vërtetë, Abaz Fejzo u dallua në të gjitha luftimet që kjo brigadë heroike kreu me armikun. Ai mori pjesë dhe u shqua në luftimet përgjatë rrugës për Labinot, në pritën e Qafë-Krrabës, në Dumre, në Symizë, në Operacionin e Dimrit, që zgjati nga dhjetori i vitit 1943 deri në janar të vitit 1944, atë të Tendës së Qypit, në marshimin legjendar për shpëtimin e Shtabit të Përgjithshëm, në luftimet për çlirimin e Pogradecit dhe prilli i këtij viti e gjeti komandant kompanie. Njëkohësisht u kthye edhe në parti, prej nga ishte përjashtuar dhe s’vonoi shumë dhe iu besua detyra e komisarit të batalionit. Luftimet fitimtare të kësaj njësie u shtynë deri në çlirimin e Dibrës e në Mirditë, derisa u kurorëzua me epopenë e luftës për çlirimin e kryeqytetit, ku forcat e armikut prej 3.000 vetash që përfshiheshin në Divizionin 297 të Vermahtit, të mbështetura nga zjarri i artilerisë dhe i 25 tankeve dhe autoblindave që kishin bllokuar rrugët, bënë një rezistencë të egër. Këtu spikati guximi i madh i Abaz Fejzos, i cili i veshur si oficer gjerman, me një gjakftohtësi të pazakontë hyri deri në qendër të qytetit për të parë pozicionet e armikut. Pas çlirimit të së gjithë Shqipërisë, major Abaz Fejzo emërohet në detyrën e rëndësishme të komisarit të Brigadës së Parë Sulmuese.
Në Akademinë

Ushtarake “Frunxe” në Moskë
Pak më vonë transferohet me të njëjtën detyrë në Korçë dhe dërgohet për studime në Akademinë ushtarake “Frunze” në Moskë. Duke kujtuar fjalët e mësuesit të dikurshëm, nuk i ndan librat nga dora dhe jo vetëm mëson gjuhë të huaja, por edhe njeh si rrallëkush krijimtarinë e mjeshtërve rusë të penës si Pushkini, Lermontovi, Tolstoi, Gogoli, Turgenievi, Dostojevskij, Esenini etj., por edhe viziton të gjitha galeritë e artit dhe muzetë e atij vendi ku nuk linte shfaqje, deri dhe opera pa parë në Balshoj Teatër. Gjithashtu, vizitonte edhe artin mahnitës dhe arkitekturën e të gjitha kishave. Fitoi respektin e të gjithë profesorëve dhe kur mbaroi studimet me rezultate të shkëlqyera, çka duket edhe në diplomën e tij me Nr. 057539, dorëzuar nga gjeneral-armate Galickij, iu akordua medalja e artë. Emri i tij ndodhet edhe sot e kësaj dite në pllakën e artë të asaj Akademie me famë. Duke parë kulturën e tij të gjerë dhe zotërimin e katër gjuhëve të huaja, Abazi caktohet me detyrë në ambasadën e vendit tonë në Romë. Këtu del në pah më shumë se kudo erudicioni i jashtëzakonshëm e tij. I habiste të gjithë ata që takonte me njohuritë e tij për artin, kulturën, historinë, letërsinë e atij vendi. Si u kthye në atdhe, shërbeu në disa rrethe si në Burrel, Përmet, Vlorë, Gjirokastër e Durrës, ku me dekret të Komandantit të Përgjithshëm gradohet gjeneral-major. Kudo që shërbeu u dallua për kërkesë të lartë, takt pedagogjik, iniciativë, ndershmëri dhe aftësi profesionale. Kjo qe dhe arsyeja që nomenklatura përkatëse ia ndërroi profilin, duke e caktuar komandant të brigadës së tankeve në Zall-Herr, ku çuditërisht me vullnet titanik u bë mjeshtër i kësaj arme.

