“Më merrni, këtu jam”, si e vranë komunistët priftin gjerman. Amaneti i fundit në Shqipëri: Nesër…

  • 23 October 2018 - 10:11
“Më merrni, këtu jam”, si e vranë komunistët priftin gjerman. Amaneti i fundit në Shqipëri: Nesër…

Me 18 korrik 1946, që pa u gdhirë, në orën 5 të mëngjesit, u dëgjuan britmat e forta të automatikut, që në atë periudhë ishin bërë për ne sinjali i zhdukjes së njerëzve të pafajshëm, sinjale të shpeshta që kishin filluar kohët e fundit të na zgjonin me ndjenjën e tmerrit, por dhe me atë të dhimbjes. Ashtu me një frymë dolëm nga shtëpitë tona për në pikën e takimit me shokë duke vrapuar drejt varrezave katolike, pranë zallit të lumit Kir…

[prifti]

nga Gjovalin Lazri/ Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit/ Në një shkrim të kohës mësojmë se forcat e shpëtimit kombëtar, që jetonin ende në male, i afruan atij të gjitha mundësit e shpëtimit, por ai nuk pranoi të largohet, duke u thënë: “Nuk kam arsye për t’u larguar. Jam krejt jashtë politikës, dhe më e rëndësishmja është që në këto momente kam një mision fetar tepër të lartë që dua ta kryej me përkushtimin ma të madh. Ky njeri që kam pranë është një nga njerëzit e mi më të dashur. Siç e shikoni, ai akoma s’e ka lëshuar frymën e fundit. Kurrë dhe në asnjë mënyrë nuk mund ta braktis. Pastaj kam dhe arsye të tjera edhe më të mëdha. Dijeni se unë jam edhe shqiptar. Këtu nuk kam ardhur si politikan, nuk jam as ushtar, as pushtues, por jam meshtar, dhe po të jetë se duhet të vdes, dua të vdes si meshtar”. Dhe, ashtu i rrethuar, vazhdoi deri në fund punën e tij me të plagosurin duke i bërë shërbimet dhe nderimet e fundit ashtu si i lyp besimi katolik. Me një qetësi të admirueshme dhe deri në fund krenar, nuk ngurroi t’i drejtohej ushtarakëve të sigurimit të shtetit duke u thënë ballë për ballë: “Eni e më merrni, këtu jam, nuk keni përse të organizoheni për kapjen time, siç e shikoni jam dhe i paarmatosur”. Në mënyrën më të egër e me natyrën e tyre të rebeluar, e tërhoqën zvarrë drejt burgjeve të tmerrshme, ku për gjashtë muaj e pritën torturat më çnjerëzore që mund t’i bëhen një njeriu. Pas gjashtë muajve, në kinema “Rozafat” të qytetit të Shkodrës vendosën t’i bëjnë gjyqin. Një gjyq sa për ta turpëruar, diskredituar e për t’i komunikuar dënimin me vdekje, sepse pastërtia e figurës morale e politike e këtij prifti shembullor, s’kishte të bënte fare me ngjyrat e politikës komuniste apo të tradhtisë, siç e sajoi sistemi komunist. Në gjyq mbajti një qëndrim burrëror. Në mënyrën më solemne, duke ua përsëritur në sy komunistëve fjalët që ua kishte thënë para gjashtë muajve në momentin e arrestimit, ai shtoi edhe këto:

“Unë vërtetë jam gjerman, por Shqipërinë e kam Atdheun tim të dytë. Kam ardhur në Shqipëri si meshtar, kam vepruar si meshtar, e dua të vdes si meshtar. Si një qytetar i ndershëm e kam deklaruar dhe e deklaroj përsëri karakterin nazist të kësaj lufte të padrejtë, edhe duke mos qenë kurrë politikan”.

Megjithatë, xhelatët e kishin fiksuar dhe regjistruar me kohë dënimin e tij. Kur gjykatësi i dha dënimin me vdekje, me pushkatim, sipas një zakoni formal të asaj kohe, do t’i kërkonte dëshirën e tij të fundit. Dom Alfonsi me një ndjenjë të thellë shpirtërore përgjigjet:

“Kërkesa ime e fundit është që të m’i lejoni fëmijët e mi të dalin nesër në rrugë, që t’i shikoj për herë të fundit”.

