Dëshmia e partizanit: Si u vra heroina Mine Peza (arratisja nga burgu fashist)

  • 09 June 2018 - 13:05
Dëshmia e partizanit: Si u vra heroina Mine Peza (arratisja nga burgu fashist)

Një partizan, i cili është përballur për vite të tëra me peripeci nga më të çuditshmet të kohës së luftës. Myfit Poçari, sot 96-vjeçar, gjatë një rrëfimi të posaçëm për “Albanian Free Press” jep dëshmi mjaft interesante nga ajo kohë e largët, por që kujtimet e së cilës i ruan të gjalla edhe sot e kësaj dite. Siç është për shembull momenti i demonstratës së vitit 1942, kur mbeti e vrarë nëna tiranase, Mine Peza, aktit heroik të së cilës të burgosurit partizanë i ngritën edhe këngën e njohur sot prej të gjithëve. Apo edhe ai i arratisjes prej burgut fashist…

Mine Peza

Fillimet e lëvizjes kundër fashizmit

Krijimi i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare nuk erdhi në një ditë, por ishte një hop cilësor i gjithë rezistencës kundër pushtuesve fashistë, që kishte përfshirë mbarë popullin tonë. Kjo rezistencë nisi me protesta dhe armë që në ditët e para të pushtimit e më pas, organizimi i saj u konsolidua dhe u konkretizua me veprime luftarak të njësive guerile brenda qyteteve dhe të çetave e njësive partizane jashtë tyre. Një nga qendrat kryesore të kësaj rezistence ishte edhe qyteti i Korçës, dalluar për lëvizjet përparimtare kundër shtypjes dhe shfrytëzimit që në kohën e Turqisë e më pas kundër andartëve grekë e kundër regjimit antipopullor të Ahmet Zogut. Në Korçë kishte shumë intelektualë iluministë, ishte kjo traditë e kjo përbërje, që e ngriti popullin e Korçës në demonstrata të fuqishme kundër pushtimit fashist e që regjistroi vullnetarët e parë të luftës kundër fashizmit. Është fundi i vitit 1941 dhe fillimi i vitit 1942, rinia korçare tashmë ishte përfshirë e tëra në lëvizjen kudër fashizmit. Në fillimet e saj, kjo veprimtari u përqendrua në luftën kundër propagandës fashiste, që e pasqyronte fashizmin si një erë të re për njerëzimin, si të pranueshme nga popujt e tjerë, luftën e popullit sovjetik dhe rezistencën në vendet e tjera si të pashpresë, armatat fashiste si të pathyeshme e triumfuese në çdo betejë.

