Mit'hat Frashëri, i vetmi që gëzonte edhe respektin e socialistëve

  • 17 November 2018 - 08:44
Mit'hat Frashëri, i vetmi që gëzonte edhe respektin e socialistëve

Mit'hat Frashëri është një figurë që ka zënë hapësirë dhe më arkivat amerikane. Dje eshtrat e tij u varrosën në Kodrat e Liqenit Artificial, pranë vëllezërve Frashëri. Ai ka qenë një figurë që ka luftuar gjithmonë për lirinë e Shqipërisë, por duke qenë se ishte pjesë e Ballit Kombëtar, ka pasur zëra dhe kundër sjelljes së eshtrave në vendin tonë. Por për të ka shkruar shumë dhe CIA, pasi është një person që punoi shumë në emigracion kundër regjimit të Hoxhës. CIA e vlerëson figurën e tij, duke thënë se është i vetmi që gëzonte respektin dhe të socialistëve, ndërsa i mbajti të bashkuar anëtarët e ballit Kombëtar. Situata brenda Ballit Kombëtar Për të kuptuar ndarjen aktuale brenda grupit Partia e Ballit Kombëtar, është e nevojshme të kemi një ide të qartë të prejardhjes së grupit dhe luftës për pushtet brenda Komitetit drejtues të tij, e cila nuk ka pushuar që prej krijimit të tij në 1939, në kohën e pushtimit fashist të vendit. Balli Kombëtar u krijua si një lëvizje rezistence nga element konservatorë në jug të Shqipërisë, në kundërpërgjigje të rritjes së influencës së lëvizjes së drejtuar nga komunistët "Fronti Nacional Çlirimtar". Anëtarët e Ballit ishin kryesisht ish-pronarë tokash dhe ndjekësit e tyre fshatarë, si dhe qytetarët që nuk ishin bashkuar me frontin komunist. Ata përfshinin gjithashtu një grup intelektualësh që megjithëse ishin republikanë dhe reformistë, ishin tepër nacionalistë për të kapërdirë linjën komuniste. Përplasjet brenda Ballit Kombëtar Prej krijimit të tij dhe disa vite më tej, kryesia e Ballit ishte në duart e themeluesve konservatorë Mit'hat Frashëri, Ali Klissura, Nuredin Vlora, e Koço Muka, të cilët e konsideronin partinë e tyre si një aleancë të të gjithë elementeve antikomuniste dhe jo si një parti politike me program e ideologji. Por minoranca intelektuale reformiste e drejtuar nga Abaz Ermeni, Zef Pali, Halil Maçi, Vasil Andoni e të tjerë, kishte ide të tjera në kokë. Që prej fillimit ata dëshironin që ta shihnin Ballin si një organizatë modern politike me tendencë perëndimore dhe socialiste. Ata argumentonin se kishte ardhur koha që Shqipëria të avanconte përtej lidhjeve fisnore dhe politikave të fraksionuara. Kështu që prej fillimit ekzistonin përplasje idesh dhe interesash mes konservatorëve pronarë tokash dhe intelektualëve socialist. Fitorja komuniste në vitin 1944 bëri që shumë liderë të Ballit të largoheshin nga Shqipëria. Kur partia u rimblodh nga refugjatët në Itali dhe në Greqi, kishte ndryshime në lidershipin e saj. Konservatorët nuk e dominonin më atë dhe mezi arritën të mbanin drejtim të përbashkët me intelektualët socialistë. Dhe në këtë pikë partia do të ishte ndarë, po të mos kishte qenë për Mit'hat Frasherin, i cili ruante prestigjin e pushtetarit të vetëm të vjetër, të cilin edhe socialistët nuk mund ta refuzonin, edhe pse këta të fundit përfaqësonin "Gardën e Vjetër". Gjithashtu, socialistët kuptuan se nëse aleatët kishin vendosur të mbështesnin çdo lëvizje shqiptare të refugjatëve ata do të shikonin nga Frashëri si i vetmi njeri me staturë politike mes tyre. Roli i Hasan Dostit dhe përjashtimi i Këlcyrës Nga viti 1945 deri më 1949, ishte Frashëri që mbajti bashkë Ballin Kombëtar. Por gjatë gjithë kësaj periudhë, influenca e grupit socialist u rrit brenda kryesisë së partisë. Kjo u vërtetua dhe me krijimin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA). Grupi socialist arriti të