Lidhja islamike, që u shndërrua në Lidhjen shqiptare

  • 16 July 2018 - 10:09
Lidhja islamike, që u shndërrua në Lidhjen shqiptare

Gazmend Shpuza

Kuvendi historik i Prizrenit, në të cilin u themelua Lidhja Shqiptare, i mbajtur pranë Bajrakxhamisë të këtij qyteti ka mbetur i pavlerësuar dhe madje i anatemuar keqas si një tubim i organizuar dhe i manipuluar nga elementët sulltanistët. Kararnameja, i vetmi dokument i miratuar në këtë kuvend, përshkohej nga besnikëria ndaj sulltanit dhe Sherijatit. Edhe vetë organizata e porsakrijuar qenka quajtur Lidhje Islamike dhe më vonë u quajt Lidhja Shqiptare!

Kuvendi u mbajt pranë Bajrakxhamisë. Edhe pse pranë një kulti islam, në të morën pjesë jo vetëm 38 pjesëmarrës myslimanë, por përkrah tyre u rreshtuan dhe pesë delegatë kristianë (ortodoksë e katolikë). Aty, ndryshe nga sa vijon të paragjykohet, u morën vendime historike për fatet e atdheut dhe për të ardhmen e tij. Këtë qëndrim të paimagjinueshëm për atë kohë e diktonte momenti historik, i cili shtronte para kuvendarëve detyrën e ngutshme të bashkimit pa dallim feje për shpëtimin e trojeve shqiptare nga rreziku i copëtimit. Ky bashkim i elementëve të ndryshëm fetarë vinte natyrshëm në vijim të traditës shekullore të bashkëjetesës ndërfetare midis bartësve të besimeve të ndryshme.

Për autorin Sylejman Kylçe, me prejardhje nga Tetova apo nga Luma, i cili na kumton vendimet e punimeve të këtij kuvendi, është plotësisht e qartë dhe e padiskutueshme që këta delegatë kishin ardhur aty jo për hir të interesave të ngushta, të veçanta, por, ashtu sikurse nënvizon ai, “për mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë” mbarë.

Kuvendarët, edhe pse përfaqësues vetëm të një pjese të Shqipërisë, vilajeti i Kosovës dhe ish-vilajeti i Manastirit dhe pas dy javësh dhe ata të Shkodrës ndanë të njëjtat mendime lidhur me rrugët e shpëtimit të atdheut nga rreziqet që i kërcënoheshin. Si masë të parë ata ndërmorën formimin e një organizate kombëtare të njësuar mbarëshqiptare, e cila ka hyrë në histori me emrin Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Këtë e dëshmojnë vendimet që u morën aty.

Fill pas hapjes së Kongresit të Berlinit këta delegatë pa pritur ardhjen e përfaqësuesve të viseve të tjera, sepse koha nuk priste, njoftuan menjëherë më 15 qershor -1878, Portën e Lartë me një shpallje të nënshkruar, siç thekson jo rastësisht S. Kylçe, bashkërisht dhe me krerët e krishterë, deklaronin: të gjithë shqiptarët ishin të vendosur të përballonin çdo vendim negativ që do të dilte nga ai forum i fuqive të mëdha në kryeqytetin e Gjermanisë dhe çdo agresion që do të vinte nga fqinjët.

Kuvendarët e sapombledhur në Prizren deklaronin me vendosmëri: “Qoftë i mallkuar kush ndjek interesat egoiste në këtë kohë kur atdheu na thërret në shërbim të tij. Ne, në Lidhjen tonë, vendosëm që para së gjithash të provojmë që, pa diskutuar për fenë, jemi shqiptarë”. Siç shihet për ndarje krahinore as që bëhej fjalë. Pjesëmarrësit e Kuvendit qenë të vetëdijesuar plotësisht për identitetin e tyre të njësuar kombëtar. Shpalosja e bashkimit mbifetar të shqiptarëve, u vlerësua që herët, siç shkruan Sylejman Kulçe, në mënyrë të natyrshme, “një vepër zgjimi e madhe”.

