Josip Broz Tito, antishqiptari i sofistikuar

  • 10 May 2018 - 09:48
Josip Broz Tito, antishqiptari i sofistikuar

Spartak Topollaj – Edhe pse kanë kaluar gati 40 vjet nga jeta e tij, është e çuditshme, madje e papranueshme, që ende sot e kësaj dite shumë shqiptarë, këtej dhe andej kufirit, apo në diasporë, të kenë iluzione për Titon, këtë antishqiptar të përbetuar, konsekuent dhe të sofistikuar, i cili djallëzisht, herë haptas dhe herë fshehurazi, së bashku me anturazhin e ngushtë të tij, e luajti kartën shqiptare në lojën dhe luftën politike mes qarqeve sunduese nacionaliste dhe shovene të Federatës Jugosllave (ku shquanin ato serbe), vetëm në favor të pushtetit jetëgjatë e absolut personal të tij. Dhe është pikërisht për këtë, qëllimi i këtij shkrimi, i cili synon të sqarojë disa të vërteta të mëdha, që pluhuri i kohës, apo edhe më keq akoma, ato të arkivave t’i kenë fshehur dhe zhdukur sa mundën. Dhe e gjitha kjo, jo edhe pa ndihmën e duarve të gjata e të zeza që lëvizin tinëz në bodrumet e errëta të tyre, sa në Beograd, aq dhe në Moskë!

JOSIF BROZ TITO, JETA DHE ENIGMAT E NJË PERSONALITETI APOKALIPTIK
Josip Broz ishte fëmija i shtatë nga pesëmbëdhjetë gjithsej i një nëne sllovene dhe babai kroat, që u lind në Kumrovec të Kroacisë, të shtunën e 7 majit 1892. Ai vdiq ne Ljubljanë të dielën e 4 majit të 1980-ës, tri ditë përpara se të mbushte 88 vjeç. Pa mëdyshje, për të mund të thuhet se ai udhëhoqi gjatë 43 viteve PKJ (më pas LKJ) dhe vetë Jugosllavinë për 35 vite me dorë të fortë, e ndoshta i baraslarguar si lider mes një despoti lindor dhe një absolutisti perëndimor të kohërave perandorake. Autorë të shumtë, vendës e të huaj kanë shkruar për Titon, jetën dhe veprën e tij, si një personalitet kompleks gati-gati apokaliptik, vëllime, studime, analiza dhe artikuj të tërë, por pa diskutim, mes këtij numri pa fund syresh, katër janë më të spikaturit: Vladimir Dedijer (1914–1990), Pero Simiç (1946–2016), Jozhe Pirjevec (1940) dhe Millovan Gjillas (1911–1995). I pari shkruajti, siç me të drejtë e kanë cilësuar, biografinë e sheqerosur të Titos, titulluar “Të dhëna të reja për biografinë e J.B.Titos”, por edhe librin interesant për ne “Marrëdhëniet jugosllavo–shqiptare 1939–1948”, i dyti mbetet autori i të parës biografi të plotë politike me titull “Tito–të fshehtat e shekullit”; i treti, Pirjevec, e titulloi veprën e tij “Tito dhe shokët”, ndërsa i katërti, Gjillasi pra, biografinë e tij për Titon e quajti “Shoqëria me Titon”, botuar edhe me titullin “Si e njoha Josip Broz Titon”. Jo vetëm për faktin se për gati 20 vjet ai ishte një nga bashkëpunëtoret më të afërt të Titos, pjesë e Udhëheqësisë më të lartë partiako–ushtarako-shtetërore jugosllave, njohës i thellë deri në intimitete i tij, por edhe si një analist i saktë objektiv e i paqortueshëm i kësaj figure, që ende pa u shpikur rezonanca magnetike, ia ka bërë Titos, partisë e shtetit që ai udhëhoqi, një të tillë. Gjillasi mbetet më i besueshmi, mbasi edhe kur publikisht në janar të 1954 e shpalli disidencën e tij ndaj Titos e Titoizmit si teori e praktikë e destinuar të dështonte, apo amalgamës shtetërore të Federatës Jugosllave, që kurrsesi s’mund të kishte jetë të gjatë për shkak të krijimit me dhunë, nacionalizmave pa fre, e shovinizmit të papërmbajtur, me gjakftohtësi e kthjelltësi, pa pasion, urrejtje apo hakmarrje, si njëri që kish bërë plot 13 vite burg politik (nëntë prej të cilëve në