Dokumentet e CIA, ja kush ishin organizatat që punonin jashtë Shqipërisë për rrëzimin e Enver Hoxhës

  • 06 October 2018 - 13:15
Dokumentet e CIA, ja kush ishin organizatat që punonin jashtë Shqipërisë për rrëzimin e Enver Hoxhës

CIA ka hedhur dritë mbi të gjithë kontigjientin e shqiptarëve që punonin për rrëzimin e regjimit komunist. Sipas disa dokumenteve të deklasifikuar, ishin një sërë organizatash që i kishin shpallur luftë Enver hoxhës. Nga ana tjetër tregohet se si SHBA ishte shpallur armiku kryesor i Shqipërisë.

11 shtator 1975 Nju Jork

Zonja Viso Arreti e degës së Nju Jork e Organizatës Shqipëria e Lirë mbajti një fjalim në organizatën e grave shqiptare në Kombet e Bashkuara, ku parashtroi informacion mbi organizatat amerikane dhe shqiptare anti-komuniste në ekzil. Më 29 gusht 1975 T-1 ka thënë se FAC është një organizatë vëllazërore shqiptaro-amerikane me seli në Boston, Massachussettes. Dega e saj në Nju Jork nuk ka seli dhe kryen takimet në shtëpitë e oficerëve të degës. T-1 thotë se oficerët e saj janë Tahsin Rusi, Hajdar Shtino dhe sekretare medie Shtino. Më 4 prill një numër i gazetës shqiptare “Liria”, organi zyrtar i FAO, thuhej se një mbledhje të grave shqiptare nga Nju Jork, Uorchester, Boston e Philadelphia, në misionin e Shqipërisë në OKB, gruaja e ambasadorit shqiptar Rako Spiro Naco, Luiza Naco, priti gratë dhe mbajti një fjalim për emancipimin e gruas në Shqipëri në regjimin e Enver Hoxhës. U transmetuan disa filma dhe gratë hëngrën darkë së bashku, duke mbajtur fjalime të ndryshme. Më 28 gusht 1975 T-2 thotë se gazeta “Liria” është dashamirëse ndaj regjimit komunist në Shqipëri. T-3 ka sugjeruar në janar 1968 se “Liria” është një publikim pro-komunist që mbështet qeverinë e Shqipërisë. Më 30 qershor 1975 ai ka thënë se organizata FAO ka mbajtur një konventë në Boston dhe individët e mëposhtëm u emëruan në postet drejtuese: president nderi Hajdar Shtino, Asim Vulo, Hulsi Kavo. Anëtarë komiteti Areti Viso, Besie Vesseli e medie Shtino.

Organizatat që veprojnë kundër regjimit në Shqipëri

Kisha ortodokse shqiptare Shën Nikolas në Nju Jork vepron sipas kushtetutës së kishës ortodokse shqiptare në SHBA dhe është një qendër aktivitetesh shoqërore e fetare të shqiptaro-amerikanëve në zonën e Nju Jork. T-1 deklaron se reverendi Kristo Kosta është pastor i Kishës dhe zëvendësi i tij Larry Pillary. Më 14 maj 1975, T-4 deklaroi se peshkopi Stefan Lasko, kreu i kishës ortodokse shqiptare në SHBA, vdiq me 30 prill dhe u zëvendësua nga peshkop Dhimitri i Hartford. T-4 tha se Dhimitri nuk është shqiptar prandaj do të ketë vështirësi në zëvendësimin e peshkopit Lasko, pasi priftërinjtë duhet të jenë të pamartuar për të qenë peshkopë, dhe këtë kriter e plotëson vetëm një prift në Ëorchester të Masachusetts.

Federata mbarë-shqiptare Vatra: Më 27 gusht T-4 tha se Vatra është një shoqëri vëllazërore shqiptare me seli në Boston. Dega e saj e Nju Jork mban takime të përgjithshme me grupet e të rinjve kristianë. Drejtuesit kryesorë të saj janë Ramiz Dani, Ali Çelaj dhe Tonin Mirakaj. Vatra është e përbërë nga shumë anëtarë të Partisë Legalitetit, grupit anti-komunist në emigracion, prej të cilëve Vatra po kthehet në një organizatë politike nga shoqërore që ka qenë përgjithësisht. Ata që kundërshtojnë Legalitetin kërkojnë largimin e tyre nga organizata. Sipas opinionit të T-4 nëse ndodh diçka e tillë organizata do të mbetej me shumë pak anëtarë dhe do të vdiste. Më 23-24 maj Vatra ka mbajtur një konventë kombëtare në Boston ku Ahmet Delvishi u zgjodh president. Nik Kreshpani dhe Ibrahim Kulla, ky i fundit nga Kanadaja, u zgjodhën zëvendës-presidentë. Rreth dhjetë përfaqësues të degës së Nju Jork morën pjesë në konventën e Nju Jork përfshi Ramiz Dani e Ali Çelaj. Zef Përnoca dhe Tonin Mirakaj u zgjodhën anëtarë të bordit të Vatrës si anëtarët e vetëm nga Nju Jork

