Editoriali: Amkademia

  • 26 December 2016 - 17:05
Editoriali: Amkademia

Rrallë në botë mund të gjesh një shembull si në Kosovë, ku politikanët janë edhe shkencëtarë të zotë, profesorë të shquar, akademikë! Po, po. Amkademikë! Edhe pse askush nuk e di se cilat janë arritjet e tyre shkencore, se çfarë kanë kontribuar në fushat përkatëse studimore, sesa janë të njohur ndërkombëtarisht me punimet e tyre. Mjafton që për secilin të kërkoni në internet dhe rezultatet do të jenë zhgënjyese. Por, me rëndësi, partiakët tanë janë edhe akademikë. Është joshës anë- tarësimi në ASHAK. Nuk është vetëm çështje prestigji, por edhe kompensim i mirë financiar. Si institucioni më i lartë shkencor i Republikës do të duhej që aty të zinin vend njerëzit më të shquar të sferave të ndryshme, sidomos ata që së pari, me arritjet e tyre, me veprat që i kanë bërë, kanë depërtuar edhe në rrafshin ndërkombëtar, pra janë të njohur për botën. Shumë nga amkademikët tanë, as brenda Kosovës nuk janë shumë të njohur. Fatkeqësisht, si në çdo institucion publik, mafio-politika ka depërtuar edhe në ASHAK.

Kjo vërehet qartë edhe në anëtarësimet e reja në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që kaluan pa ndonjë debat, në hijen e zhvillimeve politike, zhurmës në Kuvend, murit në veri, zgjedhjeve në Drenas…Me ndonjë përjashtim të vogël, shihni me kujdes emrat e publikuar nga Akademia dhe është fare e qartë se marrëveshja PDK-LDK për ndarjen e pushtetit, kur u formua Qeveria, është jetësuar plotësisht edhe në rastin e ASHAK-ut. Pra, një amkademik i PDK-së, një i LDK-së, e kështu me radhë, rehatohen edhe ambiciozët e shkencës, pavarë- sisht se përtej mediokritetit, gjë tjetër nuk mund të konstatosh në biografitë dhe veprat e tyre. Kur në kupolën e shkencës dhe dijes bëhen pazare të tilla të ulëta, çfarë mund të presim nga nivelet e tjera?! Ky vend nuk mund të ecë kështu përpara, duke e mashtruar veten me gjëra të tilla, me tituj të pamerituar. Është koha e fundit për të reflektuar e për t'i thënë STOP një dukurie të tillë të dëmshme. 

(Kosova Sot)