STUDIMI/ E vërteta historike e problemit të Çamërisë në vitet ‘44-‘45

  • 06 July 2018 - 09:32
STUDIMI/ E vërteta historike e problemit të Çamërisë në vitet ‘44-‘45

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore janë kushtëzuar nga faktorë të trashëguar nga e kaluara, nga pasojat e Luftës Italo-Greke, tetor 1940-prill 1941, nga sjelljet e grupimeve të ndryshme politike, nacionaliste dhe komuniste, në secilin vend, karshi problematikave të lindura nga lufta, nga shkatërrimi dhe nga përçarja që lanë pas pushtuesit në të dyja vendet.

Mbi marrëdhëniet shqiptarogreke ndikonte problemi i vjetër i kufirit, të cilin qarqet shoviniste greke vazhdonin ta kontestonin; problemi i popullsisë shqiptare që banonte në Greqi, në Epirin e Jugut, subjekt i një shtypjeje sistematike nga ana e të gjitha regjimeve politike të një Greqie që përcolli sistematikisht diktaturat dhe demokracitë për një periudhë 30-vjeçare, 1918-1948; problemi i agresionit të Italisë nga toka shqiptare dhe çështja e gjendjes së luftës së shpallur reciprokisht, edhe nga qeveria kukull e Shqipërisë nën Italinë, edhe nga vetë Greqia; problemi i njohjes së regjimit të Enver Hoxhës që u vendos në Shqipëri, regjim që ishte në marrëdhënie të ngushta me forcat e EAM, kundërshtare të EDES dhe të regjimit të instaluar nga britanikët në muajin tetor 1944, në Athinë.

Si paraqitet gjendja e popullsisë shqiptare në Çamëri deri në vitin 1944? Në vitin 1919, në jug të Linjës së Firences, jetonin 40000 shqiptarë myslimanë dhe 14000 shqiptarë ortodoksë, vetëm në krahinën e Çamërisë (Thesprotisë). Mirëpo, në dekadën e dytë dhe të tretë të shekullit XX, një pjesë e popullsisë shqiptare të Epirit të Jugut u detyrua të emigronte ose të shkëmbehej me popullsinë greke të Azisë së Vogël.

[36689299_10156632040769656_7326366457741180928_n]

Nga regjistrimi grek i vitit 1936 i Provincës së Thesprotisë, rezultonte se tri distriktet e Çamërisë ishin të banuara nga 20000 grekë ortodoksë, 26000 shqiptarë ortodoksë dhe 28000 shqiptarë myslimanë, të cilët jetonin në Filat, Paramithi, Margëlliç, Igumenicë, zonat më të pasura të Epirit. Veprimtaria e përhershme greqizuese dhe persekutimi politik kishte ushqyer një urrejtje të thellë të kësaj popullsie ndaj autoriteteve qendrore greke. Në LDB, pas sulmit gjerman të muajit prill të vitit 1941, forcat qeveritare greke u tërhoqën nga Shqipëria e Jugut e nga Thesprotia dhe në vend të tyre u vendosën trupat italiane, të cilat brenda muajit maj 1941 organizuan të gjitha shërbimet në të gjithë hapësirën e Çamërisë.

Çamët, të cilët ishin deportuar gjatë Luftës Italo-Greke ndër ishuj, u rikthyen dhe filluan riorganizimin e tyre shoqëror: bënë përpjekje për të futur gjuhën shqipe në jetën e përditshme, flamuri shqiptar u ngrit në ndërtesat publike. Po ashtu, banorët vendas shqiptarë nxituan të organizonin administratën krahinore nëpërmjet themelimit të Këshillave (Xilia), një mekanizëm për vetadministrim, me këshilla dhe komitete krahinore në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Thesprotisë. Këto këshilla zëvendësuan administratën greke dhe morën në dorë të tyre autoritetin gjyqësor, administrativ dhe policor.

Pas përfundimit të Luftës Italo-Greke, çamët kërkuan aneksimin e Çamërisë dhe Prevezës në shtetin shqiptar. Më 20 korrik 1941, Roma emëroi Xhemil Dinon si komisar civil shtetëror shqiptarë për Çamërinë. Mirëpo, për shkak të tensioneve të shkaktuara nga ndeshjet etnike në rajon, mes shqiptarëve dhe grekëve, para se vetë Xhemil Dino të arrinte atje, autoritetet ushtarake vendosën pezullimin e politikës filo-shqiptare separatiste në Çamëri. Kështu, Çamëria nuk u përfshi në mes “Tokave të Lirueme”,të aneksuara në Shqipëri dhe mbeti nën kontrollin e Komandës së Lartë të Athinës, për shkak të kundërshtimit gjerman ndaj politikës italiane në krahinë.

