Dokumentet e CIA, ja çfarë zbuluan spiunët që hynë në Shqipëri më 1953, Jugosllavia kishte informacion për çdo lëvizje të udhëheqësve komunistë

  • 25 September 2018 - 09:56
Dokumentet e CIA, ja çfarë zbuluan spiunët që hynë në Shqipëri më 1953, Jugosllavia kishte informacion për çdo lëvizje të udhëheqësve komunistë

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera informacione sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë Komuniste. Në dy dokumente të deklasifikuara për vitin 1953 jepen detaje nga bashkëpunimi i SHBA me Jugosllavinë për rrëzimin e regjimit komunist shqiptar, si dhe për operacionet e CIA.

16 mars 1953

Konferenca CIA-UDB mbi Shqipërinë

Ky është raporti i konferencës që është mbajtur në Beograd në 16-17 mars 1953 mes tre përfaqësuesve të shërbimeve jugosllave UDB dhe dy përfaqësuesve të CIA në lidhje me problemin e Shqipërisë. Përfaqësuesve të CIA iu bë një pritje shumë e sjellshme në kushte shumë të mira. Vetë konferenca ishte e sinqertë dhe u zhvillua në një atmosferë miqësore. Përfaqësuesit e UDB, megjithëse u paraqitën me pseudonime në vend të emrave. Kishin një nivel mjaftueshëm të lartë për çështjet e diskutuara dhe njihnin mirë çështjet shqiptare, aq sa bërë konferencën shumë të vlefshme. Në axhendë përfshiheshin vlerësime të përgjithshme të situatës në Shqipëri nga të dyja palët, diskutim i faktorëve kryesorë të jashtëm të influencës në situatën shqiptare dhe këmbimin e informacioneve e asistencës reciproke. UDB përshkroi pikat e dobëta aktuale të qeverisë shqiptare sipas renditjes së mëposhtme: izolimi i Shqipërisë nga prishja me Jugosllavinë, humbja e pavarësisë ndaj Bashkimit Sovjetik, shfrytëzimi ekonomik i saj nga BRSS, barra ekonomike e mbajtjes së një ushtrie të madhe për qeverinë, antagonizmi mes jugut dhe veriut të vendit, efekti dëmtues në administratë nga spastrimet e njëpasnjëshme, efekti i dëmshëm i luftës për pushtet mes Hoxhës e Shehut, emigracioni shqiptar në Jugosllavi. Ndërsa ndër avantazhet jugosllavët përmendën lidhjen e fortë ideologjike të Partisë Komuniste dhe anëtarëve të saj me revolucionin; faktin që partia ka marrë meritat e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit dhe për reformat ekonomik e sociale; reforma në bujqësi e cila i ka dhënë tokë rreth 70 000 familjeve të varfra. Oficerët e UDB kritikuan sloganet “Vdekje komunizmit” të shprehura në fletushkat e lëshuara nga Komiteti Shqipëria e Lirë. Të tjerë faktorë në favor të autoriteteve ata përmendën demoralizimin e popullit nga shtypja e egër dhe masat e ashpra dënuese; mungesa e një rezistence të organizuar në vend; dështimi në krijimin e një rezistence brenda partisë ose administratës dhe fakti që rezistenca e asistuar nga jashtë është e lidhur me ndërhyrjen e agjencive perëndimore të inteligjencës, gjë që i lejonte qeverisë ti karakterizonte ato si tentativa kundër pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë. Lidhja e ngushtë mes partisë komuniste dhe ushtrisë është gjithashtu një faktor pozitiv për regjimin, siç është dhe besnikëria e fshatarëve që kanë marrë tokë, të cilët mund të jenë një faktor ndihmës me vlerë për sigurinë. Prandaj UDB thoshte se si konkluzion Jugosllavia ishte në favor të rrëzimit të regjimit të Hoxhës por vetëm kur situate ndërkombëtare është e përshtatshme dhe kushtet e brendshme janë të favorshme, nga të cilat asnjëra nuk ekziston aktualisht.

