1934 – Kur shqiptarëve i prezantohej ambasadori i ri amerikan

  • 09 July 2018 - 15:02
1934 – Kur shqiptarëve i prezantohej ambasadori i ri amerikan

Armand Plaka – 4 Korriku, Festa Kombëtare e SHBA, kombit të madh demokratik e mikut të çmuar të popullit shqiptar, është një rast i mirë për të përcjellë një material të shkurtër, por interesant arkivor nga shtypi i viteve ‘30 të shekullit të shkuar, në një kohë kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA ishin po aq të mira sa ç’janë edhe sot e kësaj dite. Nga ana tjetër, është rasti për të bërë një analogji po aq interesante në lidhje me emërimet dhe përcjelljen e lajmit ndaj publikut shqiptar të përfaqësuesve të rinj amerikanë në Shqipëri, ndërsa vetëm një ditë më parë, mediat shqiptare kanë bërë të ditur përzgjedhjen nga ana e Presidentit Trump të diplomates Kathleen Ann Kavalec, si ambasadore fuqiplotë e SHBA në Tiranë, ndërsa pritet dhe miratimi i saj nga Senati. Po ashtu, në të shihet qartë fryma tejet vlerësuese për rolin e SHBA në lidhje me Shqipërinë, duke ngritur lart e nxjerrë në pah edhe miqësinë tradicionale mes dy vendeve.

Sipas revistës “Minerva”, një platformë e mirënjohur e kohës, plot 84 vjet më parë, në prill 1934, Dr. George Post Wheeler (1869-1956) i prezantohej publikut shqiptar si i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe ministër Fuqiplotë i SHBA në Tiranë, duke pasuar në këtë post një personalitet të mirënjohur edhe për historiografinë shqiptare, Herman Bernstein, një dashamirës e njohës i shkëlqyer i Shqipërisë e shqiptarëve, i cili shërbeu në periudhën shkurt 1930 – shtator 1933, duke lënë një hapësirë kohore 7-mujore në vakancë deri në mbërritjen e ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, megjithëse Wheeler zyrtarisht ishte emëruar qysh në gusht 1933 nga Uashingtoni zyrtar.

Image

Faksmile e artikullit të revistës “Minerva”, prill 1934 me titull:

DOKTOR POST WHEELER-Ministër i Shteteve të Bashkuarë”, fq. 27.

Dr. Wheeler e mbylli shërbimin e tij në Shqipëri në nëntor 1934, duke shënuar një periudhë afatshkurtër, e cila i shërbeu që t’i njihte më nga afër shqiptarët, për të cilët ai më pas në vitin 1936, shkroi edhe një vepër mbi traditën gojore e folklorin shqiptar me titull: “Albanian Wonder Tales” (Tregime shqiptare), pasi ai veç karrierës diplomatike, njihej edhe si një mbledhës i shquar i folklorit të shumë popujve e kombeve, si atij sllav, rus, hauaian e kësisoj edhe atij shqiptar, sikurse ishte edhe një shkrimtar e poet i njohur në gjysmën e parë të shekullit XX.

Ajo që bie menjëherë në sy është edhe profili i lartë intelektual e diplomatik që përfaqësonte Dr. Wheeler, sikurse është rasti edhe sot me ambasadoren e pritshme znj. Kavalec, e cila sipas mediave, njeh disa gjuhë të huaja dhe ka një eksperiencë vërtetë të gjatë në shërbimin diplomatik.

Image

aksmile e vëllimit me titull: “Albanian Wonder Tales”

(Tregime shqiptare), me autor Post Wheeler, 1936

Po ç’shkruante me këtë rast “Minerva” në prill 1934?

Simpathija dhe mirënjohja që ndjen i tërë populli shqiptar kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lumturisht mbahen të gjalla përhera, përveç instituteve amerikane të edukatës që funksionojnë në vendin t’onë, edhe prej faktit që Amerika ësht përfaqësuar në vendin t’onë gjithnjë prej personaliteteve eminente, që e ndjekin besnikërisht politikën tradisjonale të kthjelltë të shteteve të tyre kundrejt Shqipërisë. Më parë kishim Bernstein-in, plot simpathi e mirëdashje për vendin t’onë; kemi tani E.T. Dr. Post Wheeler-in, si i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë.

Image

Diplomati, poeti dhe shkrimtari

amerikan, George Post Wheeler, 1869-1956

Të përfaqësuarit e Amerikës prej Zotërisë së tij është një shkak satisfaksioni legjitim për ne, si një dëshmi simpathije të Amerikës kundrejt nesh, që na bën të ndjejmë vetehen krenar. Ministri amerikan i sotëm nuk është vetëm një diplomat profesionist, i cili që në 1906 i ka ushtrëruar funksionet delikate të tij me aftësi e me dignitet në vende me rëndësi, si London, Roma, Petrograd, Tokio, Rio De Janeiro, por është edhe një njeri i letrave, një poet me sensibilitet të hollë, e një prozator plot gjallëri e i këndshëm. Ësht’ autor i një tokë librave me rëndësi: Reflection of a Bachelor, Love in a Mist, The Writer, Russian Wonder Tales. Ky libër i fundit është mbi folklorën e pasur sllave. Është një publiçist dhe ka ndriçuar opinionin publik, duke bashkpunuar në gazeta e revista të ndryshme si: Newark Advertisement, New /York, Life, ky i fundit humoristik. E.T. Dr. Post Wheeler ka prapa tij një jetë punëtore intelektuale. Ësht një gëzim pra, për ne që t’a paraqesim Ekselencën e Tij publikut shqiptar. 

 

 

(Kosova Sot)