Në fakt, 20 vitet nën Greqinë kishin ndikuar në ndryshimin e përbërjes etnike të Thesprotisë, përmes kolonizimit me popullsi greke dhe përmes identifikimit të detyruar të popullsisë shqiptare ortodokse, si e nacionalitetit grek. Ky, siç duket, ka qenë faktori kryesor, i cili ndikoi që gjermanët të pengonin një riorganizim administrativ të krahinës, ngjashëm me atë që lejuan në territorin e Kosovës. Gjendja ka vazhduar të jetë e vështirë dhe pa zgjidhje edhe në periudhën vijuese. Italianët nuk i morën seriozisht propozimet e Komisarit Civil për Çamërinë.

Vendet e banuara nga shqiptarët u bënë të pabanueshme, për shkak se ato vende nuk prodhonin asgjë, ashtu edhe për arsye të angarive që impononin grekët. Grekët vazhdonin të godisnin popullsinë çame, por edhe italianët në zonë, të pashqetësuar se mund të ndëshkoheshin ndonjë ditë. Mes masakrave që banorët e Çamërisë kanë rrëfyer janë ato të kryera në Igumenicë, Filat dhe Paramithi në rrjedhën e vitit 1942. Rrëfimet e tyre janë regjistruar nga popullsia shqiptare këndej kufirit, në Konispol, Sarandë dhe Himarë, nga ku refugjatët kalonin çdo ditë (AQSH, Fondi Mëkëmbësia e Përgjithshme, viti 1942, dosja 121, Immigrazione clandestina di Ciamurioti, 1/5/1942).

Si vijoi më pas të trajtohej fati i Çamërisë? Më pas, gjatë gjithë periudhës së luftës, “çështja çame” u mbajt e ngrirë. Rajoni u drejtua nga ushtarakët italianë që siguronin administrimin e çështjeve civile dhe mbrojtjen e bashkësisë shqiptare në bashkërendim me të plotfuqishmin italian në Athinë, Ghigi.

Ndikimi i Mëkëmbësisë së Tiranës në çështjet çame, pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 1942, erdhi duke u ridimensionuar, në mënyrë të qartë dhe të vendosur. Në fakt, procesi i greqizimit të popullsisë kishte ndikuar në ndryshimin e pamjes etnike të territoreve të Epirit të Jugut. Duke bërë një inspektim në rajon, diplomati italian Carlo Umiltá do të deklaronte që nga Kosturi shqiptar nuk ka mbetur as hija. Grevena (Grebeneja) ishte bërë arumune; Meçova ishte mikse, arumune dhe greke, Janina, Arta dhe Preveza ishin greke. Në të gjitha këto lokalitete, popullsitë mbizotëruese ishin të vendosura për të mos u përfshirë në shtetin shqiptar.

Umiltá arrinte kështu në përfundimin se ideja për t’i aneksuar këto vende në Shqipëri ishte absurde, mbasi i gjithë populli do të hidhej më pas në kryengritje. Ky inspektim dhe këto konkluzione të Umiltá-s, pavarësisht sa ishin të sakta, bënë që në fund të vitit 1941 autoritetet italiane të mos flasin më për Çamërinë dhe Roma i aprovoi plotësisht përfundimet e arritura nga ai. (Davide Rodogno, Il Nuovo Ordine Mediterraneo, Le politiche di oçupazion dell’Italia fascista in Europa (1940-1943), Torino 2014, faqe 137, 139, 140, 141.) Në rrjedhën e vitit 1942 dhe 1943, popullsia shqiptare e Epirit të Jugut ka pësuar, dhe shoqëruar paralelisht me popullsinë greke, dramën kombëtare greke, atë të dezintegrimit shtetëror të Mbretërisë së Greqisë. Paria e shqiptarëve të Çamërisë u mjaftuan t’u kërkojnë autoriteteve italiane, deri në verën e vitit 1943, dhe atyre gjermane pas kësaj kohe, deri në evakuimin e tetorit 1944, njohjen e të drejtave që iu mohuan në periudhën e viteve 1913- 1941, dhënien e furnizimeve ushqimore për popullatën e mjeruar dhe ndonjë kërkesë sigurie dhe mbrojtjeje. Kur armatat sovjetike hynë në Europën Lindore, më 1944, me qëllim që të parandalonin një përplasje midis forcave britanike dhe atyre sovjetike, Çurçilli dhe Stalini ranë në një mendje të ndanin përgjegjësitë mbi Gadishullin e Ballkanit, kur u takuan në Moskë, për të famshmen “Marrëveshje të Përqindjeve” të tetorit të vitit 1944.