Mjeshtër i armës së tankeve
Aq shumë u shqua gjeneral Abazi si njohës i taktikave të luftimit të reparteve tankiste, sa pak më vonë emërohet në detyrën e drejtorit të Mjeteve të Blinduara në Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe këtu, dhe veçanërisht këtu, energjitë e tij ishin të pashtershme dhe ai jo vetëm e perfeksionoi këtë armë nëpërmjet një morie formash të aplikimit të artit tonë luftarak, por edhe u bë nismëtari dhe finalizuesi i pajisjes së ushtrisë tonë me mbi 1.100 tanke, sidomos pas vizitës që bëri në Kinë. Ai kishte konceptin se tanket janë njëkohësisht edhe qendra zjarri. Kushdo që do të hynte në zyrën e tij, do të gjente librat e mendimtarëve ushtarakë që nga Sun Xuja, Klauzeviçi, Napoleoni, Welingtoni, Zhukovi, Ajzenhaueri, Çërçilli, De Goli etj. Vëmendja e tij nuk përqendrohej vetëm tek oficerët, por ai interesohej edhe për jetesën e ushtarëve dhe sidomos kulturimin e tyre. Dhe kjo vazhdoi gjersa një ditë, ai që kishte shpartalluar fraksionin e Vlorës, u kujtua të shpartallonte edhe “komplotin në ushtri” dhe nxori të ashtuquajturën fshesë të hekurt. Pra, atë fshesë që pastroi nga komploti imagjinar ushtrinë shqiptare, duke i bërë asaj dëmin më të madh. U pushkatuan dhe u burgosën drejtuesit kryesorë të ushtrisë dhe u vu në dyshim besnikëria e kuadrove të saj.

Internimi në Gramsh dhe shuhet në burgun e Burrelit
Në këto momente pasigurie, u shkarkua nga detyra dhe u lirua nga ushtria edhe ai partizani i dikurshëm, i cili së bashku me gruan e tij të mrekullueshme, Filloretën, luftëtaren e vogël të lirisë nga Grapshi dhe tri vajzat e bukura, u internua në Gramsh. Por as këtu nuk u ndal hakmarrja, dhe pasi e vetëvranë kryeministrin, atë, pasi e përplasën në 20 shtator të vitit 1982 në birucat e Beratit, e dënuan me 20 vjet. Pra, atë që pas çlirimit e kishte zëvendësuar si komandant të Brigadës së Parë Mehmet Shehun, të papërsëritshmin Abaz Fejzo, që kudo që e kishin caktuar e kishte nderuar ushtrinë tonë. Zemra e plagosur e babait për vdekjen e së bijës, Tamarës, e di se çka ndjerë, kur familjen ia çuan akoma më thellë, në Bërsnik, një fshat të humbur dhe vetë atë ‘luan’ e mbyllën në kafazin e burgut Farian të Burrelit, të atij qyteti ku dikur kishte qenë komandant. Dhe ironia e fatkeqësisë është se këtu, ai takon shokët e tij të dikurshëm të luftërave dhe përpjekjeve të pareshtura si Vaskë Gjinon, Rrahman Parllakun, Muhamet Prodanin, Halim Ramohiton, Arif Haskon, Gjergj Titanin e shumë të tjerë. Provon tortura dhe poshtërime të paimagjinuara. Por takon edhe ndonjë ish-kundërshtar si Pjetër Arbnori, i cili me fisnikëri i thotë: “Bindjet sekush le t’i ketë si të dojë. Ne, si intelektualë, të gjithë kërkojmë një jetë më të mirë, ku në radhë të parë të kuptojmë atë që thotë Bernard Shou, se: Urrejtja është hakmarrja e frikacakut”. Vuajtjet shpirtërore të një njeriu si ai ishin më të rënda se torturat fizike. Prandaj, i zhgënjyer dhe me mendjen te gruaja dhe Liza e Pranvera, ra në dëshpërim. Më 12 janar të vitit 1987 ndjeu një shtrëngim në gjoks. Shokët e vjetër bënë të pamundurën, por ai mbylli sytë duke mërmëritur: “Më fal o Zot! Unë nuk të besova, por të keqen nuk e pata nga ti. Të keqen e pata nga ai që ishte një horr dhe ne besonim se ishte zot”.
Vite më pas, kur shkuan atje te Qershia, Filloreta, Rrahmani dhe Gjergji mes pikëllimit i nxorën eshtrat e tij dhe të shokut të hershëm, pra të kohës kur besonin tek idealet komuniste, gjeneralit tjetër, që ia prisnin mishin me gërshërë dhe i hidhnin kripë në plagë, Vaskë Gjinos. I futën eshtrat e tyre të nxira nëpër dy arkivole të vegjël. Gropat, nuk morën mundimin t’i mbyllnin. I lanë ashtu të hapura, si gojë që akuzojnë krimet e atij lugati, që turpi nuk do t’i ndahej përjetë. Ja pra që edhe Tragjasi i ri paska reminishenca të hidhura, të cilat nuk duhet t’i harrojë kurrë.

(Kosova Sot)