Rrëfimi i Vera Bekteshit: Poezia e Kadaresë që më mbajti gjallë në internim

  • 27 May 2018 - 11:27
Rrëfimi i Vera Bekteshit: Poezia e Kadaresë që më mbajti gjallë në internim

U munduam shumë të gjenim një personazh dhe e kemi traditë që personazhi  të këtë një lidership në një fushë të caktuar të jetës. Zakonisht kemi pasur në politikë, në letërsi ose në ekonomi, sepse lidershipi është koncept i gjerë. Shoqëria është e sofistikuar dhe ne kudo kemi nevojë për këtë tipar. Nuk ka asnjë organizim shoqëror pa një organizim të lidershipit. Sot kemi ftuar një zonjë me tipare të veçanta; Vera Bekteshi është shkrimtare, është personazh publik, por me një histori jete shumë interesante. Ka botuar një libër para dhjetë  vitesh dhe do e ribotojë  së shpejti. Është duke konkurruar në çmimin “Kadare”, çmim letrar që e jep Instituti “Pashko”.

Më ka tërhequr vëmendjen Vera Bekteshi dhe do të doja të bisedoja sot në një intervistë kolektive, ku secili  prej jush drejton pyetje. Intervistuese është Shkolla Pranverore e Lidershipit e UET e cila u mbajt ne Dhermi. Vera është 70 vjeçe. Ka një përvojë jete të jashtëzakonshme. Ka qenë protagoniste në jetën publike që në vitet ’60- ’70. Ka jetuar 16 vjet në internim. Është kthyer në Tiranë në vitin ’91 dhe ka pasur një jetë të tretë. Është shumë aktive, profesionale. Është aktiviste, eksperte dhe nisur nga 10 vitet e fundit, duke nisur nga libri “Vila me dy porta”, që është një lloj autobiografie, ka botuar edhe dy libra me tregime të shkurtra “Një det i moçëm” parvjet që ishte konkurrente në çmimin “Kadare” por nuk fitoi. Vjen nga një familje interesante partizanësh.

Gjenerali Sadik Bekteshi, hero i Luftës së Dytë  botërore. Vera ka lindur në mbarim të luftës, fëmijë i pasluftës së Dytë  Botërore. E  ka parë jetën nga disa dimension;  nga lartësitë e pushtetit, elitës deri tek  bodrumet e internimit, për shkak të burgosjet së të atit. Është ringritur dhe ka përfunduar doktoraturën më një fuqi të madhe. Ajo është simbol i kurajës dhe kuraja është një nga  tiparet kryesore të lidershipit, sepse gjatë proceseve të jetës rrëzohemi  shpesh, por me rëndësi është të ngrihemi përsëri.

Vera Bekteshi: Ju falënderoj që më keni ftuar. Për  mua takimet me rininë janë një nga gjërat më interesante. Edhe unë, si ju,  kam qenë ndër të parat në shkollë.  Por kam  kam kaluar nga shkenca në letërsi.  Unë kam mbarur Fizikë  Speciale dhe kam qenë në grupin e  parë  të brezit të fizikanëve bërthamorë. Punova 6 vjet dhe më pas u internova. Në moshën 28 vjeç  jam internuar dhe jam kthyer në moshën 44 vjeçare.  Vazhdova punën në shkencë në Institutin Hidrometeorologjik dhe bëra doktoratën dhe, pa dalë akoma në pension,  fillova të shkruaj. Kisha një ngarkesë të madhe për të thënë gjërat që kisha kaluar unë, familja ime dhe familje  të tjera.  Në librin që do të ribotohet janë  më të zgjeruara.  Pra i është shtuar edhe një kat vilës,  sicc e them edhe në hyrje të librit.  Letërsinë e ka dashur shumë. Pas shkencës letërsia ka qenë dhe e kam ndier se një ditë do të shkruaj.  Isha  aq e mbushur! Një shkrimtar i madh thotë se një njeri shkruan  për dy arsye: E para është nëse ke një talent të lindur  dhe e dyta është nëse ke  shumë gjëra për t’i thënë. Unë jam e tipit të dytë, veç faktit që e kisha si detyrë qytetare që të dëshmoja për një periudhë të errët si diktatura. Vendimin e kisha mare por e shkrova  20 vite pas internimit. Nuk isha shumë e përgatitur por edhe sepse i lashë gjërat të ftohen. Po shkrove menjëherë për një ngjarje kam përshtypjen se gjërat e para në gjaknxehtësi nuk janë shumë të drejta. Kur dëgjova se dilnin në televizione dhe flisnin unë thashë se nuk do të dal , por do shkruaj që të mbetet. E kam shkruar librin për tre vite. Gjatë kohës që isha në punë, edhe gjatë pasditeve. Të dy librat kanë afërsisht të njëjtën temë. Tema është përballja e individit me vështirësitë më të mëdha.  Libri i parë është mbi përballjen  me diktaturën,   i dyti, që është përmbledhje tregimesh, është vazhdim dhe pjesa më e madhe është përballja me lirinë.

