Raporti sekret i britanikëve në 1944: Pikat e forta dhe të dobëta të Ballit dhe Zogistëve

  • 15 August 2018 - 09:12
Raporti sekret i britanikëve në 1944: Pikat e forta dhe të dobëta të Ballit dhe Zogistëve

ERALD KAPRI

Raporti i Inteligjencës ushtarake britanike në mesin e vitit 1944 analizon edhe Ballin Kombëtar dhe Lëvizjen Zogiste të Abaz Kupit, nga pikëpamja e organizimit ushtarak dhe politik. Britanikët vlerësonin patriotizmin e Ballit Kombëtar, por kundërshtonin ashpër paqartësinë e Ballit në politikën e tij si organizatë.

“Mund të kuptohet fare mirë se, megjithëse Balli Kombëtar gëzon mbështetje të gjerë popullore, shumë prej qendrave të tij janë në qytetet dhe rajonet e ekspozuara të rrafshinës bregdetare, bastione të fuqishme të armikut, ku një sulm i hapur kundër gjermanëve me armatime të pamjaftueshme që zotëron Balli, do të ishte një akt vetëvrasjeje, veçanërisht kur Balli është përfshirë në një luftë civile, për të cilën oficerët tanë fajësojnë partizanët”, vlerësuan britanikët.

 

Më tej, ata i vënë theksin luftës civile dhe luftës për pushtetin pas lufte. Ata nënvizuan se Balli, nën udhëheqjen e Midhat Frashërit, u dorëzoi britanikëve një marrëveshje me shkrim se, tani ata do të luftonin kundër gjermanëve, por pozicioni u komplikua nga fakti se këshilli i LNC-së për pasojë lëshoi urdhra për të likuiduar Ballin.

“Balli Kombëtar duhet të jetë duke pranuar ndihmën gjermane për të parandaluar shkatërrimin e fshatrave bastione të tij dhe shpëtimin e anëtarëve të tij nga skuadrat e pushkatimit”, analizuan britanikët. Ndërsa për Zogistët, shprehën më shumë vlerësim dhe madje mendonin se në kaosin e krijuar në Shqipëri në vitet e luftës, kthimi i Mbretit Zog mund të ishte i suksesshëm për vendosjen e stabilitetit.

“Ndërsa partizanët dhe kolaboracionistët shajnë rëndë me fjalor që i përket shekullit 18-të, i përzier shpeshherë me terma të shëmbëlltyrës orientale, zogistët ndërtuan vullnetin e mirë për regjimin e para luftës pa rënë në grackat gjermane, që kanë rezultuar të efektshme në kapjen e elementeve të Ballit Kombëtar. Kështu, kaosi që ekziston në Shqipëri përforcon argumentin se Zogu e shpëtoi dikur vendin nga anarkia”, thuhet në këtë raport.

Dokumenti i plotë

BALLI KOMBËTAR

Balli Kombëtar pretendon, sipas një trakti propagandistik të hedhur nga komiteti i tij rajonal në Vlorë në dhjetor, se është “e vetmja organizatë revolucionare nacionaliste”, që punon “për një Shqipëri demokratike dhe etnike” dhe përfaqëson “90 për qind të popullit shqiptar”. Të gjitha këto pretendime ngrihen në përmasa gjigante, megjithëse Balli Kombëtar nuk duket se ka ndonjë numër të madh luftëtarësh dhe mbështetjeje. Ai nisi së ekzistuari, siç përmendet tashmë si një krah i LNC-së në shtator 1942, dhe qëllimi i tij ishte të organizonte opinionin nacionalist si kundërpeshë ndaj komunistëve, të cilët ishin krijuar si një parti e mirëdisiplinuar përpara se të krijohej LNC-ja.

