Ramizi: Romani i Gjergj Zhejit, ndyrësirë, imoral, reaksionar, autori armik i partisë

  • 18 April 2018 - 09:44
Ramizi: Romani i Gjergj Zhejit, ndyrësirë, imoral, reaksionar, autori armik i partisë

Dashnor Kaloçi – Gjergj Zheji me origjinë nga Zagoria e Gjirokastrës, njeri me kulturë të gjerë dhe njohës i disa gjuhëve të huaja, përkthyes e studiuesi i njohur i letërsisë, kritik dhe redaktor letrar në revistën “Nëntori” të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, libretist në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe autor i disa librave si: “Rusha”, “Muret e Krujës”, “Pupagjeli dhe shokët e tij”, etj., në fillimin e vitit 1979, u gjend përball një “cikloni” të paparë të ardhur prej kolegëve të tij të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” dhe personalisht Ramiz Alisë, sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën e Partisë. Shkak për këtë gjë u bë romani i tij “Mosha e burrave”, që ai e kishte dorëzuar në dorëshkrim në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Në qendër të këtij romani, apo më saktë “heroi kryesor i tij”, ishte një djalë i ri gjimnazist, (Kreshniku), i cili nga problemet familjare, pëson një krizë shpirtërore të rëndë, gjë e cila e çon atë pas alkoolit, duhanit, madje edhe duke tentuar të përdhunojë shoqen e tij të klasës. Mirëpo kjo gjë, pra vënia e një personazhi si Kreshniku me të tilla probleme si heroi kryesor i romanit, binte ndesh jo vetëm me realizmin socialist e moralin komunist, por edhe me gjithçka tjetër që propagandonte Partia (PPSH-ja), për “edukimin e masave”. Dhe si rezultat, romani “Mosha e burrave” jo vetëm që nuk ka parë dritën e botimit, por Ramiz Alia e ka cilësuar atë libër si: “ndyrësirë, imoral, reaksionar” dhe autorin e tij, Gjergj Zhejin, si “armik të partisë” dhe ka kërkuar me ngulm, që Zheji të hiqet nga puna dhe të dërgohet si mësues në ndonjë fshat të largët. Duket që tërbimi i Ramizit ndaj Zhejit ka qenë mjaft i madh, pasi si rrallë në ndonjë dokument tjetër, ku ai ka shënuar dy tre fjalë, për Zhejin ka shkruar plot dy faqe blloku, duke dhënë porositë dhe orientimet përkatëse me detaje edhe për demaskimin e tij. Përveç kësaj, janë marrë masa dhe janë larguar nga puna edhe disa recensentë të librit të Zhejit. Problemi për Zhejin duket se ka qenë mjaft i madh, saqë për të është biseduar edhe me Hysni Kapon, sekretarin e Komitetit Qendror që mbulonte organet e “diktaturës së proletariatit”. Çka do të thoshte, (po të deshifrohet “kodi” mbi të cilin funksiononte ai regjim), burgu për të ka qenë vetëm një hap larg. Të gjitha këto bëhen të ditura nga disa dokumente arkivore që i përkasin fillimit të vitit 1978 dhe që publikohen për herë të parë në këtë kapitull të këtij libri. Ashtu si pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe këto jepen të plota, me përjashtim të informacionit të drejtorit të Shtëpisë Botuese, “Naim Frashëri”, që publikohet me shkurtime.