Mbi bazën e notave të shkëmbyera në mes këtyre dy liderëve, Greqia do të mbetej në sferën e ndikimit britanik, përndryshe Shqipëria u harrua të përcaktohej se në cilën sferë ndikimi do të mbetej. Mbi bazën e përcaktimeve të marrëveshjes, pas lufte, Stalini mori vendime të rëndësishme. Kështu, Stalini e detyroi EAMin të merrte pjesë në një kabinet qeveritar të unitetit kombëtar, të kryesuar nga një kryeministër pro britanik, si Jorgos Papandreu. Greqia, në fakt, ishte në çoroditje totale, por nuk u vendos kështu nën sundimin komunist falë Marrëveshjes së Përqindjeve të Stalinit dhe Çurçillit-it.

Rusët mbetën jashtë Greqisë dhe trupat britanike u vendosën në Greqi, me aprovimin e Presidentit Roosevelt dhe Marshallit Stalin. Çfarë rezulton nga dokumentet që kemi në dispozicion në lidhje me keqtrajtimin, dhunën dhe mizoritë e forcave të ndryshme greke ndaj popullsisë shqiptare në verën e vitit 1944, deri në muajt e parë të vitit 1945? Drejt fundit të luftës, brenda kësaj skeme ndërkombëtare, trupat nacionaliste të EDES, të komanduara nga Napoleon Zerva, mësynë drejt Pargës, pushtuan Paramithinë, më 27 qershor 1944. Kjo lëvizje vendosi nën kërcënim minoritetin shqiptar nga perëndimi në Margarit, në veri, deri në det, dhe në rrugën Janinë-Igumenicë.

Situata u acarua edhe më tej nga interferenca e trupave gjermane, që synonin të përdornin shqiptarët e Çamërisë kundër nacionalistëve grekë. Provokimi gjerman dhe përpjekja e forcave vetëmbrojtëse territoriale të Çamërisë për të mbrojtur popullsinë civile shqiptare, shërbeu si pretekst për Napoleon Zervasin. Kundërsulmi u zmbraps nga forcat e Zervas, duke sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë fillimin e një persekutimi në shkallë të gjerë ndaj minoritetit shqiptar. Shumë kryefamiljarë u tërhoqën me njerëzit e tyre në veri të lumit Kalvakiotikos (PRO.HS5/75).

Ka edhe një rrethanë strategjike që ka ndikuar në fillimin e këtij represioni: në muajin gusht 1944, Napoleon Zervës i lindi nevoja për të forcuar linjën mbrojtëse në bregdet, në mënyrë që të siguronte furnizime për forcat e tij paramilitare. Kjo nevojë strategjike i erdhi për mbarë Zervës, mbasi me këtë rast ai filloi të pastrojë zona të tjera, përfshirë edhe fshatrat shqiptare në krahinën e Filatit. Kjo ofensivë shkaktoi një evakuim të mëtejshëm të minoritetit shqiptar. Një numër i konsiderueshëm banorësh të minoritetit shqiptar filluan të kalojnë kufirin për në Shqipëri, për t’i shpëtuar goditjes shfarosëse të forcave andarte, që në këtë kohë kaosi kishin marrë emërtimin antifashiste. Së fundi, gjatë tërheqjes gjermane dhe me urdhër të gjeneralit britanik Scobie, Zerva i zhvendosi trupat e tij në veri, në afërsi të kufirit shtetëror me Shqipërinë, për të prerë tërheqjen gjermane nga Korfuzi.

Me këtë rast, ai kreu një rrugë dhe dy punë; përzuri edhe minoritetin shqiptar drejt Shqipërisë. Kjo lëvizje provokoi rëndë qeveritë shqiptare të Kryeministrit Dine dhe më pas të Biçakçiut, që ndërmorën një fushatë në gusht dhe në shtator 1944, në radio dhe në gazetë. Sipas deklaratave zyrtare të qeverisë së Tiranë, forcat greke të Zervas kishin vrarë rreth 250 shqiptarëve në verën e vitit 1944 dhe persekutuar më se 20 mijë të tjerë.( PRO.HS5/75) Kështu pra, në verën e vitit 1944, konflikti filloi me gjakderdhje të madhe. Sipas rendit kronologjik, masakra e parë e madhe ka ndodhur në muajin qershor 1944 në Paramithi. Nga fillimi i muajit qershor 1944, EDES vendosi si objektiv kapjen e Paramithisë dhe hapësirës së saj të gjerë, ku Shtabi i Përgjithshëm i Lindjes së Mesme i Aleatëve kishte vendosur të krijonte një urë për të lehtësuar furnizimin me armatim të forcave të rezistencës.

