Historia e dhimbshme e 17 vjeçarit, revolta kundër Enver Hoxhës dhe ekzekutimi në kufi

  • 11 November 2018 - 11:37
Historia e dhimbshme e 17 vjeçarit, revolta kundër Enver Hoxhës dhe ekzekutimi në kufi

Historia e drejtuesit të lëvizjes antikomuniste, si e organizoi rininë shkodrane kundër komunistëve, nga parullat e para nëpër muret e Shkodrës e deri tek dita e fundit, kur u vra në kufi në moshën 17-vjeçare.

kujto

Ishte data 18 gusht e vitit 1948, kur Bardhosh Dani, i pashpresë, u nis drejt kufirit për t’i shpëtuar regjimit komunist. Kishte vendosur bashkë me dy shokët e tij, të largohej dhe bashkë ishin nisur drejt kufirit në udhëtimin e tyre të fundit, atje ku do të mbyllnin sytë përjetë. Tre të rinjtë, Bardhosh DaniBrahim Dërguti e Mark Caca mbetën të vrarë në kufi, në tentativën tyre për t’u larguar jashtë mureve të diktaturës komuniste. Ahmet Bushati e ka rrëfyr historinë e tyre dhe të gjithë lëvizjes antikomuniste të të rinjve të Shkodrës. Ahmet Bushati ishte pjesë e kësaj lëvizjeje, i mbijetuar i kampeve dhe burgjeve të komunizmit. Në një intervistë, dhënë për “GSH” rreth 15 vite më parë, ai e tregon kështu historinë e licistëve antikomunistë të Shkodrës, të udhëhequr nga Bardhosh Dani.

“Përpjekja Shqiptare”

Lëvizja antikomuniste në Liceun e Shkodrës, e cila e ka zanafillën që nga periudha e Luftës, vazhdoi edhe më pas nga viti 1945 e deri në 1953 kur u arrestuan dhe pjestarët e grupit të fundit antikomunst me nxënësit që kishin dalë nga ajo shkollë. Lidhur me këtë lëvizje e cila rifilloi në gjimnazin e atij qytetit (pak kohë pas mbarimit të Luftës) me krijimin e organizatës “Përpjekja Shqiptare” që kryhesohej nga Bardhosh Dani dhe Ethem  Bakalli, Bushati kujton: “Në tetorin e vitit 1947 në shtëpinë e Nihat Bakallit në qytetin e Shkodrës u formua një organizatë antikomuniste e quajtur “Përpjekja Shqiptare”, e cila kryesohej nga Bardhosh Dani dhe Ethem Bakalli. Për formimin e asaj organizate, unë u njoftova nga Bardhosh Dani, i cili pasi më takoi më tha: Ahmet, na jena të rinj e pa ekseriencën e duhur, e kena nevojë me na drejtue dikush. Mua më ka shkue mendja te ti”.

Pas fjalëve të Bardhosh Danit unë hezitova që t’i përgjigjesha menjëherë dhe për të fituar kohë nisa ta pyes për veprimtarinë që kryenin ata. Pasi ai më foli gjerë e gjatë rreth veprimtarisë së tyre, më tregoi dhe për një vendim që ata kishin marrë ato ditë, i cili kishte të bënte me shkruajtjen e disa parrullave kundër pushtetit në muret e gjimnazit. Unë ia kundërshtova atë aksion, sepse ata do të zbuloheshin nga Sigurimi i Shtetit, i cili kishte njerëzit e tij në gjimnaz dhe si rezultat i kësaj, do të dështonte i gjithë misioni që ata i kishin vënë vetes. Mbas këshillave të mija, Bardhoshi u bind dhe më premtoi se së paku përkohësisht nuk do e kryente atë aksion. Pas kësaj bisede me Bardhoshin, unë pranova të bashkëpunoja me të dhe grupin e tij, por i vura disa kushte. Së pari, unë nuk pranova të isha në rolin e Kryetarit të Grupit dhe i kërkova që asnjeri nga antarët e grupit të tij, të mos e mësonte asnjëherë lidhjen që kisha unë me të. Pas këtij kompromisi, unë u bëra një nga koordinatorët kryesorë që mbaja lidhjet në mes nxënësve të gjimnazit dhe kryetarit të atij grupimi që ishte Bardhosh Dani.