Image

INFORMACIONI I JAKUP MATOS DHE MEHMET KARAKUSHIT PER

RAMIZ ALINE
Shënim
Diskutimi i romanit “Mosha e burrave” të Gjergj Zhejit është bërë me ndërhyrjen tonë, sipas porosive që na dha shoku Ramiz me qëllim që të kritikohet ashpër kjo vepër.
Në mbledhjen e parë që u bë në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku merrnin pjesë disa shkrimtarë, punonjës nga Shtëpia Botuese, si dhe shoku Xhelil Gjoni, romani u kritikua rëndë për gabime ideollogjike, shtrembërime të realitetit e imitime të huaja.
Gjatë diskutimit përgjithësisht të gjithë shkrimtarët që e morrën fjalën, kritikuan ashpër romanin. Konkretisht në këtë mbledhje folën Dritëro Agolli, Agim Cerga, Naum Prifti, Jakov Xoxa, Hasan Petrela etj.
Dritëro Agolli, midis të tjerave vuri në dukje se romani është i gabuar që në embrion dhe ka ndikime të huaja frojdiste e pika takimi me ekzistencializmin. Heroi është i sëmurë psiqik. Tërhoqi vëmëndjen se autori edhe më parë ka lejuar teorizime të huaja dhe gabime ideore në revistën “Nëntori”. Agim Cerga e Hasan Petrela e kanë kritikuar rëndë romanin duke e quajtur atë të gabuar në esencë dhe jashtë realitetit tonë. Heroi i veprës është huazuar nga letërsia e huaj, vunë në dukje ata.
Në mbledhje diskutuan dhe Thanas Leci, Stavri Kristo e Myftar Memia, punonjës të Shtëpisë Botuese, të cilët kritikuan rëndë romanin.
Në esencë kritika të forta bënë dhe Naum Prifti dhe Jakov Xoxa, por në disa raste duke i justifikuar gabimet ose duke i zbutur ato. Naum Prifti, ndonëse e kritikoi për frojdizëm, sensualizëm, paqartësi dhe dobësi të tjera, ai e justifikoi ndonjë herë duke vënë në dukje se autori tjetër gjë ka dashur të thotë, tjetër ka thënë dhe se romani mund të rregullohet.

Image

Gjergj Zheji, midis të tjerave tha se ishte nisur nga qëllimi për të vënë në dukje se në shoqërinë tonë ka edhe raste si Kreshniku. Personazhi kryesor bëhet i tillë, pasi në shtëpinë e tij e mbajnë të ndrydhur, nuk e lënë në kontakt me jetën. Pranoi se “mund të ketë shkarë në shumë fraza e stërhollime në analizën frojdiste”, por kundërshtoi mendimin se mund të jetë nisur nga koncepti i Frojdit. Vuri në dukje se heroin kryesor e ka konceptuar “si qënie shoqërore dhe jo biologjike, siç u tha”. Shtoi se është dakord me shumë nga vërejtjet që iu bënë.
Në fund të diskutimit shoku Xhelil Gjoni, pasi analizoi gabimet ideologjike të romanit, e dënoi atë për shtrembërimin e realitetit dhe tregoi se këto e kanë burimin në ndikimet nga autorët e literaturat e huaj, në dobsitë ideore në formimin e autorit dhe në mosnjohjen e jetës.
Autori i romanit, Gjergj Zheji, ndonëse pranoi disa nga vërejtjet ai nuk u thellua si duhet në fajin e tij, prandaj shokët që diskutuan e kritikuan për këtë dhe theksuan se ai duhet të reflektojë.
Dhe nga leximi që i kemi bërë ne këtij romani, shihet se në të shtrembërohet realiteti dhe janë të qarta disa konceptime ekzistencialiste, si vuajtja e pakuptueshme e personazhit, protesta e pikpamjet anarshiste për lirinë, vetmia, fajësia e të gjithëve për gabimet e heroit, veprimet e pamotivuara, si dhe disa koncepte frojdiste.
Porositë që jep shoku Ramiz në shënimin për informacionin që dërgonte Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, sa na u dha materiali, ne ua kemi trasmetuar shokëve të Komitetit të Partisë, të Ministrisë dhe Lidhjes. Veç diskutimit të posaçëm, përt të cilin bëhet fjalë në informacion, romani u kritikua edhe në një mbledhje të gjërë me shkrimtarët kur u bë diskutimi krijues për romanin “Në kërkim të së vërtetës”, prandaj nuk u bë mbledhje tjetër.
Reçenzentë të romanit kanë qenë: Floresha Haxhiaj, punonjëse në Institutin e Gjuhësisë, e cila e ka quajtur vepër dekadente dhe e kritikonte rëndë në reçensionin e saj.
Naum Guxho gjithashtu bënte vërejtje thelbësore për gabimet që kishte romani në trajtimin e problemeve të familjes dhe të personazhit kryesor.
Reçenzenti i tretë, Bashkim Kyçyku, i cili bënte vërejtje, por nuk godiste në shënjë. Thoshte se ka mendime të gabuara, por mund të ripunohej e të bëhej i botueshëm. Më vonë, kur mori vesh që për romanin ka vërejte esenciale, shkoi, morri reçensionin dhe e korigjoi atë. Për këto veprime u thirr në drejtori, iu hoq vërejtja, u pezullua për një vit si reçensent dhe u njoftua dhe Lidhja e Shkrimtarëve ku ai punon si redaktor në gazetën “Drita”.
Gjergj Zheji nuk është në profesion të lirë. Ai punon si libretist në Teatrin e Operas. Komitetit të Partisë dhe Ministrisë i kemi thënë porosinë që të transferohet nga Tirana e të dërgohet si mësues diku në ndonjë fshat.
Komiteti i Partisë ka vendosur ta largojë, por deri tani nuk është bërë gjë, mbasi nuk kanë mundur ta zëvëndësojnë. Kemi biseduar disa herë për këtë çështje dhe do ta ndjekim deri sa të zbatohet porosia.
Mehmet Karakushi
Jakup Mato
20.3.1979

Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image

REPUBLIKA POPULLOR SOCIALISTE E SHQIPERISE
SHTEPIA BOTUESE “NAIM FRASHERI”
Nr….Prot…….
Tiranë, më 22.3.1978
I N F O R M A C I O N
Më 11.3.1978, pranë kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, u diskutua dorëshkrimi i romanit, “Mosha e burrave” i autorit Gjergj Zheji.
Në këtë diskutim morën pjesë: nga Lidhja e Shkrimtarëve, Dritëro Agolli, Agim Cerga, Jakov Xoxa, Naum Prifti, e Hasan Petrela, nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Thanas Leci, Alqi Kristo, Myftar Memia e Stavri Kristo.
Ndodhej dhe autori i dorëshkrimit, Gjergj Zheji.
Në këtë mbledhje mori pjesë dhe sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit, shoku Xhelil Gjoni.
Pasi diskutuan të gjithë pjesëmarrësit, u arritën në këto përfundime:
1. Në qëndër të këtij romani, si hero kryesor i veprës është vënë një nxënës i shkollës së mesme, Kreshniku, i cili nga që gjoja nuk gjen kushte në familje dhe në shkollë për të afirmuar personalitetin e tij, pëson një krizë shpirtërore të rëndë.
Për t’u hakmarrë ndaj familjes dhe shoqërisë, që i pëlcasin buzën me “mos-ët” e tyre, ai thellohet në veprimtarinë e tij iracionale dhe instiktive; rob i instiktit seksual ai tenton të përdhunojë shoqen e klasës, Xhulin, sepse e “dashuron”. Mirpo veç të tjerave, dashuria e tij është një dashuri e mbështetur vetëm në paraqitjen e jashtëme të vajzës, në bukurinë e trupit, syve, vetullave, flokëve, lëvizjeve të trupit të saj. Kreshniku nuk i përfill fare cilësitë e virtutet etiko-morale. Ai ka vetëm një preokupacion, “të dashurojë”. “Përse njerizt nuk i mësojmë fëmijët të bien në dashuri (nga teksti nënkuptohet në kontakte seksuale), sa më parë, por përkundrazi, bëjnë çmos që t’i ruajnë nga dashuria?” – thotë ai në faqen 28 të dorëshkrimit.
I dezilizionuar nga dashuria, ky paramaturant fillon e pi cigare dhe raki, vjedh kostumin e fqinjit, mbyt macet, braktis shkollën, shëndrrohet në një individ agresiv dhe vetëm kur kryen krime, ai ndjen kënaqësi dhe pavarsi.
Heroi i veprës është një i sëmurë psikik, si heronjtë e Kamy-s, Sartr-it etj, karakteri i të cilit përcaktohet nga instiktet. Ai është një hero i jashtëzakonshëm, psikopat, si në romanet e Dostojevskit. Kreshniku i kapërcen kufijt e rrugaçërisë, që mund të ndeshet si mbeturinë e ndikim i huaj në realitetin tonë. Ai është tip i stisur nga autori. Në shoqërinë tonë nuk ka shkaqe ekonomike-shoqërore për të lindur një hero të tillë dekadent.
Figura e Kreshnikut s’ka asgjë të përbashkët me të rinjtë tanë revolucionar dhe më e keqja është se në roman nuk gjejmë asnjë të ri ose të re tjetër që të mëshirojë idealet e larta, tiparet dhe virtutet e rinisë sonë revolucionare. Përkundrazi, veç Kreshnikut, na jepen me simpati nga autori edhe të rinj të tjerë “të shpenguar” që “e kanë fituar personalitetin e tyre” dhe janë më të molepsur se ai. (Skenat e të rinjëve që janë grumbulluar para Kafe “Flora”. Fq. 74-77 etj).
Shkarjet e autorit në skalitjen e figurës së Kreshnikut i rëndon fakti se ai i trajton problemet e pjekurisë seksuale krejt në aspektin biofiziologjik. Shtrimi i këtyre problemeve për moshën e Kreshnikut, madje edhe për më të rinj se ai, është i parakoshëm dhe stimuli i tyre si problem qëndror të rinisë shkollore, bie ndesh me praktikën tonë pedagogjike, me traditat tona, me normat e moralit tonë socialist dhe me vetë idealet e mëdha të rinisë sonë.
…………………………………..
e) Në pasqyrimin e marrëdhënieve familjare autori niset nga teoria e konfliktit të brezave dhe dënohet konservatorizmi nga pozita liberale si ato që predikonte Fadil Paçrami para Pleniumit të IV-të të K.Q. të Partisë.
………………………………
Kreshniku thotë: “Bokaçioja qe ngritur kundër shoqërisë duke përdoruar dashurinë si armë lufte, ai e sulmonte shoqërinë feudale me anë të dashurisë….Këtë armë duhet ta përdorja edhe unë për t’u pjekur” (fq. 25).
g) Autori përdor teknika dhe mënyra të pasqyrimit të realitetit sipas romanit perendimor.
………………………………
Kështu, mbledhja arriti në përfundimin se vepra është tërësisht e gabuar dhe bie ndehs me parimet themelore të realizmit socialist.
D R E J T O R I
(Thanas Leci)