Një raport shpjegon se anëtarësia e tij përbëhet nga myslimanë, shqiptarë të territoreve të pushtuara të Jugosllavisë dhe ish-bashkëpunëtorë të italianëve. Një tjetër raport e përshkruan atë si një parti antizogiste, e përbërë me elementë me prejardhje nga shtresat e pasura, si pronarë tokash dhe pjesë më të vjetra të shtresave të mesme të shoqërisë. Ata nuk janë të fuqishëm nga pikëpamja numerike dhe nga frika e komunizmit, ata janë më të prirur të mbështesin gjermanët.

Rreziku kryesor në shpjegimin e politikave të Ballit Kombëtar është lehtësia, me anë të së cilës kushdo mund të provojë pothuajse gjithçka lidhur me të. Mund të japim shembullin e dyshimit të hapur dhe të fortë ndaj pro gjermanëve dhe provat për këtë akuzë janë mjaft intriguese. Pas marrëveshjes fillestare mes guerilëve, Balli Kombëtar humbi shumë prej liderëve të tij më progresistë dhe më të rinj në moshë, të cilët u vunë nën mbikëqyrjen e italianëve dhe një numri anëtarësh të njohur si Grupi i Parisit, mes të cilëve Rexhep Mitrovica dhe Ali Këlcyra siguruan influencë të konsiderueshme duke drejtuar politikën e partisë nga krahu i djathtë dhe duke favorizuar bashkëpunimin me Boshtin.

Disa prej anëtarëve të tij kryesorë u kanë shërbyer gjermanëve dhe literatura e tyre e shtypit dhe propagandës stigmatizon partizanët si komunistë të dominuar nga të huajt. Trupat e Ballit Kombëtar njihen për bashkëpunimin e tyre me gjermanët në luftë kundër partizanëve dhe Balli Kombëtar pranon se personeli i tyre ushtarak ka dënuar me vdekje dhe ka vrarë me armë zjarri ata që ndihmonin partizanët, duke u vënë në dispozicion shtëpitë e tyre si depo armësh dhe seli propagande.

Ai shkon më tej dhe pranon përgjegjësinë për reprezaljet, duke vrarë 5 deri në dhjetë kundërshtarë për secilin prej luftëtarëve të tij të vrarë nga partizanët. Kjo procedurë përshkruhet në mënyrë lakonike si “vëllavrasje”. Shpjegimi i progjermanizmit është i thjeshtë dhe i gjerë, por nuk përputhet me të gjitha faktet. Ai nuk sqaron, për shembull, përse Lef Nosi u dëbua nga Balli Kombëtar, se iu bashkua komitetit fillestar të formuar në Tiranë kur mbërritën gjermanët, as përse partia duhet të sqaronte se “ky veprim ka shkelur direktivat e Ballit që janë dhe do të jenë gjithmonë lufta e pandalshme kundër të gjithë pushtuesve”.

Kemi një raport të oficerit ndërlidhës britanik, i cili intervistoi 50 barinj pranë një territori që kontrollohej nga partizanët dhe zbuloi se 49 prej tyre mbështesnin Ballin Kombëtar. Ai vuri re mes tyre “një besim të thellë”, se e vetmja shpresë për vendin e tyre qëndronte me Britaninë e Madhe dhe tre prej tyre i mundësuan atij zbulimin e pozicioneve gjermane. Oficerët britanikë kanë raportuar se simpatizantët e Ballit Kombëtar ka rezultuar të jenë “në mënyrë të pazakonshme të arsyeshëm” dhe ata janë përshkruar si “i vetmi grup” atje, që mund të jepte ndihmesë në punën tonë dhe të siguronte çfarëdolloj rendi pas dëbimit të gjermanëve.

Hartë e zonave të influencës në fillim të pushtimit gjerman, hartuar nga oficerët britanikë
Hartë e zonave të influencës në fillim të pushtimit gjerman, hartuar nga oficerët britanikë

 

Mund të kuptohet fare mirë se, megjithëse Balli Kombëtar gëzon mbështetje të gjerë popullore, shumë prej qendrave të tij janë në qytetet dhe rajonet e ekspozuara të rrafshinës bregdetare, bastione të fuqishme të armikut, ku një sulm i hapur kundër gjermanëve me armatime të pamjaftueshme që zotëron Balli, do të ishte një akt vetëvrasjeje, veçanërisht kur Balli është përfshirë në një luftë civile, për të cilën oficerët tanë fajësojnë partizanët.

