Cilësia dhe standardet e “Birra Korça”, kur Enver Hoxha e Byroja “ngriheshin në këmbë”

  • 10 August 2018 - 10:37
Cilësia dhe standardet e “Birra Korça”, kur Enver Hoxha e Byroja “ngriheshin në këmbë”

Nga Dashnor Kaloçi – Festa tradicionale e “Birrës Korça”, që ka filluar mbrëmë në qytetin e Korçës dhe që zhvillohet për të disatin vit me radhë, ka mbledhur me mijëra e mijëra adhurues të kësaj “pije magjike” jo vetëm nga ai qytet ku dhe është prodhuar ajo për herë të parë në vitin 1928, por edhe nga qytete të tjera, pa harruar këtu dhe me qindra turistë të huaj që kanë nisur ta frekuentojnë atë festë prej disa vitesh.

[Birra-Korca-1]

Por duhet thënë dhe pranuar se “ustallarët” kryesorë të asaj “pijeje simbol” mbeten korçarët, gjë të cilën pjesa më e madhe e kanë “zanat” dhe të trashëguar edhe nga të parët e tyre, që e kanë shijuar atë për dekada me radhë. Jo më kot prej tyre, pra prej “ustallarëve” korçarë, ka mbetur shprehja e famshme proverbiale “për një birrë Korçe rron njeriu”, që ata e përdorin me mjaft kënaqësi jo vetëm ditët e festës.

Por po kështu, pakkush prej tyre dhe aq më pak nga “jabanxhinjtë” që frekuentojnë atë festë kanë njohuri për historinë e fabrikës që e prodhon atë që nga koha e Mbretërisë së Zogut, i cili ishte dhe “nuni” që firmosi dhe dha aprovimin për ndërtimin dhe prodhimin e saj. Ndër të paktat fabrika që trashëgoi regjimi komunist nga periudha e Monarkisë, jo vetëm që nuk e mbylli atë (siç veproi tek-tuk me disa fabrika apo punishte të tjera të ndërtuara në atë periudhë), por pas shtetëzimit të saj në vitin 1945 e në vazhdim, u kujdes që ta mirëmbante dhe ta zgjeronte atë.

Madje jo vetëm kaq, por për çështjen “Birra Korça” janë marrë seriozisht krerët më të lartë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke filluar nga kryeministri i kohës, Mehmet Shehu; zv.kryeministrat Spiro Koleka e Koço Theodhosi, anëtarë të Byrosë Politike si Haki Toska e Prokop Murra, apo dhe ministra si Kiço Ngjela e Xhafer Spahiu etj., funksionarë dhe zyrtarë të lartë të asaj kohe. Veç të tjerash, kjo bëhet e ditur edhe nga një numër dokumentesh arkivore, që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit (Fondi 14. struktura, aparati i Komitetit Qendror i PPSH-së), të cilat po i publikojmë të plota në këtë shkrim ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare”. Me mjaft interes në këto dokumente është dhe raport-informacioni i drejtorit të Ndërmarrjes Shtetërore Industriale “Birra Korça”, Sotir Tushi, i cili në vitin 1963 i kërkonte kryeministrit Mehmet Shehu që të bëhej i mundur zgjerimi i kapaciteteve prodhuese të fabrikës që ai drejtonte, si rezultat i kërkesave dhe nevojave të mëdha që kishte tregu për atë asortiment. Apo këmbëngulja e zv.kryeministrit “kursimtar” Spiro Koleka, i cili nuk jepte aprovimin që tapat e birrave të mos përdoreshin më shumë se një herë. Por të gjitha këto tashmë i përkasin historisë dhe për të cilat “ustallarët” korçarë me të drejtë “as që duan të dinë bre byrazer”, pasi nga mbrëmë ata janë mbledhur e po e shijojnë me mjaft kënaqësi atë “pije magjike” në lokalet dhe sheshet e qytetit të tyre.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE

MINISTRIA E TREGTISE MINISTRIA E INDUSTRISE
(Dega e Ushqimit Social) (Drejt. e Indistr. Ushqimore)
Nr. 98/198 Prot. Nr. 16/48 Prot.

Tiranë, më 4.5 1963
Lënda “Mbi tapat korona të shisheve të birrës dhe pijeve freskuese”

SHOKUT SPIRO KOLEKA
ZV.KRYETAR I K.M.R.P.SH.