Kuvendarët e Prizrenit miratuan po atë dite programin politik kombëtar bazë, për zbatimin e të cilit do të punonte Lidhja. Autonomia e Shqipërisë u konsiderua me të drejtë për vetë kushtet, si rruga më e mirë për sigurimin jo vetëm të tërësisë së trojeve shqiptare, por edhe të së ardhmes së atdheut të bashkuar. Mos të harrojmë se vendimmarrësit e fuqishëm të Kongresit të Berlinit u pajtuan për ruajtjen e status quo-së në Ballkan.

Edhe pse në kuvend, një herë për një herë, merrnin pjesë dhe diskutonin vetëm përfaqësues të një pjese të trevave shqiptare ata u shprehën dhe morën vendime në këtë tubim historik edhe në emër të të gjithë bashkatdhetarëve të tyre, si përsa i përkiste ruajtjes së tërësisë së trojeve shqiptare ashtu dhe për sa i takonte sendërtimit të të drejtave kombëtare të mbarë shqiptarëve.

Detyrën e shpëtimit të viseve shqiptare të rrezikuara nga Traktati i Shën Stefanit dhe më pas dhe nga Kongresi i Berlinit përfaqësuesit e vilajetit kuvendarët e Prizrenit, e shihnin të pandarë nga synimi i tyre për sigurimin e të drejtave kombëtare qoftë edhe në formën e një administrate shqiptare në kuadër të “vilajeteve të bashkuara” me një autonomi sa më të gjerë.

Në këtë kushtetutë të Lidhjes, siç e quan Kylçe, shtrohet qartë dhe prerazi qysh në ditët e para të Kuvendit të Prizrenit, pa arritur ende përfaqësuesit e viseve të tjera, synimi për të kaluar pa humbur kohë në realizimin e menjëhershëm të autonomisë së Shqipërisë me bashkimin e vilajeteve shqiptare me qendër Manastirin. Po ashtu, kërkohet ngritja e administratës së Lidhjes me organizmat përkatëse jo vetëm për mobilizimin e shqiptarëve në luftën kundër copëtimit të trojeve shqiptare por dhe për sendërtimin e kësaj autonomie. Qysh në fillim parashikohej që administrata e Lidhjes të merrte në dorë mbledhjen e taksave dhe ngritjen e organeve të ruajtjes së rendit dhe të forcave ushtarake të “Vilajeteve të Bashkuara” për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Për autorin S. Kylçe “ishte e qartë haptazi që vendimet e para të Lidhjes së Prizrenit nuk përputheshin me qenien dhe interesat e shtetit osman”. Prandaj autoritetet osmane morën masa të menjëhershme për t’iu kundërvënë zbatimit të këtyre synimeve dhe kërkesave.

Fillimisht, shqiptarët e vilajetit te Kosovës dhe fill pas tyre edhe ata të mbarë viseve të Shqipërisë verilindore, veriore, dhe lindore, nuk shkuan në Kuvendin e Prizrenit vetëm dhe thjesht si përfaqësues të krahinave apo të sanxhaqeve të veçanta.

Deri më tani nuk dihen emrat e pjesëmarrësve të kuvendit që nënshkruan dokumentet themeltare të Lidhjes. Ne kemi emrat e atyre që miratuan Kararnamenë e datës 17 qershor, për organizmin e forcave për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe ngritjen e administratës shqiptare. Ata qenë përfaqësuesit e viseve të Rrafshit të Dukagjinit, të Kosovës, Dibrës Tetovës, Matit, Lumës, Novipazarit, Gucisë, Shkupit, Manastirit, Ohrit, Kërçovës, etj., mbi 50 vetë. Edhe pse në Kuvendin e Prizrenit munguan përfaqësuesit më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare pjesëmarrësit e tij qëndruan në lartësinë e kuptimit dhe të shprehjes së drejtë të detyrave që shtroheshin përpara vendit në rrafsh kombëtar për kohën dhe për të ardhmen.

Të parët që mbështetën vendimet dhe protestat e dala nga Kuvendi i Prizrenit ishin përfaqësuesit e viseve të kërcënuara nga vendimet e Traktatit të Shën Stefanit.