Por, partia duket qartë se qëndron pasive në këto rrethana të paqarta. Për shembull, një pamflet i Ballin Kombëtar, që doli më 21 shtator, sulmonte ashpër gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë, të cilët një ditë më parë kishin mbledhur të gjithë meshkujt e Durrësit dhe Shijakut dhe i kishin çuar ata në një fushë duke zgjedhur prej tyre një grup që do të transportohej në një destinacion të panjohur. “Armiku barbar” përmendej në pamflet, “përsëriti kundër popullit shqiptar veprimet çnjerëzore që kreu në Poloni dhe gjetkë…

Ky akt brutal i armikut ka provokuar urrejtjen e popullit, por urrejtja më e madhe, mallkimi dhe dënimi i të gjithë Shqipërisë drejtohet ndaj këtyre shqiptarëve, të cilët, duke shkelur të gjitha të drejtat e përcaktuara sipas traditës së kësaj toke, i dorëzuan armikut vëllezërit e tyre të gjakut”.

Sërish, Skënder Muço, shefi i Ballit në zonën e Vlorës dhe përfaqësues i Komitetit të Ballit Kombëtar, u ka bërë një vizitë oficerëve ndërlidhës britanikë në një mision nga presidenti i komitetit. Ai tha se partia e tij është e gatshme të shërbejë nën urdhrat e britanikëve, por ai dëshiron më parë të vizitojë Kajron dhe të marrë garanci nga aleatët për pavarësinë e Shqipërisë. Së dyti, ai dëshiron që bandat partizane të shtypen.

Kërkesat e tjera të tij për rikthimin e ishullit të Sazanit (në Gjirin e Vlorës) të Shqipërisë, dëmshpërblimi nga ana e Italisë dhe diskutimi i përfaqësisë shqiptare në Londër dhe mundësia e një federate ballkanike, që Balli Kombëtar ka prirje ta favorizojë. Muço shprehu keqardhje për bashkëpunimin me gjermanët, por mendoi se kjo ishte e vetmja rrugë për të thyer lëvizjen partizane që e konsideronte si armikun kryesor. Kur partizanët të asgjësohen, atëherë ai do të jetë i gatshëm të luftojë gjermanët.

Më 22 dhjetor, fshatarët e Dukatit, mbështetës të Ballit Kombëtar, thanë se ishin të gatshëm të bashkëpunonin me britanikët kundër gjermanëve dhe premtuan se nuk do të godisnin partizanët me përjashtim të rasteve kur do të gjendeshin të sulmuar dhe do të vetëmbroheshin. Burimi i informacionit konsideronte se oferta ishte e sinqertë dhe rekomandonte që populli i Dukatit të furnizohej me ushqime dhe veshmbathje si gjest mirënjohjeje për mbështetjen ndaj britanikëve.

Nga mesi i nëntorit, Këshilli i Ballit, nën udhëheqjen e Midhat Frashërit, u dorëzoi britanikëve një marrëveshje me shkrim se tani ata do të luftonin kundër gjermanëve, por pozicioni u komplikua nga fakti se këshilli i LNC-së për pasojë lëshoi urdhra për të likuiduar Ballin Kombëtar duke mos e besuar “kthimin e pllakës” nga ana e këtij të fundit. LNC-ja, duke refuzuar të anulojë këto urdhra, vazhdon të shprehë indinjatën e saj se, Balli Kombëtar duhet të jetë duke pranuar ndihmën gjermane për të parandaluar shkatërrimin e fshatrave bastione të saj dhe shpëtimin e anëtarëve të saj nga skuadrat e pushkatimit.