SHOKUT KOÇO DHEODHOSI,
PRESIDENT I KOMISIONIT TE PLANIT TE SHTETIT
Për njoftim:
SHOKUT HAKI TOSKA
SEKRETAR I KOMITETIT QENDROR TE P.PSH.
TIRANE

Duke qenë para një problemi shumë preokupant, gjatë vit 1962 në zbatim të shkresës Nr.11/148 datë 22.VII.1962 të Kryeministrisë “mbi grumbullimin dhe përpunimin e tapave korona të shisheve të birrës dhe pijeve freskuese”, nga organet e tregtisë, për disa herë është kërkuar për t’u rishikuar urdhri i mësipërm.
Gjatë vitit 1962 nga ana jonë u muarrën të gjitha masat për të zbatuar drejt urdhrin dhe në fakt ku gjeti zbatim të plotë, me gjithë telashet që u hasën si nga ana e ndërmarrjeve tregtare, ashtu edhe nga ana e ndërmarrjeve të industrisë, por praktika tregoi se zbatimi i këtij urdhri, me gjithë anët pozitive për kursimin e teneqesë si material deficitar importi, ka shumë anë negative sikurse do të shpjegohen më poshtë, të cilat janë më të shumta nga anët pozitive dhe anulimi i zbatimit të tij të bëhet i domosdoshëm.

1.Duke përdorur më shumë se një herë tapat korona dhe sugero në shishet e birrës dhe pijeve freskuese është dëmtuar rëndë cilësia e prodhimit për faktin se nuk bëhet mbyllja hermetike, për pasojë del gazi, i cili bën të dobësohet cilësia nga njëra anë dhe nga ana tjetër fermentohet birra, e cila humbet të gjitha karakteristikat e saj dhe kthehet në uthull, duke humbur kështu birrën e cila koston 13.61 lekë dhe lupulon si lëndë e parë që importohet, me vleftë 1.55 lekë, për të fituar një tapë, e cila koston vetëm 0.92 lekë.
Pra, sikurse shihet edhe si material importi nuk fitojmë asgjë, sepse në qoftë se fitojmë tapën, humbasim lupulon që është përsëri mall importi, përveçse lëndët e tjera që përbëjnë birrën.

Nga ripërdorimi i tapave korona dhe atyre sugero nuk ka ndërmarrje tregtare që të mos ketë sasira të konsiderueshme birre të prishur, përveçse sasive që i janë kthyer industrisë, e cila i ka përpunuar në uthull, duke shpenzuar përsëri.
2. Duke ripërdorur tapat korona, në çdo parti birre të furnizuar, një numër i konsiderueshëm shishesh dalin pa gaz, ose të fermentuara të cilat iu serviren klientëve. Një gjë e tillë ka bërë që nga njëra anë të mos flitet mirë për birrën, duke i vënë asaj një nam të keq dhe nga ana tjetër të krijohet në konsumatorët dyshimi dhe pra, të konsumohet birrë më pak. Ne mendojmë se edhe kjo ndikon negativisht në anën ekonomike për faktin se shitet më pak birrë dhe për pasojë, humbasim të ardhurat që siguron jo vetëm kjo, por edhe artikujt e tjerë që shiten bashkë me birrën.
3. Përveç këtyre, Kombinati Ushqimor “Ali Kelmendi” në Tiranë, me shkresën e tij Nr.1/172 datë 24.XI.1962 ngre me të drejtë edhe disa anë të tjera negative, të cilat ndikojnë si në anën ekonomike, ashtu edhe në drejtim të shëndetit të konsumatorëve sikurse janë:
a) Rendimenti i repartit (duke përdorur tapat korona), ulet në 20-25%.
b) Me gjithë dezinfektimin dhe sterilizimin e tapave të ripërdorura, përsëri, higjienikisht dyshohet për sterilizimin e tyre, mbasi në sipërfaqe dhe në brendi krijohen fole mikrobesh.

c) Për zgjatjen e afatit të rezistencës së birrës, kjo sterilizohet, por duke ripërdorur tapat; një pjesë e mirë e kësaj pune dështon, sepse tapat nuk sigurojnë një mbyllje hermetike. Në disa raste ato rrjedhin çurk, sidomos mbas lëvizjeve të shumta që pëson malli gjatë transportimit.
d) Nga kontrollet në repartet e fabrikës, një pjesë e mirë e pijeve freskuese rikthehen në kantinë, gjë që sjell ngritje të theksuar të kostos dhe uljen e cilësisë.
Duke marrë parasysh gjithë këto anë negative, ne mendojmë se urdhri i më sipër duhet të anulohet dhe tapat korona të përdoren vetëm njëherë.
Në rast se pranohet ky propozim, atëherë Komisioni i Planit të Shtetit të sigurojë Ministrinë e Industrisë mbi kontingjentin e planifikuara për vitin 1963 dhe 36 tonë teneqe për prodhimin e 14.400.000 copë tapa korona si dhe 3 milionë tapa sugero.
Për sa më sipër është dakord edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Bashkimi Qendror i Koop. Konsumit.
Rilutemi edhe njëherë që për problemin në objekt të jepen urdhra të shpejta.