“Ora me rërë” është se çfarë bëjmë ne me lirinë, sepse është e rëndësishme.  Ju jeni një brez që nuk e ka përjetuar diktaturën,  por shumë njerëz në liri nuk e gjetën veten. Te ky libër përshkruhet sesi personazhi kryesor  vret veten. Ishte një profesionist  i shkëlqyer gjatë Socializmit dhe nuk u adaptua. Kurse libri që do të botoj më vonë është përballja me një sëmundje të pashërueshme. Ka dhe  sfida të tjera që do vijnë më vonë kur të moshohem, sepse tani nuk e ndiej moshën. Përballja  me  pleqërinë është një sfidë shumë e madhe,  sesi ta përballosh jetën me dinjitet. Kanë shkruar shkrimtarë të mëdhenj për këtë.

Kontributi i zonjës Vera Bekteshi   është shumë interesant, sepse është kundër harresës.  Gjërat kalojnë shpejt, ngjarjet harrohen shpejt dhe 28 vjet nga tranzicioni, koha i fshin e i seleksionon ngjarjet. Ideja është mbijetesa; të qëndrojmë mbi ngjarjet, mbi kohën  dhe ‘ kalojmë ato. Sepse, në fund bëhet fjalë  për  thelbin e  jetesës në kushte të caktuara të regjimit; gjendjes shëndetësore, gjendjes psikologjike, gjendjes kulturore, ekonomike etj. Të qëndrosh pro jetës dhe të kalosh nga një fazë në një tjetër,  me shumë dinjitet dhe me klas, duke i sjell diçka jo vetëm fatit tënd por edhe shoqërisë…

Këto më kujtuan natën e parë të internimit. Thuhej atëherë një shprehje popullore që,  “qeveria e kap lepurin me qerre”. Në fillim të bënin ato mbledhjet  që të përjashtonin nga partia, të depersonalizonin  dhe unë për fatin tim të mirë nuk kam qenë kurrë komuniste sepse kisha ato shfaqjet e mija jo të pranueshme nga komunizmi.  Nëqoftëse do ta lexoni librin ishte ai sistemi i depersonalizimit që nga ndarja nga bashkëshorti, të cilat ndodhnin vetëm në Shqipëri sepse në asnjë vend të botës, në sistemin e vendeve socialiste, nuk ka pasur ndarje të tilla. Kur unë flas më të huaj ata nuk e kuptojnë se çfarë është. Ndahet ai se të kanë dënuar ty babanë. Ishte ajo mbledhja në punë… pastaj na çuan në Berat, akoma jo në internim derisa u ndërtuan shtëpitë e të internuarve. Pastaj një ditë të bukur na çuan në mënyrë demonstrative që po s’iu binde partisë kjo të gjen. Ishte nata e parë në internim dhe kisha motrën dhe djalin. Ata i zuri gjumi se ishte një ditë shumë e lodhshme. Mua nuk më zinte gjumi. E pashë atë vendin që do të shkonim dhe nuk kishte ujë. Mendoni se sa e vështirë është të rrish pa u larë. Thashë me vete se ky do të jetë vendi që do të jetoj përgjithmonë sepse internimi i tillë ishte. Nëse do të rrija atje do të kisha vdekur ose të bëhesha një plakë e drobitur dhe s’do të isha kjo që jam. Thashë: “kjo është jeta që kisha ndërtuar dhe kisha ëndërruar?” Kisha mbaruar gjimnazin shkëlqyeshëm, kisha mbaruar fizikë speciale, kisha fituar olimpiada dhe kisha nisur doktoraturën që atëherë. Kisha shkruar një vepër që mori çmim republike. Nuk po i tregoj këto për të thënë se çfarë kam bërë,  por sesi u nis jeta ime dhe si do të përfundonte.

Atje vendosa dhe thashë: “Unë do i përbuzë të gjitha qëndrimet e së kaluarës, sepse po të jetoj me ato qëndrime nuk do e përballoj do këtë jetë të re që më është vënë përpara dhe kaq të vështirë nën survejim total me mikrofona, me operativin që krijonte lloj-lloj situatash. Vendosa që këtë situate të re do e përballoj jo vetëm me forcë por edhe me një përqendrim aq të lartë sa e kërkonte fusha,  nga e cila sapo isha ndarë. Pra dhe në internim nuk ishte vetëm që do merrje kazmën,  do punonim arën dhe do paraqiteshim tre herë dhe do haje ato bëzhdilat që të jepnin. Nuk e merrni me mend se çfarë varfërie qe në kohën e tufëzimit në kooperativat e Shqipërisë. Ne na çuan në  ato më të varfrat. Thashë: “Unë duhet ta përballoj këtë gjë njësoj sikur të merresha me punë shkencore sepse vetëm kështu mund t’ia gjej anën kësaj pune.  Që nga internimi kam fituar shkollën që ta njohë të keqen menjëherë.  Sapo e shikoj një tjetri e dalloj menjëherë të keqin dhe largohem. Këtë e kam shkollë nga internimi dhe shumë gjëra të tjera. Nuk trembem, sepse kam parë aq shumë qamete.

