Foto e rrallë: Ceremonia e varrimit të eshtrave të Naim Frashërit në Tiranë (Foto)

  • 11 November 2015 - 16:16
Foto e rrallë: Ceremonia e varrimit të eshtrave të Naim Frashërit në Tiranë (Foto)

Në vitin 1937, me rastin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë, eshtrat e Naim Frashërit u sollën nga Stambolli dhe u varrosën pranë Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë, duke parashikuar edhe ndërtimin e një varri të denjë për të më pas.

Ky varr u bë e mundur të përurohej vetëm pas tre vjetësh në kohë të Italisë.

Varri monumental u ndërtua në oborrin e madh të Kryegjyshatës, duke patur parasysh përkatësinë fetare të poetit dhe vargjet e pafundme që ai i kish kushtuar bektashizmës.

Monumenti ishte i gjithi në mermer të bardhë, në përputhje me stilin monumental të kohës.

Mbi të, qenë vendosur simbole bektashiane dhe një shqiponjë e madhe dykrerëshe e gdhendur po në mermer.

Në foto shihen autoritetet fetare tek rrinë me respekt në këmbët e varrit, duke pasur në midis, të mbështjellë me flamur kombëtar, arkivolin e vogël me eshtrat e poetit, përpara se të ndryhen në varr.

Më pranë tij, qëndron vetë Kryegjyshi Sali Njazi Dedei, i cili do të vdiste vetëm pak muaj më vonë, në 28 nëntor 1940 në një atentat që nuk u sqarua asnjëherë.

Naimi pushoi në këtë varr, pa e ditur se do ta nxirrnin sërisht që andej. Në vitin 1967, në kuadër të mbylljes së institucioneve fetare, eshtrat u nxorën sërish për t’u vendosur në varrin e përbashkët me vëllezërit e tij Abdyl dhe Sami në Kodrat e Liqenit.

Ndërkaq monumenti i vjetër u shkatërrua pa mëshirë, duke i humbur kujtesës sonë kolektive edhe një brilant tjetër.