Konferencat Ballkanike në vitet ’30, demonstrimi i parë i bashkëpunimit rajonal

  • 16 October 2018 - 09:30
Konferencat Ballkanike në vitet ’30, demonstrimi i parë i bashkëpunimit rajonal

Pakti Ballkanik, që nuk u realizua dot në vitet ’20, u rimor në vitet ’30 të shekullit të kaluar me organizimin e katër Konferencave Ballkanike.

Ato ishin të parat e këtij lloji në historinë politike të rajonit.Ideja u hodh nga Aleksandër Papanastasiu, ish-kryeministër i Greqisë, i cili kërkonte një konferencë gjysmëzyrtare për të krijuar një konfederatë ballkanike, iniciativë që u mbështet dhe u nxit dhe nga Lidhja e Kombeve. Pasi mori informacion nga Legatat e saj për qëllimet e vendeve të tjera, Shqipëria dha një përgjigje pozitive për pjesëmarrjen.

Diplokracia

Pas kësaj, vetë Papanastasiu vizitoi legatën shqiptare në Athinë.“Këtë vit shpresojmë të mund të realizohen disa masa për të lehtësuar komunikimin në mes shteteve në fjalë, ashtu edhe për t’u pranuar një program me të cilin të sigurohet që nëpër shkolla të mesohet historia e kombeve të Ballkanit sa më mirë që kështu shkollat të japin një mendim dhe një ndjenjë simpatije për njëri-tjetrin dhe të inspirojnë dashuri për kombet fqinj..”, tha ai.

Përfaqësimi në konferenca ishte nëpërmjet grupeve kombëtare me status jo zyrtar, por që u zgjodhën nga qeveritë. Në 1930 qeveria shqiptare vendosi që Shqipëria në këtë konferencë të përfaqësohej nga Mehmet Konica, Mid’hat Frashëri dhe Patër Gjergj Fishta.

Projektet që trajtuan probleme jo politike avancuan më tepër se çështjet politike. Kjo për shkak të qëndrimit të delegacioneve për respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare dhe të njohjes së kufijve, probleme që priteshin në Ballkanin e asaj kohe. Këto bënë që Pakti Ballkanik i arritur të krijohej pas konferencës së katërt, të mos ishte plotësisht i tillë pasi në të nuk merrnin pjesë Bullgaria e Shqipëria.

Këto konferenca ishin një ushtrim i mirë për qeveritë e vendeve të rajonit lidhur me negocimin e problemeve, gjetjen e interesave të përbashkëta, si dhe një demonstrim i parë se ballkanasit dinin të bashkëpunonin të paktën në fushat me interes të përbashkët.

(Kosova Sot)