Cili  është kujtimi më i keq i jetës  juaj?

Kur ne u internuam kisha gjyshen nga babi në shtëpi dhe gjyshja shumë kohë rrinte tek ne dhe na erdhi  llafi se nuk i takuam më dajën, xhaxhain, vdiq gjyshja dhe ne se pamë…

Ajo pat thënë se në shtëpinë e sime bije ra bomba atomike.

Pra,  gjëja më e vështirë për t’u përballuar është goditja e parë. Është tamam si në ring. Nëse shmang grushtin e parë fillon përgatitesh fizikisht dhe psikologjikisht.

Këtë këshillë ua jap të rinjve.

Dhe këtë mendoja unë,  sepse  ju nuk dinit çfarë ishte Sigurimi, por  kur mendoja: Këta plehra të më bëjnë mua vegël të tyre?  Kurrë! A  ka vdekje?! Një herë jeton njeriu dhe njëherë vdes. Të bëhem unë vegël e tyre, e  Sigurimit?! Një nga arsyet që nuk është shkruar shumë për diktaturën, sipas meje,  është se njerëzit diku e kanë ngrënë atë çorbën që thuhej në ato filmat e kohës së socializmit dhe u duket se nuk e kanë të drejtën morale. Ndërsa unë e quaj të gabuar se edhe nëse kanë gabuar, se këtë e kanë thënë edhe në çmime Nobel “ Ore kemi qenë disa ditë  nazistë, ose   na kishin detyruar të ishim të tillë.” Ja,  unë isha e fortë edhe nuk më thyen, por për  shumë njerëz të tjerë nuk kanë qenë kështu. Unë isha e martuar dhe kisha një djalë, burri im ishte diplomat dhe papritur merr vesh që babai yt po dënohet dhe ty do të mohohet jeta. Të të marrin dhe të të çojnë në një humbëtirë, të të japin një kazmë në dorë edhe të të thonë se kështu  do të jetosh gjithë jetën. Të thoshin taa të Sigurimit “Djali yt kot mëson, se këtu ka për të vdekur”. Sistemi të bënte ta mendoje se do të ishte i përjetshëm. Këtë ta thoshin edhe fshatarët se kot mundoheni duke  punuar kaq shumë, “duhet ta ruash veten dhe të bësh hile në punë.”

Një  lajm tjetër shumë i hidhur ka qenë me djalin e motrës së babait tim, i cili ishte oficer madhor i teknikës së ushtrisë,  shumë i zoti në fushën e tij. Ai foli diku dhe e burgosën në burgun e Qafë Barit. Ai u ngrit në revolt dhe ndoshta e keni parë sepse është bërë një dokumentar për revoltën e Qaf Barit dhe tre nga ata u vranë, midis tyre edhe djali hallës sime  që është rritur në shtëpinë time dhe unë e kisha si vëlla. Dhe e dini si e kanë  vrarë?  Që të kuptoni çfarë është diktatura… Ky bashkë me dy të tjerë ishte në krye të revoltës,  e kanë marrë,  e kanë shtrirë përdhe, u kanë hipur sipër me çizme me thumba dhe njëri nga ata policët e ka kthyer dhe i ka thyer kolonën vertebrale dhe ka vdekur. Këtë e mora vesh para një jave. Po ashtu kam marr veshë se ata dy të tjerët u vranë, kurse këtë e kanë thyer në mes. Këtë njeriun, policin  e kanë marrë dhe e kanë  hedhur nga gremina. Iku jeta e tij do thuash, por dhe ky është një lloj çlirimi që atë njeriun e kanë hedhur të burgosurit. Të burgosurit pasi ua vranë shokët,  kanë gjetur momentin dhe e kanë hedhur në greminë. Ky është lajmi që na tha babai nga burgu dhe tha se,  mendohet të ketë vdekur nga zemra por unë e di shumë mirë dhe shkruante pa censurë se atë e kanë vrarë.

Ju si një femër shumë e fortë, e cila ka kaluar shumë sfida, të cilat jemi mësuar t’i shohim nëpër filma. Ju si një njeri i pasionuar pas shkencës,  kishit menduar ndonjëherë se pas atij formimi të madh do të ktheheshit në burim frymëzimi dhe një njeri që do shkruante me ndjenjë të madhe ?