Kujtimet e Myfitit

myfit

“Unë në këtë kohë punoja në PT-në e Korçës si telegrafist, pra në raport me të rinjtë e tjerë të organizuar në luftë kundër fashizmit, kisha njohuri më të plota rreth aparaturave elektronike. Prandaj m’u besua një radiomarrës italian, të cilin së bashku me dy shokët e mi e instaluam në një nga dhomat e katit të dytë të shtëpisë time në lagjen “Lume” në rrugën “Naim Frashëri”, në vendin ku sot është ndërtesa e Maternitetit. Kjo dhomë ishte e përshtatshme pasi ndodhej në thellësi, larg rrugës. Dëgjimi i lajmeve të Radio-Londrës dhe të Radio-Moskës bëhej natën, pasi për shkak të zhvendosjes së jonosferës, pasqyrimi i valëve nga kjo shtresë e atmosferës bëhet më mirë dhe sinjali vjen i fortë e për rrjedhojë, dëgjimi i qartë. Për të eliminuar dyshimet, shokët vinin një nga një. Dritaret ziheshin me batanije për të eliminuar përhapjen e dritës e të zërit. Këto ishin disa masa të thjeshta konspirative. Informacioni i mbledhur hidhej në letër e pastaj u kalonte shokëve të tjerë, të cilët bënin përzgjedhjen dhe përgatisnin traktet që informonin popullin. Veprimtaria jonë nuk kufizohej vetëm në drejtim të propagandës. Ajo filloi të gërshetohej edhe me veprime konkrete, që dëmtonin pushtuesit e bënin jehonë në popull. Të tilla ishin aksionet për sabotime e rrëmbime të teknikës së luftës. Në radhën e këtyre aksioneve, është për t’u kujtuar ai për djegien e zyrave të fashos në qytetin e Korçës. Kjo ishte një ngjarje e rëndë për pushtuesin, por që bëri shumë jehonë në popull. Reagimi i fashistëve ishte i ashpër, ata arritën të kapin dy nga shokët tanë, Midhi Kostanin dhe Kiço Greçon, të cilët i ekzekutuan me varje në mes të qytetit, për të ngjallur frikë e për të treguar forcën e tyre. Ekzekutimin e shokëve tanë ne e pritëm me shumë dhimbje, por nuk u tërhoqëm, përkundrazi, urrejtja kundër fashistëve na u shtua më tepër. Krahas këtij veprimi mesjetar, ata shtuan ndjeshëm survejimin dhe hetimin për të gjetur bazat e organizimit të veprimeve ilegale në qytet. Në institucionet shtetërore, punonjësit u morën në pyetje dhe u kërkua që ata të informonin për çdo vizitë e bisedë të dyshimtë. Në këtë kuadër është edhe dëshmia e dhënë nga nëpunësi i asaj kohe me inicialet G. S., i cili kishte informuar se Myfit Poçari dhe Elami Hado kanë propozuar që t’u vënë zjarrin zyrave të pushtuesve. Kjo e të tjera informata shërbyen si bazë që më datën 13/08/1942, unë dhe Elami Hado, të arrestoheshim. Mua më arrestuan, kur isha duke punuar në zyrë në PTT-në e Korçës. Pas këtij arrestimi nënkuptohej një kontroll i menjëhershëm i shtëpisë. Aty duhej të zhdukeshin të gjitha materialet, që ngjallnin dyshim për veprimtari subversive. Për këtë qëllim, nëna ime Resmia, mori masa të grumbullonte nëpër xhepat e veshjeve të mia të gjitha gjërat që gjente atje. Disa veshje që ne i përdornim për maskim, i kishte grumbulluar dhe larguar me shpejtësi tek komshinjtë tanë. Por “e keqja” më e madhe ishte aparati radiomarrës. Atë, babai e nëna, të ndihmuar edhe nga vëllai im Shadani, e kishin mbështjellë me rroba duke e bërë si deng në formën e një sixhadeje dhe mbi një biçikletë “Bianko”, që mbanim në shtëpi, e nisën tek Xhamia e Madhe e qytetit. Këtu im atë Mustafai, shërbente si hoxhë. Radiomarrësin, ai e kishte maskuar duke e futur nën një tyrbe. Nuk kishte vonuar shumë edhe shtëpia ime ishte bërë pre’ e forcave të policisë, që kishin bërë lesh e li çdo gjë që ndodhej brenda saj. Nuk kishin munguar as sharjet e kërcënimet në adresën time e të njerëzve të mi. Gjatë kësaj kohe, unë e Elamiu ndodheshim në kuesturë duke iu nënshtruar hetimeve. Nënkuptohet se këto hetime bëheshin nga një regjim fashist, pas ngjarjeve të rënda për ata, siç ishte djegia e zyrave të fashos. Ato nuk ishin pyetje të natyrshme, por provokime, kërcënime e tortura, pa të llogaritur se mund të mbeteshe në duart e tyre. Mbi arrestimin tim e të Elamiut u njoftua me telegram Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Kryeministria dhe Ministria e Brendshme. Nga këto u kërkua, që me masa të forta sigurimi, ne të dërgoheshim për hetime në Tiranë. Të nesërmen, pasi kishin marrë të gjitha masat, fashistët na nxorën nga qelitë, ku ishim vendosur veç e veç, kjo me qëllim që gjatë hetimit ne të mos komunikonim njëri me tjetrin dhe të koordinonim përgjigjet. Si na hipën në makinën e burgut, e destinuar për transportin e të arrestuarve e të dënuarve, na lidhën me njëri tjetrin, jo vetëm nga njëra dorë, por edhe nga njëra këmbë.