Për ta shtrirë aktivitetin e asaj organizate edhe në qytete të tjera, unë bisedova me Xhevat Qukun, të cilit i rekomandova Ramazan Kthupin nga Durrësi (Sigurimi nuk arrti ta zbulonte asnjëherë), që ta zgjeronte grupin në atë qytet, por lidhjet e mija me Bardhosh Danin nuk ia tregova. Mbas pak ditësh nga takimi që pata me Bardhoshin, në muret e gjimnazit të Shkodrës u gjetën të shkruara me bojë të zezë parullat “Poshtë Komunizmi”, “Jashtë rrebelet” etj. Pas kësaj unë mora takim menjëherë me Bardhoshin dhe i thashë se pse e kishin bërë atë gjë, por ai mu justifikua, duke më thënë se nuk kishte pasur mundësi që t’i ndalonte dot shokët për atë veprim, ngaqë ata ishin përgatitur shpirtërisht për atë gjë. Pasi nuk kishin kaluar as katër-pesë ditë nga ajo ditë, ndodhi ajo që unë e kisha paralajmëruar Bardhoshin: u arrestuan dy shokët e mi, Remzi dhe Xhevat Quku e bashkë me ta dhe Osja, vëllai i vogël i Xhevatit,” kujton Ahmet Bushati atë periudhë kur u formua organizata antikomuniste me emrin “Përpjekja Shqiptare”.

Veprimtaria e Organizatës

Po cili ishte aktiviteti që organizata antikomuniste “Përpjekja Shqiptare” zhvilloi më pas dhe kush ishin personat që morën pjesë në aksionet që kreu ajo? Lidhur me këtë Ahmet Bushati kujton: një pjesë e “Veprimtaria e organizatës antikomuniste “Përpjekja Shqiptare” e cila u krijua nën drejtimin e Bardhosh Danit u zhvillua e shumëanshme dhe mjaft e dendur e aksioni i parë që kryen antarët e saj, ishte ai shkruajtjes së parullave antikomuniste në muret e gjimnazit. Boja me të cilën u shkruan ato parrulla, u përgatit nga Mysret Muka në dyqanin e Visho Barbullushit. Pas këtij aksioni, Sigurimi i Shtetit ra në gjurmët e asaj organizate nëpërmjet njerëzve të tij dhe si rezultat i kësaj u arrestuan antarëve të atij grupimi antikomunist që përbëhej kryesisht nga maturantët. Pas këtyre arrestimeve situata në gjimnazin tonë u acarua aq shumë nga survejimet e Sigurimit, saqë organizatorët kryesorë që e drejtonin atë, u detyruan që veprimtarinë e tyre antikomuniste ta zgjeronin dhe ta zhvillonin jashtë mureve të asaj shkolle.

Kështu në janarin e vitit 1948 me ndërmjetësinë e Viktor Lukës, kjo organiztaë u lidh ngushtë me grupin social-demokrat që kishte si kryetar të saj Mark Shllakun. Atë kohë duke e parë situatën tepër të acaruar nga ndjekjet dhe survejimet e Sigurimit të Shtetit, Bardhosh Dani me dy shokët e tij Brahim Dërgutin e Mark Cacën vendosën që të kalonin kufirin dhe të arratiseshin nga Shqipëria. Kështu në janarin e vitit 1948 teksa ata ishin duke kaaluar kufirin, u rrethuan nga forcat e ndjekjes dhe mbetën të vrarë të tre. Kjo vrasje e dëmtoi rëndë organizatën “Përpjekja Shqiptare” e cila në atë kohë u detyrua të riorganizohej për të zgjedhur njerzit që do të merrnin drejtimin e saj dhe mbledhjet për këtë gjë u zhvilluan herë pas here në shtëpitë e Alfons Radovanit dhe Viktor Lukës. Mbas riorganizimit që bëri ajo organizatë, filluan të bëhen dhe aksionet e para të cilat konsistuan në shtypjen dhe shpërndarjen e trakteve të ndryshme në të cilat propagandohej kundër regjimit komunist që ishte vendosur në Shqipëri.

Trakti i parë që shtypi dhe shpërndau kjo organizatë, ishte ai me rastin e 28 nëntorit 1948, trakti i dytë u shtyp një vit më vonë në 28 nëntorin e 1949-ës dhe i treti u shtyp në shtatë prill të vitit 1950. Në traktin e tretë që u shtyp nga ajo organizatë, në mes të tjerash thuhej: ” 29 nëntori i vitit 1944 i cili festohet nga komunistët si dita e çlirimit të Shqipërisë, nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga dita e shtatë prillit të vitit 1939 kur Shqipëria u sulmua dhe u pushtua nga Italia fashiste”. Në atë kohë këto trakte u shtypën me makinën e shkrimit të Mërgim Danit, por me që makina e tij nuk mund t’i përballonte dot në të gjitha rastet që kishte nevojë ajo organizatë, u mendua dhe për një makinë shkrimi tjetër dhe për gjetjen dhe sigurimin e saj u caktuan Zef Vila dhe Agostin Dema. Këta të dy arritën ta gjejnë makinën e shkrimit duke e marrë atë fshehtas në Drejtorinë e Muzeut të Shkodrës dhe më pas e nisën menjëherë për në Mirditë tek Gjon Marka Ndoj.