Lidhja e Prizrenit e porsakrijuar, në të vërtetë, bashkoi nismat popullore të komiteteve të vetëmbrojtjes dhe lidhjet lokale, krahinore dhe ndërkrahinore në një organizatë të përbashkët kombëtare mbarëshqiptare.

Pas formimit te Lidhjes Shqiptare si një organizatë kombëtare mbarëshqiptare me përkujtesën e 15 qershorit drejtuar Kongresit të Berlinit dhe Portës së Lartë dhe, sidomos, me miratimin e programit politik të Lidhjes u shpreh qartë vullneti dhe vendosmëria e kombit shqiptar për krijimin e një fronti të përbashkët të mbarë shqiptarëve përballë armiqve të huaj që kërkonin ta gjymtonin tërësinë territoriale të atdheut dhe t’ia mohonin Shqipërisë të drejtat kombëtare. Ky front që në ditët e para të krijimit të tij u shndërrua ndryshe nga çfarë pretendohet, në një organizatë politike kombëtare, me fizionomi të mirëfilltë shqiptare të shpallur pa mëdyshje botërisht.

Ne pamundësi tashmë për t’i injoruar, si deri më tani, dokumentet themelore të Lidhjes të datës 15 qershor 1878, vërehen për ta nënvlerësuar gjithësesi Kuvendin historik të Prizrenit.

Tani në literaturën tonë historike kushtuar themelimit të Lidhjes Shqiptare nuk bëhet më fjalë për mbizotërim në Kuvendin e Prizrenit të elementëve sulltanistë e madje, edhe të moderuar. Prapë se prapë, elementët radikalë kërkohen jashtë mureve të xhamisë, ku u mblodhën delegatët e kuvendit dhe, madje, larg vatrës së themelimit të Lidhjes. Porse, në fakt, janë pikërisht këta përfaqësues të popullit shqiptar, të trevave verilindore të Shqipërisë, të cilët morën vendimet historike në Kuvend, ata të cilët qenë nismëtarë të lëvizjes për themelimin dhe orientimin e drejtë të Lidhjes së Prizrenit qysh në hapat e para të saj.

Përfaqësuesit e viseve të sipërpërmendura, kryesisht muslimanë, i dhanë Lidhjes, që më 15 qershor 1878, platformën mbarëshqiptare, programin atdhetar dhe taktikën revolucionare të luftës për ruajtjen e tërësisë së trojeve amtare dhe njëkohësisht, edhe të luftës për sigurimin e të drejtave kombëtare. Duke iu përmbajtur deri në fund këtij programi, Lidhja e Prizrenit qëndroi për afro katër vjet rresht në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Rreth saj, gjatë viteve 1878-1881, u bashkuan forcat atdhetare nga vilajetet e tjera, nga të katër anët e viseve shqiptare.

Në kundërshtim me realitetin historik të atyre ditëve të qershorit të vitit 1878, edhe sot e kësaj dite afishohen si dokumentet më të para të Kuvendit të Prizrenit dhe, njëkohësisht, themeluese të Lidhjes Shqiptare Kararnameja, e cilësuar gabimisht pa dashje apo dhe me dashje turkomane apo proturke, Talimati dhe madje i ashtuquajturi Kanun i Ri i 2 korrikut 1878. Pra, ende ndeshim në përpjekje për t’u kthyer, përmes pohimesh kategorike apo kontradiktore, në vlerësimet e dikurshme tërësisht apo dhe pjesërisht negative të Kararnamesë dhe të Kuvendit themelues të Prizrenit. Ruhet ende hendeku i thellë midis vlerësimit pozitiv të përgjithshëm të Lidhjes si krijesë e shqiptarëve dhe karakterizimit negativ të dokumenteve të konsideruara si akte themeluese të saj.
Programi i 15 qershorit 1878 me kërkesën për autonomi, edhe kur përmendet, zhvleftësohet menjëherë me pretendimin tejet të thjeshtëzuar, se përmbajtja e tij nuk u përfshi në dy dokumentet pasardhës që u miratuan nga Kuvendi, më 17 qershor 1878, në Kararnamenë (Akti i Vendimeve) dhe në Talimatin (Udhëzimet). Në këto rrethana shihet me vend të ndalemi edhe një here për të saktësuar dhe theksuar se cilët janë, në fakt, aktet themeluese të Lidhjes Shqiptare të viteve 1878-1881. Analizën dhe rivlerësimin e punimeve të Kuvendit të Prizrenit nuk e dikton vetëm përkujtimi i përvjetorëve të Lidhjes.