Reagimi jugosllav

Jugosllavët gjithashtu nuk besojnë se në kohë paqeje është e mundur të realizohet një revolucion i asistuar e sponsorizuar nga jashtë. Ata tremben se një tentativë e tillë mund të shërbejë si pretekst kundërveprim, në një formë ose në një tjetër, kundër Jugosllavisë. Edhe nëse sovjetikët nuk e përdorin këtë si një mundësi për nisjen e politikave armiqësore ndaj Jugosllavisë, ata besojnë se do të shtrëngonte çështjet e sigurisë në fusha të tjera si për shembull në kufirin bullgar. Padurimi në tentativat e përmbysjes së Hoxhës mund të sjellë pasoja katastrofike. Sipas tyre metoda më e mirë për të punuar drejt përmbysjes së qeverisë aktuale është forcimi i elementëve të brendshëm të opozicionit me qëllim krijimin e një force të organizuar dhe të gjithë faktorët e jashtëm të orientuar drejt këtij objektivi. Meqënëse përmbysja e regjimit do të përshkruhej menjëherë si një agresion nga jashtë, i gjithë operacioni duhet të bëhet në mënyrë që të justifikohet në OKB si revoltë e brendshme. Në ngritjen e zhvillimin e opozicionit në Shqipëri ne duhet të mbajmë mend se çdo sulm frontal ndaj partisë komuniste shqiptare përshkruhet në vend si sulm ndaj arritjeve pozitive të popullit shqiptar, dhe kërcënim për të risjellë regjimin e paraluftës. Partia përbën një faktor deçiziv në çdo konsideratë të problemit shqiptar, dhe te ajo duhet bërë dallimi mes klikës së Hoxhës dhe masave masave komuniste. Njerëzit në pozicionet kyçe janë njerëz të partisë, prandaj ne duhet t’i zhvillojmë dhe t’i shfrytëzojmë. Ka disa oportunistë në partinë komuniste shqiptare, p[or ne duhet të shfrytëzojmë anëtarët që nuk janë ngritur në detyrë ose janë ulur, të cilët përfaqësojnë dobësi që duhet shfrytëzuar.

Nëntor 1953

Raport zbulimi grupi i infiltruar FIG

Më poshtë kemi pikat e inteligjencës pozitive të mbledhura nga grupi “Fig Tree” në misionin e fundit. E kuptojmë se informacioni i mbledhur është i vogël por kjo vjen pjesërisht nga fakti se grupi ka ndjekur me saktësi instruksionet dhe ka shkatërruar shumicën e shënimeve të tyre kur ranë në kurthin e forcave komuniste. Raporti i tyre do të ndiqet nga dy të tjerë ku do të përshkruhen operacionet dhe rrugëtimi i tyre, gracka dhe dalja prej saj.

Zbulimet e grupit

Në zonat malore mbi Boboshticë janë hapur hendeqe të reja nga forcat kufitare rreth 500 metra të gjata përballë kufirit grek, në formë zig-zag. Në disa hendeqe kishte poste për 10-12 mitraloza, të ngritura rreth 2 metra lartësi. Grupi vlerësonte se në çdo pozicion mund të qëndronin 5-6 ushtarë dhe ato ishin të përziera mirë me terrenin duke mos u dalluar kollaj. Më 10 shtator grupi vërejti një kompani ushtarësh të vendosur në 20-25 tenda. Grupi tha se kur u kthye në këtë zonë më 19 tetor, nuk kishte më as tenda e as ushtarë. Komandant i divizionit të Korçës, që njihet si divizioni i 3-të, është Skënder Malindi. Për të qartësuar këtë informacion duhet të themi se divizionet ushtarake shpeshherë ndryshojnë numrat e tyre, sipas atyre që thonë autoritetet “për të ngatërruar armikun”. Me anë të kontakteve me Niazi Rapushin, ish-rreshter i regjimentit të Gjirokastrës, i cili është liruar nga detyra në mars 1953, grupi Fig ka marrë informacionet e mëposhtme: Komandant i divizionit është Vaskë Gjini, komisar Veso Ismaili dhe major Fete Ruçi. 4 regjimentet e divizionit janë regjimenti i 18-të i stacionuar në Delvinë, regjimenti i 7-të në Gjirokastër dhe regjimenti i 5-të në Përmet. Në kohën e shkarkimit të Rapushit, komandant ishte kapiteni Nazif Hoxha, kapiteni Zani Asqeriu dhe Teki Hasan Luarasi që besohet se janë nacionalistë besnikë.