Jugosllavinë e re, të cilën bashkë me shokët e Titon në krye e kishin krijuar), ai ruajti me fanatizëm baraspeshimin dhe objektivitetin, madje që nga SHBA–të, prej nga ku mund ta godiste nën dhe mbi brez Mareshalin, i cili çdo ditë e më tepër po ngjante me kolonelët e Juntave latino-amerikane, po aq sa edhe me liderët ushtarakë, gjeneralët apo sheikët arabo-afro-aziatikë. Gjilasi shkëlqeu jo thjesht si shkrimtar, por më shume si filozof, që i bëri si rrallëkush, anamnezën teorisë marksiste të asgjëkundit, praktikës kriminale të komunizmit leninisto-stalinian sovjetik, si dhe socializmit specifik e vetadministrimit titoist jugosllav. Gjilasi ka kurajën të vlerësojë burrërinë e trimërinë e atdhetarit e luftëtarit tonë të madh, heroit Isa Boletini, djemve e nipave të tij, vrarë pabesisht në një pritë ushtarakësh malazias, ku ndër kryesoreë, në mos më kryesori ishte edhe i ati i tij!


I lindur e i rritur në një ambient rural, pa ndonjë shkollim të spikatur, edhe pse Austro-Hungaria kishte universitete nga më të famshmit, (madje me vite të tëra ai jetoi në Vjenë e Paris ), Tito bëri punë nga më të rëndomtat e më të ndryshmet elektro-mekanike deri te fabrikat e “Mercedes-Benz”-it para dhe pas Luftës së Parë Botërore, gjatë së cilës u mobilizua në ushtrinë perandorake, pas një kursi për nënoficer, e u dërgua në Frontin e Lindjes, ku luftohej me Rusinë e carëve. Aty u kap rob, u burgos, u torturua dhe u internua në Urale e Siberi, ku edhe ra në kontakt me bolshevikët. Ndoshta me të drejtë më vonë mburrej që mori pjesë, si edhe shumë të huaj të tjerë në revolucionet e 1917-ës në Rusi, pas të cilëve jetoi e u aktivizua për një kohë, duke u bërë edhe anëtar i PK të Leninit më 1920-ën e duke luftuar kundër bjellogardistëve e intervencionistëve, vit në të cilin u kthye në atdhe, pra në Mbretërinë serbo-kroato-sllovene. Aty filloi aktivitetin politik si komunist e sindikalist dhe dy herë e arrestuan dhe e dënuan. Spikat për qëndrim dinjitoz edhe pas daljes nga burgu, si rezultat i luftës, punës e veprimtarisë së tij. Bëhet një nga krerët e komunistëve të Zagrebit falë të vetmit talent që kishte, atij politik. Tito “vdiste” për të mbajtur fjalime, aq sa me të drejtë, një prej politikanëve e më pas shkrimtar i njohur, Zogoviç shprehej për të: “Ai do të kishte vdekur, nëse do të privohej nga fjalimet”! Shkollimi i mangët mbulohej mjaft bukur prej tij me njohuritë që merrte vazhdimisht në të gjitha fushat, por gjithsesi Tito ndihej si i zënë në faj që s’arriti kurrë të marrë një diplomë universitare (ashtu si edhe Enveri ynë!). Të krijohej përshtypja që shpesh ai shmangte bisedat dhe kujtimet për kohën kur ishte fshatar apo punëtor, përjashto rastet kur si demagog i pakrahasueshëm që ishte, puna ia desh të fliste ndonjëherë për klasën punëtore dhe fshatarësinë e Zadrugave të ngritura sipas ideve të Kardelit e Kidriçit, aq shpejt të dështuara. Por le t’i kthehemi vitit 1934 kur Tito doli nga burgu dhe shkoi në BS stalinian, qendër edhe e Kominternit, ku jetonte e vepronte edhe vetë kreu i komunistëve jugosllavë Millan Gorkiç. Terrori dhe ekzekutimet staliniste mbi udhëheqjen e partisë e mijëra komunistë të tjerë, (flitet për mbi 700.000) mareshalët e gjeneralët e ushtrisë së kuqe, krerët e policisë sekrete, për të mos folur për holodomorin e llahtarshëm në Ukrainë, ku uria dhe ekzekutimet bënë kërdinë (këtu bëhet fjalë për miliona jetë të humbura), nuk mund të mos preknin