Çlirimi dhe sigurimi i kësaj hapësire bregdetare u konsiderua si një nevojë e dorës së parë dhe Zervas, që kishte juridiksionin e kontrollit ushtarak të kësaj krahine, filloi ekzekutimin e kësaj detyre. Në fund të muajit qershor 1944, forcat gjermane e lëshuan Paramithinë, ku mbeti vetëm një garnizon i vogël, së bashku me pak njësi paraushtarake të popullsisë vendase çame, që do ta mbronin këtë qytet. Në mëngjesin e datës 27 qershor të vitit 1944, forcat e EDES hynë në Paramithi. Në drekë, forcat e EDES kishin masakruar jo vetëm mbrojtësit e qytetit dhe parinë çame, por pa dallim edhe fëmijët dhe gratë e popullsisë vendase myslimane.

Viktimat kanë qenë me qindra dhe kush arriti të ikte, u drejtua në bregun perëndimor të lumit Kalamas. Pjesa tjetër u grumbullua në kampe përqendrimi, të shoqëruara me rojet e EDES dhe u transferuan në vende të tjera drejt kufirit me Shqipërinë (Eleftheria K. Manta, The Çams of Albania and the Greek State (1923-1945), at Journal of Muslim Minority Affairs, 29:4. 2009, faqe 532). Vetëm pas masakrës së Paramithisë ka ndodhur organizimi i Komandës së Çamërisë nga Nuri Dino, Moulla Emin, Vehib Hodo, me 10 korrik 1944, me drejtimet operacionale mbrojtëse.

Masakrat e para i detyruan rreth 20000 shqiptarë të Çamërisë (krahina Paramithia-Parga), që në muajin gusht 1944, të mblidhen në Filat. Në ditët e para të muajit gusht të vitit 1944, EDES vazhdoi operacionet e veta në Çamëri. Luftëtarët e EDES kapërcyen çdo rezistencë të popullsisë vendase dhe njëkohësisht vijuan operacionet e deportimit të popullsisë shqiptare drejt territorit të Shqipërisë. Më 21 shtator të vitit 1944, forcat gjermane filluan të evakuohen nga Epiri. Misioni Ushtarak Britanik urdhëroi EDES të parandalonte, që forcat gjermane të imbarkoheshin për në Ishullin e Korfuzit. Divizioni 10 i EDES urdhëroi njësitë e veta të ndërmerrnin një sulm të përgjithshëm kundër forcave gjermane dhe brenda pak ditëve i gjithë rajoni i Thesprotisë u çlirua. Në mbrojtje të popullsisë shqiptare të Filatit kishin mbetur vetëm njësitë e armatosura të Çamërisë, por rezistenca e tyre ndaj deportimit të forcave nacionaliste greke, u kapërcye shumë shpejt (vini re: janë forca territoriale vetëmbrojtëse të popullsisë civile dhe jo kolaboracioniste). Ajo që pasoi ishte një masakër tjetër e madhe, që ndodhi në tetor të vitit 1944 në Filat.

Për pesë ditë, qyteti ishte në kaos, shkatërrim dhe vrasje pa dallim. Udhëheqësit shqiptarë të Filatit, Masar dhe Nuri Dino, u larguan më përpara për në territorin e Shqipërisë, së bashku me forcat gjermane, duke e lënë popullsinë pa udhëheqësi. Dhjetëra gra dhe fëmijë u mbyllën në ndërtesën e shkollës së Filatit dhe vetëm pas ndërhyrjes së oficerëve aleatë, ata u liruan dhe shpëtuan pas ditësh të tëra kërcënimi nga terroristët. Brenda pak ditëve, e gjithë popullsia shqiptare e zonave fshatare të Çamërisë u deportua dhe aty nuk mbeti më këmbë shqiptari jo të krishterë. (Eleftheria K. Manta, The Çams of Albania and the Greek State (1923-1945), at Journal of Muslim Minority Affairs, 29:4. 2009, faqe 533). Vetëm dy masakra, ajo e Paramithisë dhe ajo e Filatit, lanë pas 2000 kufoma, gra, fëmijë, pleq dhe burra të çarmatosur, të masakruar shtazërisht nga banditët fashistë të Greqisë pas.