Këto trakte që vazhdimisht konceptoheshin nga Et’hem Bakalli, shpërndaheshin më pas për në Shkodër, Kelmend, Mirditë e Tiranë dhe një nga personat që e kryente atë punë, ishte Ndoc Ljarja, i cili në atë kohë ishte nxënës në Teknikumin “7 Nëntori” në Tiranë. Organizata “Përpjekja Shqiptare” në atë kohë mundi që të shpërndante në malësitë e Shkodrës elegjinë kushtuar Prek Calit të cilin e kishte sjellë prej fshatit Vukël, Zihni Baja që ishte mësues atje. Mbas disa kohësh nga dita e krijimit të asaj organizate, u arrestova dhe unë dhe përfundova në hetuesinë e Shkodrës. Gjatë kohës që isha në burg mësova se Bardhosh Dani e kishte ndërprerë për disa kohë mbledhjen e grupit dhe veprimtarinë e tij, por kjo nuk kishte zgjatur shumë sepse ai e rifilloi përsëri atë duke u thënë antarëve të grupit: “Përderi sa ne nuk po pësojmë gja, tregon se Ahmet Bushati po reziston në hetuesi, e na duhet të vazhdojmë punën që kena nisë”, kujton Ahmeti atë kohë kur Bardhosh Danie rifilloi përsëri aktivitetin e tij antikomunist me organizatën “Përpjekja Shqiptare”.

Anëtarët e organizatës

Po kush ishin personat që morën pjesë në organizatën antikomuniste “Përpjekja Shqiptare” dhe cili qe fati i tyre? Lidhur me këtë Ahmet Bushati dëshmon: “Studentët që u grupuan në atë organizatë si në kohën që drejtohej nga Bardhosh Dani ashtu dhe pas vrasjes së tij, ishin: Ismail Baruti, Gjon Mark NdojViktor Luka, Et’hem Bakalli, Nihat Bakalli, Mërgim DaniRrok JubaniXhevat GjyreziNexhip OsmaniBardh Shiroka, Njazi Uruçi, Injac KujxhiaFerit MyftiaPjerin Vata, të cilët u arrestuan të gjithë në periudha të ndryshme kohe dhe u dënuan me burg. Kurse pjestarët e asaj organizate që në atë kohë mundën të arratiseshin ishin: Zef Hila, Ali Llukaçi dhe Lec Vasia. Po kështu pjestarë të asaj organizate që u arrestuan më pas ishin dhe Ramadan Lumani dhe Rrik Prendushi, kurse Karlet Luka u internua familjarisht.

Nga pjestarët e organizatës që mundën të shpëtonin pa u arrestuar në atë kohë ishin: Agustin Dema, Sheuki Anamali, Sheuki Mati, Gjovalin Ujka, Rrik Kraja, Ramadan Sokoli, Shefik Jubica, Beqir Sukniqi dhe Hilmi Hoxha. Po kështu u përjashtuan nga shkolla antarët e asaj organizate si Terezina Baba. (një nga vajzat më të shquara të “Përpjekja Shqiptare”) Emil Prenushi, Suzana Kraja, Gjovalin Koci, Kolec Simoni, Rrik Kraja, Çiljeta Simoni, Gjystina Kapedani, Alfred Marashi, Gjyljana Misloci, Madalena Misloci, Lali Glasovi, Albina Marashi (vajza e Llesh Marashit) Anica Maloku, Terezina Dajçi, Gjina Dajçi, Rexhina Kola e Marjeta Kiçi. Gjatë asaj kohe përveç veprimtarisë që kryenin këta pjestarë të organizatës “Përpjekja Shqiptare”, në gjimnazin e shtetit kishte dhe disa konviktorë të cilët ishin të lidhur ngushtë me Partinë Komuniste dhe e kryenin me devocion punën e saj si P. F.,K.O., A.U. etj”, kujton Ahmet Bushati antarët e organizatës antikomuniste të gjimnazit të Shkodrës.