Për çudi ky premtim u mbajt. Por doli më vonë se edhe ky premtim e kishte hilen mbrapa. Ishte mundësia e përgjimit dhe e pëshpëritjeve të njerëzve të ligj, se kush do të dilte në atë takim, por falë asaj që ne ishim të vegjël, gjithçka kaloi pa rrezik. Të nesërmen e asaj dite, në kohën që do bëhej seanca e fundit, gjatë rrugës për në gjyq, me bekimin e prindërve tanë dolëm në vendin e caktuar, para “Kafes së Madhe”, ku do t’u përshëndetnim për herë të fundit me Mësuesin tonë të paharruar. Ishte vërtetë një takim emocional. Shikimi i parë në ato momente të shkurtra në sytë e të dy palëve kishte brenda një domethënie shumë të madhe, kishte brenda një mal me mbresa e kujtime nga më të bukurat, por mbi të gjitha kishte mallin, dhimbjen, e dëshirën për të folur, kënaqësinë për t’u përqafuar, por që të gjitha u shkrinë brenda pak sekondash duke na lënë ashtu të ngrirë dhe të hutuar pa qenë në gjendje ta hapnim gojën, qoftë edhe për një fjalë të vetme. Një shtangie të tillë njeriu vërtetë rrallë e provon në jetë.

Ashtu me sy të përlotur e kaluam edhe këtë moment të vështirë, por të paharrueshëm, kur po ndaheshim përfundimisht nga njeriu më i dashur që kishim fituar në jetë. Një ditë më vonë, me 18 korrik 1946, që pa u gdhirë, në orën 5 të mëngjesit, u dëgjuan britmat e forta të automatikut, që në atë periudhë ishin bërë për ne sinjali i zhdukjes së njerëzve të pafajshëm, sinjale të shpeshta që kishin filluar kohët e fundit të na zgjonin me ndjenjën e tmerrit, por dhe me atë të dhimbjes. Ashtu me një frymë dolëm nga shtëpitë tona për në pikën e takimit me shokë duke vrapuar drejt varrezave katolike, pranë zallit të lumit Kir (në atë kohë lejohej pamja e të pushkatuarve). Një pamje e llahtarshme. Katër burra, katër atdhetarë, katër të pafajshëm, katër shpirtra që akoma janë në kërkim të mirënjohjes njerëzore: Dom Alfons Tracki, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dodaj, dhe Kel Abati, janë tani pa jetë. Pamje më të dhimbshme nuk mund të shikonte njeriu. Prifti ynë edhe vdekjen e kishte zgjedhur në mënyrë të atillë që të ishte sa ma afër botës së tij shpirtërore, në krahët e Zotit, ashtu i gjunjëzuar në lutjet e fundit, me duar të puthitura ku kishte shtrënguar uratat, me ballë të çarë nga plumbat, nga kullonte akoma gjak, një skenë rrenqethëse kjo që u filmua në memorien dhe në shpirtin tonë për të mos u çregjistruar kurrë më. Në heshtje varri, ashtu të mpirë, qëndruam për disa minuta dhe lotët na rridhnin çurg në fytyrë. Ashtu të topitur siç ishim, sytë na u kryqëzuan me një fytyrë të zbehtë dhe të panjohur, nga i cili doli një zë i këputur sikur të dilte nga fundi i dheut, një zë i mekur por që mbante brenda një dhimbje të madhe. Njeriu si hije në mes të asaj heshtje, me një emocion të thellë, befas lëshoi bekimin:

“Dritë ju baftë shpirti, pushofshi në paqe”.

Të këputur e të vrarë shpirtërisht, me një botë të brendshme të rënduar sa më s’bëhet, u kthyem për në shtëpitë tona. Për një kohë të gjatë e jetuam mendërisht dhe shpirtërisht këtë humbje sa të dhimbshme aq edhe të pa drejtë, humbjen e këtij njeriu të rrallë, i cili gjatë gjithë jetës mendoi dhe veproi vetëm për të bërë mirë. Nga shkrimet e mëvonshme, si dhe nga njerëz që kanë dëshmuar këtë akt makabër, do të kemi të regjistruara fjalët e fundit të Dom Alfonsit:

“Rroftë Krishti Mbret” , dhe “Fali o Zot se nuk dijnë çfarë bajnë” .

Sigurisht që atë ditë nuk mund ta bënim asgjë, por pas disa ditësh me një grup shokësh, me mundësitë që kishim, mblodhëm një tufë lule e ashtu pa ra në sy, i vumë në atë vend ku menduam se preheshin eshtrat e Dom Alfonsit, por koha tregoi se ato eshtra kishin humbur përgjithnjë, për të mos u gjetur më kurrë. Rrjedha e lumit Kir i kishte përcjellur përgjatë fshatrave Bardhej e Rrencë së bashku me shumë fatkeq të tjerë, duke shpërndarë kudo tmerrin e krimit, por edhe ndjenjën e dhimbjes dhe të pafajësisë njerëzore. P.S. A duhet vepruar sa nuk është vonë, që një nga institucionet kulturore lokale të mbajë emrin e këtij personaliteti të shquar?

(Kosova Sot)