Gjatë periudhës korrik-nëntor 1944, mendohet se i gjithë minoriteti shqiptar mysliman në Greqi kaloi një herë për në Shqipëri. Shifra që përflitej ishte rreth 18 mijë banorësh të shpërngulur.(PRO.HS5/75). Studiuesja greke, Eleftheria K. Manta, e vendos këtë numër në mes 22000 dhe 25000 banorë të deportuar. Nga Komitetit Antifashist i Çamërisë, si për ta hedhur poshtë alibinë e Zervas dhe qeverisë së Plastiras, për bashkëpunim në bllok të çamëve, vjen një informacion i detajuar, që mban datën 17 tetor 1944. Dokumenti bën fjalë për krime çnjerëzore dhe plaçkitje të kryera nga banda e organizuara të EDES, nën komandën e gjeneral Zervas në Çamëri. Ky komitet, për këtë arsye, i dërgoi Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Greqisë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Ajrore Aleate të Mesdheut, Qeverive të Fuqive të Mëdha, Anglisë, Rusisë dhe Amerikës, Komitetit Qendror të EAM, Guvernatorit të Epirit, Komitetit Pan-Epirot të EAM, Komitetit Krahinor të EAM në Filat të Çamërisë, një notë proteste. Ajo u dërgua në emër të popullsisë antifashiste të minoritetit shqiptar të Çamerisë, i cili ishte shqyer në pjesë dhe shkatërruar prej kriminelëve të bandave të EDES dhe ishte detyruar të kalonte në territorin e Shqipërisë, duke vuajtur nga uria dhe sëmundjet. Komiteti protestonte për barbarizmat e pashembullt dhe krimet e kryera nga EDES mbi popullsinë e pafajshme, që kishte mbetur në Çamëri.

Protesta bën të qartë se shqiptarët e Çamërisë nuk e mbanin veten përgjegjës për krimet, nga të cilat vuajtën grekët dhe shqiptarët e Çamërisë. Ato krime ishin bërë, sipas përfaqësuesve të kësaj organizate të majtë shqiptare në Çamëri, nga klika fashiste dhe vetëm nga disa bejlerë krahinorë dhe nuk kishin të bënin me gjithë popullsinë (PRO.FO.371.48094, R 544/544/90). Dhuna e filluar nga vera e vitit 1944 nxiti procesin e largimit masiv të popullsisë shqiptare të Çamërisë, të mbetur ende pa u goditur. Vala e largimit ka vazhduar deri në dhjetor 1944. Goditja ka qenë jo ndaj forcave kolaboracioniste, por ndaj një popullsie të tërë etnikisht dhe fetarisht të përcaktuar dhe tërësisht e paarmatosur. Madje, goditja është kryer nga ish-forcat kolaboracioniste greke (EDES vetë ka bashkëpunuar me gjermanët), që më vonë u bënë me Aleatët, kundër një popullsie tashmë plotësisht pa mbrojtje dhe të etiketuar nga pikëpamja fetare, si myslimane, dhe nga pikëpamja politike, padrejtësisht në bllok, si kolaboracioniste.

Në dhjetor të vitit 1944, pas marrëveshjes së FNÇ me EAM, do ketë një ndërprerje të fluksit të emigrimit drejt Shqipërisë dhe një rikthim të një pjese të të emigruarve nga Shqipëria drejt Greqisë. Mirëpo, ky fenomen ka qenë i përkohshëm, sepse sërish në vitin 1945, pas masakrës së marsit të vitit 1945, procesi migrator nga Çamëria drejt Shqipërisë rifilloi, tashmë me një rrugë pa kthim. Nga minoriteti shqiptar i zonës së Filatit në Veriperëndim të Greqisë, raportohet se 18000 banorë u detyruan serish të ikin në Shqipërinë e Jugut, gjatë sulmeve të muajve të parë të vitit 1945, të ndërmarrë nga guerrilasit e Zervas dhe ushtria qeveritare e Plastiras.

Në qoftë se masakrat ndaj çamëve, deri në muajin dhjetor 1944- janar 1945 janë bërë nga forcat e Zervas, pas vendosjes së autoritetit qeveritar të gjeneralit Plastiras, ato vijuan tashmë nga ushtria e rregullt e Greqisë. Mes evidencave vijuese është masakra e ndodhur në Filat, më 13 mars 1945, kur 70 burra u ekzekutuan dhe gratë e tyre u detyruan të vendosen në rrugën e ikjes me fëmijët. Pas masakrës së Filatit, me mijëra refugjatë të tjerë morën rrugën për në Shqipëri (PRO.FO.371.48094, R 5665/544/90). Sipas versionit të raportuar nga refugjatët e mbërritur në Shqipëri, ngjarja është zhvilluar në këto rrethana: më datën 6 mars 1945, Lt. Cristo Kaca zbarkoi nga Korfuzi në pjesën kontinentale dhe ky zbarkim i tij ishte parë nga barinjtë e zonës. Ndër banditët e tjerë drejtues, dëshmitarët e tjerë konstatuan edhe Major Ilio Kaca, i cili erdhi nga Palo Fshati, si edhe kolonel Zotto.