Zbulimi

Rrapushi ka qenë prezent kur grupi ra në kurthin e komunistëve. Në lidhje me këtë ai ka ofruar dhe informacionet e mëposhtme: Grupi u rrethua në Kopaçe nga anëtarët e Sigurimit, policë dhe civilë të armatosur. Sigurimi njoftoi regjimentin e 18-të për prezencën e “reaksionarëve” dhe kërkoi ndihmën e tyre. Rrapushi thotë se beteja zgjati rreth 5 orë. Kur grupi Olive humbi pozicionin e tij, ata kishin gjetur të vdekur Riza Abazin dhe Fido Veliu të cilët kishin kryer vetëvrasje për të mos rënë në dorë të komunistëve. Mehmet Hoxha, anëtari i katërt i grupit, ishte plagosur, por nuk ishte në pozicion me tre të tjerët. Sipas burimeve, Hoxha deklaroi se grupit i ishin mbaruar municionet dhe ishte bërë e qartë se nuk kishin rrugëdalje, prandaj vendosi të largohej në drejtim të kufirit (Hoxha u gjet në njëfarë distance nga fushëbeteja dhe kishte humbur ndjenjat nga humbja e gjakut). Burimi deklaron më tej se ishte prezent kur një pilot i forcave ajrore greke uli avionin e tij në një lëndinë pranë Delvinës vitin e kaluar. Në raportin e tij për sigurimin komunist piloti thotë se ishin duke bërë manovra në zonën Kifisia dhe në ditën e tretë u detyrua të arratisej pasi inteligjenca greke ishte informuar për aktivitetet e tij komuniste (Ky informacion i ka kaluar inteligjencës greke e cila vazhdon hetimet mbi incidentin).

Operacioni

Ndërsa informacioni i mëposhtëm është dhënë nga Sefer Belkteshi nga Tresova: Më 1 tetor 22 kamionë hynë në Zvarisht dhe shkarkuan municione. Më 7 tetor major Ali Lalai, kapiten Mehmet Rifati dhe 5 oficerë të tjerë të paidentifikuar erdhën për inspektim në Tresovë dhe Zvarisht. Aktualisht zona rreth Zvarishtit ruhet nga e patrulla lëvizëse. Në fillim të verës një këshilltar rus është caktuar për çdo divizion. Sipas zhurmave thuhet se më 56 tetor një grup oficerësh shqiptarë është kthyer nga Rusia ku kanë kryer trajnime speciale. Grupi Fig raporton se Viet Agolli nga Mocani i ka informuar se djali i tij, kapiten Viet Muslim Agolli, thotë se ushtria merr shumë informacione nga Italia për aktivitetet e grupeve në Shqipëri.

Burgu i Korçës

Një burg i madh në Korçë është mbushur me njerëz që quhen nga autoritetet “Armiq të Popullit”. Burgu ndodhet në prefekturën e re dhe aktualisht mban 650 të burgosur dhe ruhet nga rreth 50 policë. Drejtor i burgut është Bektash Melçani, i cili është nacionalist dhe nganjëherë ka lejuar që të burgosurit të dëgjojnë stacionet e huaja në radio madje dhe transmetimet tona klandestine. I dyti në komandë është oficeri Qerim Gjergjeviç. Burimi deklaron se se kur dëgjohen avionë të huaj në zonë, pasat e sigurisë rriten edhe në burg, nga frika e shpërthimit të trazirave (burimi nuk specifikon se çfarë masash merren). I vetmi informacion që kemi mbi burgun e qytetit të Korçës është se këtu shërbejnë dënimet persona që janë dënuar me 5 vjet ose më pak. Të burgosurit në përgjithësi janë ordinerë, si njerëz që nuk kanë arritur të përmbushin taksat apo kuotat e prodhimit. 

(Kosova Sot)