Balli Kombëtar duket më i fuqishëm në jug të Tiranës dhe selia e saj gjendet në Fier, ku ajo ka të mobilizuar rreth 1500 veta të pajisur me armatim italian. Ata që i bashkohen ushtrisë së tij, njihen si vullnetarët e Lirisë Kombëtare. Lushnja dhe Vlora janë mbushur me formacione të Ballit Kombëtar dhe Kavaja, gjithashtu, ndodhet në duart e tyre. Si rrjedhojë, ajo ruan një forcë relativisht të konsiderueshme për madhësinë e vendit.

ZOGISTËT

Ky titull i ashpër dhe i prerë ka të ngjarë të jetë diçka që ngjan me një term të gabuar, pasi ka njerëz në të gjithë vendin, në të gjitha partitë, të cilët ose mbështesin Zogun, ose nuk do të kundërshtonin kthimin e tij në atdhe sipas disa garancive për sa i përket regjimit të ardhshëm. Por ai është një emër i përshtatshëm për të mbuluar partinë dhe forcat që jo thjesht të kënaqura që Zogu duhet të kthehet në atdhe, e vendosin kthimin e tij në ballë të programit të tyre dhe e bazojnë të ardhmen e shtetit shqiptar te ky fakt.

Lideri i zogistëve dhe i forcave që mbështesin mbretin është majori Abaz Kupi, i cili ka qenë në terren për afro pesë vjet, në fillim kundër italianëve dhe më pas kundër gjermanëve. Dikush mund të hamendësojë një lidhje të ngushtë mes këtij grupi dhe mbretit, ndoshta përmes burimeve neutrale. Megjithatë, politikat e tij janë përcaktuar me kujdes që të mos komprometojnë Zogun në sytë e aleatëve dhe kanë treguar më shumë dorën e një burri shteti praktik, sesa një lideri të guerilëve të izoluar nëpër male.

Siç është vënë re, Kupi ishte një prej njerëzve të parë që nisën luftën kundër pushtuesit. Ai ishte një prej themeluesve të LNÇ-së në përpjekje për të unifikuar aktivitetin gueril. Një vit më vonë, ai ndihmoi zhvillimin e një tjetër konference për ruajtjen e unitetit, që tashmë ishte thyer, dhe nënshkroi me liderët partizanë manifeston për sulmin ndaj tendencës në rritje të Ballit Kombëtar për bashkëpunim me pushtuesin. Vetëm atëherë kur mbërritja e gjermanëve theu mundësinë e një bashkimi imediat, grupi i tij vendosi të krijonte organizatë më vete, Lëvizjen Kombëtare të Legalitetit.

Këtë ai e sponsorizoi tetorin e kaluar, me besimin se uniteti ishte i mundur të arrihej në Shqipëri vetëm përmes figurës së Mbretit Zog. Kjo ishte e vetmja parti që deri tani prodhoi një program politik mbi bazat e një manifestoje zgjedhor dhe kjo mund të përmblidhet nga kolonat e gazetës zogiste “Atdheu” si vijon:

1. Lufta kundër pushtuesit për të çliruar Shqipërinë nga pushtimi i huaj.

2. Krijimi i një kombi shqiptar “me të gjitha të drejtat e tij etnike”.

3. Kthimi i “regjimit të ligjshëm”, një mbretëri demokratike dhe parlamentare nën Zogun I.

4. Reformat sociale: Një shpërndarje më e drejtë e pronave, veçanërisht në fshat, ku çdo fermer duhet të zotërojë tokën që e punon, p.sh., shpërbërja e pronave të mëdha feudale.

Institucioni i një sistemi sigurimesh sociale. Gazeta pretendonte se ky program ishte i shenjtë në një mënyrë sublime dhe solemne nga konferenca që zhvilloi lëvizja në Herraj, më 21 nëntor 1943, dhe ku u ra dakord njëzëri nga delegatët e të gjitha provincave të Shqipërisë. Propaganda që ofronte gazeta “Atdheu” është pa dyshim më finokja dhe më e zgjuara që shfaqet tani në Shqipëri.

