Vizita e Qosjes në Tiranë, Hadri: S’ka të drejtë, mirë ia bëtë, t’i ulet pak hunda

  • 20 March 2018 - 10:29
Vizita e Qosjes në Tiranë, Hadri: S’ka të drejtë, mirë ia bëtë, t’i ulet pak hunda

Ashtu siç kemi parë edhe në disa nga kapitujt e tjerë paraardhës të këtij libri, në fillimin e viteve ’70-të, Shqipërinë e vizituan shumë personalitete të arsimit, kulturës dhe letrave shqipe, gjë e cila bëhej në kuadrin e një protokolli të përbashkët që kishte nënshkruar Tirana zyrtare me Krahinën Autonome Socialiste të Kosovës. Në këtë kuadër, diku nga fillimi i verës së vitit 1974, në Shqipëri erdhën një delegacion nga Kosova, ku mes të tjerëve ishin edhe akademiku e historiani i njohur, prof. dr. Ali Hadri, prof. dr. Skënder Riza si dhe pedagogu Emin Pllana.

Gjatë qëndrimit të tyre afro njëmujor në Shqipëri, ata u shoqëruan nga Petrit Sinani, (punonjës i Institutit të Historisë), i cili sipas “rregullave” me të cilat funksiononte regjimi komunist i asaj kohe, ka përpiluar edhe një raport-informacion që më pas i është dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht Ramiz Alisë, sekretarit përkatës të Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonte në rrugë partie, arsimin, artin, kulturën dhe propagandën. Ashtu si pothuaj të gjitha raport-informacionet e kësaj natyre, (për shqiptarët e ardhur nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia) edhe ky i shoqëruesit Petrit Sinani, është përpiluar deri me detaje për gjithçka kanë bërë, takuar, vizituar dhe shprehur “miqtë” nga Kosova gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Ndër të tjera, ajo që bie në sy në raport-informacion është dhe biseda që kanë bërë profesorët nga Kosova për kolegun e tyre, prof. dr. Rexhep Qosjen, i cili po ashtu kishte vizituar Shqipërinë disa kohë para tyre, (gjë të cilën e kemi parë në një nga kapitujt paraardhës) dhe në mes tij (Qosjes) e kolegëve nga Tirana, ishte krijuar një “konflikt” apo më saktë kishte lindur një debat që kishte të bënte me historinë e letërsisë shqipe të realizmit socialist, për të cilën Qosja “akuzohej”, se: “Kishte futur në një thes, historinë e letërsisë shqipe të realizmit socialist, me atë të para luftës”. Për më shumë mbi opinionet e profesorëve të nderuar nga Kosova për kolegun e tyre, Qosja dhe gjithë vizitën e tyre në Shqipëri, na njeh raport-informacioni në fjalë të cilin po e publikojmë të plotë dhe pa asnjë shkurtim. Edhe pse në dokumentin në fjalë nuk ka asnjë shënim nga Ramiz Alia, duket se ai e ka parë atë, pasi aty ndodhet nënshkrimi (firma) e shefit të kabinetit të tij, Ilo Kodrës, i cili ka vënë shënimin e arkivimit të materialit.

RELACION
Mbi qëndrimin në vendin tonë të studiueëve kosovarë, profesor doktor Ali Hadëri, profesor doktor Emin Riza, dhe të pedagogut Emin Pllana.
Në bazë të protokollit të bashkëpunimit mësimor shkencor midis Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe atij të Prishtinës, më datën 2 qershor 1974 erdhi në vendin tonë një delegacion kosovar i kryesuar nga rektori i atij universiteti. Në këtë delegacion bënin pjesë edhe shokët e sipërshënuar.
Më datën 2 qershor këta shokë u pritën në Han të Hotit nga Selami Pulaha – zëvendësdrejtor i këtij instituti.
Më datën 3.VI. ’74 Ali Hadri, Skënder Riza bashkë me gruan e tij dhe Emin Pllanën u pritën në drejtori të këtij instituti, ku morën pjesë nga pala jonë, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Niko Deçka, Stavri Naçi, Kristo Frashëri dhe Petrit Sinani.

