Samarxhi: Nënë Tereza, gruaja që sfidoi egërsinë njerëzore dhe barbarinë e shekullit

  • 20 October 2018 - 09:39
Samarxhi: Nënë Tereza, gruaja që sfidoi egërsinë njerëzore dhe barbarinë e shekullit

Ferdinand Samarxhi Mjeshtër i Madh

Në panteonin e historisë botërore, shtete, popuj, fise, luftëra, epope, njerëz lanë të skalitur në rrugëtimin njerëzor piketa historike, që në shekuj, edhe pse kohët me mjegullnajat e largësisë së honeve të thellë, të shkuar, tregojnë historinë. Perandori, kalifate, dinasti, fise, popuj, shtete, vende u fshinë nga tregimet e historisë, nga letra e hartës botërore. Edhe tokën e majë maleve epike të shqiponjës sonë, fluturimin e saj, historia nuk e përkëdheli, edhe pse gjeneza e tij ishte një ndriçim për kohët, për popuj dhe vende. Historia na pa të përgjakur, por jo të përgjunjur, të vegjël, por trima dhe të paepur, mbushur me legjenda dhe histori… siç njihemi në botë, që nga fillimet e gjenezës tonë e deri në ditët e sotme…

…Kur ju të keni arritur në Tokën e Molosëve Të Dodonës së Sipërme, ka një Orakull të Jupiterit Thesprot… Eskili, shekulli V p.e.s. te “Prometeu i lidhur”, fq.800. Në librin VI, VII, ai shprehet se,Tempulli i Dodonës Pellazgjike gjendet në majë të një mali të lartë. Historishkronjësi i vjetër P. Aravantioit, në librin e tij, botuar në Janinë në vitin 1859 pohon: “…Dodona ishte qendër Pellazge para Helenike, shumë më e vjetër se gjuha, perënditë dhe mitologjia greke. Si e tillë, ajo u njoh në krejt botën e lashtë dhe këtë realitet ekzistues e kanë pranuar edhe vetë autorët më të moçëm helenë”…

…Që këndej nis fluturimin shqiponja jonë dy krenare, simboli i gjenezës së kombit tonë, i lashtë më shumë se shumë kombe të tjerë në botë.

…Shqiponja jonë Deodonjale çau nëpër shekujgjithmonë krenare, kurrë nuk u ndal edhe pse historia me luftërat e saj kërkonte ta zhdukte, përsëri ajo mbijetoi. Me krahët e saj dhe me vizion, siç tha Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në vizitën e Tij në Shqipëri, shkoi lart e më lart me besimin te Hyu, që kurrë nuk zhgënjen, por ngjalli shpresë në flamurin e saj.

Në kohëra dhe në shekuj, sheshi “Shën Pjetër” i Vatikanit, Papati dëgjoi omelite e bukura të shtatë papëve të gjenezës tonë. Te Papa Shën Eleuteri (171:185 prej një Nikopolit, të Epirit, Prevës që renditet i 14-ti në listën e papëve, Shën Urbanit të parë 222-230 prej Ilirie, që renditet i 18-ti në listën e papëve, Shën Kai Papë, 283-296 prej Salone Dalmaci, Papa Gjoni IV Dalmat 640-642, Papa Pali i IV Karafa 1555-1559,që renditet i 45-ti në listën e papëve. Gjatë kohës dhe nën drejtimin e Tij botohet libri i parë në gjuhën shqipe “Meshari” i Gjon Buzukut. Papa Sisti i V Pereti 1585-1590(familja e tij emigroi nga Kotori),që renditet i 229-ti në listë. Papa Klementi XI, Albani 1700-1721, që renditet i 245-ti. Me urdhër të Tij u mbajt Kuvendi i Arbrit, më 10 korrik të vitit 1703, ku u mor vendimi për hapjen e shkollës së parë shqipe. Nga ky vend shqiponjash do të lindë, Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që mbrojti civilizimin evropian, përtej Adriatikut, nga sulmet e hordhive osmane, që Papati e nderoi dhe vlerësoi, duke e quajtur pararendës të historisë, atlet i Krishtit.