Ata kishin deklaruar se i përkisnin Organizatës së Plastiras, kanë qenë të veshur me uniforma ushtarake greke, me kunorë në kapelat e tyre. Këtyre, më pas, iu bashkuan gangsterë të armatosur nga Korfuzi dhe nga popullsia lokale koloniste greke, diku rreth 50 deri 100 njerëz të armatosur. Mes kriminelëve të përfshirë në masakër rezulton të ketë qenë Zoes Pantazis, banor i Parapotamo të Thesprotisë dhe Christo Katsio, banor i Palaiçhori të Filatit. Kanë qenë pikërisht këto personazhe të errëta të botës së krimit ordiner dhe politik, që e kanë kryer masakrën e datës 12 dhe 13 mars 1945 në Filat, e cila shënoi nxjerrjen përfundimtare edhe të 5000 shqiptarëve të fundit të rikthyer pas marrëveshjes së dhjetorit 1944, në mes FNÇ dhe EAM(PRO.FO.371.48094, R 8564/544/90).

Për të hetuar rreth ngjarjeve, Foreign Office në Londër urdhëroi Brigadierin Hodgson, shef i misionit ushtarak britanik në Shqipëri, të dërgonte një oficer britanik në Jugun e Shqipërisë (PRO.FO.371.48094, R 5665/544/90). Ndërkohë, në fund të muajit mars 1945, një detashment i trupave britanike arriti në Filat, për të hetuar dhe raportuar në detaje mbi ngjarjet. Mirëpo, qeveria greke kishte marrë masat dhe udhëzuar Guvernatorin e Përgjithshëm të Epirit, për t’iu raportuar ushtarakëve britanike, se njësitë e Gardës Kombëtare Greke nuk sulmonin çamët dhe se ata kishin marrë veprime të përshtatshme kundër atyre që ishin përgjegjës për incidentet. Por toka çame në këtë kohë ishte e boshatisur nga popullsia.

Asnjë dëshmi e vërtetë mbi atë çfarë kishte ndodhur në ato anë nuk mund të merrej në një territor të spastruar etnikisht nga banorët autoktonë. Vetëm në harkun kohor mes tetorit 1944 deri në janar 1945, llogariteshin nga 12000 deri në 14000, shqiptarët e zhvendosur nga pjesa Veriperëndimore e Epirit, nën etiketimin e luftëtarëve guerrilas, që gjoja kishin bashkëpunuar me gjermanët. Mirëpo, në këtë numër përfshiheshin kryesisht gra e fëmijë. Për çfarë kolaboracionizmi bëhej fjalë? Në fakt, ajo ishte një reprezalje e paramenduar dhe e nxitur. Kujtojmë që nga Marrëveshja e Varkizës, një numër trupash të EDES, të mbetur nga dezintegrimi, ishin rikthyer sërish nga Korfuzi në Epir dhe kishin vazhduar ta godisnin popullsinë e Çamërisë. (PRO.FO.371.48094, R 5958/544/90). Me datën 4 prill 1945, brigadieri Hodgson vendosi të shkojë vetë për të bërë hetimin.

Ai u nis nga Tirana së bashku me Lieutanant Colonel Palmer (PRO.FO.371.48094, R 6202/544/90.) Vizita është zhvilluar në Greqi, nga data 10 prill deri më datën 14 prill të vitit 1945, gjatë së cilës delegacioni i BMM Albania, ka pasur takime me Majorin Hutchinson, BMM Epirus Higher Military Command dhe Majorin grek Sarandis, O C 2 BRO Epirus Higher Military Command, dhe Lt. Col Hunt Gl (I) i 3 Corps. Synimi i vizitës ka qenë për të marrë nga autoritetet britanike në Epir, rezultatet e hetimeve të tyre në lidhje me masakrat ndaj shqiptarëve në Filat, gjatë muajit mars 1945, si dhe për të diskutuar rreth çështjeve të përgjithshme të kufirit greko-shqiptar.