Ndërsa partizanët dhe kolaboracionistët shajnë rëndë me fjalor që i përket shekullit XVIII, i përzier shpeshherë me terma të shëmbëlltyrës orientale, zogistët ndërtuan vullnetin e mirë për regjimin e para luftës pa rënë në grackat gjermane që kanë rezultuar të efektshme në kapjen e elementëve të Ballit Kombëtar. Kështu, kaosi që ekziston në Shqipëri përforcon argumentin se Zogu e shpëtoi dikur vendin nga anarkia. Ai lavdëron patriotizmin e shërbimit publik të Zogut, duke theksuar se italianët shkarkuan menjëherë nëpunësit shqiptarë dhe emëruan të vetët.

Nuk ka dyshim që lavdërohen “miqtë e mëdhenj anglo-amerikanë”, ndërsa në të njëjtën kohë kundërshtohet propaganda gjermane me mohimim zyrtar të saj se nuk është e vërtetë që Zogu nuk ka shfaqur interes lidhur me çështjen e Kosovës. Kushtet aktuale i shtojnë pikë kujtesës se Zogu ishte themeluesi i Kryqit të Kuq Shqiptar. Nuk ka dyshim se gjermanët ishin të gatshëm të rithemelonin parimin e monarkisë dhe regjencës së emëruar nga shqiptarët, pasi megjithëse ajo mund t’u linte atyre dorë të lirë të rikthenin Vilhelm Vidin (mbreti që u caktua në Shqipëri nga Fuqitë e Mëdha në 1914) apo djalin e tij, ata mund të kenë pritur se kjo do t’i bindte zogistët dhe do t’i bënte të gatshëm për të bashkëpunuar me shpresën e sigurimit të rikthimit të kandidatit të tyre.

Kupi e ka anashkaluar këtë kurth dhe ka refuzuar të komprometohej dhe ai është i çliruar nga përgjegjësia e tmerreve të luftës civile. Nuk ka dyshim se qëndrimi i tij i lidhur me propagandën e tij po rezulton i efektshëm. Një vlerësim në nëntor 1943 sugjeronte se 15 për qind e popullsisë dëshironte që Zogu të kthehej, 25 për qind e kundërshtonin fuqimisht këtë tezë, ndërsa 60 për qind ishin indiferentë lidhur me këtë fakt.

Informacioni i fundit që erdhi nga Shkodra, që njihej si një qendër e fuqishme e opozitës ndaj Zogut, sugjeronte se 60 për qind e opinionit publik kishte filluar të shprehej në favor të tij. Burimet amerikane theksonin se ky ndryshim në janar dhe një i arratisur nga Shkodra i marrë në pyetje nga shkruesi në shkurt, dha si arsye për mbështetjen ndaj Zogut admirimin e tij për Kupin, respektin për forcat e tij që janë më të qëndrueshme sesa ato të partizanëve dhe dëshiron për krijimin e një qeverie nën udhëheqjen e mbretit shqiptar.

Ne mund të hamendësojmë se zogistët po fuqizohen së tepërmi brenda vendit në kuadër të lëvizjes për unitet mes shqiptarëve jashtë vendit dhe veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje shqiptarët, të cilët janë bërë qytetarë amerikanë, i përkasin organizatës “Vatra”, kryetar i së cilës ishte Faik Konica, ish-ministri shqiptar në SHBA. Vatra ishte organi dhe gazeta e saj “Dielli” ishte platforma për Frontin e Bashkuar, që u krijua disa muaj më parë nën udhëheqjen e Konicës, peshkopit Fan Noli dhe Mbretit Zog.

Marrëveshja u bazua në tezën se lidershipi i mbretit gjatë luftës ishte e vetmja rrugë për të arritur unitetin mes shtresave të ndryshme të shqiptarëve. Kjo i dedikohej pjesërisht faktit të një suksesi edhe mes kritikëve të tij më të ashpër, se uniteti shqiptar pa Zogun do të ishte si Hamleti pa Princin e Danimarkës; por bazohej gjithashtu në faktin se kurora është për momentin i vetmi organ i shtetit shqiptar në ligjin ndërkombëtar.