edhe krerët e Kominternit, apo të partive komuniste të vendeve të tjera, që udhëhiqnin nga Moska partitë e tyre. Këtë fat patën të gjithë ata që policia sekrete staliniane, tashmë me Berian e zi në krye, përgjonte, përndiqte dhe i spiunonte te Stalini, qoftë edhe për kundërshtimin më të vogël ndaj këtij terrori të paparë brenda llojit. Kësaj gjëme nuk i shpëtoi dot as Millan Gorkic, që u arrestua dhe u ekzekutua në mister të plotë. Në këto rrethana më 1937, Kominterni, padyshim me miratimin e Stalinit, vuri në krye të PKJ-së Titon. Ai vazhdonte të qëndronte në BS, ndërsa në gjirin e udhëheqjes së PKJ, në frymën e spastrimeve staliniste, eliminoheshin njëri pas tjetrit figura të rëndësishme të saj. Kjo deri më 1939, kur Tito kthehet përfundimisht në vend dhe në njëfarë mënyre ndalon gjuetinë e shtrigave brenda PKJ-së dhe vetë udhëheqjes së saj, sipas stilit stalinian. Njerëzimi ishte në prag të një Lufte të re Botërore, nga e cila s’kish se si mund të shpëtonte pa u përfshirë edhe Jugosllavia mbretërore. Kjo luftë zgjati katër vjet në territorin jugosllav (prill 1941-maj 1945). Pushtuesit nazifashistë gjermanë dhe italianë bënë që në fund të luftës në Jugosllavi të humbnin jetën mbi 1 milion e 700 mijë njerëz, prej tyre mbi 300 mijë (nga rreth 700-800 mijë gjithsej), ishin partizanët e Titos. Në fillim të luftës PKJ dhe Tito premtuan vëllazërim-bashkimin dhe të drejtën e popujve të Jugosllavisë deri në vetëvendosje. Konferenca e Bujanit e sanksionoi këtë, por shpejt në Jajçe më 29 nëntor 1943 AVNOJ, me dijeninë dhe miratimin e Titos, i hodhi poshtë vendimet e Bujanit. Siç dihet tashmë, edhe në Shqipëri ishin formuar grupet komuniste, por ato kishin plot divergjenca mes tyre. Këtë situatë e dobësi të komunistëve shqiptarë e shfrytëzuan të dërguarit e Titos, Miladin Popovic dhe Dushan Mugosha, që bënë ligjin në mbledhjen themeluese të PKSH-së më 8 nëntor 1941, duke projektuar djallëzisht, që në krye të saj të zgjidhej më pas Enver Hoxha beniamin i tyre, që vetëm me komunizmin dhe idetë e tij s’e lidhte asgjë deri më atëherë, por që siç tregoi e vërtetoi koha më vonë, doli se “shokët” jugosllavë s‘ishin gabuar aspak. Të gjithë të deleguarit e Titos, veç të sipërpërmendurve, si Bllazhe Jovanoviç, S. V. Tempo, V. Stojniç, N. Dizdareviç, S. Zllatiç, Josip Gjergja etj., i kryen detyrat e tyre më së miri, teksa Konferencën e Pezës e donin pa nacionalistët, imponuan hedhjen poshtë të vendimeve historike të Mukjes, e duke u bërë përcaktues në Konferencën e Labinotit dhe Plenumin e zi të Beratit, aqsa deri më 1948, vetë Hoxha njihte Titon edhe si sekretar të përgjithshëm të PKSH-së! Sido që të jetë, duhet pranuar se gjatë luftës, Tito tregoi aftësi dhe trimëri të veçantë, sidomos pas betejave të Uzhicës, Sutjeskës dhe Neretvas çka ia rriti reputacionin brenda dhe jashtë Jugosllavisë, si një udhëheqës vizionar, gjë që po ashtu nga ana tjetër, çoi në glorifikimin e figurës dhe emrit të tij, deri në kult të tipit stalinist. Koha vërtetoi se me kalimin e viteve, jeta e tij do të ecte paralelisht me delirin e protagonizmit, madhështisë e ekzibicionizmit, sëmundje këto, që Frojdi me gjenialitetin e tij të psikoanalizës në neuropsikiatri i ka shpjeguar dhe argumentuar në mënyrë shteruese. Një shembull sinjifikativ është realizimi me Hollivudin në 1973, i filmit “SUTJESKA”, në të cilin, rolin e Titos e interpreton aktori i madh britanik, Richard Barton (1925-1984).