Jo. Frymëzimi jo, por e kam thënë në hyrje të librit  të fundit. Kur isha në farishten e duhanit,  kur isha në internim, gratë shkuan të hanin bukë dhe më lanë mua roje aty, si e dënuar  që isha, unë  të mos  haja drekë. Farishtja vaditej me ujë dhe shpërtheu kanali e do të përmbyste gjithë fushat e duhanit, të cilat ishin pasuria e fshatit,  sepse duhani mbante me punë gratë gjatë gjithë vitit. Përveçse do të më faturohej si sabotim, u mundova me lopatë të rregulloja lehet e dheut,  që të pengoja ardhjen e ujit. Mund të bëja edhe burg për këtë dhe m’u duk për një moment sikur ma kishin bërë kastile. Aty shohë një hardhucë që e nxjerr ujin nga foleja, por unë nuk i vura re, por ajo me përpjekjet e saj për të mbijetuar më bënë shumë përshtypje.  U duk sikur ngriti sytë dhe më pa dhe më tha “ A  nuk ke solidaritet me mua që jam bishtprerë? Por dhe ti je njësoj,  pa mjete mbrojtëse.” Mu duk se tha “Më ndihmo!” Vura një shkop dhe ajo u ngrit dhe gjeti folenë e saj dhe pastaj gjatë gjithë verës  u rrit dhe vinte më takonte përditë. Një ditë iu afrova dhe i thashë se do vijë  dita dhe unë do të shkruaj për të gjitha këto.  Çuditërisht kur shkrova nuk  e mbajta  mend  në versionin e parë. Më ka ardhur në mendje tani. Duke kaluar shumë vite memoria emocionale është kaq e fortë sa ti e thërret kur të duhet.

Pra, gjatë internimit e ke menduar se do të kishe një jetë të tretë…

Po. Dhe për të mbajtur mendjen i kam bërë djalit matematikë me problema jashtëzakonisht të vështira, sepse ishte libër i përkthyer nga rusishtja. Ma kishte dërguar Vili Minarolli nga qyteti Stalin, edhe ai i internuar. Kam punuar 16 vjet me atë libër dhe më ka mbajtur mendjen gjallë,  sepse do stërvitur çdo gjë si trupi edhe mendja. E bëja këtë sepse thosha  që kur të kthehesha do të  isha “tabula rasa”.

Po ju jap një shembull historik;  Mafud Salam është një fizikan pakistanez që ka mbaruar Oksfordin, i cili ka krijuar shkollën e Triestes në Itali dhe është shkollë e famshme e Fizikës. Ai mbaroi fakultetin në Angli dhe u kthye në Pakistan  që t’i shpërbente atdheut të tij dhe e çuan përgjegjës të sportit dhe të arsimit në një komunë. Kisha lexuar këtë sepse e kishte nxjerrë Rexhep Mejdani te “Shkenca dhe Jeta” dhe ma përforcoi idenë. Ai thotë: “3 vjet në zyra m’u myk truri!” Po mua 16 vjet?!

Aristoteli thotë  se me 7 vite punë fizike, pushoni së qeni intelektual. Vera ke diçka që do ta ndash me auditorin?  sesi kur je në situatë të vështirë  ravijëzohet  shpresa dhe çdo shenjë ti e shikon në favorin e shpresës. P.sh si  e përjetove ti poezinë e Ismailit “Fluturimi i patave në formë V-je” ?

Shiko sa interesante është kjo.  Ishim në një takim me rininë. Një vajzë që kishte studiuar në Gjermani dhe  i dukej vetja speciale se studionte jashtë për Fajance. “Se unë studioj shkencë”, tha. E pyeta çfarë  dhe më tha financë dhe filloi të fliste shumë keq për Ismailin. Unë nga vendi i them nëse e kishte lexuar Ismail Kadarenë. Ajo tha jo.  Po si mund të flasësh për një autor pa i lexuar librin?!  Atëherë më dëgjo – i thashë- se kur isha në internim,  ishim të varfër e s’kishim lekë për libra, por kam shitur gjëra të miat  me vlerë për të blerë ato libra. Midis këtyre librave ishte një poezi që thoshte se  patat fluturojnë në formë V-je. Unë i kam pasur miq Kadarenë dhe Elenën dhe m’u duk sikur ajo poezi ishte bërë për mua. Thuhej në atë poezi se diçka e latë tek ne, diçka e gjetët në re, faleminderit pata për aq sa bëtë për ne.  Këto vargje të Ismailit më kanë mbajtur gjallë. Nuk ka më gjë lënduese sesa  kur mendon se të kanë harruar.  Dhe i thashë asaj vajzës se ky është Ismail Kadare dhe lexoje atë e mos fol sipas interesit të disave që nuk e duan atë. Të gjithë shkrimtarët kanë kontestime, kanë njerëz që nuk i pëlqejnë. Nuk ka asnjë artist në botë që të pëlqehet nga të gjithë. Më kujtohet Agim Baçi që tha  se nëse Kadare nuk është disident, atëherë e gjithë vepra e tij  është një disidencë. Ne lexonim midis të gjitha rreshtave dhe kuptonim gjërat që donim t’i kuptonim dhe i kuptonim. Kur jam kthyer e kam pyetur Ismailin dhe ai është përgjigjur, siç përgjigjet ai si me  ekuivokë…

Ju folët për ditën e parë të internimit, por në ditën e fundit çfarë ndodhi?