 Evropa Perëndimore

Shqipëria ka tashmë marrëdhënie me të gjithë vendet Perëndimore përveç Spanjës, Gjermanisë Perëndimore dhe Britanisë, por po punon për forcimin e kontakteve ekzistuese. Tirana po kultivon lidhje jo vetëm me qeveritë e paanshme por dhe me vende anëtare të NATO-s, të cilat shqiptarët i perceptojnë si të pavarura nga SHBA. Me burimet e tyre të dobëta ekonomike dhe me humbjen e ndihmës së kinezëve, Shqipëria mund vetëm të rrisë shumë pak eksportet e saj me vendet e industrializuara, të cilat nuk e kaluan shifrën e 50 milionë dollarëve në 1975. Gjithashtu, për sa kohë që ekstremizmi ideologjik do të komandojë politikat, Shqipëria nuk do të bëjë marrëveshje financiare me Perëndimin. Kushtetua ndalon huat nga vendet “kapitaliste” si dhe formimin e ndërmarrjeve të përbashkëta me interesa të huaja. Këto kufizime pengojnë importimin e pajisjeve të rëndësishme për vazhdimin e procesit të industrializimit. Me reduktimin e importeve të makinerive, Shqipëria ndoshta do të detyrohet të importojë vetëm pajisjet bazë industriale dhe bujqësore, por në terma afatgjatë kjo do të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik. Planifikuesit shqiptarë janë gjithashtu në dijeni se Perëndimi nuk do të ketë leverdi të zëvendësojë asistencën ekonomike dhe teknike kineze në Shqipëri. Përjashtim këtu bën vetëm Italia, e cila ka ruajtur një lidhje të veçantë me Shqipërinë që prej viteve 1950-të, dhe lidhjet e tyre historike e gjeografike nuk janë ndikuar aq shumë prej partneritetit të Italisë me SHBA. Ka gjithashtu prova se hapjet e Shqipërisë ndaj Perëndimit kanë dhe dimension politik. Duke parë papërkulshmërinë ideologjike të regjimit shqiptar, nuk është e qartë se cilat mund të jenë akordet politike që Tirana mund të kërkojë nga Perëndimi, por gjithsesi ata mund të kërkojnë ndonjë formë garancie për mbrojtje nga vendet e Mesdheut nga agresione të mundshme të Bashkimit Sovjetik. Ndërsa në lidhje me SHBA, mendësia e regjimit është shumë armiqësore. Hoxha dhe liderët e tjerë e përshkruajnë Uashingtonin si fuqia kryesore reaksionare e botës dhe si një kërcënim direkt i sovranitetit të vendit. Retorika e tyre përfshin elemente të një armiqësie pa kompromis ndaj SHBA, përveç konfrontimit ideologjik. Tirana ka refuzuar në mënyrë flagrante afrimin me SHBA në fillim të vitit 1970, dhe deri tani nuk po shohim ndryshime të kësaj mendësie. Sigurisht që do të ishte e sikletshme për shqiptarët që të tentonin të afroheshin me SHBA në një kohë që kritikojnë Kinën për të njëjtën gjë. Një lidhje mundshme me SHBA, ose sinjalizimet për diçka të tillë, mund t’i shërbejnë Tiranës për të mbajtur larg ndonjë perceptim kërcënimi nga Jugosllavia apo BRSS. Megjithëse shqiptarët nuk kanë gjasa të kërkojnë lidhje me Ëashingtonin për sa kohë që Hoxha është gjallë, ata mund të sinjalizojnë në mënyrë të tërthortë hapje në qëndrimin ndaj SHBA, ose duke reduktuar kritikat ndaj tyre. Shqipëria mund të ketë vullnetin për të blerë pajisje amerikane nga vendet perëndimore, duke u hequr sikur nuk i njohin lidhjet e tyre me SHBA. Ata gradualisht mund të modifikojnë tonet ekstreme të kritikës dhe propagandën anti-SHBA, pa ndryshuar opozicionin ideologjik ndaj tyre.

Pasardhësi i Hoxhës

Kryeministri Mehmet Shehu, që është konsideruar si pasues i Hoxhës, tashmë është 64 vjeç. Fuqia e tij u shtua kur u bë ministër Mbrojtjeje në 1974, por edhe ai ka probleme shëndetësore të cilat e s’kualifikojnë nga marrja e postit të Hoxhës. Nuk kemi shumë informacion mbi funksionarët e rinj në vende kyçe në aparatin shtetëror. Byroja politike ka dy persona më të rinj dhe disa të tjerë janë në komitetin qendror të partisë. Ata me shumë gjasa janë zgjedhur nga vetë Hoxha në bazë të performancës apo besnikërisë së tyre personale. Origjina e tyre nuk njihet por kanë të përbashkët eksperiencën në aparatet krahinore të partisë. Dy të rinjtë në Byronë Politike janë Hekuran Isai dhe Pali Miska që besohet se janë në të 40-at e tyre. Ata erdhën në qeveri pas spastrimeve dhe po ngrihen me shpejtësi. Prej vitit 1975 kanë qenë 4 ndërrime në Byronë Politike. Ndërsa në Komitetin Qendror të zgjedhur në Kongresin e vitit 1976, 43 nga 77 anëtarët janë të rinj.