nxirrte të vetmin lider ushtarak brenda Ballit, Abaz Ermenin dhe sollën gjithashtu administratorët e propagandistët më të mirë. Me ardhjen e fondeve socialistët krijuan dhe botojnë gazetën e Ballit Kombëtar. Pas vdekjes së Mit'hat Frashrit në Nju Jork më 1949, socialistët patën mundësinë të marrin kontrollin e Ballit. Ata e bënë këtë me një aftësi politike që tregonte se kishin mësuar disa hile nga e majta ekstreme. Posti i Frashërit në komitetin ekzekutiv i kaloi socialistëve, të cilët zotëronin një shumicë prej gjashtë me katër. Për zëvendësimin e Frashërit ata caktuan Hasan Dostin, një njeri pa emër politik dhe mjaft i dobët për të drejtuar, i cili pranonte me kënaqësi të merrte urdhra nëse zgjidhej si president i Ballit edhe në Komitetin e Shqipërisë së Lirë. Hapi i ardhshëm ishte hartimi i programit politik të Ballit, për ta kthyer në një lëvizje të majtë agrare. Kjo lëvizje u shoqërua me futjen në Ballin Kombëtar të Unionit Ndërkombëtar Fshatar. Por kur nisi të kuptohej, konservatorët e drejtuar nga Ali Këlcyra, Vlora, Muka e të tjerë, shikuan se socialistët jo vetëm kishin mbytur zërin e tyre në komitetin ekzekutiv të Ballit por edhe te Komiteti i Shqipërisë së Lirë. Si rezultat nisën një seri debatesh të ashpra mes liderëve konservatorë dhe socialistë, të cilat përfunduan me një takim të thirrur nga Ali Këlcyra në Napoli ku ai denoncoi taktikët e ulëta të përdorura nga socialistët dhe i bëri thirrje kryesisë së Ballit Kombëtar të ndjekë linjën konservatore. Të propozuar nga ai dhe të liderëve themelues si Vlora, Muka, Peshkopia e Begeja. Socialistët iu përgjigjën kësaj duke përjashtuar Këlcyrën dhe konservatorët e tjerë nga lëvizja. Kështu socialistët e sollën mazhorancën e tyre në komitetin ekzekutiv në tetë me dy, por ndarja u reflektua edhe te anëtarësia e Ballit në emigracion, që numëronte rreth 400 ballistë, të cilët besohet se ishin 60 me 40 për qind në favor të socialistëve. Gjatë gushtit dhe shtatorit vazhduan sharjet e ofendimet, akuzat e kundërakuzat. Ballistët socialistë, të cilët ishin mjaft të specializuar në artin e përhapur shqiptar për vrasjen e personazhit, punuan shumë për diskreditimin e kundërshtarëve. Ata pretendonin se vetëm disa ballistë kishin shkuar te konservatorët, deklaratë që më vonë e tërhoqën prej numrit të madh të emrave që mbështesnin Këlcyrën. Ata shpërndanë lajmin se Këlcyra po vepronte si një vegël në duart e shërbimeve italiane të cilët i paguanin shuma të mëdha (edhe pse kjo mund të ishte e vërtetë duke marrë në konsideratë armiqësinë e italianëve me Frontin Komunist, dhe që ata të kenë përfituar nga mundësia për të shkaktuar pak trazirë me sponsorizim ndaj grupit të Këlcyrës. Por gjithsesi nuk kemi prova për pagesa të përmuajshme prej 5000 dollarësh ndaj tyre). Takimi i Begesë dhe Dostit Në shtator Uashingtoni më kërkoi të takoja Dostin dhe të diskutoja situatën me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme, pasi mendohej se kontradiktat mes grupit të emigracionit nuk ishin në interes të Komitetit për Shqipërinë e Lirë. Dosti mori pozicionin neutral duke thënë se ishte shumë e vështirë rikëshillimi i fraksioneve, për arsye të ndryshimeve të thella mes ish-pronarëve të tokave dhe reformistëve të majtë. Ai kërkonte të më siguronte se ishte një "njeri i qendrës". Unë i shpjegova se të paktën kësaj radhe ai duhet të merrte mbi vete përgjegjësinë e të qenit president i Komitetit, duke qëndruar sipër partive, duke treguar lidership dhe duke gjetur zgjidhjen. Ai premtoi ta bënte këtë, por as atëherë dhe as më vonë nuk e bëri. Pas pak këtij takimi, Halim