Hodgson propozoi krijimin e një Delegacioni të Çamëve në Shqipëri, delegacion që do ta paraqiste çështjen e tyre pranë çdo komisioni hetimi, që do të mund të krijohej në të ardhmen (nuk u krijua kurrë në fakt). Propozimi tjetër kishte të bënte me qeverinë greke, e cila sapo të vendosej në kontroll të territorit, duhej të jepte siguri se çamët do të mirëpriteshin për t’u rikthyer në vendin e tyre (PRO.FO.371.48094, R 8331/544/90). Britanikët llogarisin që nga rreth 35000 shqiptarë të Çamërisë të besimit islam (saktësim imi R.G.) sa ishte popullsia para Luftës së Dytë Botërore, në territorin e shtetit shqiptar kishin arritur të hynin 18000, pjesa tjetër llogaritej që nuk kishte arritur t’i mbijetonte luftës dhe gjenocidit të EDES dhe forcave ushtarake të qeverisë së Gjeneralit Plastiras (PRO.FO.371.48094, R 7709/544/90).

Pas gjenocidit ndaj popullsisë së Çamërisë, në qytetin e Filatit arritën të mbijetojnë vetëm 15 familje çame dhe 5 të tjera arritën të zhvendosen për në Korfuz. Pjesa tjetër e popullsisë nga Thesprotia, gjegjësisht lugina e Paramithisë, qyteti i Margëlliçit, Filati dhe praktikisht nga e gjithë zona e njohur në Greqisë si e Fanarit, shqiptarët myslimanë, ose u shfarosën nga popullsia greke e këtyre anëve me ndihmën e ushtrisë, ose kërkuan strehim në Shqipëri (PRO.FO.371.48094, R 7709/544/90). Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Greke, urdhëroi një të ashtuquajtur investigim, përmes të cilit u mundua të justifikonte aksionin shfarosës grek.

Përfundimi i arritur nga ky investigim i njëanshëm i ushtrisë helene ishte se akuzat shqiptare për gjenocid ndaj çamëve, ishin të pabazuara. Përmes ambasadës mbretërore të Greqisë në Londër, në FO janë paraqitur: 1. një cirkular Komandës së Çamërisë, që jep drejtimet e operacioneve, që mban datën 10 korrik 1944 dhe është e firmosur Moulla Emin, Nuri Dino dhe Vehib Huto(PRO.FO.371.48094, R 20573/544/90); 2.një raport nga Komisioni i Hetimit, i drejtuar nga Lt. Kolonel Vassili Papayannis, komandant i Batalionit 164 të Gardës Kombëtare të Greqisë, realizuar me datën 14 korrik 1945, që nxjerr të pafajshëm autorët e akuzuar të masakrës së 12-13 marsit 1945 në Filat, Zoes Pantazis dhe Christo Katsios (PRO.FO.371.48094, R 20573/544/90, faqe 142). Në bazë të këtij raporti të njëanshëm grek, popullsia shqiptare e Çamërisë, cilësohej si kolaboracioniste në bllok, gjë që nuk përkonte me të vërtetën dhe as me logjikën. Ky është versioni, që nga ajo kohë e deri më sot, vazhdon t’i përmbahet shteti grek dhe të gjitha qeveritë e këtij vendi.

Ato nuk paraqiten asnjëherë pendesë dhe shqetësim për fatin e nënshtetasve të tyre shqiptarë, që s’kishin të bënin me kolaboracionizmin e pretenduar të pak individëve të parësisë së Çamërisë, që gjithsesi nuk ishte i tillë. Bashkëpunimi për të garantuar mbijetesën e popullit të vet të marrë nën mbrojtje, i disa individëve nuk mund të shërbente në asnjë rast si alibi për shfarosjen e një popullsie të tërë nga trojet e tyre. Po ashtu as manipulimi i të dhënave, as paraqitja zyrtare e një versioni antihistorik, të përkundërt me vlerat europiane, për 70 vite me radhë pas ngjarjeve, nga ana e organeve shtetërore të Greqisë, nuk përbën një qasje për t’u arsyetuar në vitin 2018. Pyetjet që ne shtrojmë janë: Çfarë të drejtash gëzonin shqiptarët në kuadrin e lirive të garantuara të minoriteteve, nën aktet ndërkombëtare dhe nën kuadrin e brendshëm konstitucional, në shtetin grek deri më 1941? Cili ishte numri i shkollave në gjuhën shqipe në Prefekturën e Thesprotisë, nga viti 1913 deri më 1941? Cilat ishin të drejtat e minoritetit shqiptarë të krishterë në këtë krahinë? A ka pasur politika migratore nga ana e shtetit grek për zhvendosjen e shqiptarëve myslimanë drejt Turqisë, në periudhën në mes dy luftërave botërore? Dhe pyetja e pyetjeve: Një popull i shtypur pa asnjë të drejtë, për një hark kohor nga viti 1913-1941, a pritet të jetë një popull miqësor dhe një qytetar besnik i atij shteti, i cili e ka shtypur për 30 vite me radhë egërsisht? Unë besoj që jo. Pushtimi italian në fakt i hapi dritën e lirisë, për arsyet e veta, një populli të shtypur, të paarsimuar nën pengim emancipues. Frymëmarrja e lirë e popullsisë pas kësaj ngjarjeje mund të ishte një kurth për një jetë të qëndrueshme ndryshe, por faji në asnjë rast nuk mund t’u mbetet viktimave të dhunës, por orkestruesve të dhunës së para 1941 dhe pas 1941, që sidomos në këtë periudhë të dytë, janë të shumëngjyrshëm.