Para rënies së murit të Berlinit filluan lëvizjet dhe unë dëgjoj në radio “Rai2” një lajm interesant,  që e kam vënë edhe në libër. Ky lajm më dha shpresën përfundimtarë  se gjërat në shkallë botërore do të ndryshojnë. Që atë moment unë e dija se do ktheheshim. Ju nuk e dini se cili ka qenë Buharini, ai ka qenë anëtar i Byrosë Politike të Bashkimit Sovjetik në grupin e atyre qëe  kundërshtonin Stalinin.  Ai u vra, ndërsa g ruaja e tij, Ana Boharina u  internua në Siberi.  .  Ai la një testament  dhe në lajmin që po dëgjoja në radio thoshte se Ana Buharina është kthyer në Moskë në apartamentin e aj të vogël moskovit dhe radha e qytetarëve për ta takuar atë ishte e pafund.  Dhe unë kam bërtitur kur e dëgjova. Thirra mamanë  ta dëgjonte. Më vonë u shpjegua lajmi se ai i kishte lënë Anës një testament dhe atë ajo do ia jepte dikujt që sipas mendimit të saj do të ndryshonte Rusinë. Ajo mendonte se ishte Gorbaçovi dhe ia dërgoi. Ky e ktheu menjëherë në Moskë nga internimi.  Unë thashë se atje ku lindi komunizmi atje po shkëputen hallkat dhe nuk është e largët dita  që do të vijë edhe këtu. Pastaj filloi rënia e murit të Berlinit, kështu që ai lajm ka qenë për mua dita e fundit.

Më bëri përshtypje përshkrimi sesa e vështirë është të jetosh në internim dhe të përballesh më lirinë. Ne nuk ia kemi idenë dhe njohim më shumë përdorimin e saj. Si është kjo përballje pas gjithë kësaj eksperience? Çfarë është gjëja më me vlerë që do merrni nga të dyja?

Do të shikoni se nuk është fare i zymtë libri im “Vila më dy porta”, ky tjetri madje ka dhe skena romantike lidhur me pyllin, sepse është e vërtetë se në gjërat e vogla është  lumturia. Edhe në internim ne qeshnim dhe nuk qanim në përgjithësi. Tronditeshim, por nuk qanim. Kisha dy vëllezër, ishim dy motra, mamaja, gjyshja që vdiq menjëherë në Berat  dhe babai që ishte në burg. E mbushnim jetën me libra. Absolutisht libri është shoku më i mirë. Unë nuk e kam ndier kurrë vetminë. As në internim, as tani. Shikoj pak televizor dhe e mbyll. Një abazhur të mirë te koka dhe lexoj. Unë jam njeri pa gjumë përgjithësisht. Ngaqë më pëlqen pjesa që lexoj më zë gjumi, me diçka të bukur. Internimi më kaliti durimin dhe lirinë që na erdhi, unë e pashë me sy shumë skeptik. U futa prapë në Fizikë të Aplikuar dhe prita çfarë do të ndodhte. Arsyeja pse unë e rishkrova këtë  libër është se nuk është e rastit që tranzicioni tek ne është më i zgjaturi se vendet e Lindjes dhe më i vështiri. Me analizën që kam bërë unë është se edhe diktatura qe më e vështirë. Sa më i madh është presioni, aq më e vështirë është të dalësh nga ai presion. Sikur një gjë e mbushur me ajër; aq më shumë ta presosh aq më shumë kohë do ajo që të marrë formën e saj. Përveç kësaj ajo që vë re unë, sepse kam punuar deri para një viti në punë dhe akoma  nuk jam shkëputur, ajo që ka lënë diktatura nuk është vetëm presioni i madh  apo frika, por është edhe një model drejtimi si në parti,  edhe në shoqata. E kam përjetuar me dy shoqatat e fundit ku unë mbarova punën se ai drejtuesi i shoqatës që ishte i ri, sepse unë nuk pranoja ta drejtoja, ishte komplet enverist. Mungesë transparence, autoritarizëm, ofendues, sikur ai i ardhur nga Senica  e Sarandës më kishte mua jetën në dorë. Dhe kjo është një nga gjërat më të këqija. Janë modelet që ka lënë Enverizmi,  në njerëz që nuk e njohin fare, që janë të rinj.  Kjo ndodh sepse ai model është edhe në familje, për fat të keq.  Dhe e thashë atëherë se duhet forcuar ky libër, duhet ribotuar kështu, që kush të dojë ta lexojë edhe si kujtesë, por edhe për këtë arsye.

Doja të kapja pjesën e elitës injorante. Ne po e hasim edhe në ditët tona dhe fatkeqësisht po na drejtojnë. E keqja më e madhe është se të rinjtë po e kuptojnë, por s’po merren hapa për të reaguar. Vetëm koha e diktaturës ka qenë ajo që e ka furnizuar këtë model, apo dhe tranzicioni i paplanifikuar  ka lënë pasojat e tij? A po krijojmë ne kuadro sot që ta zhdukim?