Marrëveshja u përforcua nga garancitë e Zogut se regjimi i ardhshëm do t’i lihej në dorë vetë popullit shqiptar. Kjo politikë mbështetet nga Komitetet e Miqve të asociuar ngushtë me Shqipërinë qoftë në SHBA, qoftë në Britaninë e Madhe, të kryesuara përkatësisht nga zoti Charles Hart, ish-ministër i SHBAve në Shqipëri, dhe zonja Miriam Tildesley, antropologe dhe anëtare e Shoqatës Anglo-Shqiptare, një degë e Komitetit Ballkanik.

E vetmja opozitë e organizuar jashtë vendit për këtë zgjidhje (as Balli Kombëtar dhe as partizanët nuk duket të kenë siguruar mbështetje jashtë vendit) vjen nga zoti Kostandin Çekrezi, i cili kryeson një Lëvizje të Lirë Shqiptare të vogël, por aktive në SHBA, dhe publikon gazetën “Liria”. Çekrezi dëshiron një republikë dhe ka sugjeruar një komitet provizor bazuar në modelin francez, me shpresën se do të jetë në gjendje të shpërfillë Mbretin Zog, duke bashkuar një numër figurash me popullaritet, të cilat duke u kombinuar së bashku, do të kishin më tepër peshë se ai.

Protagonistët e kësaj ideje kanë shumë emra për të sugjeruar, si për shembull, peshkopi Noli dhe dy vëllezërit Frashëri janë figurat më qendrore. Fakti se Noli e ka hedhur poshtë politikën e Zogut, Mehdi Frashëri është kolaboracionist, ndërsa Midhat Frashëri ka humbur në mugëtirën e errët të politikave të Ballit Kombëtar, e përjashton planin Çekrezi. Kështu, duart e Kupit janë forcuar ndjeshëm. Përshtypja më e mirë e organizimit të forcave zogiste jepet nga një oficer i ushtrisë jugosllave, i cili qëndroi i fshehur bashkë me ta nga shtatori deri në dhjetor 1943.

Ai shprehet se liderët caktohen kryesisht nga ish-oficerë dhe zyrtarë të ushtrisë, ndërsa rangu dhe numri i forcave përfshinin myslimanë të painteresuar në politikë, por të atashuar nga ndjenja simpatie ndaj ish-sovranit të tyre që ka të ngjarë të nënkuptojë fiset e vendlindjes së Mbretit Zog në rajonin e Matit. Guerilët zogistë, të cilët hyjnë në operacione luftarake me vrull të madh, ndahen në grupe prej rreth 2/300 vetash, që ndahen më tej në skuadra që udhëhiqen nga një oficer dhe 25 luftëtarë.

Grupet komandohen nga liderë të vetëemëruar të grupit, të cilët, nga ana e tyre, emërojnë oficerët e tyre dhe NGO-të. Ato janë grupe në Zall Herr (pranë Tiranës), Prezë, Shijak dhe Dibër. Armatimet përbëhen nga revole të tipit “Lewis”, mitraloza italianë dhe mortaja të lehta. Veshmbathjet përfshijnë uniformat ushtarake të hedhura nga avionët britanikë apo këpucë ushtarake italiane, uniforma të vjetra italiane dhe artikuj suplementarë.

Një pjesë e burrave veshin çizme britanike apo italiane, por shumica duhet të kënaqen me sandalet e dhuruara nga dyqanxhinjtë në Tiranë dhe në vende të tjera. Ky oficer jugosllav vlerëson se numri i përgjithshëm i nacionalistëve të organizuar nën udhëheqjen e Kupit është 25.000, por druhet se ata po i kursejnë forcat për një betejë të mundshme me Jugosllavinë dhe Greqinë.

(Kosova Sot)