Image

LETRA E RAMIZ ALISE PER DY INSTRUKTORET E KOMITETIT QENDROR
Nga ky informacion del që romani jo vetëm është tërësisht i gabuar, por është reaksionar, i poshtër, imoral.
Shtëpia Botuese ka bërë mirë që s’ja ka botuar dhe që ka organizuar diskutimin. Por nuk na thuhet:
a) Ç’qëndrim mbajtën pjesëmarrësit? A e dënuan të gjithë këtë vepër armiqësore? Na intereson ky qëndrim.
b) Kush kanë qenë recenzentët dhe a e kanë hedhur poshtë të gjithë?
c) Po autori çfarë tha? Pse e ka shkruar këtë ndyrësirë?
Ç’qëndrim mbajti në mbledhje. (Natyrisht kjo s’e lan atë, por të paktën a bën përpjekje për t’u thelluar në fajin e tij?).
Mendoj se ky roman duhet të dënohet në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe autori të hiqet nga profesioni i lirë, të transferohet nga Tirana dhe të dërgohet si mësues diku në ndonjë fshat.
Në mos gaboj, ky njeri (Gjergj Zheji), edhe me Fadil Paçramin ka qenë ngatërruar. I dha dorën Partia por nuk vuri mënd, sepse duhet të jetë armik i Partisë.

Ramiz
24.III.’78
Bisedoni me shokët
Xhelil dhe Dritëro,
Ç’mendojnë dhe ata.

Ramiz
………………………………
Shënim
Porositë qe jep shoku Ramiz për Gjergj Zhejin, autorin e romanit “Mosha e burrave”, ja trasmetuam menjëherë shokut Xhelil Gjoni, Dritëro Agolli dhe shokëve të Ministrisë.
Për pikëpyetjet që bën shoku Ramiz si nga ne dhe nga shoku Xhelil Gjoni, janë dhënë disa sqarime.
Më datën 20.I.1979 u kujtua dhe njëherë se ç’po bëhet. Ai na tha në telefon që për këtë çështje ka biseduar dhe vetë me shokun Ramiz e Hysni, dhe e ka parasysh, por masa për ta larguar s’kanë marrë, se presin të gjejnë njeri për ta zëvëndësuar. Do të përpiqen ta shpejtojnë.
Mbi diskutimin që iu bë romanit në mars të vitit 1978 u dënua kjo vepër duke kritikuar rëndë autorin. Prandaj më vonë nuk u bë ndonjë mbledhje tjetër.
Materiali të arshivohet. Sektori i Arsimit po ndjek porosoitë e dhëna për autorin.
Mehmet Karakushi
23.I.1979 Jakup Mato.

(Kosova Sot)