Në këtë takim u bisedua për punën kërkimore shkencore që do të bënin ata gjatë qëndrimit në Shqipëri.
Qëllimi i ardhjes së tyre në Shqipëri ishte shfrytëzimi i materialeve arkivale për periudha të ndryshme të historisë së popullit shqiptar.
Koha e qëndrimit ishte e ndryshme. Ali Hadri qëndroi prej datës 2 deri më 28 qershor 1974, Skënder Riza nga 2 deri më 17 qershor dhe Emin Pllana nga 2 deri më 21 qershor 1974.
Gjatë kësaj periudhe ata punuan në Bibliotekën Kombëtare dhe në Institutin e Historisë, ku u shfrytëzuan, sipas rregullave të caktuara, materialet që nevojiteshin.

Prej datës 3 deri më 12 qershor Skënderi punoi 2-3 orë në ditë në Bibliotekën e Institutit të Historisë dhe kohën tjetër e kaloi, me të shoqen duke shëtitur dhe duke bërë vizita tek familja e Mehmet Lutit (gruaja e Skënderit, Mehmet Lutin e kishte djalë xhaxhai).
Në Institutin e Historisë, në Bibliotekën Kombëtare, punuan gjatë kësaj periudhe edhe Ali Hadri e Emin Pllana. Materialet që u shfrytëzuan ishin të periudhave të ndryshme. Aliu dhe Skënderi punuan për problemet e Lidhjes së Prizrenit, ndërsa Emini për vitet 1900-1909. Nga ana jonë iu siguruan materialet e nevojshme. Skënderi dhe Aliu kishin në plan të mbanin edhe nga një ligjëratë. Skënderi e mbajti më 13 qershor 1974 me disa specialistë të historisë në institut, për të qartësuar disa mendime rreth historisë së 30 vjetshit të fundit të shekullit të 19, për të cilën kishte përgatitur një monografi që së shpejti do ta dërgonte në shtyp.

Tema e ligjëratës së tij ishte “Roli i disa organizatave ndërkombëtare në historinë shqiptare në bazë të burimeve osmane dhe angleze”. Krahas këtij diskutimi, Skënderi dha një informacion për disa materiale që kishte zbuluar në arkivat e Londrës dhe Stambollit, për historinë e popullit shqiptar. Mendimet që i dhanë studiuesit tanë, ai i quajti mjaft me vlerë. Skënderi kishte dëshirë që para se të botonte ndonjë punim rreth historisë së Shqipërisë, ta diskutonte me specialistët tanë dhe të ndihmonte me materiale arkivale me sa mundësi që kishte.

Më datën 28 qershor 1974, Ali Hadri mbajti ligjëratën e tij “Historiografia jugosllave mbi Lidhjen e Prizrenit”, po në institut me specialist të historisë.
Krahas punës për kërkime arkivale, u bënë vizita në disa qytete të Shqipërisë. Më datën 6, Skënderi dhe gruaja shkuan në Fier. Atje vizituan Apoloninë dhe në mesditë e po kësaj date shkuan në Vlorë, ku vizituan varrezat e dëshmorëve dhe disa qendra të tjera. Në këto vizita i shoqëroi Petrit Sinani.
Më datën 7.VI.’74, u nisën për në Sarandë, ku qëndruan deri më datën 10.VI.’74. Po në këtë datë u nisën nga Saranda për në Berat. Këtu qëndruan vetëm disa orë. Në Berat, Skënderi takoi në praninë time, Zyma Berishën, pedagoge e gjuhës shqipe në filialin e U.SH.T. që ndodhet në Berat. Zyma ishte nga Peja dhe në Shqipëri kishte ardhur para 13 vjetëve, Skënderi e kishte pasur nxënëse në Pejë.
Më datën 12 qershor, gruan e Skënderit e dërguan në Elbasan, ku qëndroi tri ditë tek vajza e xhaxhait, që ishte martuar atje me Skënder……………., shofer në Turizmin e Elbasanit.