Ndryshe nga qindra protesta të mëparshme të dërguara deri më atëherë nga viset veriore, verilindore dhe lindore, akti i 15 qershorit nënshkruhej, tashmë, në emër të themeluesve të Lidhjes Shqiptare të sapo formuar. Këtyre protestave iu bashkëngjit pas afro pesëjavë e gjysëm dhe protesta e Degës së Lidhjes Shqiptare, në Janinën e datës 24 korrik 1878, e pasuar nga protestat e tjera të shqiptarëve të Jugut kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit lidhur me kufijtë e Jugut në fillim të vitit 1879 dhe më pas.
Programin autonomist të Kuvendit themelues të Lidhjes së Prizrenit Sylejman Kylçe e quan turqisht, jo pa të drejtë, anayasa, domethënë, Kushtetutë. Ajo në të vërtetë ishte skicë e projektkushtetutës së Shqipërisë autonome.

S. Kylçes si autor, njohës i mirë i burimeve osmane për historinë e Shqipërisë së atyre shekujve, më së pari, i intereson qëndrimi politik i delegatëve të Kuvendit të Prizrenit i shprehur në të dhe jo thjesht masat organizative sidomos në fushën ushtarake, për arritjen e tij. Prandaj, ai nuk u referohet fare as Kararnamesë dhe as Talimatit, dhe aq më pak të ashtuquajturit Kanuni i Ri. Edhe pse përmbajtja e pretenduar islamike apo proosmane e prosulltanore e Kararnamesë do t’i shkonte për shtat autoriteteve më të larta perandorake, ai nuk e përmend fare këtë dokument, i cili nuk duhej të ishte i panjohur për autoritetet osmane dhe për vetë atë. Prandaj, jo rastësisht, Kylçe ndalet në publikimin dhe vlerësimin vetëm të akteve të 15 qershorit.

Programin e Lidhjes të 15 qershorit e pasuan dhe plot parashtresa me kërkesën për autonomi. Kronologjia, gjeografia e parashtrimit dhe formulimet e tyre paraqesin interes për të gjykuar lidhur me ecurinë e përpjekjeve të organeve të Lidhjes në shkallë kombëtare dhe lokale në drejtim të sendërtimit të shtetit autonom shqiptar.

S. Kylçe është një autor serioz dhe plotësisht i besueshëm. Për dokumente të cilat ka dijeni lidhur me ekzistencën e tyre, por nuk ka arritur t’i shtijë në dorë, ai jo një here nuk i jep vetes të drejtë të flasë rreth të dhënave të tyre, të siguruara nga burime të tërthorta. Prandaj, mund të thuhet me bindje, se burimi, dhe vërtetësia e përmbajtjes së dokumenteve të 15 qershorit 1878, të vëna në qarkullim shkencor prej tij në vitin 1944, vështirë të vihen në dyshim dhe, për rrjedhim, dhe në diskutim.

Si dokument bazë “Kushtetuta” e Lidhjes nuk u përfshi dhe nuk kishte pse të përfshihesh, siç shohim të pretendohet dhe sot e kësaj dite, në aktet e përpiluara dhe të miratuara pas saj, siç qenë Kararnameja apo Talimati.

Aktet themeluese të Lidhjes së datës 15 qershor dhe aktet e tjera që i pasuan ato ishin vepër e qarqeve atdhetare të qarta politikisht që në hapat e para të veprimtarisë organizative të Kuvendit të Prizrenit.

Ky realitet historik vështirë të mohohet. Ai as nuk mund të vihet në dyshim nga përpjekjet për karakterizimin e plotë apo dhe të pjesshëm negativ që vijon t’i bëhet me të padrejtë Kararanmesë si një dokument islamik apo prosulltanor.