Siç dëshmojnë njerëzit më të afërt, bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe biografët e tij më seriozë e objektivë, Tito jetoi mes luksit të shfrenuar, që do t’ia kishin zili edhe monarkët e sheikët më famëkëqinj, gjë që natyrisht, ishte krejt e kundërta e asaj çka predikonte doktrina komuniste, të cilës gjoja i përkiste ai. Pallatet e kështjellat mbretërore, vilat aristokratike të më të pasurve të mbretërisë, por edhe shumë të reja që u ndërtuan posaçërisht për Titon, de facto ishin pronë e tij. Ai fluturonte vetëm me BOEING-un 727 personal, lundronte me jahtin e tij superluksoz ‘Galeb’ (pulëbardha) dhe qe i vetmi lider në Europë, që udhëtonte me trenin e tij blu të blinduar. Sa për parkun e autoveturave me limuzina presidenciale, kryesisht ai përbehej nga automobilë gjithashtu të blinduar të markave “Mercedes-Benz 600s”, gjithmonë gjashtë dyershe, “Rolls Royce” dhe “Cadillac”. Mbante unaza dhe bizhu të tjera me diamantet më të shtrenjta dhe vishej vetëm me kostume firmato të personalizuara, civile e ushtarake, plot dekorata të arta këto të dytët, siç kemi parë e shohim gjeneralët e dinastisë së KIM-ëve koreano-verior, të cilat i ndërronte deri edhe tri herë në ditë së bashku me këpucët e çizmet më të kushtueshme me lëkurë të kafshëve të rralla të Savanës. Sa për gëzofët, ato vinin nga Tajga dhe ishin vetëm zebelin siberian! Edhe pse as i pashëm e as i shëmtuar, as i gjatë e as i shkurtër, me një trup robust që erdhi duke u shëndoshur, me flokët gjithnjë të lyer dhe operacionet plastike, kremrat e parfumet më të shtrenjta e të rralla që përdorte, ai mbetej gjithsesi karizmatik. Ushqimet ishin nga më të zgjedhurat, e kryesisht afrodiziakë. Preferenca e tij ishin proshutat, aragostat dhe korani i liqenit të Ohrit. Frutat tropikale, mjalti me bajame e lajthi, i quajturi seksi sallata qenë dobësia e tij. Tymoste superpuro speciale Havane (prej 20 vitesh, ‘60-‘80, dhuratë e Kastros), pinte nga verërat më të vjetra e më të shtrenjta italiane e franceze, uiski të vjetruar, apo konjak “Napoleon-Courvoisier”. Hobi i tij ishin bilardoja, dominotë dhe nganjëherë shahu, ndërsa pëlqente të shihte në TV futboll e basketboll dhe patinazh artistik. Në stadium shkonte rrallë, kryesisht në Finalen e Kupës së Jugosllavisë, që luhej në Ditën e Rinise, çdo 25 maj. Gjuetia ishte një nga kënaqësitë e veçanta të tij dhe e tillë ajo mbeti deri sa, pas amputacionit në këmbën e majtë, ky hobi iu bë i pamundur… E teksa shihnin këtë luks të shfrenuar mes abuzimesh të shumta, edhe personeli që i shërbente Titos, ndaj të cilit ai përgjithësisht sillej ftohtë, përpiqej të përfitonte. Rasti më tipik ishte ai i shoferit personal, një gjysmë kaçak e gjysmë partizan, i quajtur Perlja, që vrau veten, pasi iu zbuluan zullumet e shumta që bënte.