Sipas mendimit tim,  të bazuar në studime të lexuara, analiza botërore. Pse ne kemi pasur vazhdimisht qeverisje të keqe dhe jo vizionare? Që nga Pavarësia e këtetj… Të gjithë pushtetarët tanë kanë qenë të zotë vetëm të mbanin pushtetin.  Jo për të prosperuar këtë vend. Arsyeja është se ne nuk kemi elita. Prandaj qëllimi i këtyre shkollave të mira si UET është përgatitja e elitave për qeverisje, jo vetëm në shkencë apo arsimim. Se ti kur ke dy,  do zgjedhësh njërin. Ne s’kemi pasur elita. Pushtetarët e sotëm nga kanë ardhur?  Ku janë formuar politikisht?  Nga çfarë shkollash kanë ardhur?  Evropa, Amerika kanë pasur elita të mira. Kanë pasur me qindra dhe kanë zgjedhur dhjetë. Ne mizerabël kemi qenë dhe ende  jemi dobët. Shikoni  edhe analizat që bëhen nëpër televizione.

Është e vështirë për shqiptarit të kapi fillimin e problemit që ta rikuperoje pastaj. Nuk po flas për ata që kanë pasur mundësi të studiojnë jashtë. Por për ata që formohen në Shqipëri dhe vdesin këtu…

Unë mendoj se nuk duhet ta hiperbolizojmë arsimimin jashtë, edhe pse janë më të mira. Por ai që është i zoti,  bëhet edhe  në vendin e tij. Lomonosoi, themelues i universitetit  rus ka qenë djali i një peshkatari.  Ky shkrimtari i madh portugez për çmimin Nobel, Saramago  ka qenë fshatar.  Dhe plotë njerëz të tjerë në botë.  Nuk kanë ardhur domosdoshmërish nga një familje intelektuale por me vullnet dhe talent kanë arritur të bëhen dikush. Në start është ndryshe djali i një artisti për t’u bërë artist dhe ndryshe ai nga Dukagjini  të bëhet artist. Për shkak të devizës “mos u dorëzo, pro qëndro dhe vazhdo”  kanë dalë dhe kanë ecur përpara më shpejt se të tjerët. Jo të gjithë ju do shkoni jashtë. Edhe  këtu ka shkolla të mira por nuk po mësojnë. Unë pyes pedagogët e Shkencave të Natyrës dhe është për të ardhur keq që mund të mbyllet fizika.

Ju jeni model i fortë dhe idhull për t’u ndjekur po ku e keni gjetur këtë model dhe këtë forcë për të qenë kjo që jeni. Kush ka qenë frymëzimi juaj?

Nuk e di,  në kohën që isha fizikane dhje lexoja jetën e Mari Kyrisë do ketë qenë ajo. Unë i konsideroj gratë shumë të forta dhe të më falin burrat, por njerëzit e mëdhenj që kanë dhënë shumë  për shoqërinë njerëzore kështu mendojnë. Vetëm po t’i thuash një burri shqiptar që mendon se je më i fortë se gruaja jote dhe ka për të thënë se është. Fizikisht vetëm fizikisht. Ka dhe plot vajza tani që e kanë tepruar se vetëm bukuria, rinia dhe seksi janë vlerat. Është shumë fyese për ne.  Por ju jeni nga ata të talentuarat, të zgjuarat, që gjithçka do ta bazoni te forca juaj e mendjes dhe e shpirtit.

A ka pasur gjatë jetës suaj ndonjë moment dorëzimi ?

Kur u ktheva dhe isha në Institutin Hidrometeorologjik dhe po shkoja në Shkollën e Patisë dhe kemi ndenjur në kushte shumë të këqija në shkollën e Partisë.  më të këqija si banesa në internim.  Ishte natë dhe po e shikoja se po më ndiqte  një makinë dhe një qime më  ndante. Në ’91 kishte një trafik të çmendur.  Sapo kisha dalë nga një betejë e tmerrshme  dhe do më duhej betejë sërish  për tu integruar në shoqëri, në zanatin e shkencës dhe thashë:  po sikur ta lë veten të më shtypë makina?!  Ky ka qenë i vetmi tundim dhe e kam  përmendur edhe në libër. Derisa i shpëtova atij tundimit të vdekjes, që  është më i vështirë se tundimi i dashurisë. I shpëtova atij tundimi dhe zoti na ruajt!  Nga ç’kam lexuar nga këto historitë kur njerëzit kanë shpëtuar nga tmerr si  Holokausti , shumë e kanë vrarë veten. Nuk e kanë përballuar dot lirinë.

Ka statistika për ish të përndjekurit në Shqipëri?

Nuk e di. Në Amerikë është bërë një studim se brezi i dytë dhe i tretë i të mbijetuarve nga Holokausti, pasardhësit e tyre  janë të sëmurë mendorë,   sepse është shkruar në gjen ajo trauma e madhe e marrë nga kampet e përqendrimit.