Shprehja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane dhe sovranit që formulohej në të, nuk i binte ndesh programit autonomist të miratuar dy ditë më parë në Prizren. Atë e ndeshim dhe në sa e sa parashtresa drejtuar Stambollit dhe Fuqive të Mëdha. Me këtë gjuhë do t’i drejtohet sulltanit, padishahut të 25 milion nënshtetasve osmanë dhe kalifit të 220 milion muslimanëve, edhe vetë Abdyl Frashëri. Prandaj, nuk ka pse të paragjykohen pjesëmarrësit e Kuvendit të Prizrenit dhe t’u ngarkohen “gjynahe” që nuk i kanë apo i bartin në se mud të quhen të tilla, dhe të gjithë personalitetet e tjera të Rilindjes që nga ajo kohë e deri në nëntor të vitit 1912.

Kur bëjmë fjalë për referim të Kararnamesë në ndonjë rast te feja islame duhet të kemi parasysh se ligjit fetar musliman organet e Lidhjes do t’i drejtoheshin, siç thuhet aty shprehimisht dhe pa asnjë mëdyshje, vetëm për mbrojtjen e jetës, të pasurisë dhe të nderit të bashkatdhetarëve jomuslimanë, dhe siç theksohet po aty, ashtu si për vete, d.m.th. për vetë muslimanët. Në këtë formulim të përpiluar dhe të miratuar në Bajrakxhaminë e Prizrenit kemi të bëjmë, siç del qartë, me një nen, i cili u bën nder shumë të madh autorëve të tij, kuvendarëve të Lidhjes, midis të cilëve nuk mungonin dhe përfaqësues të të krishterëve. Aty kemi të bëjmë me një qëndrim tejet të emancipuar, jo vetëm për atë kohë kur ai është shpalosur, por dhe më vonë e deri në ditët tona. Një qëndrim tejet human dhe tolerant që vështirë ta gjesh ndër fqinjët tanë jo më atëherë por dhe më vonë e, madje, as edhe sot. Ky qëndrim ngërthen në vet vete edhe në ditët tona një mesazh tepër aktual dhe të vlefshëm, të cilit shqiptarët, pa dallim besimi, duhet dhe besohet se do t’i përmbahen edhe sot e kësaj dite.

Me rezolutën e pretenduar të 2 korrikut, e cila gabimisht vijon edhe në botimet e sotshme (shih: Historia e popullit shqiptar, vëll. II, Tiranë, 2002, 159-160), t’i kundërvihet në një shkallë apo në një tjetër, “Kushtetutës” së 15 qershorit të vitit 1878 të Lidhjes, nuk u arrit gjë tjetër veçse të konfirmohet dhe të realizohet aderimi i përfaqësuesve të vilajeteve të tjera në programin kombëtar të Kuvendit të Prizrenit. Ardhja e tyre mundësoi shtrirjen organizative të rrjetit të Lidhjes nga qendra e saj në Prizren në çdo vilajet e sanxhak e madje dhe neper kaza me një Komitet qendror në krye.

Kararnameja dhe Talimati në raport me Programin e 15 qershorit janë, po të shprehemi me terma juridike, akte nënligjore që kanë dalë në zbatim të “Kushtetutës”. Ato merren, çka është e kuptueshme, kryesisht me probleme të brendshme të Lidhjes, me çështje organizative e, në radhë të pare, me marrjen e masave në fushën ushtarake për përballimin e agresionit të jashtëm, që përfaqësonte një detyrë të atypëratyshme.

Pra, Lidhja e Prizrenit u konceptua dhe lindi si një organizatë kombëtare mbarëshqiptare, që në ditët e para të themelimit të saj dhe nuk u shndërrua në një të tillë, siç pretendohet ende, as më 17 qershor, as më 2 korrik të atij viti, kur aty arrijnë përfaqësuesit e vilajit të Shkodrës, dhe më 1 nëntor 1878 dhe ata të Janinës.

Autorë ballkanas, në radhë të pare ata serbe, që nga Haxhivasiljeviçi e deri te Bogdanoviçi, pretendojnë se përfaqësuesit shqiptarë në Kuvendin e Prizrenit qenë ballafaquar në dy rryma sipas ndarjes gjeografike e krahinore: në atë të progresistëve të Shqipërisë Jugore e të Mesme dhe në atë të konservativistëve të Shqipërisë Veriore e Verilindore. Këto pikëpamje nuk mbten pa jehonë dhe në ditët tona ne ndonje studim serioz kushtuar Lidhjes.