Në makinë së bashku me ne hipën edhe katër policë fashistë, përveç njërit që ishte ulur në kabinë me shoferin. Kur makina u nis, vumë re se pas saj vinte edhe një veturë, në të cilën me sa na kapën sytë, kishte oficer të policisë së fshehtë e të kuesturës. Në Tiranë mbërritëm në të ngrysur. Makina u fut direkt e tek burgu i vjetër, në vendin ku sot është Komisariati nr. 3 i Policisë. Edhe këtu na ndanë në qeli të veçanta. Përsëri nisën hetimet, por nga të tjerë hetues fashistë. Këto hetime vazhduan ditë të tëra. Por më në fund, duke mos patur në dorë prova të reja, na nxorën në gjyqin fashist mbi bazën e deponimeve të mbledhura për ne në qytetin e Korçës. Gjyqin e drejtonte një kolonel fashist, i cili në fund të seancës gjyqësore , duke deklaruar vendimin tha: “Myfit Poçari për veprimtari subversive dënohet me “Due ani, sei mesi “. Atëherë, unë i ngritur siç isha deklarova: “Sei mesi, Italia va via”dhe u ula. Koloneli fashist, i inatosur iu afrua karriges time dhe duke sharë me shprehjen: “Porko mizerie”, i ra asaj me shkelm, duke më rrëzuar përdhe. Pas gjyqit mua dhe Elamiun, i cili u dënua po aq sa edhe unë, na çuan në një dhomë të madhe me të tjerë të burgosur politikë. Midis tyre me kujtohen shokët Ali Demi, Koçi Xoxe, Gjik Kuqali, Ismail Çaushi, Sotir Vullkani, Andon Deçka, Avram Koja, Selim Alimerko etj.

Jeta në burgun politik të Tiranës

Në burgun fashist qëndrova nga gushti i vitit 1942 deri në tetor të vitit 1943, kohë në të cilën u arratisa prej tij. Jeta në burg nuk ishte inaktive. Ajo ishte e mbushur me episode të ndryshme. Bëhej një jetë kolektive, e organizuar mbi bazën e parullës: “Një për të gjithë e të gjithë për një”. Ushqimet që silleshin nga të afërmit, po dhe gatimi brenda administroheshin nga një grup shokësh që quheshin “intendent ekonomik”. Ushqimet më të mira e më të lehta u ndaheshin shokëve të sëmurë. Si lëndë djegëse përdorej qymyri, që sillej nga të afërmit e të burgosurve. Në burg shpesh këndoheshin edhe këngë patriotike e partizane Kjo sidomos gjatë torturimit të shokëve tanë, por edhe për raste të ekzekutimit në ambientet e burgut siç ishte rasti kur në oborrin e burgut u varen shokët tanë, Nikolla Tupe, Hamdi Mëzezi, Ferit Xhajko e më vonë disa partizanë malazezë.

RRËFIMI/ “Arratisja spektakolare nga burgu fashist”

“Duke vlerësuar situatën brenda dhe jashtë burgut, u mor vendimi që nëpërmjet një aksioni të kombinuar midis të burgosurve politikë, njësitit gueril të Tiranës e të çetave partizane të Pezës e të Dajtit, të hapej një tunel i nëndheshëm e të realizohej arratisja nga burgu fashist. Për këtë qëllim u hartua një plan i detajuar me detyra, njerëz e afate konkrete. Tuneli do të fillonte nga një qoshe e kapanonit tonë dhe nën tokë do të dilte përtej murit rrethues të burgut, në anën ku dikur ishte stacioni i trenit. Hapja e tunelit do të bëhej me kazma dhe lopata të vogla. Këto e vegla të tjera, do të futeshin nga jashtë duke u maskuar në thasët me qymyr që na vinin për gatim, por edhe me mënyra të tjera maskimi. Për hapjen e tunelit, punohej me grupe nga tre deri në katër vetë. Njëri gërmonte dhe të tjerët e tërhiqnin dheun. Punohej gjatë gjithë ditës e me intervale të shkurtra, pasi tuneli ishte i ngushtë dhe krijonte vështirësi. Dheu që nxirrej eliminohej me mënyra nga më të ndryshmet. Njëra nga këto ishte hollimi me ujë dhe hedhja në banjo. Mirëpo kjo përzierje, gjatë lëvizjes diku ku rrjedhja ngadalësohej, dekadonte duke e depozituar dheun. Ky dhe’, me kalimin e kohës arriti të bllokoi kanalin e ujërave të zeza. Në kaush shpërthyen ujërat e banjos dhe neve na ngjitën në katin e dytë të kapanonit. Puna për hapjen e tunelit u vështirësua, por nuk u ndalua. Në dyshemenë e këtij kati u hap një vrimë e vogël aq sa të futej një trup njeriu, të cilën e maskonim duke shtruar mbi të një dyshek. Me ndihmën e çarçafëve sajuam shkallë për zbritje. Kështu puna për hapjen e tunelit vazhdoi. Gjatë kohës që punoja aty, unë u infektova në sqetull. M’u bë një gungë e madhe, të cilën ma operuan në spital te pavioni i burgut. Pas pesë ditësh, kur u ktheva prapë në kaush, puna për hapjen e tunelit pothuaj kishte mbaruar.