Ditën që u nisën për në Sarandë, Skënderi dukej i mërzitur. Siç tha vetë, arsyeja ishte se një ditë më parë më 5.VI.’74, u nis për në Sarandë rektori i Universitetit të Prishtinës dhe Skënderi donte të shkonte bashkë me të dhe gruan e tij. Mirëpo, sipas tij, rektori nuk pati dëshirë që të udhëtonte me Skënderin dhe gruan e tij, kjo gjë e kishte zëmëruar atë shumë, saqë shfaqi mendimin se “do të kthehemi sa më parë në Prishtinë”, gjoja se kishte fëmijët vetëm dhe se djali i madh do të nisej për në Poloni. Me ndërhyrjen tonë u bind, dhe kur vajtëm në Sarandë, gjendja ndryshoi.
Gjatë bisedave në Sarandë Skënderi foli me urrejtje për Hasan Kaleshin, me të cilin kishte kontradikta të thella. Këto kontradikta, sipas tij e kishin bazën tek qëndrimi jo i drejtë i Hasanit ndaj historisë së popullit shqiptar. Skënderi e quante atë “antishqiptar” dhe falsifikator të historisë, njeri që ishte shitur tek serbët. “Interesi ynë – thoshte ai – e do që të kemi unitet (fjala për Kosovën), dhe të marrim të gjithë drejtimin në Kosovë. Por ka edhe njerëz të tillë si Hasani, që mohojnë kombin”. “Kohët e fundit tha Skënderi, në Jugosllavi është kapur një grup antiparti. Pjesa më e madhe e këtij grupi të madh janë serbë, këta janë ngritur kundër Titos, por u zbuluan dhe u kapën të gjithë në një kohë shumë të shkurtër”. “Kjo gjë – thoshte ai, është në favorin tonë, se u dobësonte pozitat serbëve dhe disa veglave të tyre”.

Në Sarandë Skënderi dhe gruaja e tij mbetën shumë të kënaqur. Gjatë rrugës për në Sarandë, gruaja e tij shprehej me shumë admirim për ndryshimet e mëdha që janë bërë në Shqipëri.
Si Skënderi, edhe gruaja u shprehën me kënaqësi që i gjithë populli në Shqipëri punon dhe jeton në mënyrë të barabartë. “Tek ne – thoshte Skënderi – janë shumë të larta çmimet dhe nuk shikon njeri të futet në lokale si tek ju. Unë për shembull – tha ai – nuk kam shkuar ndonjëherë në Bozhun me gruan time, sepse është shtrenjtë”.

Gruas së tij i bëri shumë përshtypje puna që bënin gratë. “Tek ne – tha ajo – gratë nuk punojnë, nuk ka punë”. Fjalë shumë të mira thoshin për rregullin dhe qetësinë e madhe, si dhe për rregullin automobilistik.
Gruaja e Skënderit ka ikur nga Tirana për në Pejë në vitin 1946. Tiranën e njihte mirë dhe u çudit shumë kur pa gjithë ato ndryshime. “Nuk e gjej dot rrugën për tek shtëpia e axhës – thoshte – Tirana nuk ka qenë kështu”.
Në Elbasan gruaja e tij qëndroi tri ditë dhe u gëzua shumë se ia plotësuam këtë dëshirë.
Skënderi shprehu mirënjohjen e thellë për pritjen e ngrohtë që i bëmë ati dhe gruas, sepse “unë – tha ai – gruan do ta mbaja me shpenzimet e mija personale, ndërsa ju nuk më lejuat të harxhoja asnjë lek”.
Me Emin Pllanën nuk pata rastin të shoqërohem vetëm për vetëm me të, veç 2-3 rasteve që u takuam në hotel “Dajti” dhe në institut. Emini nuk lëvizi nga Tirana dhe gjithë kohën e kaloi duke punuar në bibliotekë.