GRATË, MARTESAT, FEMRAT – PËR TITON; GATI MANIAK SI TË GJITHË PERANDORËT, MBRETËRIT, 
DIKTATORËT E AUTOKRATËT E TJERË
Biografia e Titos nuk do të ishte e plotë, nëse nuk do të paraqiteshin në të raportet e tij me femrat në përgjithësi dhe bashkëshortet, bashkëjetueset, të dashurat, apo mikeshat e përkohshme, të shumta në numër e që ishin pjesë e pandarë e jetës së tij. Mirëpo, as koha, as vendi e as qëllimi i këtij shkrimi nuk janë lidhjet me të gjitha femrat e jetës aventureske e donzhuaneske të tij, për të cilat mund të shkruheshin kolana të tëra volumesh erotike, ndaj po ndalemi vetëm të ato që u njohën publikisht në të gjallë të Titos, e që patën ndikim deri diku në ndonjë moment të rëndësishëm, të tjerat, le t’ia lemë kohës t’i “deklasifikojë”.
Gruaja e parë e Titos ishte rusja Pellagija Denisova. Bellousova Broz, që me përkëdheli thirrej Polka (1904-1968). Ata u njohën dhe u martuan në Rusi, kur ajo ishte vetëm 15 vjeçe, pra më 1919 dhe u divorcuan më 1936. Me Titon patën dy vajza, Zllatica dhe Hinko, që vdiqën herët dhe një djalë Zharkon, lindur më 1924. Ajo u burgos dhe u internua për së dyti nga Stalini me akuza të montuara prej shërbimit sekret të Berias, fill pas prishjes me Titon më 1948. Vetë Tito, edhe pas vdekjes së Stalinit, nuk u interesua kurrë për të, madje padrejtësisht edhe e përçmoi. Pellagija vdiq në Moskë, më 1968.
Tito ndërkohë nuk e priti aspak dhe u martua me austriaken Lucia Bauer po atë vit. Ajo ishte 25 vjeçe, pra rreth 20 vjet më e re se ai, e njihej edhe me dy emra të tjerë, Anna Koenin e Elza Johana Kenig. Martesa e tyre u bë në tetor 1936 në Moskë, ku edhe ishin njohur në hotel “LUX”, në të cilin qëndronte Tito edhe si kominternist, por pas pak më shumë se tre muaj u divorcuan, (janar 1937). Çuditërisht foto të Bauerit nuk u bënë kurrë publike, aq më tepër që, edhe për vdekjen e saj në moshë të re ka një tis misteri, sidoqoftë, versioni më i besuar mbetet se ajo u arrestua, u gjykua me procedurë të përshpejtuar dhe u ekzekutua fill pas divorcit me Titon si spiune gjermane, me dyshimin standard të Lubjankës (famëkeqja seli e policisë sekrete sovjetike në Moskë), meqenëse para Titos kish qenë gruaja e një zyrtari të lartë gjerman.
Si grua e tretë e Titos, me të cilën pati dhe djalin Misho, njihet sllovenia me origjinë hebreje, Herta Haas (1914-2010). Martesa e tyre zgjati rreth katër vjet (1940-1943). Vërtetë ishin vite të vështira lufte ndaj pushtuesve italianë e gjermanë, por Tito me gjithë përgjegjësitë e mëdha në krye të Partisë e Ushtrisë si dhe problemet e vështira e përballjet me nacionalistët çetnikë serbë të Drazha Mihajlloviçit dhe ustashët kroatë të Ante Pavelicit, e gjeti kohën dhe mundësinë të divorcohej prej saj!
Natyrisht për Titon nuk mund të kishte vakum në raportet me gratë, ndaj dhe si “dhuratë” nga Zoti i erdhi, një vajzë e re, e zonja dhe e bukur, e quajtur Davorjanka Paunoviç – Zdenka (1921-1946), e cila u ‘sistemua’ si sekretare personale e Titos. Dihej nga të gjithë, sidomos nga udhëheqja, se në ç’relacion ishin ata të dy. Por Titos aq i bënte. Koha dhe anturazhi i ngushtë i tij treguan më vonë, se me sa dukej, Zdenka ishte dashuria e tij e jetës. Edhe pse ata s’u martuan asnjëherë e nuk patën femijë, Tito nuk e harroi kurrë atë! Ndoshta ishte thjeshtë një koincidencë, por edhe Zdenka, ashtu si Lucia Bauer, vdiq vetëm 25 vjeçe, por ndryshe nga ajo që u ekzekutua, jetën e saj e shuajti tuberkulozi, aso kohe vështirësisht i shërueshëm edhe jashtë Jugosllavisë. Në fund për kuriozitet, shënojmë se Zdenka ishte tezja e monstrës super të korruptuar serbe, Mirjana Markoviç, bashkëshortes së Sllobodan Millosheviçit, famëkeqit kryekriminel të luftës, vdekur teksa gjykohej në Hagë për gjenocid. Sa për Mirën e Sllobos, djalin e vajzën e tyre Marko dhe Marija, edhe më të korruptuar se e ëma, nëna Rusi, shpalosi gjithë “zemërgjerësinë” e saj putiniane, duke u siguruar strehimin politik më luksoz të mundshëm!
