Editoriali: Për një drejtësi të pandikuar nga politika

  • 04 December 2016 - 16:59
Editoriali: Për një drejtësi të pandikuar nga politika

Konferenca VI vjetore e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që u mbajt në Prishtinë, nxori në shesh, nga vetë bartësit e sistemit të drejtësisë, besimin e humbur të qytetarëve në këtë sistem. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, u tha prokurorëve se duhet të përmbushin obligimet ligjore e kushtetuese për forcim të sundimit të ligjit, që të rritet besimi i qytetarëve ndaj këtij sistemi. Interferimet politike ndaj sistemit të drejtësisë nuk janë diçka e re. Sa herë mbahen ngjarje të tilla theksohen ndikimet politike në prokurori dhe gjyqësor.

Shtrohet pyetja, nga kush presin gjyqtarët dhe prokurorët të shmangin ndikimet politike në punën e tyre, në ndarjen e drejtësisë, nëse ata vetë nuk kanë guxim dhe aftësi t'u thonë stop këtyre ndërhyrjeve? Politika do të përpiqet gjithmonë të gjejë terrenin e përshtatshëm për të ndikuar në drejtësi, por një prokuror dh një gjyqtar i guximshëm nuk do të lejonte një gjë të tillë. Sot ndërhyrjet politike në këtë sistem janë të mëdha, edhe për shkak të përzgjedhjes së prokurorëve e gjyqtarëve sipas metodës 'alla pronto', por edhe për shkak se nuk ka dalë ndonjë prokuror apo gjyqtar i guximshëm të veprojë profesionalisht dhe me integritet, që mos të jetë i ndikuar nga politika. Prokurorët e gjyqtarët po e shohin gjithnjë e më shumë se me mospunën e tyre në zbatimin e ligjit janë bërë pengesë e madhe e rrugës së integrimeve evropiane.

Mosndëshkimi i krimit, dënimet e ulëta kundër korrupsionit, të zyrtarëve që abuzuan me ligjin, po i mbajnë peng qytetarët edhe në sferën e liberalizimit të vizave. Nëse prokuroria dhe gjyqësori nuk këndellen dhe nuk e marrin seriozisht punën e sundimit të ligjit, pengesat për qytetarët do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Liberalizimi i vizave nuk po ndodh as pas gjashtë vjetësh kur qytetarët e vendeve që na rrethojnë udhë- tojnë në Evropë në mënyrë të dinjitetshme, atëherë edhe sa vjet do të na duhen për hapjen e negociatave. Prokurorët dhe gjyqtarët nuk janë fajtorët e vetëm pse rruga e integrimeve është e shtruar me gjemba, por ata kanë mundur ta ndryshojë këtë gjendje nëse do të zbatonin në mënyrë të plotë ligjin. Politikanëve u vjen radha të ndëshkohen

(Kosova Sot)