Për të realizuar daljen nga burgu u caktua një radhë, lëvizja do të fillonte pas mesnatës. Jashtë na prisnin shokët e njësitit gueril të Tiranës dhe partizanët e çetave të Pezës e të Dajtit. Porosia ishte që dalja nuk do të ndërpritej edhe sikur të dëgjoheshin të shtëna. Ndërprerja e saj, do të bëhej vetëm kur të shtihej mbi grykën e daljes. Kështu edhe u veprua. Më datën 29/04/1943 pas mesnatës, filloi dalja nëpërmjet tunelit. Arritën të dalin plotë 26 të burgosur politik. Por lëvizjet e vazhdueshme, bënë që rojet të ndjenin se diçka po ndodhte dhe dhanë alarmin. U dëgjuan të shtëna. Burgu u ngritë i tëri në alarm. Lëvizja u ndërpre, pasi fashistët zbuluan se të burgosurit po arratiseshin. Ne që ishim akoma brenda, u kthyem në vendet tona, duke bërë edhe maskimin e vrimës në dysheme. Tani ishte radha e ndëshkimeve. Të nesërmen çdo gjë u dekonspirua. U zbulua vendi i daljes së tunelit, rruga që ndiqte ai etj. Ne na larguan në një kapanon tjetër. Ky largim u shoqërua pastaj edhe me kontrolle të vazhdueshme gjatë çdo dite në vazhdim. Shpresat për këtë mënyrë arratisje tani u ndërprenë. Jemi në shtator të vitit 1943. Italia fashiste kapitulloi. Burgun e Tiranës e morën në dorë gjermanët. Në këto momente ekzistonte një farë situate rutinë. Në burg çdo ditë vinin të afërmit e të burgosurve, që sillnin ushqime. Këto merreshin nga disa persona që quheshin sekserë, të cilët pasi i boshatisnin enët, ua kthenin ato familjarëve. Sekserët ishin familjarizuar me të burgosurit. Ata pasi sillnin ushqimet, prisnin aty deri sa të boshatiseshin enët e pastaj, si i grumbullonin ato, i merrnin dhe ua kthenin familjareve që prisnin jashtë në hyrje të burgut. Unë, në këtë veprim të përditshëm, shikoja si një mundësi arratisje. Këtë e diskutova edhe me shokët e mi, të cilët e vlerësuan mendimin tim dhe u angazhuan të më mbështesnin në kohën e duhur. Në një rast, kur sekseri i radhës kishte hequr pardesynë e kapelën, i kishte lënë ato mënjanë dhe po bënte biseda me një grup të burgosurish, në pritje të boshatisjes së enëve, arsyetova : Ajo veshje dhe nja dy sefertase të boshatisura aty pranë, mund të shërbenin për t’u arratisur. Ndaj pasi u sigurova se sekseri ishte zhytur në atë çfarë po tregonin shokët e mi, me të cilët komunikova me mimikën e fytyrës, mora e vesha pardesynë, vura kapelen dhe si përlava sefertaset e boshatisura me të dyja duart, u nisa drejt daljes. Rojet e brendshme, të ambientuar me veshjen e sekserit dhe lëvizjet e tij me enë në duar, nuk u treguan vigjilentë. Si i kalova ata, dola në oborrin e burgut dhe duke shikuar me bishtin e syrit, në po më ndiqte njeri, ju afrova derës kryesore pas së cilës prisnin familjarët. Roja tek dera kryesore, i mësuar me sekserët e hapi atë instinktivisht dhe unë kapërceva pragun e saj, pas së cilës po ndjenja se isha i lirë. Ata familjarë që i njohën enët e tyre, m’u afruan dhe filluan të pyesnin për djemtë, por disi të habitur se nuk po më njihnin. Unë duke shpejtuar, u shpreha se të gjithë janë shëndoshë e mirë dhe si i lëshova sefertaset në duart e tyre, pa u ndalur vazhdova rrugën duke pritur të dëgjoja, nga momenti në moment fjalën: NDAL! Duke lëvizur fillova t’i shpejtoj hapat drejtë rrugës që të çon tek bulevardi kryesor, në segmentin ku kohë më parë, ka qenë stacioni i trenit. Çdo gjë vajti mbarë, akoma nuk ishte pikasur se një i burgosur ishte arratisur nga burgu. Me të mbërritur tek bulevardi kryesor, ndala pajtonin e parë që takova dhe pasi i dhashë atij drejtimin, hipa në të duke u ngjeshur fort pas sediljes, mbulesa e së cilës më maskonte mirë. Rrugës i shpjegova karrocierit që të më ndalonte në hyrje të rrugës së Shëngjergjit, sot rruga “Ali Demi”. Aty kisha vendosur të strehohesha tek Muharrem Lamçe, një mik i familjes sonë, që kishte një shtëpi përdhese me ambiente të mira maskimi. Tani isha i lirë. Detyra qëndronte të rrija i fshehur derisa të kalonte kjo situatë, që padyshim do të shoqërohej me kontrolle në të gjitha rrugë kalimet. Dhe më pas, të kthehesha në Korçë, por jo më në shtëpi. Vendi im tani do të ishte në rreshtat partizane të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, që ishte organizuar në njësi të mëdha me batalione, brigada e një Shtab të Përgjithshëm që udhëhiqte të gjithë luftën tonë”.