Për rreth tetë vite Tito konsiderohej një beqar, natyrisht i stazhonuar, e që ishte i justifikuar në hazdisjet e flirtet pa fund, deri sa më 1952 u martua zyrtarisht me gruan e katërt e të fundit Jovanka Budisavljeviç Broz. Natyrshëm, ashtu si rastësisht, atë ia ofroi famëkeqi e antishqiptari patologjik, serbi Aleksandar Rankoviç, sekretar i brendshëm dhe shef i OZNA-s e UDB-as, të cilin jo pa djallëzi, Tito e nxori nga skena politike më 1966, pas Plenumit të Brioneve. Jovanka, një partizane dhe majore e ushtrisë, ishte plot 32 vite më e re se Tito. Ajo pati rol, sidomos në politikën e kuadrit te Titoja, si edhe besohet se ai, jo rrallë ndikohej prej saj në vendime të rëndësishme që merrte. Me luksin e shfrenuar të saj, ajo gjithashtu nuk i la gjë mangët të shoqit, me të cilin brodhi gjithë botën mes ceremonialeve e protokolleve madhështore, deri sa një ditë, aty nga viti 1978, pas më se një çerek shekulli mbretërimi, nuk u shfaq më në publik, vetëm se në ditën e varrimit të Marshallit, në majin e 1980-ës te Kodra e Luleve. Thashethemet dhe teoritë konspirative për një komplot të Jovankës me gjeneralët serbë të tipit Gjoko Jovaniç lidhur me KGB-në, që gëlonin në Beograd e në kryeqytetet e botës, edhe në gjallje të Titos, pas vdekjes së tij, erdhën duke u amplifikuar. Vetë Jovanka pak para se të vdiste gati në mjerim dhe pothuaj e harruar, që jetonte ditët e fundit me dramën e një kohe të lavdishme e të lumtur të humbur përgjithmonë, ia dha kujtimet e saj gazetarit Zharko Jovanoviç, të botuara nën titullin “Jeta ime e vërteta ime”, ku hedh jo pa zotësi poshtë akuzat dhe fajëson dy sekretarët e Brendshëm e të Mbrojtjes, Stane Dollanc e Nikolla Ljubiçiç, si komplotistë e karrieristë të rrezikshëm!
Në mbyllje të këtij kapitulli, duke folur për të gjitha femrat e Titos, këtij sulltani të kuq me harem, nuk mund ta anashkalojmë edhe autorin e njohur Filip Raduloviç, i cili në vitet ‘70, pra kur Tito jetonte e sundonte, jo pa miratimin e tij, publikoi librin “Dashuritë e Josip Broz Titos”, në të cilin jepeshin jo pak, por 18 martesa të Titos dhe jeta përrallore e tij në 38 rezidencat, njëra më luksoze se tjetra në të katërta anët e Jugosllavisë. Një pjesë syresh, po i përmendim fare shkurt: Tatjana Okunjevskaja (1914-2002) artiste filmash dhe ish-dashnore e Berias; Nina Dumbadze, gjeorgjiane, rekordmene në hedhjen e diskut; Zinka Kunç, artiste e Operas Metropolitan në Nju Jork; Gertruda Munitiç e Operës së Splitit; Darjana Grbiç, masazhatorja e tij personale etj, etj. Në delirin e tij të madhështisë, ekzibicionizmit dhe epshit të pashuar, ky hamshor i tipit Kazanova, në superluksin e Galebit, jahtit të tij, apo rezidencat mbretërore thirri edhe yjet e kinematografisë botërore, Elizabet Tejlor, Xhina Lolobrixhida, Sofia Loren etj.

(Kosova Sot)