MINISTRI I INDUSTRISE MINISTRI I TREGTISE
(XHAFERR SPAHIU) (KIÇO NGJELA)
…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Shënim.
Lidhur me kërkesën që bën Ministria e Industrisë së bashku me Ministrinë e Tregtisë për mospërdorimin më shumë se një herë të tapave korona për shishet e birrës, ne biseduam me shokët e Kryeministrisë (me shokun Hysen Bukali) dhe rezulton se shoku Spiro Koleka nuk është dakord që ato të mos përdoren më shumë se njëherë. Ai është i mendimit dhe do të nxjerrë një urdhër që të caktohet një komision me shokë nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Kryeministria për të verifikuar në vend, për një periudhë prej një muaji të gjitha anët negative që shënohen në relacionin e përbashkët të dy ministrive dhe mandej të vendoset definitivisht për këtë problem.

DREJTORI I DREJTORISE INDUSTRI-NDERTIM
(Prokop Murra)
Tiranë më 23.II.1963
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Shënim
Shokët e Kryeministrisë e kanë parë këtë problem dhe kanë arritur në konkluzionin se tapat e birrës mund të përdoren deri në dy herë. Por kjo ka vështirësi, sepse duhen seleksionuar ato që janë përdorur një herë dhe ato që janë përdorur mbi dy herë. Prandaj shokët e Kryeministrisë janë duke parë mundësitë e përdorimit të tapave të shisheve të birrës në ndonjë punë tjetër, si p.sh. në prodhimin e mesurave për Kombinatin e Tekstileve “Stalin”, etj.
8.5.63 (Firma)
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….
REPUBLIKA POPULLORE E
SHQIPERISE
N.I.SH. BIRRA KORÇE
NR. 520 SEKRET KORÇË 12.IX.1963

Landa: “Mbi prodhimin dhe shpërndarjen e birrës”

KRYETARIT TE K.MINISTRAVE TE R.P.SHQIPERISE
Shokut MEHEMT SHEHU
SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR P.P.SHQIPERISE
Shokut Haki Toska
MINISTRIT TE INDUSTRISE
Shokut XHAFER SPAHIU

TIRANE
Për pesëvjeçarin e III plani i birrës për fabrikën tonë është caktuar nga 45.000 Hl. për çdo vit. Por si në vitin 1961, po ashtu edhe në vitin 1962, plani i prodhimit në këtë fabrikë nuk është plotësuar. Edhe për dhjetëmujorin e vitit në vazhdim kemi krijuar një deficit prej 1.451 Hl. birrë.
Kapaciteti normal i fabrikës birrës varet kryesisht nga reparti i zierjes. Për konditat e fabrikës sonë, duke zbritur kohën e revizionimit të makinerisë së këtij reparti dhe kohën e nevojshme për shërbimet profilaktike të kaldajës së avullit dhe të vetë agregateve të zierjes, kapaciteti nominal i këtij reparti arrin deri në 46.450 Hl. Kjo sasi llogaritet për 683 zierje që duhet të bëhen normalisht gjatë gjithë vitit. Për një shfrytëzim normal të këtij kapaciteti dhe për realizimin ritmik të planit prodhimit duke iu përgjigjur plotësisht standardit shtetëror të stazhionimit të birrës, duhet të prodhojmë çdo muaj rreth 3.90 Hl. birrë.
Praktika e deritanishme ka treguar se në planet tona, prodhimi i birrës për treg nuk është përputhar asnjëherë me kapacitetin dhe realizimin ritmit të planit, por nga një tremujor në tjetrin ka pasur ndryshime. Kjo ka ardhur nga nevojat e tregut, e cila në tremujorin e parë dhe të katërt, kërkesat i ka pasur shumë të vogla në krahasim me tremujorët e dytë dhe të tretë. Kështu p.sh., ndërsa në tremujorin e parë të vitit në vazhdim, kapaciteti i zierjeve ka qenë 12.600 hl, në fakt janë prodhuar për shitje 5.930 hl. Pra, kapaciteti në këtë rast është shfrytëzuar vetëm rreth 50%. Po kështu po veprohet edhe për tremujorin e katërt, ku plani i prodhimit është 10.500 hl. Por që është vështirë të realizohet. Edhe në vitet e kaluara po t’u referohemi shifrave ka ngjarë e njëjta gjë.
Praktikisht për vitet 1961, 1962 dhe nëntëmujorin e vitit në vazhdim, birra është plotësuar si më poshtë:
Viti 1961 në hl. Plan 45.000 Fakt 36.476
Viti 1962 në hl. Plan 45.000 Fakt 41.981
9/mujori i vitit 1963 Plan 34.000 Fakt 33.317