DËSHMIA/ Demonstrata e Tiranës ’42, si e përjetuam ne në burg?“

Një ngjarje e përjetuar me shumë emocione ka qenë demonstrata e grave të qytetit të Tiranës, që u zhvillua më 17 shtator 1942. Nënat dhe motrat tiranase të grumbulluara përpara burgut, protestonin me të gjithë fuqinë e shpirtit të tyre kundër vendimit të pushtuesve fashistë që të burgosurit politik të internoheshin në burgjet e Italisë. Kanë qenë momente emocionante. Në një thirrje të përbashkët, hidheshin parulla kundër pushtuesve fashistë, si jashtë burgut nga nënat e motrat tona, ashtu edhe nga ne të burgosurit brenda burgut.

Fashistët reaguan ashpër si ndaj të burgosurve, ashtu edhe ndaj demonstruesve. Dëgjoheshin të shara, goditje e më vonë edhe të shtëna. Të nesërmen ne mësuam se ishte vrarë nëna tiranase, Mine Peza. Ky lajm na hidhëroi së tepërmi e na shtoi më tej urrejtjen kundër pushtuesve fashistë. Akti heroik i saj, nga shokët tanë krijues brenda burgut, u përjetësua në vargjet e këngës: “ Ku e kam vajzën, ku e kam djalin, m’i kanë mbyll në burg të zi, farefisin ma kanë tretur, larg në ishuj në Itali”. Këngë kjo, e cila shpejt do shpërthente hekurat e burgut e do të jehonte në fushat e malet e Shqipërisë, duke u bërë burim frymëzimi për të gjithë rininë shqiptare, e cila me armë në dorë ishte hedhur tashmë në luftë kundër pushtuesve fashistë. Pas demonstratës së grave, ku u vra nëna Mine Peza, neve na transferuan tek Burgu i Ri, aty ku sot është Arkivi i Shtetit. Na futën në katin e parë të një kaushi (kapanoni). Siç e kam theksuar edhe më sipër, në burg ne ishim të organizuar. Bënim mbledhje, merrnim vendime dhe kalonim edhe në veprime. Gjithashtu me forma nga më të ndryshmet, lidheshim edhe me shokët tanë jashtë burgut. Më kujtohet që në një rast, në burg arriti të futej e të dilte i maskuar si prift Heroi i Popullit, Vasil Shanto”./

(Kosova Sot)