Begeja, kreu i grupit të disidentëve erdhi në Shtetet e Bashkuara. Bëra një takim të gjatë me të dhe më impresionoi me tregimin e ndershëm të një historie të shkurtër individuale. Thelbi i saj ishte se konservatorët kërkonin të kishin një rol në Komitetin e Shqipërisë së Lirë. Me vdekjen e Frashërit atyre u ishte hequr e drejta e fjalës në Ballin Kombëtar, e si rrjedhin i kësaj edhe në komitet. Ata ishin të gatshëm të riafroheshin me Socialistët nëse u lejohej roli në çështjet e Ballit me kuota të barabarta. Nëse jo, ata kërkonin të kishin një përfaqësues të grupit në kryesinë e Komitetit, pasi Këlcyra mund të linte postin në favor të ndonjë prej ndjekësve të tij. Unë i shpjegova Begejas se ishim në favor të rikëshillimit dhe se do të organizoja një takim me Dostin për këtë qëllim. Dhe Dosti u takua me Begejën por pa asnjë rezultat. Dosti kundërshtonte dhe hezitonte, pro më në fund bëri të qartë se çdo vendim do të merrej nga Ermeni dhe të tjerët. Në fillim të tetorit u vendos që Dosti të shkonte në Romë për të diskutuar me komitetin ekzekutiv të Ballit mbi çështjen. Ai do të shoqërohej nga Noci Kotta kështu që një mbledhje e plotë e komitetit ekzekutiv të NCFA të mbahej për herë të parë në disa muaj. Kjo më pas mund të diskutonte për situatën në Ballin Kombëtar. Roli i britanikëve Më 12 tetor u nisa për në Frankfurt, ku u takova me ( ) dhe diskutova mbi mënyrat për të trajtuar çështjen e përçarjes së Ballit Kombëtar dhe grupet e disidentëve. Ramë dakord se përçarja nuk ishte në interes të Komitetit Shqiptar të Shqipërisë së Lirë, prandaj kjo nuk duhej lënë pas dore që të përkeqësohej më shumë. Në takimin e mëpasshëm me britanikët në Paris ramë dakord se Balli duhet të merrte masa për arritjen e kompromisit me disidentët, ose ndryshe disidentët duhet të anëtarësoheshin në komitetin ekzekutiv të NCFA. (Nëse ndodhte e dyta, Këlcyra do të pranohet si përfaqësues i disidentëve në NCFA. Më 20 tetor u takova me britanikët në Paris. Ishin prezentë BrumanWhite, Perkins, dhe Hiberdine, dhe të gjithë dukeshin të preokupuar mbi efektin e aktiviteteve të Komitetit në marrëdhëniet mes shërbimeve Anglo-Italiane, sesa mbi problemin e përçarjes te Balli. Opinioni i tyre në lidhje me këtë të fundit ishte: (a) disidentët ishin të vegjël e të parëndësishëm dhe nuk mund të merreshin seriozisht; (b) sido që të vinte puna, shërbimet e kaluara të Ermenit kishin dhënë rezultate sa i përket personelit të asistencës dhe atë operacional, prandaj kërkohej që të mbanim anën e tij në debatin me disidentët; (c) çdo lëvizje për marrjen e disidentëve në NCFA do të shkaktonte largimin e grupit të Ermenit nga Komiteti. Lëshimet e Dostit Dosti tha se hapat e vetëm që ishin gati të merrnin ishin: (a) ofrimi i vendeve në komitetin drejtues të Ballit për Nuredin Vlorën dhe Koço Mukën; (b) ofrimi i tre vendeve në nën-komitetin fshatar të Ballit për tre disidentë të tjerë. Në disa takime të mëpasshme tentativat për të bindur Ballin të pranonte disa kompromise me disidentët, hasën kundërshtime të forta. Për shembull, Balli refuzoi të pranonte disidentët në radhët e afërta, refuzoi të takohej me Këlcyrën apo me përfaqësues të tij, dhe refuzoi të diskutonte për dhënien e mundësisë së fjalës për disidentët nëse ata hynin në Ballin Kombëtar. Një javë pas argumenteve të pavlera unë dhe ... ishim të bindur se Balli nuk kishte ndërmend të bënte lëshimet e nevojshme për rikëshillimin. Dhe në fakt, edhe gjatë diskutimit të problemit me ne ata vazhdonin propagandën e njollosjes së disidentëve, çka i shërbente vetëm thellimit të përçarjes. Ndërkohë, përpjekjet