Goditja e ambasadës shqiptare në Paris/ Hasan Luçi akuzon për terrorizëm Skënder Zogun: Vutë në rrezik dy familje - Dossier - Kosova Sot
Goditja e ambasadës shqiptare në Paris/ Hasan Luçi akuzon për terrorizëm Skënder Zogun: Vutë në rrezik dy familje

Goditja e ambasadës shqiptare në Paris/ Hasan Luçi akuzon për terrorizëm Skënder Zogun: Vutë në rrezik dy familje

Akuzat për përdhosje të varrit të Mbretit Zog në Paris, në 1977, Hasan Luçi, ish-sekretar në Ambasadën Shqiptare në Francë në vitet ‘70, i ka konsideruar shpifje, ndërsa shpërthimin në selinë e ambasadës, një akt terrorist, me rrezik jetë njerëzish. Në librin e tij me kujtime “Një jetë në shërbim të kombit shqiptar-kujtime mërgimi”, Skënder Zogu, nipi i Mbretit Zogu I, tregon për jetën e tij pranë Mbretit Zogu I, por edhe Leka I.

Ndër të tjera, ai tregon edhe për përdhosjen e varrit të Mbretit Zog, në 25 gusht 1977. Skënder Zogu akuzon drejtpërdrejt agjenturën shqiptare dhe më konkretisht sekretarin e parë të Ambasadës Shqiptare në Francë, Hasan Luçi. Sipas Zogut, ky i fundit kishte urdhëruar disa studentë shqiptarë në Paris për të kryer aktin e shëmtuar. Zogu tregon po ashtu, se për t’u hakmarrë ndaj këtij akti, një grup nacionalistësh kishin hedhur një flakëvënëse në Ambasadën Shqiptare, në një moment kur atje nuk ndodhej njeri, për të shkaktuar dëme materiale.

Pas botimit të kësaj ngjarjeje në gazetën “Panorama”, ka ardhur edhe reagimi i Hasan Luçit. Duke u shprehur se “ne nuk merreshim me të vdekurit”, Luçi mohon të ketë gisht në këtë ngjarje. Sipas tij, këtë e dëshmoi edhe qëndrimi i policisë franceze. Ai, po ashtu, hedh dritë mbi ngjarjen në ambasadë. Sipas Luçit, nuk është e vërtetë se në ambasadë nuk kishte njerëz. Ai thotë se në të ndodheshin dy familje, madje edhe fëmijë të vegjël.

PËRGJIGJE E DOMOSDOSHME SHPIFËSIT LEGALIST

HASAN B.LUÇI

Më vjen keq që gazeta “Panorama”, dt.7 maj 2018, f.13 , (në fakt ters!), me kaq përvojë, të lejojë botimin për bujë mediatike, me germa të stërmëdha, nga kujtimet e legalistit Skënder Zogu, i cili në mënyrë të përsëritur si psalt, akuzon, pa asnjë fakt e provë ligjore, se paskemi përdhosur varrin e mbretit të vetëshpallur, në Paris. Vetëm mendje të sëmura e terroriste mund të shpifin xhevahire të tilla nga mërgata e qyqeve, që u bënë kavje e armiqve të Shqipërisë së Re, si mbeturina të fashizmit që u vunë në lëvizje për të tentuar përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri.

Ne nuk ishim të marrosur si kallëpet që mbron faqe botës Skënder Zogu, se nuk merreshim me të vdekurit, por me kufomat e gjalla, përfshi Leka Zogun, i cili përdori terroristët që i mbron hapur ky njeri, që mori pjesë edhe vetë në këtë maskaradë në Paris, si për përdhosjen e varrit, ashtu edhe për goditjen e ambasadës sonë, dy herë në Paris dhe një herë në Romë, veç akteve të tjera terroriste e provokimeve mafioze ato vite. Godina e ambasadës ishte pronë private franceze dhe veç dëmeve të mureve të saj, u thyen xhamat e dritareve në të dyja anët e rrugës, të banorëve francezë, pra, ishte dyfish çmenduri e këtyre terroristëve.

Në ambasadë kishte dy familje që banonin dhe kishin fëmijë të vegjël dhe këta terroristë barbarë u hodhën flakëhedhësen për të shfryrë armiqësinë e tyre fashiste. Ai akuzon edhe studentët tanë, bursistë të Francës, se paskan dhunuar varrin nga frika ime! Po si s’e ha mortja, thonë gratë në Labëri, për të harruarit si ky legalist i thekur, me mendje mbretërore të rrjedhur! Bën mirë që pranon se organet shtetërore franceze nuk u dhanë asnjë përgjigje me të drejtë, gjoja protestave të këtyre terroristëve, por nuk tregon të vërtetën e jo frikën e përplasjes diplomatike.

Ai shpif edhe se gjoja mua më kanë dëbuar si të padëshiruar, kur s’ka ndodhur asgjë e tillë dhe unë jam transferuar normalisht, se punova atje nga janar 1972 në nëntor 1977. Pra, me këto akuza, ky milet hesap del si rruar qethur, si mendjendritur që është! Së fundi, po pohoj se ne kishim bashkëpunëtorë atdhetarë në gjirin e tyre dhe dinim synimet e tyre, por nuk dinim kohën e kryerjes së aktit terrorist. Me qëllim parandalimi vumë në dijeni organet policore franceze, por ata nuk mundën apo i lejuan, është çështje tjetër që s’kam pse merrem këtu.