Grupet e tjera dhe profesorët

Po si vazhdoi më tej lëvizja antikomuniste në gjimnazin e Shkodrës dhe a u krijuan grupe të tjera pas arrestimit të antarëve të grupimit “Përpjekja Shqiptare” ?Lidhur me këtë Ahmet Bushatidëshmon: “Edhe pas arrestimit të një pjese të madhe të atyre nxënësve që bënin pjesë në organizatën antikomuniste “Përpjekja Shqiptare”, lëvizja antikomuniste në gjimnazin tonë nuk e pushoi aktivitetin e saj. Në atë kohë krahas asaj organizate në qytetin e Shkodrës vepronte dhe grupimi Social-demokrat që e udhëhiqte Mark Shllaku i cili më pas u arrestua dhe u dënua me vdekje. Po në atë grup në atë kohë bënte pjesë dhe Kolec Pikolini i cili ishte i lidhur me të arratisurit që ndodheshin në malet e Mirditës. Koleci u kap dhe pasi u dënua me vdekje, dënimi iu kthye në burg të përjetshëm. Më pas ai u arratis nga burgu dhe nga Shqipëria e përfundoi në SHBA. Po kështi si pjestar i grupimit social-demokrat ishte dhe Martin Shyti i cili ndonëse mundi që të arratiset nga hetuesia, nuk e fitoi dot lirinë sepse u vra nga kufitarët në zonën e Oblikës teksa ishte duke tentuar të arratisej jashtë vendit. Një nga pjestarët e tjerë të këtij grupimi ka qenë dhe Martin Camaj i cili pasi u arratis nga Shqipëria për në Jugosllavi, u vendos në Gjermani ku dhe fitoi famë të madhe si shkrimtar. Nga pjestarët e tjerë të këtij grupimi ka qenë dhe Isa Beqiri i cili u arrestua dhe vuajti në burg.

Pas grupimit social-demokrat u krijua dhe një grup tjetër antikomunist i cili nuk u zbulua dot nga organet e Sigurimit të Shtetit dhe antarët e tij në atë kohë nuk u arrestuan. Në përbërjen e këtyre grupeve ishin Pjetër Filipi (Arbnori) Adnan MukaGjovalin Preka e Bep Jubani. Pas këtyre grupi i fundit që do të zbulohej ishte ai i vitit 1953 me Ali Spahisë dhe Llesh Topallin. Ky grup që përbëhej nga ish-gjimnazistë të Shkodrës, shënoi dhe fundin e grupeve anrikomuniste të gjimnazit të Shkodrëstë cilët luftuan për tetë vjet me rradhë pa e ndërprerë aktivitetin e tyre për të bërë të mundur rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Nga gjithë vepritarria tetëvjeçare e këtyre grupeve antikomuniste që dolën nga rradhët e gjimnazistëve shkodranë, u arrestuan dhe përfunduan burgjeve të regjimit komunist mbi gjashtëdhjetë nxënës dhe katër të tjerë si Bardhosh DaniBrahim DërgutiMark Caca dhe Asim Rusi dhanë jetën.

Po kështu gjatë gjithë veprmtarisë antikomuniste tetëvjeçare që kryen studentët e gjimnazit tonë, një ndihmë të madhe patëm edhe nga profesorët tanë të nderuar si Preng Kaçinari Qemal Draçini, Prof Fundo, Kol Alimhilli, Gaspër Jakova, Hydajet Ceka, Kolë, e Ndoc Kamsi, Filip e Gjina Ndoci, Menduh Agolli, Abdyl e Eqerem Rusi, Adem BazhdariZyhdi Sokoli, Tomor Dani (Sekretar i shkollës) etj.”, përfundon rrëfimin e tij mbi lëvizjen antikomuiniste të gjimnazit të Shkodrës, Ahmet Bushati, një nga ish-nxënësit e asaj shkolle të famëshme që siç thonë shkodranët” I ka lenë emën të mirë vetit” Po cila është e kaluara e Ahmet Bushatit dhe e familjes së tij fisnike tepër të njohur në qytetin e Shkodrës? Cili është aktiviteti i tij antikomunist dhe si i kaloi ia shtatë vitet e burgut nën tortura pa iu nënshtruar askujt? Lidhur me këto Ahmeti nuk pranon të rrëfejë për “Gazetën” duke u shprehur se për atë ka shkruar gjatë në librin e tij të botuar kohët e fundit të cilin e ka titulluar “Në gjurmët e një ditari”.

(Kosova Sot)