…26 gusht 1910, në Vilajetin Shqiptar të Shkupit, të pushtuar prej Perandorisë Osmane, të këtyre trojeve të përvuajtura do të lindte bija e madhe e një kombi të vogël, siç tha Ati i Shenjtë, Papa Françesku, më 21 shtator 2014, Gonxhe Bojaxhi, Nënë Tereza e Kalkutës, emrin e së cilës mban edhe sheshi në kryeqytet.454788787878785

JETË NË BRENG, NË PËRVUJTËRI…

Tri ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm, dom Zef Ramaj, ditë të cilën ajo e llogariste si datëlindjen e saj. Kola dhe Drania patën 5 fëmijë, dy nga të cilët u vdiqën në fëmijërinë e hershme. Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali, kurse motra quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë. I ati, që ishte i përfshirë në lëvizjet politike të asaj kohe, vdes në vitin 1919 kur ajo ishte 8 vjeçe.Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.

HYU E THIRRI ATË… EJA MË BART NË KASOLLEN E TË VARFËRVE…

Kur ishte 18 vjeç, ajo do t’i shprehej bashkësisë së rregulltareve të motrave të Loretës… “E ndieja thellë në zemrën time që Zoti më thërriste për një mision… por nuk e dija e nuk e kuptoja, pse dhe si”. Duke udhëtuar, më 10 shtator për në Darjeling, një qytet i vendosur nën Himalajë, në tren ajo dëgjoi zërin hyjnor. Kjo ishte thirrje që duhet të linte Kuvendin e Loretos, që të ishte në gjendje që t’i përkushtohej tërë jetën të varfërve. Zëri tashmë e thërriste qartas “…eja, eja më bart në kasollen e të varfërve… eja dhe bëhu drita ime”. Shpirtërorit Celesti Van Exemit, ndër të tjera do t’i shkruante “Kam ardhur në Indi vetëm me shpresë që të shpëtoj shumë shpirtra dhe të fitoj kurorën e martirizimit. Apostullimi, që e kam zhvilluar gjatë gjithë këtyre viteve më ka ndihmuar shumë në zbatimin e kësaj detyre.4154878787

DREJTOJI TE JEZUSI ATA, BART JEZUSIN TEK ATA…

Sot kam mësuar një mësim të mirë: do të motivohem tek ajo, që varfëria për të varfrit është me e rëndë se çdo gjë… “O Zot, nëse nuk mund të bëj asgjë për këta njerëz të mirë, atëherë më jep së paku fuqi që të vdes në mesin e tyre për ta dëshmuar dashurinë tënde”. Në këtë lutje të shkurtër zbulohet dhe dhurohet Nënë Tereza, sepse ajo nuk kërkoi prej Zotit ndonjë mrekulli, punë të madhe dhe të suksesshme, asgjë, por fuqinë e fesë për të jetuar në mesin e njerëzve me një qëllim të vetëm… Për t’u dëshmuar dashurinë e Zotit pikërisht atyre që i ka shkelur “jeta”,varfëria, sëmundja, gërbula… Leja për këtë, prej Romës, erdhi më 7 shtator 1950.

Në prill të 1952-it, ajo i shkruante Imzot Perierit kështu: “Dua të bëhem shenjtëreshë për të shuar etjen e Jezusit për dashurinë ndaj shpirtrave. Dua rreth vetes të mbledh shpirtra të tjerë, që do të bënin të njëjtën gjë për t’u shërbyer të varfërve ndër më të varfër, më të braktisurit, më të përbuzurit. Miliona të tillë jetojnë nëpër fshatra të Indisë, duke mos e njohur Zotin dhe Jezusin, në mëkate të tmerrshme. Do t’i afrohemi Krishtit dhe Krishtin do t’ua ofrojmë atyre. Më 17 gusht 1948 veshi sarin e bardhë dhe filloi jetën e re si misionare e dashurisë. Kur arriti në Patna për të mësuar sadopak shërbimin ndaj të sëmurëve, në një fletore të shënimeve kishte shkruar kështu: O Jezus, dashuria e vetme e zemrës time dua të vuaj atë që vuaj dhe çdo gjë që ti do të lejosh, të vuaj nga dashuria e pastër ndaj teje e jo për merita, që do të mund të fitoja apo dhurata që me ke premtuar, por vetëm për të të kënaqur ty, për të lëvduar ty, për të bekuar ty, si në gëzim ashtu dhe në pikëllim. O Zoti im,- thoshte Nënë Tereza,- me zgjedhjen time të lirë nga dashuria për ty, dua të mbes e ta bëj vullnetin Tënd të shenjtë për ty. Nënë Tereza thoshte: “Nëse lutemi, do besojmë! Nëse besojmë, do dashurojmë! Nëse dashurojmë, do shërbejmë!445254