Siç shihet, në asnjë nga periudhat e mësipërme plani i birrës nuk është realizuar plotësisht. Këtu kanë influencuar kryesisht tremujorët e parë dhe të katërt. Theksojmë gjithashtu se në çdo vit, në periudhën e verës, standardi në stazhionimin e birrës është shkelur, e cila ka influencuar në shije dhe në rezistencë duke pasur në shumë raste reklamime nga entet tregtare. Reklamimet kanë qenë për dy arsye:
1. Për prishje birre kur ajo ka qenë nën standarde në stazhionim dhe 2) për refuzim të enteve tregtare në kohën e ftohtë, të cilat nuk kanë pasur mundësi shitjeje. Kuptohet se për pikën e parë sikundër se thamë edhe më lart, shkelja e standardit në stazhionim ka ardhur si rezultat i mospërputhjes së planit të prodhimit në zierje me atë të shpërndarjes së birrës. Për dhjetëmujorin e këtij viti prej 15 korrikut deri më 30 tetor, për arsyet që thamë më sipër kemi shitur birrë të stazhionuar më pak se 15 ditë që është koha minimale e stazhionimi, 15.232 hl.
Duke krahasuar shifrat, nga njëra anë të prodhimit simpas shfrytëzimit të kapacitetit ekzistues të fabrikës në mënyrë ritmike dhe nga ana tjetër, të kërkesave për birrën nga entet konsumatore, ka propocione të tilla, të cilave ne me kapacitetet që disponojmë nuk mund t’i përgjigjemi.

Kjo, kryesisht sepse kërkesat e tyre nga një tremujor në tjetrin kanë diferenca të theksuara që nuk i përgjigjen kapacitetit të fabrikës. Për vitin 1963 plani i prodhimit që u përgjigjet afërsisht kërkesave të konsumatorëve në tremujorin e parë, dytë, tretë dhe të katërt, janë respektivisht nga 7.000, 12.5000, 15.000, dhe 10.500, hl. Siç shihet, vetëm në tremujorin e dytë përputhet plani i prodhimit me kapacitetin ekzistues, ndërsa në tremujorin e tretë, është mbi kapacitetin e fabrikës. Tremujori i parë dhe i katërt kuptohet se nuk shfrytëzohet plotësisht kapaciteti, duke na detyruar të pezullojmë zierjet për disa ditë të tëra. Duhet thënë gjithashtu se për tremujorin e parë të këtij viti ne nuk plotësuam as 7.000 hl. birrë që ishte plani por vetëm 5.930 hl. Duke bërë vetëm 60 zierje nga 170 që ishin planifikuar simpas kapacitetit nominal. Po kështu po ndodh edhe për tremujorin e katërt, ku plani i prodhimit megjithëse është më i vogël se kapaciteti ekzistues, nuk realizohet për shkak të refuzimeve të bëra nga entet tregtare, duke na detyruar përsëri të pezullojmë zierjet, të cilat në fabrikën e birrës janë bazë për plotësimin e planit. Shpjegojmë këtu se pezullimi i zierjes në tremujorin e parë dhe të katërt na detyron për arsye vendit të ngushtë që ekziston në rezervuarët e stazhionimit të birrës, të cilat kapacitetin maksimal e kanë deri në 4.900 hl.