'Image

Por akuza pa asnjë bazë e këtij “heroi” zogist meriton një proces gjyqësor dhe do të mallkojë veten pse u kruajt e i bie murit me kokë. Bëmat e mërgatës së qyqeve i kam trajtuar në librin “Veprimtaria e mërgatës politike shqiptare 1944-1992”, në bazë të arkivave tona dhe ka vite që padronët e tyre pranojnë dështimet për komplotet me këto kavje a mish për top kundër popullit shqiptar dhe nxjerrin në pah bëmat e tyre barbare si tradhtarë e fashistë të pandreqshëm, duke hapur arkivat e tyre, që ende sot bëjnë terrorizëm e provokime si ai më 5 maj 2018 në “Varrezat e Dëshmorëve” kundër veteranëve fitimtarë ndaj boshtit fashist, duke dëshmuar se janë ende terroristë demokratë aktivë gjatë këtij tranzicioni, ku trajtohen si viktima e shpërblehen nga taksapaguesit shqiptarë për bëmat e tyre fashiste, tradhtare dhe antikombëtare.

Për atë që shkruan Skënder Zogu se “u qepesha mërgimtarëve shqiptarë”, unë dhe bashkëpunëtorët atdhetarë në radhët e tyre, bënim punën e mbrojtjes së atdheut nga shushunjat fashiste e tradhtarët, që populli shqiptar të lulëzonte e të përparonte në çdo fushë i qetë, ndërsa ende sot këta gjarpërinj demokratë e fashistë të rinj po i bëjnë bëma të zeza si më parë. Kjo është e vërteta katërcipërisht dhe jo akuzat e Skënder Zogut.

Skënder Zogu: Hasan Luçi përdhosi varrin e Mbretit Zog

Më 25 gusht 1977, në varrezat e Tiesë ndodhi një incident i turpshëm. Disa “agjentë” të Ambasadës së Shqipërisë në rrugën “De La Pompe” në Paris, kishin përdhosur varrin e Mbretit Zog, duke u përpjekur të nxirrnin jashtë arkivolin e tij. Ne mblidheshim çdo vit përpara varrit të Mbretit dhe mbanim diskutime kundër Enver Hoxhës dhe regjimit komunist. Kjo i trazonte diplomatët e ambasadës, spiuni kryesor i të cilëve ishte sekretari i parë, Hasan Luçi, i cili u qepej mërgimtarëve shqiptarë.

Një prej bashkatdhetarëve tanë, Sul Vladi, refugjat i hershëm në Francë dhe kushëri i këngëtarit të famshëm Arif Vladi, çdo mëngjes kur shkonte për në punë, kalonte nga varri i Mbretit dhe vinte lule. Atë mëngjes, ai zbuloi dëmet e shkaktuara te varri dhe i telefonoi menjëherë Mbretëreshës Geraldinë në Madrid. Ajo më telefonoi aty nga ora 8 e 30 e mëngjesit, që të paraqisja ankesë dhe të shkoja të shihja se çfarë mund të bëhej aty për aty. Ajo vetë i shkroi një letër Presidentit Giscard d’Estaing, e cila, për turp, mbeti pa përgjigje. Si hap i parë, përpara se të fillonin punimet për blindimin e varrit, vendosëm të nxirrnim qivurin dhe ta mbanim të mbrojtur.

Pas kësaj, shkova të takoja avokatin e mbretëreshës në Neuilly për ankesën, por dosja u mbyll pa rezultat. Komisari i Policisë, që erdhi për të hetuar te varrezat, e vlerë- soi si akt vandalizmi, ndërkohë që ne ngulmonim që kjo duhej të konsiderohej si një akt politik keqdashës, që vinte nga ambasada komuniste shqiptare. Kur u pyeta nga agjencia franceze “Presse”, deklarova: “E gjithë bota e di se komunistët nuk kanë asnjë respekt për qeniet njerëzore. Ata s’duan t’ia dinë, jo vetëm për të gjallët, por ja ku keni një shembull, që nuk lenë në paqe as të vdekurit”. Veç kësaj, paraqitëm një protestë para Ministrisë së Brendshme, e cila po ashtu mbeti pa përgjigje.

Më pas, mësuam se akti i neveritshëm ishte kryer nga disa studentë bursistë shqiptarë, të frikësuar nga spiuni Hasan Luçi. Ky i fundit mori një mësim të mirë nga Hylle Spahija dhe u dëbua nga Franca si person non grata. Autoritetet franceze nuk ndërmorën asnjë hap, në mënyrë që të mos krijonin ndonjë incident diplomatik, ndërsa Oborri Mbretëror i dha udhëzime Hylle Spahijas që t’u jepte një paralajmërim përgjegjësve të ambasadës, që këto akte barbare të mos përsëriteshin më. Duke e ditur se në ambasadë nuk jetonte askush, u vendos që në mbrëmje të hidhej një flakëvënës, me qëllim që të shkaktoheshin dëme materiale….

 

(Kosova Sot)

 

14 orë e 1 minuta më parë
17/10/18