Kleriku i dënuar që nuk u shenjtërua nga Papa Francesku

  • 29 April 2016 - 13:05
Kleriku i dënuar që nuk u shenjtërua nga Papa Francesku

Papa Françesku lumturoi 38 klerikë dhe civilë shqiptarë të vrarë nga regjimi komunist në Shqipëri. Historiani Kastriot Dervishi thotë se një akt i tillë meriton të lavdërohet pasi është një shenjë respekti ndaj martirëve që vuajtën apo u masakruan nga regjimi komunist. Dervishi thotë se duhen thënë disa të vërteta në lidhje me këtë çështje

“Së pari, nuk janë të gjithë klerikë katolikë personat e lumturuar.

Së dyti, në këtë listë, nuk janë përfshirë të gjithë personat e vrarë nga regjimi komunist, por vetëm një pjesë e tyre.

Së treti, lista është më e madhe se kaq. Ajo nuk përfshin priftërinj të vdekur në tortura apo të vdekur në burgje” – vëren Dervishi.

Sipas tij në shqyrtimin e kësaj çështjeje, nuk janë pasur parasysh kriteret metodologjike e historiografike në përcaktimin e saktë të personave të vrarë. Ata që janë marrë në Shqipëri me këtë studim janë mjaftuar me një grup personash dhe nuk janë thelluar më tej edhe në rastet kur kanë pasur informacion. Kësisoj, në listë mungojnë p.sh. emra të tillë si Anton Harapi apo Ernesto Çoba.

Dervishi sjell historinë e një kleriku që patjetër duhej të ishte në listën e lumturimit që është i fundit klerik që ka vdekur në kushte torture në gjithë Lindjen komuniste.

“Quhet Pjetër Palok Gjeloshi (Gruda), lindur në Grudë të Shkodrës në vitin 1922, me arsim të lartë teologjik. U dënua herën e parë dhe vuajti dënimin në vitet 1946-1951 në kampe pune të detyruar. U arrestua për herë të dytë më 11.3.1979. U akuzua për agjitacion e propagandë dhe tradhti ndaj atdheut dhe u dënua më 5.11.1979 me 25 vjet heqje lirie. Duke vuajtur dënimin u paralizua. Regjimi i Ramiz Alisë nuk e liroi nga burgu. Siç edhe provohet nga komunikata ditore e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kleriku Pjetër Gjeloshi vdiq i paralizuar më 13.1.1989 në kampburgun nr.305 të Përparimit të Sarandës në moshën 67 vjeçare dhe u varros në varrezat e fshatit Përparim. Fotografia që kam bashkëlidhur është bërë pak javë përpara se të vdiste” –shkruan Dervishi.

(Kosova Sot)