Më Ali Hadrin u takuam më datën 3 qershor 1974, kur u bë pritja në institut dhe pastaj më 14.VI.1974 ditën që u nisën për në Sarandë. Duke shkuar për në Sarandë, qëndruam në Lukovë, ku shkuam në një librari për të blerë një libër. Brenda në dyqan ishte një Kosovar, emigrant i ardhur në Shqipëri para 15-20 vjetëve që punon në Lushnje si mësues i historisë. Aliu bëri sikur nuk e pa, por ai, (Xheladin Ferizaj quhej), i foli Aliut: “Si je Ali Hadri, a më njeh”. “Më dukesh kosovar – tha Aliu – por nuk të mbaj mend”. Aliu u duk se nuk kishte dëshirë që të bisedonte dhe doli menjëherë nga dyqani, sapo bleu librin.
Atë natë që arritën në Sarandë, ai u tregua i pakënaqur që nuk i dhamë në hotel një apartament, sepse sipas tij, dhoma që kishte, nuk ishte e përshtatshme për punë. “Në Prishtinë kam kushte shumë të mira, thoshte”. Gjatë gjithë kohës që qëndruam në Sarandë, e përsëriti disa herë punën e apartamentit, duke thënë se “nuk më krijove kushte të mira për punë”. Shkuam në Butrint dy herë, njëherë në Delvinë, pamë një shfaqje të Estradës së Shtetit dhe një ditë në Borsh. Gjatë bisedimeve Aliu fliste shpesh për veten dhe kushtet e mira që kishte në Kosovë, për makinën e tij personale dhe për shtëpinë, që kishte ndërtuar në Pejë. Shprehte respekt ndaj studiuesve tanë historianë si dhe ndaj përgatitjes së studentëve në Shqipëri. “Atje në Prishtinë studentët nuk përgatiten shumë dhe pjesa më e madhe mbeten. Kushtet i kanë shumë të vështira, disa jetojnë në bodrume dhe nga njëherë dhe protestojnë”, tha njëherë.
Nuk kishte simpati për Hasan Kaleshin dhe shprehu mendimin se ai duhet t’i shërbejë dikujt tjetër. Fliste për urrejtje dhe për Emin Pllanën. Lidhur me ligjëratën që mbajti Rexhep Qosja në Shqipëri dhe me diskutimet që u bënë rreth ligjëratës së tij nga studiuesit tanë, Aliu shprehu mendimin se Rexhepi nuk kishte të drejtë. “Shumë mirë ia bënë, Rexhepi ka nevojë t’i ulet pak hunda”. Vlerësoi diskutimin e sh. Aleks Buda, Jorgo Bulon dhe Koço Bihikun. Aliu kishte dëshirë që punimet që bëhen tek ne, për periudhën e Luftës Nacional-Çlirimtare, t’i shihte edhe ai.

Ky diskutim lindi se Aliu, duke shfletuar librin “Brigada VI Sulmuese”, në pjesën ku flitet për kalimin e kësaj brigade në tokat jugosllave, i ra në sy një paragraf ku thuhej nga autori, se “Ushtria Nacional-Çlirimtare shqiptare çliroi edhe disa toka të Jugosllavisë”. Kjo tha ai është shumë e shtrembër dhe e papranueshme. “Unë e di – tha – se shoku Enver e përcakton këtë drejt, por autori ka bërë gabim”. “Këtë e them, se atasheu kultural, i Ambasadës Jugosllave në Tiranë, fatkeqësisht ose fatmirësisht është nga Gjakova dhe i lexon të gjitha materialet dhe krijohen keqkuptime në këtë drejtim”. Në vijim të kësaj bisede Aliu tha: “Unë kam vërejtje edhe për historikun e Elbasanit. Aty nuk flitet për djemtë kosovarë që kanë milituar në grupet komuniste, duhet të shënohen emrat e Fadil Hoxhës dhe Xhavit Nimanit”. Për këtë arsye, më se dukej duhej t’i jepeshin Aliut: për të dhënë mendim, shkrimet që bëhen për Luftën Nacional Çlirimtare. Fliste shumë për punën e tij dhe e quante veten si i vetmi historian, që ka dhënë punime të mirëfillta për trevën e Kosovës.

Për ndryshimet që janë bërë në Shqipëri fliste shpesh dhe thoshte: “Të gjitha këto ndryshime janë vepër e partisë me shokun Enver në krye. Shoku Enver dhe Partia juaj është shumë e fortë, ka kaluar shumë furtuna: p.sh. në kohën e Koçi Xoxes kanë qenë situate shumë të vështira. Koçi ishte i poshtër, agjent i Rankoviçit. Unë i kam parë të gjitha dokumentet në Beograd, të lidhjes së Koçit me Rankoviçin”. “Ai që nuk sheh ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre 30 vjetëve, është njësoj si një njeri që nuk sheh pyllin që ka para syve, por shikon një dru të shtrembër midis këtij pylli të madh”. Një ditë u interesua edhe për gjendjen ekonomike të shoferit, e pyeti atë se sa e ka pagën mujore dhe a i mjafton apo jo.
Tiranë, më 4.VII.1974 Shoqëruesi- Dashnor Kaloçi
(Petrit Sinani)