Analiza e dokumenteve themeluese të Kuvendit të Prizrenit, hedh poshtë karakterizime politike dhe shoqërore të tilla negative për pjesëmarrësit e Kuvendit historik të Prizrenit të 15 qershorit 1878. Në këtë mënyrë të shtrimit të problemit harrohet fakti që elementë të moderuar apo dhe konservatorë nuk mungonin dhe nuk ishin më të paktë edhe jashtë vilajetit të Kosovës, Shkodrës dhe të Manasrtirit.

Para se të frikësohemi se mos historia e Lidhjes mistifikohet mbetet detyrë e rëndësishme e jona që ajo të çmistifikohet nga falsifikime të çdo llojit.

Rruga e Lidhjes së Prizrenit që në hapat e para të saj dëshmon katërçipërisht se popullsia e trevave veriore, verilindore dhe lindore nuk ka qenë vetëm një rezervë luftarake e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të të gjitha kohërave, dhe konkretisht të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ajo ka nxjerrë jo vetëm luftëtarë dhe komandantë të shquar por dhe udhëheqës politikë dhe burra shteti. Ata kanë ditur gjatë gjithë historisë, ashtu sikurse bashkëkombësit e tyre në trevat e tjera shqiptare, të luftojnë jo vetëm me çark, siç shprehet dhe ndonjë autor i yni, por dhe me mend.

Janë pikërisht përfaqësuesit e popullsisë shqiptare të Kosovës, e Shkodrës dhe të Manasirit si Ali Gucia, Iliaz Dibra, Daut Boriçi e sa të tjerë me Pashko Vasë Shkodranin në kry, nismëtarë të lëvizjes për themelimin dhe orientimin e drejtë të Lidhjes së Prizrenit, qysh në hapat e para të saj. Qenë pikërisht këta, të cilët, duke folur në emër të mbarë popullit shqiptar, i dhanë Lidhjes, qysh në fillimet e saj, platformën mbarëshqiptare, programin atdhetar dhe taktikën revolucionare të luftës për ruajtjen e tërësisë së trojeve amtare dhe, njëkohësisht, dhe të luftës për sigurimin e të drejtave kombëtare në shkallën e një autonomie politiko-administrative në kuadër të Perandorisë Osmane. Këtë detyrë ata e kryen, me që koha nuk i lejonte, pa pritur ardhjen e përfaqësuesve të viseve të tjera. Prandaj dhe delegatët e vilajeteve të Shkodrës dhe madje edhe ata të Janinës u bashkuan me besim të plotë rreth nismëtarëve dhe themeluesve të Lidhjes së Prizrenit, kryesisht nga Kosova, duke i dhënë asaj tashmë edhe faktikisht dhe jo vetëm në letër karakterin mbarëshqiptar.

Përpjekjet për të evidentuar ndonjë kuvend, si i ashtuquajturi Kuvend i Frashërit mbajtja e të cilit nuk vërtetohet përveçse në kujtime të mëvonshme të padokumentuara, nuk gjen mbështetje. Data e supozuar e tij ka ndryshuar disa herë, duke e sjellë deri në prag të Kuvendit Themelues të Lidhjes në Prizren, për ta eklipsuar rëndësinë e vendimeve historike të 15 qershorit 1878.

Mbi Kuvendin historik të Prizrenit nuk mund të hedhin hije as përpjekjet e një kuvendi të dështuar si Kuvendi i Gjirokastrës, pavarësisht nga pikëpamjet mjaft të përparuara të njerit prej organzatorëve të tij që ka ngelur anonim. Kuvendi në fjalë u paralizua tërësisht, siç pretendohet, nga shqetësimi për fatet e trojeve të Jugut dhe nuk arriti të dilte me një rezolutë të përbashkët jo vetëm për çështjen e autonomisë por as edhe për mbrojtjen e trojeve nga rreziku i aneksimit të tyre prej Greqisë. /Milosao/