tona për presion ndaj Ballit po komprometoheshin edhe nga përfaqësuesi britanik në Romë, John Hiberdine. Që prej fillimit, Hiberdine kishte marrë atë që ne konsideronim si pozicion negativ në lidhje me rikëshillimin. Ai mbështeste pikëpamjen se disidentët ishin të parëndësishëm, dhe se prandaj britanikët, e rrjedhimisht edhe amerikanët, ishin moralisht të detyruar të mbështesnin grupin e Ermenit për arsye të punës së tij të mëparshme. Nga burime të besueshme të jashtme ne mësuam se Hiberdine po këshillonte privatisht Ermenin dhe grupin e tij të mos dorëzoheshin ndaj kërkesave tona për arritjen e kompromisit. Më në fund në nëntor vendosa se diskutimet e mëtejshme mbi këtë subjekt ishin të kota. Meqenëse Balli nuk pranonte kompromisin, e vetmja alternativë ishte të rishikonim vendimin e përbashkët që morëm me britanikët në Paris. Përplasjet dhe roli i Mit'hat Frashërit Fitorja komuniste në vitin 1944 bëri që shumë liderë të Ballit të largoheshin nga Shqipëria. Kur partia u rimblodh nga refugjatët në Itali dhe në Greqi, kishte ndryshime në lidershipin e saj. Konservatorët nuk e dominonin më atë dhe mezi arritën të mbanin drejtim të përbashkët me intelektualët socialistë. Dhe në këtë pikë partia do të ishte ndarë, po të mos kishte qenë për Mit'hat Frashërin, i cili ruante prestigjin e pushtetarit të vetëm të vjetër, të cilin edhe socialistët nuk mund ta refuzonin, edhe pse këta të fundit përfaqësonin "Gardën e Vjetër". Gjithashtu, socialistët kuptuan se nëse aleatët kishin vendosur të mbështesnin çdo lëvizje shqiptare të refugjatëve ata do të shikonin nga Frashëri si i vetmi njeri me staturë politike mes tyre. Dokumenti i britanikëve dhe CIA Pas disa takimeve ne dhe britanikët hartuam një dokument ku përshkruhej një rrugë e pranuar e veprimit: kjo ishte dominimi i grupit të Ermenit në përpjekjet për sheshimin e diferencave me disidentët dhe zgjidhjet e problemit me Ballin. Nëse kjo dështonte duhet të merren në konsideratë hapa të tjerë. Pak më vonë në Romë Dostit iu dha një "notë verbale" ku thuhej se pikëpamja e përbashkët angloamerikane ishte veprimi në dy rrugë: Ose të pranonte përfshirjen e përfaqësuesve të disidentëve në komitetin ekzekutiv të NCFA, ose të bënte një kompromis me ta brenda Ballit. Balli zgjodhi alternativën e dytë dhe na dha një deklaratë të shkruar ku thuhej se do të merrnin hapa të shpejtë për arritjen e rikëshillimit të dëshiruar. Gjithsesi diskutimi i metodave që ata do të përdornin tregonte se Balli vetëm sa po plotësonte detyrimin për të folur mbi idenë e rikëshillimit. Biseda me Kryeziun dhe Abaz Kupin Përpara se të largohesha nga Roma, pata një bisedë me Said Kryeziu dhe Abaz Kupin në lidhje me situatën e Ballit. Në të dy mendonim se disidentët kishin të drejtë të përfaqësoheshin në Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, dhe ata gjithashtu trembeshin se nëse Ermeni ia arrinte të përjashtonte një grup të konsiderueshëm të refugjatëve nga aktivitetet, vinte në pozitë për të marrë kontrollin e të gjithë lëvizjes. Të dy ishim dakord se kërcënimi i Ermenit për t'u dorëhequr nga Komiteti nëse u jepej përfaqësimi disidentëve, ishte një blof i pastër. Nga Roma fluturova drejt Londrës më 23 nëntor, dhe kur u takova me përfaqësuesit britanikë duhej se edhe ata kishin ndryshuar disi opinionin në lidhje me çështjen. Ata pranuan kësaj pa kundërshtuar shpjegimin tim mbi mendësinë e Ballit Kombëtar dhe ranë dakord për përfaqësimin e disidentëve në komitetin e NCFA dhe në takimin e dytë me ta unë u binda se kjo rrugë do të ndiqej në të ardhmen e afërt.

(Kosova Sot)