Raport i lidhjeve financiare

Lidhjet tregtare e financiare të Shqipërisë janë të kufizuara, ashtu si dhe informacioni ynë për to. Shqipëria refuzon të pranojë kreditim nga bankat e qeveritë e huaja, dhe transaksionet i kryen thuasje të gjitha me këmbime mallrash. Tirana punon me disa banka të huaja për lehtësimin e tregtisë, por nuk kemi informacione për lidhje të saj me banka qendrore shtetërore. Që prej mbylljes së tregtisë dhe asistencës ekonomike të Kinës në 1978, Shqipëria me ndrojtje ka zgjeruar disi lidhjet tregtare me vende të tjera për promovimin e zhvillimit ekonomik, duke minimizuar sa më shumë varësinë nga një partner i vetëm. Jugosllavia fqinje është aktualisht partneri më i rëndësishëm tregtar me rreth 21 për qind të tregtisë totale. Pjesën tjetër Tirana e ka ndarë mes vendeve të bllokut sovjetik dhe vendeve Perëndimore. Megjithse Shqipëria nuk ka lidhje tregtare me BRSS që prej daljes nga grupi tregtar komunist CEMA në 1961, shqiptarët kanë negociuar me vende lindore të saj si Bullgaria, Çekoslovakia e Rumania. Kohët e fundit regjimi i Hoxhës ka terguar më shumë interes në rritjen e importeve nga vendet perëndimore në makineri dhe teknologji ekonomike për të arritur rritje ekonomike me anë të industrializimit. Italia, Gjermania Perëndimore, Greqia e Suedia janë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë në Perëndim. Duke reflektuar planet ambicioze të regjimit për modernizim, importet e vendit nga vende të zhvilluara perëndimore përqendrohen në hekur e çelik, makineri transporti e nxjerrjeje mineralesh, dhe telekomunikacione. Regjim i Hoxhës mbështet në zhvillimin e kapaciteteve minerare me anë të pajisjeve të importuara. Eksporti kryesor i Shqipërisë mbetet kromi, i cili ka sjellë rreth 44 për qind të të gjithë valutës së vendit në 1979. Karburantet si nafta dhe energjia elektrike, janë gjithashtu eksporte të konsiderueshme por vlera e tyre ka qenë e paqëndrueshme. Meqënëse kushtetuta e Shqipërisë ndalon huamarrjen nga jashtë, Tirana mund të ruajë balancat e tregtisë së saj me jashtë dhe importon vetëm kur mund të mbulojë kostot, në tregtinë me Perëndimin ajo mbështetet shumë në këmbimin e mallrave. Tregtia organizohet nga agjencitë shtetërore të tregtisë me jashtë, sektor pas sektori. Një gazetë perëndimore ka raportuar se disa agjenci shtetërore tregtare mund të përfshihen nganjëherë në një transaksion të vetëm.

Lidhjet me kompani të caktuara

Ne nuk kemi informacion të gjerë mbi lidhjet me kompani të caktuara të huaja, por më poshtë kemi renditur disa nga lidhjet e njohura: Në nëntor 1982 kompania e Gjermanisë Perëndimore, Salzgiter AG pranoi të zgjerojë një minierë nikeli në Shqipëri, në një projekt me vlerë 23 milionë dollarë, që pritet të financohet me këmbime tregtare. Kompania japoneze C. Itoh po negocionte në vitin 1982 për ndërtimin e një uzine çeliku në Elbasan, pagesa për të cilën do të bëhej në krom. Konsullata amerikane në Trieste raportoi në korrik 1984 se kompanitë e mëposhtme italiane po negocjojnë ose po punojnë me Shqipërinë: FIAT, Italimpianti, ITALTEL, Montedison, Danieli, EFIM dhe FATME. ITALTEL raportohet se ka pranuar të modernizojë linjat telefonike shqiptare në Tiranë dhe dy qytete të tjera, ndërsa Danieli do të asistojë në rritjen e kapacitete të përpunimit të çelikut në një uzinë çeliku. Nuk njihen kushtet e shpërblimit.

Lidhjet financiare

Nuk kemi asnjë informacion për rezerva valute të jashtme të Shqipërisë, dhe besojmë se ato janë të pakta. Nuk ka prova se Shqipëria ka lidhje me banka të huaja qendrore dhe besojmë se ideologjikisht Shqipëria kundërshton diçka të tillë. Me sa jemi në dijeni, Shqipëria nuk është përfshirë në skandale financiare që prej Luftës së Dytë Botërore. Nuk kemi informacion sesi qeveria e Tiranës apo ambasadat e saj transferojnë fondet dhe nuk e dimë sesi financohen ambasadat e saj. Shqiparia ka tashmë lidhje formale me rreth 100 shtete por në shumicën e tyre nuk ka ambasadorë rezidentë. Shqipëria përdor akreditime të shumëfoshta për të mbajtur të ulëta kostot e shpenzimeve në valutë.

(Kosova Sot)