Si rrjedhim i refuzimeve të enteve tregtare, të cilat kryesisht bëhen në tremujorin e parë dhe të katërt, për këtë periudhë kemi një deficit në planin e shpërndarjes së birrës prej 1.594 hl. Poshtë po japim pasqyrën e realizimit të planit shpërndarjes. (Shiko faksimilen përkatëse).
Një ngjarje analoge si sipër ka ndodhur edhe vitet e kaluara. Kështu, për tremujorin e parë të vitit 1961 nga 7.000 hl. birrë që ka qenë plani i shpërndarjes, është plotësuar 6.200., ndërsa tremujori i katërt nga 11.000 është realizuar 7.561. Në vitin 1962 plani i shpërndarjes së birrës për tremujorin e parë është plotësuar 5.624 nga 7.000 hl. që ishte plani, ndërsa tremujori i katërt nga 11.000. është plotësuar 7.600 hl. Pra, vetëm nga krahasimi i këtyre shifrave mund të shihet se çfarë anomalish ndodhin në prodhim në përpjekje për realizimin e planit, duke na detyruar të punojmë jo ritmikisht, me fuqi punëtore të pamjaftueshme për tremujorin e dytë dhe të tretë dhe të pashfrytëzuar plotësisht për tremujorin e parë dhe të katërt. Kjo lejon pastaj dëmet që mund t’i vijnë ndërmarrjes nga ngritja e kostos, mosrealizimi i rendimentit dhe shumë gjëra të tjera që kanë lidhje me këtë problem.
E keqja më e madhe për këtë çështje është se shumë ndërmarrjeve për arsye se nuk kanë treg shitjeje, u prishet birra dhe kërkojnë pastaj me çfarëdolloj justifikimesh t’i shmangen së vërtetës që nuk mund ta shesin atë dhe pastaj ndodh që të na i kthejnë përsëri. Kështu, deri më 31 tetor të këtij viti nga ndërmarrjet tregtare na janë kthyer 404 hl. birrë të prishura. Kjo pavarësisht se për çfarë faji ndodh, fakti është se ekonomia popullore dëmtohet rëndë, duke marrë parasysh në radhë të parë se lënda e parë elb që përdoret është fond buke, duke mos marrë parasysh pastaj përdorimin e shumë materialeve të tjera, të cilat shpërdorohen. Duhet të themi me këtë rast se entet tregtare nuk mirëmbajnë birrën, simpas kushteve që përcakton standardi, sidomos përsa i përket ruajtjes në magazinë në temperatura prej 4 deri në 12 gradë celsius, edhe kjo loz rol në skadencën e birrës para kohe.
Mbi sa sipër, për të normalizuar prodhimin dhe shpërndarjen e birrës dhe për të evituar dëmet që eventualisht mund të ndodhin në të ardhmen, ne mendojmë të merren këto masa sipas këtyre varianteve:

Varianti i parë
Me kapacitetin ekzistues të ulet plani vjetor nga 45.000 hl. në 40.000 hl. me një ndarje në tremujorë:
I pari 6.000 hl., i dytë 13.000 hl., i treti 13.000. hl dhe i katërti 8.000 hl. Duhet thënë se kjo ndarje nuk i përgjigjet plotësisht realizimit ritmik të planit dhe shfrytëzimit normal të kapacitetit, mbasi si shihet nga një tremujor në tjetrin ka ndryshime, por megjithatë është shumë më pozitiv se ndarja e planit prej 45.000 hl. që ekziston sot dhe u përshtatet më realisht kërkesave të enteve tregtare. Me këtë ndarje nuk bëhet shkelje e standardit të birrës në stazhionim.

Varianti i dytë
Këtu mendojmë të bëjmë rritjen e kapacitetit të repartit të zierjes me anë të zgjerimit. Kjo do të lejojë zhdukjen e vendit të ngushtë që ekziston në zierje në kohën e verës (kur kërkesat për birrë janë të mëdha), me repartin e stazhionimit. Kuptohet se në tremujorin e parë dhe pjesërisht në të katërtin nuk do të shfrytëzohet kjo rritje, por do të plotësojë nevojat e tremujorit të dytë dhe të tretë. Për këtë variant mendojmë që plani të jetë 45.000 hl. Diferenca prej 5.000 hl. në krahasim me variantin e parë i shtohet tremujorit të dytë dhe të tretë. Këtë variant, të porositur edhe nga shoku ministër, po e studiojmë dhe po përgatisim projektin që së shpejti do ta paraqesim për aprovim.

 

Image
 

Varianti i tretë
Ky variant konsiston në rritjen e kapacitetit të stazhionimit me anë të zgjerimit. Për këtë problem me perspektivë nga ana jonë kanë filluar studimet.
Për vitin 1964, ne mendojmë të zbatojmë variantin e parë, d.m.th. të zvogëlohet plani i prodhimit nga 45.000 hl. në 40.000 hl. Në këtë vit të fillojmë të vëmë në zbatim variantin e dytë duke zgjeruar zierjen dhe në përfundim të saj në vitin 1965 të vëmë në zbatim variantin e dytë, duke planifikuar prodhimin e birrës 45.000 hl. Vënia në zbatim e këtyre dy varianteve do të bëjë të mos shkelet standardi i birrës në stazhionim.
Mbi sa sipër, lutemi që të merren parasysh vërejtjet tona dhe për vitin 1964, plani i prodhimit të caktohet 40.000 hl. Kjo do të lejojë kushtet normale të prodhimit dhe shitjes së birrës dhe do të eliminonte dëmet.
Bashkangjitur po ju dërgojmë edhe një pasqyrë mbi sasinë e birrës së kthyer nga entet tregtare.

(Kosova Sot)