Autoritetet greke, jo vetëm nuk dënuan vrasësit dhe deportuesit të EDES, por pas shpalljes së legjislacionit për procedurat penale kundër të gjithë bashkëpunëtorëve dhe kriminelëve të luftës, Gjykata Speciale e Bashkëpunëtorëve e Janinës, në vitin 1945, dënoi në masë 1930 çamë, shumë prej tyre me dënim me vdekje, ndërsa në vitin 1946 edhe 179 të tjerë. “Çështja çame” më 1945 arriti në një pikë kritike: të vrarë, të nxjerrë jashtë nga shtëpitë dhe vatrat stërgjyshore, të zhdukur, të shpronësuar dhe pa perspektivë kthimi pjesa e mbetur.

Kjo gjendje vazhdoi për 74 vite me radhë deri më sot. E gjitha kjo krijoi bazën e një urrejtjeje, që në fakt nuk e kishte fillesën në vitet e Luftës së Dytë Botërore, por shumë më përpara, në agimin e krijimit të shtetit shqiptar më 1913-1914 dhe fillimit të procesit të nxjerrjes së sforcuar jashtë, të popullsisë kompakte shqiptare në atë krahinë që i mbeti shtetit grek, nga ndarja e kufijve në Ballkan pas luftërave ballkanike. Qeveria komuniste shqiptare, e izoluar nga bota për 49 vite, e frikësuar nga qëndrueshmëria e vet e brendshme dhe e jashtme do ta mbante të ngrirë problemin çam dhe nuk do të interesohej fare, as për kthimin e tyre në vatrat shekullore dhe as për shkollimin e popullsisë ortodokse shqiptare të Çamërisë, për të drejtat e tyre minoritare, të barabarta me ato që gëzonte minoriteti grek në Shqipëri. “Lufta e Ftohtë” e ngriu dhe e kaloi gati në harresë çështjen e shtetasve greke të kombësisë shqiptare, të deportuar me dhunë nga Greqia në Shqipëri.

Çamëria dhe çamët u sakrifikuan dhe po sakrifikohen ende, për hir të ruajtjes së ca interesave më të mëdha, të disa njerëzve të vegjël dhe jo patriotë. Mohimi 70-vjeçar i të drejtës së rikthimit dhe i njohjes së të drejtave të shqiptareve të Epirit të Jugut, mbi pronat e lëna mbrapa në Thesproti, është një rast i paprecedent i shkeljes së qëllimtë të lirive kushtetuese të shtetasve, nga një vend demokratik, anëtar i BE. Qeveria aktuale socialiste sot në vitin 2018, nuk mund ta shkëmbejë çështjen e njohjes së të drejtave të shqiptarëve të deportuar nga Greqia pas masakrave të EDES, në vitet 1944-1945, me asnjë nevojë të saj mbijetuese në skenën rajonale dhe nacionale.

Ajo nuk mund të nënshkruajë në heshtje zhdukjen e së vërtetës historike dhe as fshirjen e toponimisë identitare të Çamërisë. Ekzistenca e 2000 forca nacionaliste, që shërbyen si Gardë Mbrojtëse e popullsisë së pambrojtur civile shqiptare në vitet 1942-1944, në kohën e kaosit të brendshëm në Thesproti, nuk mund të shërbejnë si alibi e pambarimtë, për njohjen e ligjësimin e deportimit dhe mohimin e të drejtave civile të 50000 banorëve të tjerë me origjinë nga këto anë, që ende nuk lejohen të futen lirisht në Republikën e Greqisë. Ekipi negociator shqiptar i MPJ të RSH, jo vetëm rezulton pa shpirtin e nevojshëm atdhetar, por më ngjan të jetë edhe pa ekspertizën e nevojshme historike, që mundëson një negocim efikas dhe të drejtë të çështjeve të pazgjidhura me Republikën e Greqisë.

(Kosova Sot)