NËNË TEREZA SFIDOI EGËRSINË NJERËZORE, BARBARINË E SHEKULLIT…

Nënë Tereza sfidoi shekullin e luftërave, shekullin e barbarisë, shekullin e egërsisë njerëzore. Ajo sfidoi çdo gjë të pamundur, mbinjerëzorja Nënë e gjithë botës. Sfidoi vuajtjet, shekullin në të cilin jetoi. Vetëm dashuria mes njerëzve do ta bëjë botën më të mirë, njerëzimin më të mbarë. “Nuk është e rëndësishme çka bëjmë,- thoshte Nënë Tereza,- por sa dashuri kushtojmë. Mundohuni, mos jua vritni njerëzve sadopak buzëqeshjen. Varfëria nuk është krijuar nga Zoti. Ne e kemi prodhuar atë vetë. Ju dhe unë, me egoizmin tonë. Sikur të kishte të varfër në Hënë, ne duhet të shkonim dhe atje. Në darkën e shtruar pas marrjes se çmimit Nobel nuk shkoi, por paratë që mori ua shpërndau njerëzve të varfër e të uritur. Varfërinë mund ta gjeni kudo në botë, në Kalkutë etj., por duhen vetëm sy për ta parë,- thoshte Nënë Tereza. Kudo në botë, gjenden njerëz që nuk i do kush, që nuk i ndihmon kush, që janë braktisur dhe harruar nga shumëkush. Kjo,- thoshte Nënë Tereza,- është varfëria më e madhe, më e tmerrshme. Jam e bindur që tortura me e madhe është braktisja”.Vetëm në parajsë do të kuptojmë se sa borxh u kemi ne të varfërve, të përvuajturve, skamnorëve, sepse ata na kanë ndihmuar të duam Zotin më shumë dhe duke dashur Zotin më shumë, do të bindemi se vdekja është kthim në shtëpinë e Zotit.

NËNË TEREZA, ETJA E KRISHTIT NË KRYQ, ETJE E DASHURISË SË HYUT PËR NJERËZIT…

Nënë Tereza u mundua e sfidoi dhe jetën e saj dhe ashtu si etja e Krishtit në kryq, të mbushë etjen e Hyut me etjen e dashurisë për njerëzit. Nënë Tereza vuajti siç vuajti Shën Maria para Kryqit kur Jezusi vuante, vuajti për ata që vuanin duke thirrur Jezusin: Eja, eja, na shpëto! Kur dhimbjet dhe nata bëhet tepër e errët,edhe unë martirizohem për ata që nuk kanë shpresë, më duket se do shkoj në ferr dhe do t’i ofroj veten time Jezusit. Tash, nga vetja gëzohem që hareshëm e kam mbajt kryqin tim me Jezusin. Kishte shumë vuajtje, kishte çaste, që kryqëzimi i kryqit për mua ishte falënderim i Zotit. Vuajtja është e madhe, por më e madhe është dashuria… vuajtja vetvetiu nuk është asgjë, por si pjesëmarrje në vuajtjet e Krishtit është një dhuratë. Njerëzit, që vuajnë, janë për ne Jezu Krishti, janë dashuri. Sot, bota është kalvar i hapur dhe ne s’mund të shkojmë te Jezu Krishti pa përqafuar kryqin e tij. Mundimi, për ne, është shenja se dhe nei jemi afruar Jezusit në kryq. Kjo është pavdekësia, që nuk mbaron të premten e madhe, por me ringjalljen e tij. Dhe ne në sajë të dashurisë do të ringjallim botën dhe do ta shpëtojmë atë.414444

TË DËSHMOSH DASHURINË E HYUT…

Më 26 shtator 1928, Nënë Tereza nisetnga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër, nuk do të shiheshin më kurrë. Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm, pas më shumë se 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse, nëna Drania dhe motra Age shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore. Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi), ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951), për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.