Doja t’ju pyesja,  sepse folët shumë për kujtimet e këqija, cili ka qenë kujtimi juaj më i bukur që do e mbani mend  gjithë jetën?

Shkrimi më jep shumë lumturi dhe këto kohë qe po pres Çmimin Kadare nuk jam duke shkruar dhe më është prishur qetësia dhe më ka ikur gjumi. Ju nuk e kuptoni se çfarë kënaqësie  ju jep krijimi. Unë nuk u bëra dot fizikane e plotë,  sepse nuk kishim laboratorë atëherë dhe nuk krijova dot në Fizikë. Por shkrova  diçka kur isha në punë. Krijimtaria dhe takimi më lexuesit të japin lumturi shumë të madhe.

Ju vendosët ta shkruanit historinë tuaj dhe zgjodhët letërsinë  Pse  nuk vendosët ta publikonit që ta lexonin të gjithë?

Unë e quaja detyrë qytetare që të dëshmoja  për të keqen dhe të lija një dokument. Mbaj mend më pat thënë Aleksandër Meksi  të bëja një roman për diktaturën.  Jo i thashë se do bëj një libër që po të ndryshoj emrat dhe vendet do të duket si një roman autobiografik dhe jo kujtime. Por unë do i lë emrat dhe vendet,  për të dëshmuar se kam kurajën të them që ky ka bërë këtë gjë,  por dikush tjetër ka qenë i mirë dhe unë i shkruaj këto.  Edhe Sekretari i Partisë që shkon në pyll dhe i thotë vëllait tim “më mbaj pushkën të dredh duhanin,  se e dimë ne se ju nuk jeni armiq të popullit”. Domethënë populli e kuptonte,  por kishte frikë. Unë doja të lija një dëshmi. Ky ishte qëllimi. Për ta lënë më të fortë këtë dëshmi bëra një libër të ri.

Ajo që na bënë këta që jemi në këtë vend janë të mirat apo  të këqijat që kemi kaluar. Pas 16 vitesh peripeci dhe gjithë atyre vuajtjeve, a  do të donit të ndryshonit diçka, duke ditur se nuk do ishit kjo që jeni sot?

Po, besoj  se një librat e mi të ardhshëm do të shpik një autobiografi  për veten, një version që do e doja për veten.  Nëse nuk do më ishte ndodhur një fatkeqësi me fëmijën tim që u sëmur në internim, unë them se ia vlente ta bëja këtë jetë, sado që ishte në varfëri ekstreme dhe trauma të jashtëzakonshme, unë dhe familja ime e përballuam me dinjitet. Vetëm kjo mos më kishte ndodhur. Një fëmijë brilant me zgjuarsi të madhe të mbyllet dhe të rrijë pa punë.  Unë këto gjëra nuk i bëjë publike, por këtu jemi midis nesh. Është ajo që kur ti e përballon një fatkeqësi thua se kjo është jeta ime.  Gjithë këto kohë unë kam përballuar edhe sfidën e sëmundjes, ndaj kam bërë edhe librin që nuk është biografik,  është tjetër gjë dhe unë do doja që të shkonte kështu ajo gjëja.

Rrezatoni një ndjesi qetësie, që duket se mungon tek ata që kanë vuajtur si ju. Duket se të gjithë të persekutuarit kanë një ndjesi ankthi,  padashur e lini të kuptohet që  nga mënyra e lëvizjes dhe ndjesitë që krijohen. Ju jeni e qetë. Një njeri që nuk e di historinë tuaj nuk e kupton  dhe mendon se nuk keni kaluar asnjë lloj traume.  Ju i jeni mirënjohëse harresës apo kujtesës për këtë gjë, sepse na është thënë se po të harrojmë do të jemi të lumtur….

Nuk e di është edhe konstitucion shpirtëror, edhe trashëgimi sepse kam pasur babanë unë që përpara situatave të tilla ai ishte gur.  Dhe mamaja mi shkarkonte mua tensionet për të tre fëmijët e tjerë se thoshte se isha si babai. Unë i thosha se edhe guri çahet,  më ruaj pak. Por të shohësh fotot e mia nga internimi, sidomos vitet e fundit isha shumë e dobët, kockë dhe lëkurë dhe dukej sikur isha në kampet e përqendrimit. Isha 50 kg, 170 cm e gjatë. E  kam edhe nga kjo,  se të gjitha tensionet e shtëpisë shkarkoheshin mbi mua. Kam gjetur një ekuilibër dhe librat më kanë ndihmuar shumë.  Kam lexuar se njerëzit kanë vuajtur më shumë se unë.

Ju e thatë që dhe në momentin kur vajtët  betë një pak më veten dhe kjo është si një jetë e dytë.

Po. “Do i harroj këto dhe do jetoj me të tashmen”.  Kjo është edhe baza e Budizmit. Jeto me të tashmen!  Kur ikja në punë,  është një bimë që  quhet “sëmërdelë” që është eterovajore,  por i ka gjethet në nuancat e ngjyrave të tokës.  Dhe i këpusja ato e sillja në shtëpi si buqetë me lule.

Pra ju jetoni si një familje normale në kushte jonormale.

Po, çdo gjë që e bënin fshatarët,  e bënim edhe ne.

Duhet të dallojmë edhe një nuancë që, internimi ishte disi më pak i keq se sa burgu dhe 85 % e Shqipërisë ashtu jetonte. Diferenca ishte midis rënies së statusit dhe mungesa e lirisë. Nuk qarkulloje dot, nuk takoje dot të afërm.  Nga pikëpamja e kushteve edhe pjesa tjetër e fshatit ashtu ishte.

Ne jetonim më mirë se fshati, se kishim edhe kulturën. Kishim vëllezërit që punonin më shumë se fshatarët dhe ne ato gjëra që ishin në fshat i blinim. Ju nuk e dini  se në 1 Maj dhe 31Dhjetor shitej mishi. Jepeshin dy kile makarona me krimba dhe orizi po ashtu. Dhe vaji i një cilësie të keqe saqë unë tani nuk pushoj së ngrëni  vaj ulliri. Qershitë në kohën  tonë ishin shumë pak, po ashtu edhe agrumet ishin vetëm për vitin e ri.

Do iu them edhe diçka që s’keni për ta besuar dhe e kam përsëritur këto kohë që tani mbesa ime është shtatzënë dhe ha çfarë të dojë.  Unë isha vajzë gjenerali dhe grua diplomati. Në ’73 isha shtatzënë  dhe kam lindur djalin më 21 maj.  Nuk kishte fruta absolutisht në treg. Pija çaj kinez,  sepse doja të pija diçka. Kunata ime që punonte në hotel Dajti më rregulloi që të blija dy kile mollë starkinge që në atë kohë ishin bërë brumë. Ja,  ky ka qenë Socializmi. Mendo që unë s’kisha mundësi, imagjinoni njerëzit e thjeshtë!  Një nga gjynahet e Enverit ka qenë se si e la këtë vend aq të pasur në një gjendje aq të mjeruar. Me qëllim e ka bërë.

Jeni shkrimtare me përvojë, a mendoni se shoqëria ju vlerëson mjaftueshëm për vlerat që mbartni si grua?

Unë personalisht kam qenë me fat. Dhe një nga arsyet që jam bërë e njohur, aq sa jam bërë, kanë qenë gratë gazetare.  Ato menjëherë më përqafuan dhe më kanë marrë nëpër intervista. Nuk mund të qahem për veten time që erdha nga shkenca në letërsi.  E megjithatë më lexojnë Më takojnë njerëz në rrugë dhe kjo më gëzon. Por sistemi i vlerave është keq. I shohim. Të them të drejtën përveçse kur janë njerëz  që dua t’i ndjek i dëgjoj nëpër televizionet shqiptare, por edhe televizionet  italiane, edhe pse nuk janë si ato franceze  gjerojnë shumë kulturë.

Këta janë nipërit e tu, të lindur lindur më ’99 – 2000. Është një lloj zakoni që gjyshet kanë diçka për t’u thënë nipërve, qoftë gjenetikë, qoftë moshorë.   Çfarë do u thoshe ti sot nipërve të tu?

Unë i kam dalluar njerëzit  kështu;  inteligjent është ai që  bën atë që ka për detyrë,  në kohën e caktuar. Ju jeni në shkollë dhe keni detyrë të mësoni seriozisht.  Unë mendoj se mbi gjithçka është libri,  i çdolloj fushe.  Thonë se është inteligjent, por nuk ka mësuar shumë ai. Çdo të thotë kjo ?! Ai që është inteligjent, mëson. Je në det do bësh not. Je në tavolinë do hash.

Vera, do të donim një këshillë për dashurinë!

Edhe unë jam në pritje të një dashurie. Mos kujtoni se mbarojnë këto gjëra. Një nga filmat më të vlerësuar këto kohë është “the Soul of the Night” më duket, me  Robert  Redford dhe Jane Fonda. Ata janë të dy mbi 80 vjeç  dhe gjetën lumturinë në një lloj mënyre.  Çdo kohë ka mundësinë për të bërë dashuri , por ajo që ju jap këshillë për dashurinë është  se mos e quani të dhënë njëherë e përgjithmonë, se çdo ditë do ta fitoni duke e merituar atë. Kjo është edhe në familje,  prindër dhe fëmijë.  Të mos ju shkojë nëpër mend se e keni të sigurt dashurinë. Përqendrohuni si në fushën e shkencës.  Të krijosh një gëzim dhe mbi të gjitha merreni me gëzim dhe jo trishtim. Punë e madhe se mbaroi ajo dashuri! Ka  të tjera.  Merreni seriozisht, por mos u  trishtoni shumë, mos u bëni si Verteri i ri i Gëtes që vrau veten për dashurinë.

 

(Kosova Sot)