ATDHEU IM, ËSHTË NJË VEND I VOGËL, ME EMRIN SHQIPËRI…

Më 10 dhjetor 1979 kur mori çmimin “Nobel”, në sallën e OKB, ku ajo, me këtë rast, do të përshëndeste pas fjalimit nga salla, iu drejtua pyetja se nga ishte.

“…Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Por Shqipëria heshtte. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme, as sa për të parë nënën e saj, që jetonte në Tiranë, as për të marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje, këtë vizë nuk ia dhanë as kur fama e saj kishte marrë dhenë, në të katër anët e botës deri në fillim të viteve ’90. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë, kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri.Ishte e vetmja në botë, që trajtonte 47,000 të gërbulur në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.Në 1991, Nënë Tereza kthehet për herë të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tiranë, Shqipëri. Nënë Tereza kish jetuar për qëllime të mëdha,- do të shprehej Navas Sharif, Kryeministër i Pakistanit.Perez de Cuellar e cilësonte Nënë Terezën: “Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqe në botë”. Në qershor të vitit 2002, Bill Clinton do të tregonte: “Nënë Tereza, ishte e para, ajo, që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani, ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”. Por origjina shqiptare nuk duhet absolutizuar. Gonxhja u bë simboli i nënës së gjithë botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve.22222

NËNË TEREZA HAPI KRYEGJYSHATËN BOTËRORE BEKTASHIANE, TIRANË…

Në provoninë hyjnore, Nënë Tereza shfaqi dashurinë jo vetëm për të varfrit, skamurit, më të pafatët, më të lënit mënjanë të kësaj bote, por dashuria që kishte fituar me martirizimin e saj, bënte që ajo të ndiente dhimbje dhe vuajtje edhe për vëllezërit e saj bektashianë, që u kishte belbëzur liria e besimit, por nuk kishin faltoren e tyre. Nënë Tereza do të luftonte në atë kohë me pushtetin komunist, do t’i drejtohej personalisht Ramiz Alisë dhe do t’i kërkonte atij që Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës, t’i lirohej dhe dorëzohej, vëllezërve të saj bektashianë. 22 marsi 1991 është një ditë ku spikat dashuria e veçantë e Nënë Terezës për të gjithë besimet, si bijtë e Adamit dhe Evës. Duke përshëndetur në këtë ditë të shenjtë të hapjes së Selisë, Nënë Tereza do ta quante Kryegjyshin Botëror, Dede Reshat Bardhin, të përvojtur, Apostul të vërtetë të besimit, Dishepull të dashurisë dhe provonisë hyjnore, të Zotit.

19 tetori shënon për të gjithë kombin tonë, një krenari të ligjshme para gjithë popujve dhe kombeve. Kudo, në të gjithë botën, Krishtërimi, Vatikani, Papatipo e përcjell përvjetorin e saj si një Prelut Lavdie. Shqiptarët kudo po përjetojnë atë me një legjitimitet, si bijë të kombit të tyre, si nënë, simbol të dashurisë së gjithë botës. Në Rjeka të Kroacisë, në këtë prag jubile, shqiptarët përuruan shtatoren e saj. Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermira Përlaskaj, ndjehet tashmë krenare që shtatorja e Nënë Terezës është përkrah bustit të Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali i II. Po kështu, u përurua, në prag të jubileut të Lumturimit, shtatorja e nënë Terezës në Kuinto, Treviso, Itali. Në këtë ceremoni të organizuar nga diaspora shqiptare, të drejtuar nga prof. dr. Bajram Desku, mori pjesë dhe përshëndeti dhe zv/Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Limaj, i cili tha se nënë Tereza nuk është më vetëm bijë e kombit tonë, por e gjithë botës, kryetari i delegacionit të shqiptarëve të Malit të Zi, prof. doc. Nikollë Shabani. Shqiptaroamerikani, z. Ekrem Bardha, njeriu që ka takuar dhe lobuar me gjashtë presidentë amerikanë për çështjen e Kosovës, duke marrë pjesë në këtë ngjarje historike, tha se ndjehet entuziast, krenar për emrin, figurën dhe veprën e Nënë Terezës. Nënë Tereza,- tha ai,- na bën ne, si shqiptarë, të jemi krenarë para historisë, para gjithë botës. Emri dhe lavdia e saj, tashmë, i kanë kaluar caqet dhe kufijtë e kombit, por shndrisin për gjithë botën.

11111

 

(Kosova Sot)